ARTIKULLI I STUDIMIT 7
E duam me gjithë shpirt Jehovain, Atin tonë
«Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.»—1 GJON. 4:19.
KËNGA 3 Siguria, forca dhe shpresa jonë
PËRMBLEDHJE *
1-2. Pse dhe si na e hapi rrugën Jehovai që të bëheshim pjesë e familjes së tij?
JEHOVAI na ftoi të bëheshim pjesë e familjes së adhuruesve të tij. Çfarë ftese e mrekullueshme! Kjo familje përbëhet nga ata që i kanë kushtuar jetën Perëndisë dhe që tregojnë besim te flijimi shpërblyes i Birit të tij. Sa e lumtur është familja jonë! Shijojmë një jetë plot kuptim tani dhe gëzojmë për shpresën e një jete pa fund, në qiell ose në tokën parajsore.
2 I nxitur nga dashuria, Jehovai na hapi rrugën të bëheshim pjesë e familjes së tij, edhe pse kjo i kushtoi shtrenjtë. (Gjoni 3:16) Ne ‘u blemë me një çmim’. (1 Kor. 6:20) Me anë të shpërblesës, Jehovai bëri të mundur të kemi një marrëdhënie të ngrohtë me të. Ne kemi nderin të quajmë «Atë» Personin më të madh në univers. Dhe, siç e pamë në artikullin e kaluar, Jehovai është Ati ideal.
3. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes? (Shih edhe kutinë « A më vëren Jehovai?»)
3 Ashtu si një shkrimtar i Biblës, edhe ne mund të pyesim: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?» (Psal. 116:12) Përgjigjja është se nuk ia kthejmë dot kurrë Atit tonë gjithë ato të mira. Megjithatë na gufon zemra nga dashuria për të. Apostulli Gjon shkroi: «Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.» (1 Gjon. 4:19) Në cilat mënyra mund t’ia shprehim dashurinë Atit tonë?
QËNDRO I LIDHUR NGUSHTË ME JEHOVAIN
4. Sipas Jakovit 4:8, pse duhet të përpiqemi t’i afrohemi Jehovait?
4 Jehovai do që të afrohemi dhe të komunikojmë me të. (Lexo Jakovin 4:8.) Ai na nxit ‘të ngulmojmë në lutje’ dhe është i gatshëm të na dëgjojë në çdo moment. (Rom. 12:12) Nuk është kurrë tepër i zënë ose i lodhur për t’i dëgjuar lutjet tona. Nga ana jonë, e dëgjojmë Jehovain kur lexojmë Fjalën e tij dhe botimet që na ndihmojnë të kuptojmë Biblën. E dëgjojmë edhe kur kushtojmë vëmendje gjatë mbledhjeve. Ashtu si komunikimi i mirë i ndihmon fëmijët të lidhen ngushtë me prindërit, komunikimi i rregullt me Jehovain na ndihmon të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të.
5. Si mund ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve?
5 Mendo pak për cilësinë e komunikimit tënd me Perëndinë. Jehovai do që t’ia zbrazim zemrën në lutje. (Psal. 62:8) Bëjmë mirë të pyesim veten: «Si janë zakonisht lutjet e mia? Si mesazhe sipërfaqësore, të përsëritura mekanikisht, apo si letra të shkruara çdo herë me fjalë zemre?» Pa dyshim, ti ndien dashuri të thellë për Jehovain dhe dëshiron ta mbash të fortë miqësinë me të. Prandaj komuniko rregullisht me Jehovain. Besoji ato që ke në skutat e thella të zemrës. Ndaji me të gëzimet e dhimbjet. Ji i sigurt se mund të mbështetesh tek ai për ndihmë.
6. Çfarë duhet të bëjmë që të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Atin tonë?
6 Për të qëndruar të lidhur ngushtë me Atin tonë, duhet të mbajmë një qëndrim mirënjohës. Bashkohemi me ndjenjat e psalmistit, që shkroi: «Sa të shumta janë gjërat që ke bërë, o Jehova, Perëndia im! Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! Sa shumë ke menduar për ne! Asnjë s’krahasohet me ty! Të doja t’i tregoja e të flisja për to, do të ishin ku e ku më tepër nga sa mund të numëroja.» (Psal. 40:5) Ne jo vetëm ndiejmë mirënjohje, por edhe ia shprehim mirënjohjen Jehovait me fjalë e vepra. Kjo na dallon nga shumë veta sot. Jetojmë në një botë ku njerëzit nuk i çmojnë tërë ato gjëra që bën Perëndia për ta. Në fakt, një shenjë që po jetojmë «në ditët e fundit», është se njerëzit janë mosmirënjohës. (2 Tim. 3:1, 2) Mos lejofshim kurrë të na infektojë ky qëndrim!
7. Çfarë dëshiron Jehovai të bëjmë, dhe pse?
7 Prindërit nuk duan që fëmijët e tyre të grinden, por të jenë miq. Po njësoj, Jehovai do që të gjithë fëmijët e tij të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Në fakt, dashuria që kemi për njëri-tjetrin, na identifikon si të krishterë të vërtetë. (Gjoni 13:35) Ndihemi si psalmisti, që shkroi: «Sa mirë dhe sa bukur është kur vëllezërit banojnë së bashku në unitet!» (Psal. 133:1) Kur duam vëllezërit e motrat, i tregojmë Jehovait se kemi dashuri për të. (1 Gjon. 4:20) Sa gjë e bukur të jesh pjesë e një familjeje me vëllezër e motra, që janë «zemërmirë me njëri-tjetrin, zemërdhembshur»!—Efes. 4:32.
TREGOJE DASHURINË DUKE IU BINDUR
8. Sipas 1 Gjonit 5:3, cila është arsyeja kryesore pse i bindemi Jehovait?
8 Ashtu siç pret që fëmijët t’u binden prindërve, Jehovai pret që t’i bindemi atij. (Efes. 6:1) Ai e meriton këtë, ngaqë është Krijuesi ynë, Ai që na mban në jetë dhe Prindi më i mençur që ekziston. Megjithatë, arsyeja kryesore pse i bindemi Jehovait, është se e duam. (Lexo 1 Gjonit 5:3) Ndonëse kemi shumë arsye pse duhet t’i bindemi Jehovait, ai nuk na detyron për këtë. Jehovai na ka dhuruar vullnetin e lirë, ndaj është i lumtur kur zgjedhim t’i bindemi nga dashuria.
9-10. Pse është e rëndësishme t’i njohim normat e Perëndisë dhe të jetojmë sipas tyre?
9 Prindërit duan që fëmijët e tyre të jenë të mbrojtur. Ja pse vendosin norma morale ose rregulla, që u sjellin dobi fëmijëve. Kur u binden këtyre rregullave, fëmijët tregojnë se kanë besim te prindërit dhe se i respektojnë. Sa më shumë rëndësi ka, pra, që të njohim normat e Atit tonë qiellor e të jetojmë sipas tyre! Kështu i tregojmë Jehovait se e duam dhe e respektojmë, e gjithashtu nxjerrim dobi për vete. (Isa. 48:17, 18) Kurse ata që i kthejnë shpinën Jehovait dhe i hedhin poshtë normat e tij, si përfundim i hapin plagë vetes.—Gal. 6:7, 8.
10 Kur jetojmë siç i pëlqen Jehovait, jemi të mbrojtur nga ana fizike, nga ana emocionale dhe nga çdo gjë që mund të na dëmtojë miqësinë me të. Jehovai e di çfarë është më e mira për ne. Aurora, që jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë: «S’kam asnjë dyshim se po t’i bindesh Jehovait, do të gëzosh jetën më të mirë të mundshme.» Kjo është gjithnjë e vërtetë.
Si ke nxjerrë dobi ti vetë kur i je bindur drejtimit të dashur të Jehovait?11. Si na ndihmojnë lutjet?
11 Lutjet na ndihmojnë të bindemi edhe kur është e vështirë. Ndonjëherë është vërtet sfidë t’i bindemi Jehovait, por duhet ta luftojmë vazhdimisht prirjen për të mos u bindur. Psalmisti iu përgjërua Perëndisë: «Ngjall brenda meje dëshirën që të të bindem!» (Psal. 51:12) Denisa, që është pioniere e rregullt, thotë: «Nëse e kam të vështirë t’i bindem ndonjë urdhri të Jehovait, i lutem të më japë fuqi për të bërë atë që është e drejtë.» Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet gjithnjë lutjeve të tilla.—Luka 11:9-13.
NDIHMOJI TË TJERËT TË DUAN ATIN TËND
12. Sipas Efesianëve 5:1, çfarë duhet të bëjmë?
12 Lexo Efesianëve 5:1. Si «bij të dashur», bëjmë çmos ta imitojmë Jehovain. I imitojmë cilësitë e tij duke qenë të dashur, zemërmirë dhe të gatshëm t’i falim të tjerët. Kur shohin sjelljen tonë të shkëlqyer, ata që nuk e njohin Perëndinë, mund të motivohen të mësojnë më shumë për të. (1 Pjet. 2:12) Prindërit e krishterë kanë arsye të forta ta imitojnë Jehovain në mënyrën si i trajtojnë fëmijët. Kur e bëjnë këtë, ka mundësi që fëmijëve t’u lindë dëshira të lidhin vetë një miqësi me Atin tonë të dashur.
13. Ku duhet të përqendrohemi?
13 Një fëmijë është krenar për babanë Psal. 34:2) Po nëse jemi të ndrojtur, si mund të marrim guxim? Marrim guxim kur përqendrohemi te gëzimi që do t’i sjellim Jehovait dhe te dobitë që do të kenë të tjerët duke mësuar për të. Jehovai do të na japë kurajën e nevojshme. Ai i ndihmoi vëllezërit tanë në shekullin e parë të merrnin guxim e do të na ndihmojë edhe ne.—1 Sel. 2:2.
e vet dhe ka qejf të flasë për të. Po njësoj, ne jemi krenarë për Atin tonë qiellor, Jehovain, dhe duam që edhe të tjerët ta njohin. Thellë në zemër, të gjithë ndihemi si mbreti David, që shkroi: «Për Jehovain do të flas gjithë mburrje.» (14. Cilat janë disa arsye pse është e rëndësishme të marrim pjesë në veprën e predikimit?
14 Jehovai nuk është i anshëm, ndaj lumturohet kur sheh se tregojmë dashuri për të tjerët, pavarësisht prejardhjes a shtresës shoqërore. (Vep. 10:34, 35) Një nga mënyrat më të mira për t’u treguar dashuri të tjerëve, është t’u japim lajmin e mirë. (Mat. 28:19, 20) Ç’dobi mund të sjellë kjo vepër? Ata që na dëgjojnë, mund të përmirësojnë jetën tani dhe të kenë perspektivën të gëzojnë jetën e pafund në të ardhmen.—1 Tim. 4:16.
DUAJE ATIN TËND DHE JI I LUMTUR
15-16. Cilat arsye kemi për të qenë të lumtur?
15 Jehovai është një prind i dashur, ndaj do që familja e tij të jetë e lumtur. (Isa. 65:14) Mund të kalojmë sprova, por prapë kemi shumë arsye për të qenë të gëzuar edhe tani. Për shembull, jemi të sigurt se Ati ynë qiellor na do me gjithë shpirt. Kemi njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, Bibla. (Jer. 15:16) Gjithashtu jemi pjesë e një familjeje unike, pjesëtarët e së cilës e duan Jehovain, normat e tij të larta morale dhe njëri-tjetrin.—Psal. 106:4, 5.
16 Ne nuk e humbim gëzimin, sepse kemi shpresën e sigurt se na pret një jetë më e mirë në të ardhmen. E dimë se së shpejti Jehovai do t’i fshijë nga faqja e dheut gjithë të ligjtë dhe se nën drejtimin e Mbretërisë së tij, toka do të bëhet Parajsë. Po ashtu, kemi shpresën e mrekullueshme se ata që kanë vdekur, do të kthehen në jetë e do të bashkohen me njerëzit e tyre të dashur. (Gjoni 5:28, 29) Ç’kohë e lumtur do të jetë! Mbi të gjitha, jemi të sigurt se së shpejti çdokush në qiell e në tokë do t’i japë Atit tonë të dashur nderimin, lavdinë dhe adhurimin që meriton.
KËNGA 12 Jehova, Perëndi i madh
^ par. 5 Jemi të bindur se Ati ynë, Jehovai, na do me gjithë shpirt. Ai na ka bërë pjesë të familjes së adhuruesve të tij. Kjo na nxit edhe ne ta duam me gjithë shpirt. Si mund t’ia shprehim dashurinë Atit tonë të dhembshur? Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa mënyra si ta bëjmë këtë.