JETËSHKRIM
Bekime pa fund falë shembujve të mirë
KUR isha i ri, e kisha të vështirë të dilja në shërbim. Me kalimin e kohës mora caktime për të cilat nuk ndihesha i kualifikuar. Më lejoni t’ju flas për disa shembuj të mirë që më ndihmuan të kaloja çdo frikë timen dhe të shijoja bekime të mrekullueshme gjatë 58 viteve të shërbimit në kohë të plotë.
Linda në qytetin e Kuebekut, në provincën frëngjishtfolëse të Kuebekut në Kanada. Prindërit, Luisi dhe Zelia, më rritën me shumë dashuri. Babai ishte i ndrojtur dhe linte kokën pas librave. Kurse mua më pëlqente të shkruaja e shpresoja që një ditë të bëhesha gazetar.
Kur isha rreth 12 vjeç, na erdhi për vizitë Rodolf Susi, një koleg i babait, bashkë me një mikun e tij. Ata ishin Dëshmitarë të Jehovait. Nuk i njihja shumë Dëshmitarët dhe s’më interesonte edhe aq feja e tyre. Gjithsesi i admiroja sepse jepnin përgjigje të logjikshme nga Bibla. Edhe prindërve u bëri përshtypje kjo, prandaj pranuan të studionin Biblën.
Asokohe ndiqja një shkollë katolike. Herë pas here flisja me shokët e klasës për gjërat që mësoja nga studimi. Këtë e morën vesh edhe mësuesit, të cilët ishin priftërinj. Njëri prej tyre, në vend që të përdorte Shkrimet për të hedhur poshtë atë që thosha, më akuzoi para gjithë klasës se isha rebel. Vërtet, ai ballafaqim ishte stresues, ama më ndihmoi të kuptoja se mësimet fetare të shkollës nuk përputheshin me atë që thotë Bibla. Tani e kisha të qartë se ai nuk ishte vendi i duhur për mua. Me lejen e prindërve fillova të ndiqja një shkollë tjetër.
MËSOJ TA SHIJOJ SHËRBIMIN
Vazhdova ta studioja Biblën, ama nuk po përparoja edhe aq ngaqë kisha frikë të predikoja shtëpi më shtëpi. Kisha Katolike kishte ndikim të madh dhe i kundërvihej egërsisht veprës sonë të predikimit. Moris Dyplesí, kryeministri i Kuebekut, ishte aleat
i ngushtë politik i kishës. E ngaqë kishin përkrahjen e tij, turmat i ngacmonin e madje i sulmonin Dëshmitarët. Duhej shumë guxim për të predikuar në ato kohë.Një vëlla që më ndihmoi të mposhtja frikën, ishte Xhon Rei, një i diplomuar i klasës së nëntë të Shkollës së Galadit. Xhoni, që kishte shumë përvojë, ishte i butë, modest dhe i afrueshëm. Rrallë më këshillonte drejtpërdrejt, por shembulli i tij i mirë fliste më shumë se mijëra fjalë. Xhoni e kishte të vështirë të fliste frëngjisht, ndaj dilja shpesh me të në shërbim dhe e ndihmoja me gjuhën. Koha që kalova me Xhonin më ndihmoi që më në fund të merrja guximin të bëhesha Dëshmitar. Kështu u pagëzova më 26 maj 1951, dhjetë vjet pasi takova për herë të parë Dëshmitarët.
Në kongregacionin tonë të vogël në qytetin e Kuebekut kishte kryesisht pionierë. Falë ndikimit të tyre të mirë, edhe unë fillova shërbimin si pionier. Në atë kohë përdornim vetëm Biblën kur predikonim nga shtëpia në shtëpi. E ngaqë nuk përdornim literaturë, na duhej t’i përdornim me mjeshtëri Shkrimet. Prandaj përpiqesha të familjarizohesha me vargjet e Biblës që të mbroja të vërtetën. Megjithatë, shumë nuk pranonin të lexonin madje as Biblën nëse nuk kishte lejen e botimit të Kishës Katolike.
Më 1952 u martova me Simona Patrin, një motër besnike në kongregacionin tim. U transferuam në Monreal dhe brenda vitit erdhi në jetë vajza jonë, Liza. Ndonëse e kisha ndërprerë shërbimin si pionier pak para martese, unë dhe Simona përpiqeshim të bënim një jetë të thjeshtë, që të përfshiheshim si familje sa më shumë të mundeshim në aktivitetet e kongregacionit.
Kaluan dhjetë vjet përpara se të mendoja seriozisht që të filloja prapë shërbimin si pionier. Në vitin 1962, ndoqa për një muaj Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për pleqtë në Bethelin e Kanadasë, ku më caktuan në dhomë me një vëlla që quhej Kamil Ualet. Zelli i Kamilit për shërbimin më la mbresa të thella, sidomos ngaqë ishte kryefamiljar. Në ato kohë, rrallë dëgjoje në Kuebek për ndonjë prind që shërbente si
pionier ndërkohë që rriste fëmijët; gjithsesi Kamili kishte këtë synim. Gjatë kohës që qëndruam bashkë, ai më nxiti të shqyrtoja situatën time. Pas pak muajsh e kuptova se mund të shërbeja përsëri si pionier i rregullt. Disave nuk iu duk i mençur vendimi im, gjithsesi vazhdova përpara i sigurt se Jehovai do të më bekonte ndërsa përpiqesha të bëja më shumë në shërbim.KTHEHEMI NË QYTETIN E KUEBEKUT SI PIONIERË SPECIALË
Më 1964, unë dhe Simona u caktuam pionierë specialë në Kuebek, qytetin tonë të lindjes, ku shërbyem për vitet në vijim. Në këtë kohë, kushtet ishin përmirësuar, por prapë hasnim kundërshtim në predikim.
Një të shtunë pasdite më arrestuan në Sent-Mari, një qytezë e vogël jo shumë larg Kuebekut. Një polic më çoi në rajonin e policisë dhe më mbajti në arrest ngaqë po predikoja nga shtëpia në shtëpi pa autorizim. Më vonë më çuan para një gjykatësi që quhej Bajarzho, një burrë hijerëndë. Ai më pyeti kush do të më përfaqësonte në gjyq. Kur i përmenda emrin e Glen Hauit, * një avokat i mirënjohur Dëshmitar, tha i nervozuar: «Mos! Vetëm ai jo!» Glen Haui njihej si avokat i zoti që mbronte të drejtat ligjore të Dëshmitarëve në atë kohë. Shpejt, gjykata më informoi se akuzat ishin tërhequr.
Për shkak të kundërshtimit ndaj veprës sonë në Kuebek, e kishim të vështirë edhe të merrnin me qira ambiente të përshtatshme për mbledhje. Kongregacioni ynë i vogël arriti të gjente vetëm një garazh të vjetër pa ngrohje. Për ta ngrohur pak gjatë dimrave të acartë, vëllezërit përdornin një ngrohëse të vogël me vaj. Shpesh mblidheshim rreth saj pak orë para mbledhjes që të tregonim ngjarje dhe përvoja inkurajuese.
Është e mrekullueshme të shohësh si ka lulëzuar vepra e predikimit gjatë viteve. Në vitet 60, ishin vetëm pak kongregacione të vogla në zonën e qytetit të Kuebekut, në rajonin e Kot-Nordit dhe në gadishullin Gaspé. Sot ka më shumë se dy qarqe në ato zona dhe vëllezërit mblidhen në Salla të bukura Mbretërie.
FTESË PËR VEPRËN QARKORE
Më 1970, unë dhe Simona morëm ftesën për të shërbyer në veprën qarkore. Më pas, në vitin 1973 u caktuam në veprën krahinore. Gjatë atyre viteve, mësova shumë nga vëllezër të kualifikuar si Lorie Somyr * dhe Dejvid Splejn, * të cilët shërbenin që të dy në veprën udhëtuese. Pas çdo asambleje, unë dhe Dejvidi i jepnim sugjerime njëri-tjetrit si të përmirësonim mësimdhënien. Kujtoj një herë kur Dejvidi më tha: «Leons, më pëlqeu fjalimi yt i fundit. Ishte goxha mirë, por me gjithë atë material mund të kisha bërë tri fjalime.» Kisha prirjen të futja shumë informacion në fjalimet e mia, ndaj duhej të mësoja t’i përmblidhja më mirë idetë.
Mbikëqyrësit krahinorë kishin përgjegjësinë të inkurajonin mbikëqyrësit qarkorë. Mirëpo shumë lajmëtarë në Kuebek më njihnin mirë, ndaj shpesh donin të dilnin me mua në shërbim kur vizitoja qarqet. Edhe pse kënaqesha kur dilja me ta në shërbim, nuk po kaloja mjaft kohë me mbikëqyrësin qarkor. Një herë, një mbikëqyrës qarkor i dashur më solli ndër mend: «Më bëhet qejfi që u kushton vëmendje vëllezërve, por mos harro se kjo është java ime. Kam nevojë edhe unë për inkurajim.» Kjo këshillë e dashur më ndihmoi të isha më i ekuilibruar.
Sa keq që viti 1976 solli një të papritur tragjike. Gruaja ime e shtrenjtë, Simona, u sëmur rëndë dhe ra në gjumin e vdekjes. Ajo ishte një shoqe e mrekullueshme ngaqë ishte altruiste dhe kishte dashuri të thellë për Jehovain. Që të përballoja humbjen e saj, u përfshiva më shumë në shërbim dhe e falënderoj Jehovain për mbështetjen e tij të dashur gjatë asaj kohe të vështirë. Më vonë u martova me Karolina Eliotin, një pioniere e zellshme anglishtfolëse që kishte ardhur në Kuebek për të shërbyer aty ku kishte më shumë nevojë. Karolina është e afrueshme dhe interesohet sinqerisht për të tjerët, sidomos për ata që janë të ndrojtur a të vetmuar. Ajo ishte vërtet një bekim për mua në veprën udhëtuese.
VIT HISTORIK
Në janar të vitit 1978, m’u kërkua të isha instruktor në klasën e parë të Shkollës së Shërbimit për Pionierë në Kuebek. Ndjeva goxha ankth ngaqë programi ishte po aq i ri për mua, sa edhe për studentët. Sa mirë që në klasën e parë kishte shumë pionierë me përvojë! Edhe pse isha instruktor, mësova shumë nga studentët.
Më vonë, më 1978, u mbajt kongresi ndërkombëtar «Besimi ngadhënjyes» në
Stadiumin Olimpik të Monrealit. Ishte kongresi më i madh i mbajtur ndonjëherë në Kuebek me më tepër se 80.000 të pranishëm. U caktova në Repartin e Shtypit. Fola me shumë gazetarë dhe ishte emocionuese të shihje gjithë reportazhet pozitive të medias. U transmetuan mbi 20 orë intervista në radio e televizion dhe u botuan qindra artikuj. Ç’dëshmi e jashtëzakonshme!TRANSFEROHEMI NË NJË TERRITOR TJETËR
Një ndryshim i madh ndodhi më 1996. Pasi kisha shërbyer në zonën frëngjishtfolëse të Kuebekut që nga pagëzimi, u caktova të shërbeja në një krahinë anglishtfolëse të Torontos. Nuk ndihesha i kualifikuar dhe më frikësonte ideja që të mbaja fjalime me anglishten time të çalë. Kisha nevojë të lutesha më shpesh e të mbështetesha më plotësisht te Jehovai.
Kur kthej kokën pas, e them me gjithë shpirt se i shijova ato dy vite të mrekullueshme në zonën e Torontos. Karolina më ndihmoi me durim që të fitoja siguri teksa flisja anglisht, dhe vëllezërit më mbështetën e më inkurajuan jashtë mase. Shpejt zumë plot miq të rinj.
Përveç gjithë aktiviteteve dhe përgatitjeve kur kishim asamble në fundjavë, shpesh dilja rreth një orë të premten pasdite shtëpi më shtëpi. Disa mund të kenë menduar: «Ç’kuptim ka të dalësh në shërbim para një fundjave të zënë si ajo e asamblesë?» Prapëseprapë, bisedat e bukura që bëja në shërbim, më falnin gëzim. Edhe tani, më kënaqet shpirti sa herë dal në shërbim.
Më 1998, bashkë me Karolinën u ricaktuam si pionierë specialë në Monreal. Për goxha vite, si pjesë të caktimit duhej të organizoja dëshmi publike speciale dhe të bashkëpunoja me mediat për të thyer paragjykimet që ekzistonin për Dëshmitarët e Jehovait. Bashkë me Karolinën na pëlqen t’u predikojmë të huajve që janë transferuar në Kanada kohët e fundit dhe që shpesh kanë dëshirë të mësojnë më shumë për Biblën.
Ndërsa mendoj për 68 vitet si shërbëtor i pagëzuar i Jehovait, ndihem vërtet i bekuar. Kam ndier gëzim të pamasë ngaqë mësova ta shijoja shërbimin dhe ngaqë kam ndihmuar mjaft veta të njohin të vërtetën. Pasi fëmijët e vajzës sime, Lizës, u rritën, ajo dhe i shoqi filluan shërbimin si pionierë. Më bëhet zemra mal kur e shoh sa zell ka ende për shërbimin. U jam veçanërisht mirënjohës vëllezërve e motrave që, me shembullin e tyre të mirë dhe këshillat e mençura, më ndihmuan të forcoja miqësinë me Jehovain dhe të përmbushja caktime të ndryshme teokratike. Kam kuptuar se mund ta vazhdojmë me besnikëri caktimin vetëm po të mbështetemi te fryma e shenjtë e fuqishme e Jehovait. (Psal. 51:11) Sot e kësaj dite, e falënderoj Jehovain që më dha privilegjin e çmuar të lëvdoj emrin e tij!—Psal. 54:6.
^ par. 16 Shih jetëshkrimin e Glen Hauit, «Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë», te Zgjohuni! i majit 2000.
^ par. 20 Shih jetëshkrimin e Lorie Somyrit, «Gjeta diçka për të cilën ia vlen të luftosh», në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1976, anglisht.
^ par. 20 Dejvid Splejni shërben si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.