Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdo t’i shërbesh Jehovait me gëzim

Vazhdo t’i shërbesh Jehovait me gëzim

MENDO pak për ditën më të lumtur të jetës sate. A ishte dita kur u martove a kur të lindi fëmija i parë? Apo ishte dita kur u pagëzove në simbol të kushtimit ndaj Jehovait? Ka shumë të ngjarë që kjo të ketë qenë dita më e rëndësishme dhe më e gëzuar e jetës sate. Dhe si u gufonte zemra bashkëbesimtarëve tek të shihnin të dëshmoje para të gjithëve se e do Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde!​—Mar. 12:30.

Që nga koha kur u pagëzove duhet të kesh provuar shumë gëzim në shërbim të Jehovait. Megjithatë, disa lajmëtarë të Mbretërisë e kanë humbur disi gëzimin e dikurshëm. Pse kështu? Çfarë arsyesh kemi që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim?

PSE E KANË HUMBUR GËZIMIN DISA

Mesazhi për Mbretërinë​—me premtimin se Jehovai së shpejti do t’i japë fund këtij sistemi të lig dhe do të sjellë botën e tij të re—​pa dyshim na mbush me gëzim. Veç kësaj, Sofonia 1:14 na siguron: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» Mirëpo, kur pritja zgjat më tepër nga ç’mendonim, kjo mund të na e grabitë gëzimin dhe mund të na plogështojë në shërbimin e shenjtë të Perëndisë.​—Prov. 13:12.

Shoqëria e shëndetshme mes popullit të Perëndisë na motivon të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim. E ndoshta ishte sjellja e shkëlqyer e shërbëtorëve të Jehovait ajo që na tërhoqi drejt adhurimit të vërtetë dhe na ndihmoi të fillonim t’i shërbenim Perëndisë plot hare. (1 Pjet. 2:12) Por ç’mund të ndodhë nëse një bashkëbesimtar disiplinohet ngaqë nuk ka jetuar në lartësinë e normave të Perëndisë? Në raste të tilla, disa që i tërhoqi drejt së vërtetës sjellja e perëndishme e popullit të Jehovait mund të shkurajohen e ta humbin gëzimin.

Edhe propaganda tregtare e sistemit të lig të Satanait mund të na e vjedhë gëzimin. Djalli e përdor botën e tij që të na shtyjë të besojmë se na duhen gjëra që në të vërtetë janë të panevojshme. Ama, bëjmë mirë të kujtojmë fjalët e Jezuit: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mat. 6:24) S’ka sesi t’i shërbejmë Jehovait me gëzim dhe njëherazi të përpiqemi të marrim gjithë sa mundemi nga kjo botë.

‘GËZOJMË FALË PERËNDISË SË SHPËTIMIT TONË’

Për ata që e duan Jehovain, nuk është një barrë t’i shërbejnë. (1 Gjon. 5:3) Të kujtojmë çfarë tha Jezui: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Ndërsa mbajmë zgjedhën si dishepuj të Krishtit, gjejmë freskim dhe gëzim. E pa dyshim që në shërbim të Jehovait kemi arsye të fluturojmë nga gëzimi. Le të shohim tani tri arsye të rëndësishme pse mund ‘të gëzojmë falë Perëndisë së shpëtimit tonë’.​—Hab. 3:18.

I shërbejmë Jetëdhënësit tonë, Perëndisë së lumtur. (Vep. 17:28; 1 Tim. 1:11) E dimë mirë se edhe vetë jetën ia detyrojmë Krijuesit tonë. Prandaj, vazhdojmë t’i shërbejmë me gëzim, pavarësisht se sa vjet kanë rrjedhur që nga koha kur u pagëzuam.

Hektori ruan gëzimin, pasi mban ndër mend shpresën e Mbretërisë dhe qëndron aktiv

Të mendojmë për shembullin e Hektorit, që i shërbeu Jehovait 40 vjet si mbikëqyrës udhëtues. Edhe tani që është «flokëzbardhur», ai i shërben Jehovait me gjithë shpirt. (Psal. 92:12-14) Sëmundja e së shoqes e ka kufizuar atë që mund të bëjë Hektori në shërbim të Perëndisë, por nuk ia ka venitur gëzimin. Ai thotë: «Më këputet zemra kur shoh si keqësohet shëndeti i sime shoqeje dhe ka qenë e vështirë të kujdesem për të. Por nuk kam lejuar që kjo të më grabitë gëzimin ndërsa i shërbej Perëndisë së vërtetë. E di se jetën ia detyroj Jehovait, atij që e krijoi njeriun për një qëllim, e kjo më mjafton që ta dua nga thellësia e shpirtit dhe t’i shërbej me gjithë zemër. Që të mos humb gëzimin, bëj çmos të qëndroj aktiv në veprën e predikimit dhe t’i përqendroj mendimet te shpresa e Mbretërisë.»

Jehovai ka siguruar flijimin shpërblyes, e falë kësaj mund të kemi një jetë plot gëzim. Vërtet, «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) E pra, nëse tregojmë besim te kjo masë e dashur e Perëndisë, te flijimi shpërblyes i Jezuit, mund të na falen mëkatet dhe të gëzojmë jetën e përhershme. A nuk është kjo një arsye e shkëlqyer që të jemi mirënjohës? A s’duhet të na motivojë mirënjohja për shpërblesën që t’i shërbejmë Jehovait plot hare?

Hesusi e thjeshtoi jetën dhe i shërbeu plot gëzim Jehovait prej vitesh

Ja ç’thoshte një vëlla në Meksikë që quhet Hesus: «Isha skllav i punës. Nganjëherë punoja pesë turne rresht, edhe pse kjo s’ishte e detyrueshme. E bëja vetëm për të mbushur xhepat. Pastaj mësova për Jehovain dhe se si kishte dhënë Birin e vet të shtrenjtë për njerëzimin. M’u ndez një dëshirë e zjarrtë që t’i shërbeja. Ndaj ia kushtova jetën Jehovait, dhashë dorëheqjen nga kompania ku kisha punuar 28 vjet dhe nisa shërbimin e plotkohor.» Kështu, për të nisën vite të tëra plot gëzim në shërbim të Jehovait.

Fryti që japim nuk sjell dhembje, por gëzim të pakufi. A e mban mend si ishte jeta jote para se të njihje Jehovain? Apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve në Romë se ishin dikur «skllevër të mëkatit», por ishin bërë «skllevër të drejtësisë». Ata po jepnin fryt «në udhën e shenjtërisë», e në fund kjo do të çonte në jetën e përhershme. (Rom. 6:17-22) Edhe udha që ndjekim ne në jetë është e shenjtë, pa dhembjet që vijnë si pasojë e një sjelljeje të papastër a të dhunshme. Ç’arsye e fortë për të gëzuar!

«Vitet më të lumtura të jetës sime kanë qenë vitet kur i kam shërbyer Jehovait.»​—Haimeja

Të mendojmë për rastin e Haimesë, një boksier që ishte ateist dhe evolucionist. Ai filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit dhe i la mbresë dashuria që i treguan. Për të hequr dorë nga jeta që bënte, iu desh t’i kërkonte Jehovait ta ndihmonte të kishte besim tek Ai. Haimeja thotë: «Avash-avash zbulova se ekziston një Atë i dashur dhe Perëndi i mëshirshëm. Respektimi i normave të drejta të Jehovait ka qenë mbrojtje për mua. Sikur të mos kisha ndryshuar, ndoshta do të më kishin vrarë, siç ka ndodhur me disa nga ish-shokët e mi boksierë. Vitet më të lumtura të jetës sime kanë qenë vitet kur i kam shërbyer Jehovait.»

MOS U DORËZO!

Si duhet të ndihemi teksa presim fundin e këtij sistemi të lig? Të mos harrojmë, ne ‘po mbjellim për frymën’ dhe ‘do të korrim jetë të përhershme’. Prandaj, «të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi». (Gal. 6:8, 9) Me ndihmën e Jehovait, le të qëndrojmë, të punojmë me të gjitha forcat që të zhvillojmë cilësitë e nevojshme për të mbijetuar gjatë ‘shtrëngimit të madh’ dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij me gëzim, edhe në sprova.​—Zbul. 7:9, 13, 14; Jak. 1:2-4.

Të jemi plotësisht të sigurt se qëndrueshmëria jonë do të shpërblehet, sepse Perëndia e njeh mirë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për të e për emrin e tij. Po të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim, do të jemi si psalmisti David, që tha: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time. Ndaj zemra më gëzon dhe gjithë qenia ime ngazëllon. Trupi im do të prehet i sigurt.»​—Psal. 16:8, 9.