Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imito besimin dhe bindjen e Noesë, Danielit dhe Jobit

Imito besimin dhe bindjen e Noesë, Danielit dhe Jobit

«Noeja, Danieli dhe Jobi për shkak të drejtësisë së tyre, do të shpëtonin vetëm shpirtin e vet.»​—EZEK. 14:14.

KËNGËT: 89, 119

1, 2. (a) Pse mund të marrim zemër nga shembujt e Noesë, Danielit dhe Jobit? (b) Në cilat rrethana i shkroi Ezekieli fjalët e dokumentuara tek Ezekieli 14:14?

A PO lufton me sprova të tilla si, shëndeti i dobët, problemet financiare ose përndjekja? A të duket e vështirë ndonjëherë të ruash gëzimin teksa i shërben Jehovait? Nëse po, merr zemër nga shembujt e Noesë, Danielit dhe Jobit. Ata ishin të papërsosur dhe hasën shumë nga vështirësitë që hasim ne, madje edhe vështirësi që u vunë në rrezik jetën. Prapëseprapë, mbajtën integritetin dhe u bënë shembuj besimi e bindjeje ndaj Perëndisë.​—Lexo Ezekielin 14:12-14.

2 Fjalët e shkrimit kryesor të këtij artikulli, Ezekieli i shkroi në Babiloni në vitin 612 p.e.s. * (Ezek. 1:1; 8:1) Jerusalemit apostat po i afrohej shkatërrimi i parathënë, i cili ndodhi më 607 p.e.s. Ata që pasqyruan cilësitë e Noesë, Danielit dhe Jobit, e kështu morën shenjën e mbijetesës, ishin relativisht pak. (Ezek. 9:1-5) Mes atyre pak vetave ishin Jeremia, Baruku, Ebed-Meleku dhe rekabitët.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Edhe sot, vetëm ata që Jehovai i konsideron të paqortueshëm​—njerëz si Noeja, Danieli dhe Jobi—​do të marrin shenjën e mbijetesës kur ky sistem të marrë fund. (Zbul. 7:9, 14) Ndaj le të shqyrtojmë pse Jehovai i përdori si shembuj drejtësie këta burra. Teksa ndalemi te shembulli i secilit do të përqendrohemi te këto aspekte: (1) çfarë vështirësish hasi dhe (2) si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e tij.

NOEJA​—BESIMPLOTË DHE I BINDUR PËR NËNTË SHEKUJ

4, 5. Çfarë vështirësish hasi Noeja, dhe pse ishte e jashtëzakonshme qëndrueshmëria e tij?

4 Vështirësitë që hasi Noeja. Në kohën e Enokut, stërgjyshit të Noesë, njerëzit kishin mungesë të madhe respekti për Perëndinë. Madje thoshin ‘fjalë tronditëse’ kundër Jehovait. (Jud. 14, 15) Dhuna po shtohej. Në fakt, në ditët e Noesë ‘toka ishte mbushur me dhunë’. Engjëjt e ligj u materializuan si njerëz, morën gra dhe sollën në jetë pasardhës hibridë mizorë. (Zan. 6:2-4, 11, 12) Ama Noeja spikaste si i ndryshëm nga të tjerët. «Noeja gjeti hir në sytë e Jehovait. . . . Ai ishte i patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.»​—Zan. 6:8, 9.

5 Mendo pak se ç’tregojnë këto fjalë për atë njeri të drejtë. Së pari, Noeja nuk eci me Perëndinë në atë botë të ligë para Përmbytjes vetëm për 70 a 80 vjet​—aq sa jetojnë shumë veta sot. Ai jetoi në atë botë gati 600 vjet! (Zan. 7:11) Gjithashtu, ndryshe nga ne sot, ai nuk kishte një kongregacion me bashkadhurues që ta ndihmonin të mbante të fortë besimin; e siç duket këtë mbështetje nuk e gjeti as te motrat a vëllezërit e tij. *

6. Në cilat mënyra tregoi guxim të madh Noeja?

6 Noeja nuk u mjaftua duke qenë thjesht një njeri i mirë. Ai u bë edhe ‘predikues i drejtësisë’ dhe shpalli botërisht me guxim besimin te Jehovai. (2 Pjet. 2:5) «Nëpërmjet këtij besimi, ai dënoi botën»,​—shkroi apostulli Pavël. (Hebr. 11:7) Prandaj merret me mend që Noeja u përball me tallje e kundërshtime, e ndoshta edhe me kërcënime për dhunë. Mirëpo ai nuk ‘dridhej para njerëzve’ nga frika. (Prov. 29:25) Përkundrazi, kishte atë guxim që u jep Jehovai shërbëtorëve të tij besimplotë.

7. Cilat vështirësi hasi Noeja kur ndërtoi arkën?

7 Pasi Noeja kishte ecur me Perëndinë për më se pesë shekuj, Jehovai e urdhëroi të ndërtonte një arkë që të shpëtonin njerëz e kafshë. (Zan. 5:32; 6:14) Sa i vështirë duhet t’i jetë dukur ai projekt​—dhe jo thjesht nga pikëpamja e ndërtimit. Me siguri që Noeja e dinte se ajo punë do të shkaktonte edhe më shumë tallje e kundërshtim. Prapëseprapë, u bind dhe veproi me besim. «Ai bëri pikërisht ashtu.»​—Zan. 6:22.

8. Në cilat mënyra Noeja u mbështet me besim te Jehovai si Siguruesi i gjithçkaje që i nevojitej?

8 Një vështirësi tjetër për Noenë ishte të siguronte gjërat e nevojshme për gruan dhe fëmijët. Para Përmbytjes, njerëzit duhej të mundoheshin tej mase për të kultivuar tokën, dhe natyrisht që Noeja s’bënte përjashtim. (Zan. 5:28, 29) Megjithatë, ai kishte në qendër të jetës Perëndinë, jo shqetësimin për gjërat materiale. Madje edhe gjatë ndërtimit të arkës, që mund t’i ketë marrë 40 a 50 vjet, Noeja mbeti i përqendruar te Jehovai. Ai vazhdoi t’i mbante sytë te Jehovai edhe 350 vite të tjera pas Përmbytjes. (Zan. 9:28) Çfarë shembulli i shkëlqyer besimi dhe bindjeje!

9, 10. (a) Si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e Noesë? (b) Si i konsideron Perëndia të gjithë ata që përkrahin normat e tij?

9 Si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e Noesë. E bëjmë këtë duke përkrahur drejtësinë e Perëndisë, duke mos qenë pjesë e botës së Satanait dhe duke mbajtur në vend të parë Mbretërinë. (Mat. 6:33; Gjoni 15:19) Pa diskutim që me këtë mënyrë jetese nuk fitojmë miratimin e botës. Për shembull, vendosmëria jonë për të përkrahur ligjet e Perëndisë, si ato që lidhen me martesën dhe moralin seksual, ka shkaktuar publicitet negativ rreth nesh në disa vende. (Lexo Malakinë 3:17, 18.) Por, ashtu si Noeja, ne i frikësohemi Jehovait e jo njerëzve. E dimë mirë se ai është i vetmi që jep jetë të përhershme.​—Luka 12:4, 5.

10 Po ç’të themi për ty personalisht? A do të vazhdosh ‘të ecësh me Perëndinë’ edhe kur të tjerët të tallin a të kritikojnë ose kur presionet ekonomike të sprovojnë besimin te Siguruesi yt? Nëse imiton besimin dhe bindjen e Noesë, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të kujdeset për ty.​—Filip. 4:6, 7.

DANIELI​—BESIMPLOTË DHE I BINDUR NË NJË QYTET TË LIG

11. Cilat vështirësi të mëdha hasën Danieli dhe tre shokët e tij në Babiloni? (Shih figurën hapëse.)

11 Vështirësitë që hasi Danieli. Danieli jetonte në robëri në Babiloni, një qytet i zhytur në idhujtari dhe spiritizëm. Veç kësaj, babilonasit i përçmonin judenjtë, talleshin me ta dhe me Perëndinë e tyre, Jehovain. (Psal. 137:1, 3) Sa duhet t’i ketë lënduar kjo judenjtë besimplotë si Danieli! Gjithashtu, ai dhe tre shokët e tij​—Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu—​ishin në qendër të vëmendjes, sepse do të stërviteshin për të qenë në shërbim të mbretit. Madje edhe dietën ua kishin përcaktuar. Në fakt, ushqimi dhe pijet shpejt u bënë një problem, pasi Danieli nuk donte ‘të ndotej me ushqimet e zgjedhura të mbretit’.​—Dan. 1:5-8, 14-17.

12. (a) Cilat cilësi të shkëlqyera shfaqi Danieli? (b) Si e shihte Jehovai Danielin?

12 Një tjetër vështirësi më tinëzare mund të lidhej me aftësitë e jashtëzakonshme të Danielit, falë të cilave mori privilegje të veçanta. (Dan. 1:19, 20) Por në vend që të bëhej arrogant e kokëfortë, mbeti i përulur e modest duke ia dhënë gjithnjë Jehovait meritën që i takonte. (Dan. 2:30) E në fakt, Jehovai e konsideroi Danielin të denjë që të përmendej si shembull drejtësie përkrah Noesë dhe Jobit, kur akoma ishte veçse djalosh. A ishte i pavend besimi i Perëndisë te Danieli? Aspak! Danieli e mbajti besimin të fortë dhe mbeti i bindur deri në fund të jetës. Në fakt, ka shumë mundësi të ketë qenë nga fundi i të 90-ave kur engjëlli i Perëndisë i tha me ngrohtësi këto fjalë: «O Daniel, njeri shumë i vyer.»​—Dan. 10:11.

13. Si mund të ketë qenë Danieli një bekim për bashkatdhetarët judenj?

13 Ngaqë kishte miratimin e Perëndisë, Danielin e bënë zyrtar të lartë, si në qeverinë babilonase edhe në atë medo-perse. (Dan. 1:21; 6:1, 2) Mbase Jehovai i manovroi gjërat në këtë mënyrë, që Danieli të ishte një bekim për popullin e tij, ashtu siç ishte Jozefi në Egjipt dhe Estera me Mordekain në Persi. * (Dan. 2:48) Imagjino sa duhet të kenë marrë zemër robërit judenj, përfshirë Ezekielin, tek shihnin që dora e Jehovait vepronte në këtë mënyrë!

Ata që mbajnë integritetin janë të vyer në sytë e Jehovait (Shih paragrafët 14, 15.)

14, 15. (a) Në cilat mënyra ngjajnë rrethanat tona me ato të Danielit? (b) Ç’mund të mësojnë prindërit sot nga prindërit e Danielit?

14 Si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e Danielit. Ne sot jetojmë si të huaj në një botë të korruptuar nga imoraliteti dhe adhurimi i rremë për shkak të ndikimit të Babilonisë së Madhe​—perandoria botërore e fesë së rreme, «vendbanimi i demonëve». (Zbul. 18:2) Ja pse edhe ne spikatim si të ndryshëm, e madje bëhemi shënjestër e talljeve. (Mar. 13:13) Ndaj, ashtu si Danieli le t’i afrohemi Jehovait, Perëndisë tonë. Nëse mbështetemi tek ai me përulësi dhe duke iu bindur, edhe ne do të jemi të vyer në sytë e tij.​—Hag. 2:7.

15 Prindërit mund të mësojnë nga shembulli i prindërve të Danielit. Në ç’mënyrë? Ndonëse gjatë fëmijërisë së Danielit në Judë mbizotëronte ligësia, djaloshi mësoi ta donte Perëndinë. Patjetër që kjo nuk ishte thjesht rastësi, por pasqyronte stërvitjen e mirë të prindërve. (Prov. 22:6) Edhe vetë emri i Danielit, që do të thotë «Gjykatësi im është Perëndia», tregon se prindërit e tij i frikësoheshin Perëndisë. * Prandaj ju prindër mos u dorëzoni, por mësojini fëmijët me durim! (Efes. 6:4) Veç kësaj, lutuni me ta dhe për ta. Kur bëni çmos t’u ngulitni në zemër të vërtetën e Biblës, u çelni rrugën bekimeve të pasura të Jehovait.​—Psal. 37:5.

JOBI​—BESIMPLOTË DHE I BINDUR NË PASURI E NË VARFËRI

16, 17. Çfarë sfidash hasi Jobi në periudha të ndryshme të jetës?

16 Vështirësitë që hasi Jobi. Jeta e Jobit ishte plot me kontraste. Para sprovës, ai ishte «më i kamuri ndër ata që jetonin në Lindje». (Jobi 1:3) Ishte i pasur, i mirënjohur dhe mjaft i respektuar. (Jobi 29:7-16) Pavarësisht nga gjithë kjo, Jobi nuk mendonte se ishte më lart se të tjerët e as nuk ndihej sikur s’kishte nevojë për Perëndinë. Në fakt, Jehovai e quajti ‘shërbëtori im’ dhe shtoi se ishte një njeri ‘i paqortueshëm dhe i drejtë, që kishte frikë nga Perëndia dhe që i largohej së keqes’.​—Jobi 1:8.

17 Brenda një kohe shumë të shkurtër, jeta e Jobit ndryshoi kryekëput. Ai u fundos në skamje e dëshpërim të thellë. Siç e dimë, shkaku ishte shpifësi Satana, që duke gënjyer e akuzoi Jobin se e adhuronte Perëndinë me interes. (Lexo Jobin 1:9, 10.) Jehovai nuk e anashkaloi atë akuzë të ligë. Përkundrazi, i dha mundësi Jobit të provonte integritetin e tij, të tregonte se adhurimi i tij buronte nga një zemër e kulluar, altruiste.

18. (a) Çfarë të bën përshtypje tek integriteti i Jobit? (b) Çfarë na tregon për Jehovain mënyra si veproi Ai me Jobin?

18 Satanai lëshoi një breshëri sulmesh mizore kundër Jobit, e si pasojë ai pandehu se fajin për to e kishte Perëndia. (Jobi 1:13-21) Pastaj te Jobi shkuan tre ngushëllues të rremë që e sulmuan me fjalë therëse, duke nënkuptuar se Perëndia po i jepte atë që kishte hak. (Jobi 2:11; 22:1, 5-10) Gjithsesi, Jobi mbajti integritetin. Është e vërtetë se nganjëherë foli rrëmbyer, por Jehovai e kuptoi dhembjen që ndiente ai. (Jobi 6:1-3) Perëndia pa një njeri thellësisht të dëshpëruar që nuk ia kthehu krahët kurrë, edhe pse Satanai, si të thuash, e hodhi përtokë Jobin dhe pastaj e goditi me fyerje e gënjeshtra. Kur sprova mbaroi, Jehovai i dha Jobit dyfishin e gjërave që kishte para se të niste sprova dhe i shtoi 140 vjet jetës së tij. (Jak. 5:11) Gjatë asaj kohe, ai vazhdoi të ishte i përkushtuar vetëm ndaj Jehovait. Pse mund të jemi të sigurt për këtë? Kur Ezekieli dokumentoi fjalët e shkrimit kryesor të këtij artikulli, Jobi kishte vdekur prej shumë shekujsh.

19, 20. (a) Si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e Jobit? (b) Si mund të pasqyrojmë dhembshurinë e Perëndisë në marrëdhëniet me të tjerët?

19 Si mund ta imitojmë besimin dhe bindjen e Jobit. Cilatdo qofshin rrethanat tona, le ta mbajmë gjithmonë Jehovain në qendër të jetës, duke u mbështetur me besim të plotë tek ai dhe duke iu bindur me gjithë zemër. Madje ne kemi edhe më tepër arsye se Jobi për ta bërë këtë. Mendo pak: ne dimë shumë për Satanain dhe taktikat e tij. (2 Kor. 2:11) Pjesërisht falë librit të Jobit dimë pse i lejon Perëndia vuajtjet. Nga profecia e Danielit, kuptojmë se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri botërore me Jezu Krishtin në krye. (Dan. 7:13, 14) Dimë gjithashtu se kjo Mbretëri së shpejti do t’u japë fund gjithë vuajtjeve një herë e mirë.

20 Përvoja e Jobit nxjerr në pah edhe sa e nevojshme është të shfaqim dhembshuri ndaj bashkëbesimtarëve që po kalojnë probleme. Ashtu si Jobi, disa mund të flasin rrëmbyer ndonjëherë. (Ekl. 7:7) Por në vend se t’i gjykojmë, le të shfaqim gjykim të thellë e dhembshuri. Në këtë mënyrë, imitojmë Atin tonë të dashur e të mëshirshëm, Jehovain.​—Psal. 103:8.

JEHOVAI «DO T’JU BËJË TË FORTË»

21. Si e pasqyrojnë fjalët e 1 Pjetrit 5:10 atë që ndodhi në jetën e Noesë, Danielit dhe Jobit?

21 Ndonëse Noeja, Danieli dhe Jobi jetuan në periudha të ndryshme dhe në rrethana shumë të ndryshme, ata treguan qëndrueshmëri përballë vështirësive. Historia e jetës së tyre na sjell ndër mend fjalët e apostullit Pjetër që shkroi: «Pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i gjithë dashamirësisë së pamerituar . . . do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë.»​—1 Pjet. 5:10.

22. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

22 Nëpërmjet fjalëve të frymëzuara të Pjetrit, Jehovai na siguron se do t’i bëjë të patundur e të fortë shërbëtorët e tij. Këto fjalë vlejnë edhe për popullin e Perëndisë sot. Të gjithë ne duam që Jehovai të na bëjë të fortë dhe të qëndrojmë të patundur në adhurimin e tij. Ja pse duam të imitojmë besimin dhe bindjen e Noesë, Danielit dhe Jobit. Siç do të shohim në artikullin vijues, çelësi i integritetit të tyre ishte fakti që e njihnin vërtet Jehovain. Po, ata ‘kuptonin gjithçka’ që kërkonte ai prej tyre. (Prov. 28:5) Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për ne.

^ par. 2 Ezekielin e çuan në mërgim në vitin 617 p.e.s. Ezekieli 8:1–19:14 daton në «vitin e gjashtë» të atij mërgimi, pra në vitin 612 p.e.s.

^ par. 5 Babai i Noesë, Lameku, që i frikësohej Perëndisë, vdiq rreth pesë vjet para Përmbytjes. Nëse nëna, motrat a vëllezërit e Noesë ishin gjallë kur filloi Përmbytja, nuk mbijetuan.

^ par. 13 Kjo mund të thuhet edhe për tre shokët e Danielit, që po ashtu i vunë në pozita me autoritet.​—Dan. 2:49.

^ par. 15 Shih shënimin te titulli i librit të Danielit.