Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 9

Dashuria dhe drejtësia në Izraelin e lashtë

Dashuria dhe drejtësia në Izraelin e lashtë

«Ai e do të drejtën dhe drejtësinë. Toka është plot e përplot me dashamirësinë e Jehovait.»—PSAL. 33:5.

KËNGA 3 Siguria, forca dhe shpresa jonë

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Çfarë dëshirojmë të gjithë ne? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt?

TË GJITHË dëshirojmë të na duan. Dhe të gjithë dëshirojmë të na trajtojnë me drejtësi. Nëse na mohohen vazhdimisht dashuria dhe drejtësia, mund të ndihemi të pavlerë e të pashpresë.

2 Jehovai e di se zemra jonë është e etur për dashuri dhe drejtësi. (Psal. 33:5) Mund të jemi të sigurt se Perëndia ynë na do fort dhe dëshiron të na trajtojnë me drejtësi. Kjo shihet qartë kur shqyrtojmë Ligjin që i dha Jehovai kombit të Izraelit nëpërmjet Moisiut. Nëse e ke zemrën të zhuritur nga mungesa e dashurisë ose të dërrmuar nga padrejtësitë, të lutemi të vëresh si e nxjerr në pah Ligji i Moisiut * merakun e Jehovait për shërbëtorët e vet.

3. (a) Siç e tregon Romakëve 13:8-10, çfarë zbulojmë kur studiojmë Ligjin e Moisiut? (b) Cilave pyetje do t’u përgjigjet ky artikull?

3 Kur studiojmë Ligjin e Moisiut, zbulojmë ndjenjat e ngrohta të Perëndisë tonë të dashur, Jehovait. (Lexo Romakëve 13:8-10.) Në këtë artikull do të shqyrtojmë vetëm disa nga ligjet që iu dhanë Izraelit dhe do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Pse mund të themi se Ligji bazohej te dashuria? Pse mund të themi se Ligji nxiste drejtësinë? Si duhej të kujdeseshin për zbatimin e Ligjit ata që kishin autoritet? Dhe cilët mbronte në veçanti Ligji? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ngushëllojnë zemrën, të na japin shpresë dhe të na afrojnë më shumë me Atin tonë të dashur.—Vep. 17:27; Rom. 15:4.

NJË KOD LIGJOR I BAZUAR TE DASHURIA

4. (a) Pse mund të themi se Ligji i Moisiut bazohej te dashuria? (b) Siç lexojmë te Mateu 22:36-40, cilat urdhërime theksoi Jezui?

4 Mund të themi se Ligji i Moisiut bazohej te dashuria, sepse dashuria e motivon Jehovain në gjithçka bën. (1 Gjon. 4:8) Jehovai e themeloi gjithë atë kod ligjor mbi dy urdhërime bazë—duaje Perëndinë dhe duaji të tjerët. (Lev. 19:18; Ligj. 6:5; lexo Mateun 22:36-40.) Ndaj mund të presim që secili nga më shumë se 600 urdhërimet që përbëjnë Ligjin, të zbulojë një aspekt të dashurisë së Jehovait. Le të ndalemi te disa shembuj.

5-6. Çfarë do Jehovai të bëjnë çiftet e martuara, dhe çfarë vëren me vëmendje ai? Jepni një shembull.

5 Ji besnik ndaj bashkëshortit dhe kujdesu për fëmijët. Jehovai do që çiftet e martuara të kultivojnë një dashuri aq të fortë, sa të zgjatë tërë jetën. (Zan. 2:24; Mat. 19:3-6) Kurorëshkelja është një nga krimet me mungesën më të theksuar të dashurisë. Me të drejtë, i shtati nga Dhjetë Urdhërimet e ndalonte kurorëshkeljen. (Ligj. 5:18) Ajo është mëkat «kundër Perëndisë» dhe një goditje mizore ndaj bashkëshortit. (Zan. 39:7-9) Viktima e kurorëshkeljes mund ta ndiejë dhimbjen e tradhtisë për dekada me radhë.

6 Jehovai vëren me shumë vëmendje si e trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët. Ai donte sidomos që gratë izraelite të trajtoheshin mirë. Një burrë që e respektonte Ligjin, do ta donte të shoqen dhe nuk do ta divorconte për arsye të dobëta. (Ligj. 24:1-4; Mat. 19:3, 8) Por nëse lindte një problem serioz dhe e divorconte, ai duhej t’i jepte një dëshmi divorci. Ajo dëshmi e mbronte gruan nga akuzat e rreme për imoralitet. Veç kësaj, para se t’i jepte gruas dëshminë e divorcit, burri me sa duket duhej të konsultohej me pleqtë e qytetit. Kështu ata do të kishin mundësi ta ndihmonin çiftin të shpëtonte martesën. Kur një izraelit e divorconte gruan për arsye egoiste, Jehovai jo gjithmonë ndërhynte. Ama ai i shihte lotët që derdhte gruaja dhe e ndiente dhimbjen e saj.—Mal. 2:13-16.

Jehovai donte që fëmijët të ndiheshin të mbrojtur e të sigurt ndërsa prindërit i rritnin dhe i mësonin me dashuri (Shih paragrafët 7-8.) *

7-8. (a) Çfarë urdhri u dha Jehovai prindërve? (Shih figurën e kopertinës.) (b) Çfarë mësimesh nxjerrim?

7 Ligji zbulon edhe se Jehovai merakoset thellë për mirëqenien e fëmijëve. Jehovai i urdhëronte prindërit t’u siguronin fëmijëve gjërat e nevojshme jo vetëm nga ana fizike, por edhe për të pasur një marrëdhënie të mirë me Të. Prindërit duhej të shfrytëzonin çdo rast për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptonin e ta vlerësonin Ligjin dhe të mësonin ta donin Jehovain. (Ligj. 6:6-9; 7:13) Një nga arsyet pse Jehovai i ndëshkoi izraelitët, ishte se ata keqtrajtonin në mënyrë tronditëse disa nga fëmijët e tyre. (Jer. 7:31, 33) Prindërit duhej t’i shihnin fëmijët jo thjesht si një pronë që mund ta linin pas dore a ta keqtrajtonin, por si një trashëgimi, një dhuratë nga Jehovai që duhej ta kishin të shtrenjtë.—Psal. 127:3.

8 Mësime: Jehovai i kushton shumë vëmendje mënyrës si e trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët. Ai dëshiron që prindërit t’i duan fëmijët dhe do t’u kërkojë llogari për mënyrën si i trajtojnë.

9-11. Pse e nxori Jehovai ligjin që ndalonte lakminë?

9 Mos lakmo. I fundit nga Dhjetë Urdhërimet ndalonte lakminë, ose zhvillimin e një dëshire të gabuar për atë që i përket një tjetri. (Ligj. 5:21; Rom. 7:7) Jehovai e vendosi atë ligj për të dhënë një mësim me vlerë—shërbëtorët e tij duhet të ruajnë zemrën, domethënë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Ai e di se veprimet e mbrapshta zënë fill si mendime dhe ndjenja të mbrapshta. (Prov. 4:23) Nëse një izraelit lejonte t’i rriteshin në zemër dëshira të gabuara, kishte shumë të ngjarë që t’i trajtonte të tjerët pa dashuri. Në këtë kurth ra për shembull mbreti David. Normalisht ai ishte njeri i mirë. Mirëpo në një rast lakmoi gruan e një tjetri. Ajo dëshirë e çoi drejt mëkatit. (Jak. 1:14, 15) Davidi kreu kurorëshkelje, u orvat të mashtronte bashkëshortin e asaj gruaje dhe pastaj planifikoi vrasjen e tij.—2 Sam. 11:2-4; 12:7-11.

10 Jehovai e dinte kur një izraelit thyente ligjin për lakminë—Ai mund të lexojë zemrën. (1 Kron. 28:9) Ligji kundër lakmisë i mësonte shërbëtorët e tij se duhej të shmangnin mendimet që çojnë në sjellje të keqe. Çfarë Ati i mençur dhe i dashur është Jehovai!

11 Mësime: Jehovai sheh përtej pamjes së dikujt. Ai sheh si jemi vërtet brenda, në zemër. (1 Sam. 16:7) Asnjë mendim, asnjë ndjenjë, asnjë veprim nuk mund të mbahet i fshehur prej tij. Ai kërkon cilësitë e mira brenda nesh dhe na inkurajon t’i zhvillojmë. Por Jehovai do edhe të dallojmë e të mbajmë në fre mendimet e gabuara para se të kthehen në veprime të gabuara.—2 Kron. 16:9; Mat. 5:27-30.

NJË KOD LIGJOR QË NXISTE DREJTËSINË

12. Çfarë nxjerr në pah Ligji i Moisiut?

12 Ligji i Moisiut nxjerr në pah edhe se Jehovai e do drejtësinë. (Psal. 37:28; Isa. 61:8) Ai la shembullin e përsosur se si t’i trajtojmë të tjerët me drejtësi. Kur izraelitët u bindeshin ligjeve që jepte Jehovai, ai i bekonte. Kur i shpërfillnin standardet e tij të drejta, vuanin. Të shohim dy ligje të tjera nga Dhjetë Urdhërimet.

13-14. Çfarë kërkonin dy urdhërimet e para, dhe si do të nxirrnin dobi izraelitët po t’u bindeshin?

13 Adhuro vetëm Jehovain. Dy urdhërimet e para të Dhjetë Urdhërimeve kërkonin që izraelitët t’i përkushtoheshin vetëm Jehovait dhe paralajmëronin kundër adhurimit të idhujve. (Dal. 20:3-6) Ato nuk u dhanë për dobinë e Jehovait, por për dobinë e popullit të tij. Kur i qëndronte besnik Jehovait, populli i tij lulëzonte. Kur adhuronin perëndi të kombeve të tjera, vuanin.

14 Mendo pak për kananitët. Ata adhuronin idhuj të pajetë e jo Perëndinë e vërtetë e të gjallë. Si pasojë, ranë në një gjendje poshtëruese. (Psal. 115:4-8) Pjesë e adhurimit të tyre ishin praktikat e fëlliqura seksuale dhe flijimi i llahtarshëm i fëmijëve. Po njësoj, kur izraelitët shpërfillnin Jehovain dhe zgjidhnin të adhuronin idhuj, binin në një gjendje poshtëruese dhe lëndonin familjet e tyre. (2 Kron. 28:1-4) Ata që kishin autoritet braktisnin standardet e drejtësisë të Jehovait. Abuzonin me pushtetin dhe shtypnin të dobëtit e të pafuqishmit. (Ezek. 34:1-4) Jehovai i paralajmëroi izraelitët se do të ekzekutonte gjykimin kundër atyre që bënin pre gratë dhe fëmijët e pambrojtur. (Ligj. 10:17, 18; 27:19) Në kontrast me këtë, Jehovai i bekonte shërbëtorët e tij kur i qëndronin besnikë dhe e trajtonin njëri-tjetrin me drejtësi.—1 Mbret. 10:4-9.

Jehovai na do dhe e di kur heqim padrejtësi (Shih paragrafin 15.)

15. Çfarë mësojmë për Jehovain?

15 Mësime: Nuk është faji i Jehovait kur ata që pohojnë se i shërbejnë, shpërfillin standardet e tij dhe dëmtojnë shërbëtorët e tij. Megjithatë, Jehovai na do dhe e di kur heqim padrejtësi. Ai e ndien dhimbjen tonë më thellë se ç’e ndien një nënë vuajtjen e foshnjës së saj. (Isa. 49:15) Ndonëse mund të mos ndërhyjë menjëherë, në kohën e duhur do t’u kërkojë llogari keqbërësve të papenduar për mënyrën si i kanë trajtuar të tjerët.

SI DUHEJ VËNË NË ZBATIM LIGJI?

16-18. Për cilat aspekte të jetës zbatohej Ligji i Moisiut, dhe çfarë mësimesh nxjerrim?

16 Ligji i Moisiut përfshinte shumë aspekte të jetës së një izraeliti, prandaj ishte jetësore që pleqtë e emëruar ta gjykonin popullin e Jehovait me drejtësi. Ata ishin përgjegjës jo vetëm për trajtimin e çështjeve që lidheshin me adhurimin, por edhe për ato civile e penale. Vër re shembujt e mëposhtëm.

17 Nëse një izraelit vriste dikë, nuk ekzekutohej automatikisht. Pleqtë e qytetit të tij hetonin rrethanat para se të vendosnin nëse ishte me vend t’i jepej dënimi me vdekje. (Ligj. 19:2-7, 11-13) Veç kësaj, pleqtë gjykonin aspekte të shumta të jetës së përditshme—që nga zgjidhja e debateve publike për pronat deri te sheshimi i mosmarrëveshjeve private bashkëshortore. (Dal. 21:35; Ligj. 22:13-19) Kur pleqtë ishin të drejtë dhe izraelitët i bindeshin Ligjit, gjithsecili nxirrte dobi, dhe kombi nderonte Jehovain.—Lev. 20:7, 8; Isa. 48:17, 18.

18 Mësime: Çdo aspekt i jetës sonë është i rëndësishëm për Jehovain. Ai do që të jemi të drejtë e të dashur në marrëdhëniet me të tjerët. Dhe Jehovai e vëren atë që themi e bëjmë, edhe kur jemi vetëm në shtëpinë tonë.—Hebr. 4:13.

19-21. (a) Si duhej ta trajtonin popullin e Perëndisë pleqtë dhe gjykatësit? (b) Cilat masa mbrojtëse mori Jehovai, dhe çfarë mësimesh nxjerrim?

19 Jehovai donte ta ruante popullin e tij nga ndikimi korruptues i kombeve fqinje. Prandaj kërkonte që pleqtë dhe gjykatësit të ishin të paanshëm në zbatimin e Ligjit. Gjithsesi, ata që gjykonin nuk duhej ta trajtonin popullin e tij me ashpërsi ose në mënyrë të ngurtë. Përkundrazi, duhej ta donin drejtësinë.—Ligj. 1:13-17; 16:18-20.

20 Jehovai ndien dhembshuri për popullin e vet, ndaj mori masa mbrojtëse për të mos lejuar që disa individë të trajtoheshin padrejtësisht. Për shembull, Ligji i kufizonte mundësitë që dikush të paditej në mënyrë të rreme për një krim. I akuzuari kishte të drejtën ta dinte kush e akuzonte. (Ligj. 19:16-19; 25:1) Dhe para se të shpallej fajtor, duhej të dëshmonin kundër tij të paktën dy dëshmitarë. (Ligj. 17:6; 19:15) Po në rast se një izraelit kryente një krim që e kishte parë vetëm një dëshmitar? Fajtori s’mund ta flinte mendjen se do të shpëtonte pa u lagur. Jehovai e kishte parë atë që bëri. Brenda familjes u ishte dhënë autoritet baballarëve, por autoriteti i tyre kishte kufij. Në disa grindje familjare, pleqtë e qytetit kishin përgjegjësinë të përfshiheshin dhe të jepnin gjykimin përfundimtar.—Ligj. 21:18-21.

21 Mësime: Jehovai lë shembullin e përsosur; asnjë veprim i tij nuk është i padrejtë. (Psal. 89:14) Ai i shpërblen ata që mbështetin besnikërisht standardet e tij, por i ndëshkon ata që abuzojnë me pushtetin. (2 Sam. 22:21-23; Ezek. 9:9, 10) Disa që veprojnë me ligësi mund të duket sikur i shpëtojnë ndëshkimit, por kur Jehovai vendos se është momenti i duhur, i nxjerr para drejtësisë. (Prov. 28:13) Dhe nëse nuk pendohen, ata e mësojnë shpejt se «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë».—Hebr. 10:30, 31.

CILËT MBRONTE NË VEÇANTI LIGJI?

Kur zgjidhnin mosmarrëveshjet, pleqtë duhej të pasqyronin dashurinë e Jehovait për njerëzit e për drejtësinë (Shih paragrafin 22.) *

22-24. (a) Cilët mbronte në veçanti Ligji, dhe çfarë mësojmë për Jehovain? (b) Çfarë paralajmërimi jepet te Dalja 22:22-24?

22 Ligji mbronte në veçanti ata që nuk e mbronin dot veten, si jetimët, vejushat dhe banorët e huaj. Gjykatësit e Izraelit kishin marrë urdhrin: «Mos e shtrembëro vendimin gjyqësor për të ardhurin a për jetimin dhe mos merr peng rrobën e vejushës.» (Ligj. 24:17) Jehovai interesohej me dhembshuri për ata që ishin të pambrojtur mes popullit të tij. Dhe i ndëshkonte ata që i keqtrajtonin.—Lexo Daljen 22:22-24.

23 Gjithashtu, Ligji mbronte pjesëtarët e familjes nga krimet seksuale duke ndaluar çdo formë incesti. (Lev. 18:6-30) Ndryshe nga njerëzit e kombeve përreth Izraelit, që e toleronin ose edhe pajtoheshin me këtë praktikë, shërbëtorët e Jehovait duhej ta shihnin një krim të tillë siç e shihte Jehovai—si veprim të pështirë.

24 Mësime: Jehovai do që ata që vë në pozita me përgjegjësi të interesohen me dashuri për tërë ata që mbikëqyrin. Ai i urren krimet seksuale dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë, sidomos më të pambrojturit, të jenë të mbrojtur e të trajtohen me drejtësi.

LIGJI, «NJË HIJE E GJËRAVE TË MIRA QË DO TË VIJNË»

25-26. (a) Pse mund të themi se dashuria e drejtësia janë si frymëmarrja dhe jeta? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër të kësaj serie?

25 Dashuria dhe drejtësia janë si frymëmarrja dhe jeta; në tokë, asnjëra nuk ekziston pa tjetrën. Kur jemi të bindur se Jehovai na trajton me drejtësi, na thellohet dashuria për të. Dhe dashuria për Perëndinë e për standardet e tij të drejta, na motivon të duam të tjerët e t’i trajtojmë me drejtësi.

26 Besëlidhja e Ligjit të Moisiut i jepte jetë marrëdhënies mes Jehovait dhe izraelitëve. Megjithatë, pasi Jezui e plotësoi Ligjin, Ligji u hoq dhe u zëvendësua me diçka akoma më të mirë. (Rom. 10:4) Apostulli Pavël e quajti Ligjin «një hije e gjërave të mira që do të vijnë». (Hebr. 10:1) Në artikullin tjetër të kësaj serie, do të shqyrtojmë disa nga këto gjëra të mira dhe rolin që luajnë dashuria e drejtësia në kongregacionin e krishterë.

KËNGA 109 Kini dashuri të zjarrtë nga zemra

^ par. 5 Ky artikull është i pari i një serie me katër artikuj që do të shqyrtojnë pse mund të jemi të sigurt se Jehovai na ka për zemër. Tre artikujt e tjerë do të dalin në numrin e majit 2019 të Kullës së Rojës. Titujt e tyre janë: «Dashuria dhe drejtësia në kongregacionin e krishterë», «Dashuria dhe drejtësia mes ligësisë» dhe «Të ngushëllojmë viktimat e abuzimit».

^ par. 2 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Më shumë se 600 ligjet që u dha Jehovai izraelitëve nëpërmjet Moisiut quhen «Ligji», «Ligji i Moisiut» dhe «urdhërimet». Veç kësaj, edhe pesë librat e parë të Biblës (nga Zanafilla deri te Ligji i përtërirë) quhen shpesh Ligji. Ndonjëherë kjo shprehje përdoret për krejt Shkrimet e frymëzuara Hebraike.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një nënë izraelite bën një bisedë të bukur me të bijat ndërsa përgatitin një vakt. Në sfond, babai stërvit djalin që të kujdeset për delet.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pleqtë te porta e qytetit në Izraelin e lashtë ndihmojnë me dashuri një vejushë dhe fëmijën e saj që i ka keqtrajtuar një tregtar vendës.