ARTIKULLI I STUDIMIT 5
«Kreu i çdo burri është Krishti»
«Kreu i çdo burri është Krishti.»—1 KOR. 11:3.
KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer
PËRMBLEDHJE *
1. Çfarë mund të ndikojë te pikëpamja e një burri për kryesinë në familje?
ÇFARË kuptimi ka për ty fjala «kryesi»? Disa burra lejojnë që tradita, shoqëria ose familja ku janë rritur, të ndikojnë te mënyra si e trajtojnë gruan dhe fëmijët. Ja ç’thotë Janita, një motër që jeton në Evropë: «Në vendin tim ekziston një mendësi e rrënjosur thellë se gratë janë inferiore karshi burrave dhe duhen parë si shërbëtore.» Po ashtu, një vëlla që quhet Luka dhe jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Disa baballarë u mësojnë djemve se gratë duhen parë, por nuk duhen dëgjuar, se mendimi i tyre nuk ka rëndësi.» Mirëpo, këto qëndrime bien ndesh me mënyrën si dëshiron Jehovai ta ushtrojnë kryesinë burrat. (Krahaso Markun 7:13.) Si mund të mësojë, pra, një burrë të jetë kryefamiljar i mirë?
2. Çfarë duhet të kuptojë një kryefamiljar, dhe pse?
2 Për të qenë kryefamiljar i mirë, një burrë duhet të ketë të qartë në radhë të parë çfarë kërkon Jehovai prej tij. Duhet edhe të dijë për ç’arsye e ka vendosur Jehovai parimin e kryesisë. Gjithashtu duhet të kuptojë si mund t’i imitojë Jehovain dhe Jezuin. Pse është e rëndësishme që një burrë t’i kuptojë qartë këto? Sepse Jehovai u ka dhënë kryefamiljarëve njëfarë autoriteti dhe pret ta përdorin mirë.—Luka 12:48b.
ÇFARË ËSHTË KRYESIA?
3. Çfarë na mëson për kryesinë 1 Korintasve 11:3?
3 Lexo 1 Korintasve 11:3. Ky varg flet për mënyrën si e ka organizuar Jehovai familjen e tij universale. Kryesia përfshin dy elemente thelbësore—të ushtrosh autoritetin dhe të japësh llogari. Jehovai është «kreu» ose autoriteti më i lartë, dhe të gjithë fëmijët e tij, engjëj a njerëz qofshin, i japin llogari atij. (Rom. 14:10; Efes. 3:14, 15) Jehovai i ka dhënë Jezuit autoritet mbi kongregacionin, por Jezui mban përgjegjësi para Jehovait për mënyrën si na trajton. (1 Kor. 15:27) Veç kësaj, Jehovai i ka dhënë burrit autoritet mbi gruan dhe fëmijët e vet, por burri i jep llogari Jehovait dhe Jezuit për mënyrën si e trajton familjen.—1 Pjet. 3:7.
4. Çfarë autoriteti kanë Jehovai dhe Jezui?
4 Si Kreu i familjes së tij universale, Jehovai ka autoritetin të vendosë rregulla për mënyrën si duhet të sillen fëmijët e tij dhe të sigurohet nëse po u binden këtyre rregullave. (Isa. 33:22) Edhe Jezui, si kreu i kongregacionit të krishterë, ka të drejtën të vendosë rregulla e të sigurohet nëse po i respektojmë.—Gal. 6:2; Kolos. 1:18-20.
5. Çfarë autoriteti ka një kryefamiljar, dhe cilët janë kufijtë e autoritetit të tij?
5 Ashtu si Jehovai dhe Jezui, një kryefamiljar ka autoritetin të marrë vendime për familjen e vet. (Rom. 7:2; Efes. 6:4) Megjithatë, autoriteti i tij ka kufij. Për shembull, rregullat që vendos, duhet të bazohen te parimet e Fjalës së Perëndisë. (Prov. 3:5, 6) Gjithashtu një kryefamiljar nuk ka autoritet të vërë rregulla për ata që nuk janë pjesë e familjes së tij. (Rom. 14:4) Veç kësaj, kur fëmijët rriten e nuk jetojnë më në shtëpi, vazhdojnë ta respektojnë babanë, por nuk janë më nën kryesinë e tij.—Mat. 19:5.
PSE E KA VENDOSUR JEHOVAI PARIMIN E KRYESISË?
6. Pse e ka vendosur Jehovai parimin e kryesisë?
6 Jehovai e vendosi parimin e kryesisë nga dashuria për familjen e tij, pra është një dhuratë me vlerë. Falë këtij parimi, familja e Jehovait mund të funksionojë me rregull e të ketë paqe. (1 Kor. 14:33, 40) Po të mos ishte e qartë se kush luan rolin e kreut, familja e Jehovait do të ishte e çorganizuar dhe aspak e lumtur. Asnjë nuk do ta dinte, për shembull, se kush duhet t’i marrë vendimet përfundimtare dhe kush duhet të sigurohet që këto vendime po vihen në jetë.
7. Si e tregon Efesianëve 5:25, 28 se Jehovai nuk do që burrat të sundojnë mbi gratë e tyre?
7 Përderisa kryesia që ka vendosur Perëndia është një gjë kaq e mirë, pse shumë gra sot ndihen të shtypura nga sjellja tiranike e burrave të tyre? Sepse shumë burra i shpërfillin standardet e Jehovait për familjen dhe zgjedhin të ndjekin zakonet ose traditat e vendit. Gjithashtu burri mund ta keqtrajtojë gruan për të plotësuar ndonjë dëshirë egoiste. Për shembull, ai mund të sundojë mbi gruan e vet që të ndihet më i rëndësishëm ose që t’u tregojë të tjerëve se është «burrë i vërtetë». Ai mund të mendojë se nuk e detyron dot gruan që ta dojë, ama mund ta detyrojë që t’ia ketë frikën. Dhe frikën mund ta përdorë si një mënyrë për ta mbajtur zap. * Pa diskutim që një mentalitet dhe sjellje e tillë u grabit grave respektin dhe nderimin që meritojnë, e është krejt e kundërta e asaj që dëshiron Jehovai.—Lexo Efesianëve 5:25, 28.
SI MUND TË MËSOJË NJË BURRË TË JETË KRYEFAMILJAR I MIRË?
8. Si mund të mësojë një burrë të jetë kryefamiljar i mirë?
8 Një burrë mund të mësojë të jetë kryefamiljar i mirë duke imituar mënyrën si
e ushtrojnë autoritetin Jehovai dhe Jezui. Të ndalemi vetëm te dy cilësi të Jehovait e të Jezuit dhe të shohim si mund t’i shfaqë një kryefamiljar këto cilësi në mënyrën si i trajton gruan dhe fëmijët.9. Si tregon përulësi Jehovai?
9 Përulësia. Jehovai është Personi më i mençur në univers, e megjithatë ia vë veshin mendimit të shërbëtorëve të tij. (Zan. 18:23, 24, 32) Ai u krijon mundësi atyre që ka nën autoritet të japin sugjerime. (1 Mbret. 22:19-22) Edhe pse është i përsosur, Jehovai nuk pret përsosmëri nga ne sot. Përkundrazi, i ndihmon njerëzit e papërsosur të kenë sukses ndërsa i shërbejnë. (Psal. 113:6, 7) Jo më kot Bibla thotë se Jehovai është ‘ndihma jonë’. (Psal. 27:9; Hebr. 13:6) Mbreti David e pranoi se gjithë veprat madhështore në jetë arriti t’i bënte vetëm falë përulësisë së Jehovait.—2 Sam. 22:36.
10. Si tregoi përulësi Jezui?
10 Të mendojmë për shembullin e Jezuit. Edhe pse ishte Zotëria, ai u lau këmbët dishepujve. Cila është një arsye pse Jehovai e ruajti në Bibël këtë ngjarje? Pa dyshim për të na dhënë të gjithëve—edhe kryefamiljarëve—një model që ta ndjekim. Jezui vetë tha: «Unë ju lashë modelin që, ashtu si bëra unë me ju, po njësoj të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:12-17) Ndonëse kishte autoritet të madh, Jezui nuk priste t’i shërbenin. Përkundrazi, u shërbente ai të tjerëve.—Mat. 20:28.
11. Si mund ta imitojë një kryefamiljar përulësinë e Jehovait e të Jezuit?
11 Mësime për ne. Një kryefamiljar mund të tregojë përulësi në shumë mënyra. Për shembull, ai nuk pret përsosmëri nga gruaja dhe fëmijët. Ua vë veshin mendimeve të tyre, edhe kur nuk pajtohen me mendimin e tij. Marli, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Ndonjëherë unë dhe im shoq kemi mendime të ndryshme. Por jam e sigurt që ai më vlerëson dhe më respekton, se kërkon të dijë mendimin tim dhe e peshon me kujdes para se të marrë një vendim.» Veç kësaj, një burrë i përulur është i gatshëm të bëjë punë shtëpie, edhe nëse aty ku jeton, këto shihen si punë grash. Kjo mund të jetë një sfidë. Pse? Një motër që quhet Rakela, thotë: «Nga anët tona, nëse një
burrë e ndihmon gruan të lajë enët ose të pastrojë shtëpinë, komshinjtë e të afërmit do të mendojnë se nuk është ‘burrë i vërtetë’ dhe se nuk ia mbledh dot gruas.» Nëse ky qëndrim është i përhapur edhe në vendin tënd, mos harro se Jezui u lau këmbët dishepujve, ndonëse kjo shihej si puna e një skllavi. Një kryefamiljar i mirë nuk merakoset si të bëjë figurë të mirë për vete, por si të kënaqë gruan dhe fëmijët. Përveç përulësisë, çfarë cilësie tjetër është jetësore te një kryefamiljar i mirë?12. Çfarë kanë bërë Jehovai dhe Jezui të motivuar nga dashuria?
12 Dashuria. Çdo gjë që bën Jehovai, motivohet nga dashuria. (1 Gjon. 4:7, 8) Me anë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës, dhe organizatës së tij, ai na siguron me dashuri gjithë sa na duhet për ta mbajtur besimin të fortë. Gjithashtu kujdeset për nevojat tona emocionale duke na siguruar se na do. E kur na plotëson nevojat materiale, Jehovai «na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë». (1 Tim. 6:17) Kur gabojmë, ai na ndreq, ama vazhdon të na ketë për zemër. I shtyrë nga dashuria, Jehovai siguroi për ne shpërblesën. Edhe Jezui na do aq shumë sa dha jetën për ne. (Gjoni 3:16; 15:13) Asgjë nuk e shuan dot dashurinë e Jehovait dhe të Jezuit për ata që janë besnikë ndaj tyre.—Gjoni 13:1; Rom. 8:35, 38, 39.
13. Pse është e rëndësishme që një kryefamiljar të tregojë dashuri për familjen? (Shih edhe kutinë « Si mund ta fitosh respektin e gruas nëse je i sapomartuar?»)
13 Mësime për ne. Çdo gjë që bën një kryefamiljar, duhet të motivohet nga dashuria. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Apostulli Gjon përgjigjet: ‘Ai që nuk do vëllanë [ose familjen] e vet, që e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.’ (1 Gjon. 4:11, 20) Çfarë bën një burrë që e do familjen e vet dhe që dëshiron të imitojë Jehovain dhe Jezuin? E ndihmon familjen të mbajë miqësi të fortë me Jehovain, kujdeset për nevojat e tyre emocionale dhe u siguron gjërat e nevojshme materiale. (1 Tim. 5:8) Ai i stërvit dhe i disiplinon fëmijët e tij. Gjithashtu vazhdon të mësojë si të marrë vendime që nderojnë Jehovain dhe që i sjellin dobi familjes. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto pika dhe të shohim si mund t’i imitojë Jehovain dhe Jezuin një kryefamiljar.
ÇFARË DUHET TË BËJË NJË KRYEFAMILJAR
14. Si e ndihmon një kryefamiljar familjen të afrohet me Jehovain?
14 Ta ndihmojë familjen të mbajë miqësi të fortë me Jehovain. Ashtu si Ati i tij, Jezui donte t’i ndihmonte ata që kishte nën kujdes ta mbanin besimin të fortë. (Mat. 5:3, 6; Mar. 6:34) Ky është edhe meraku kryesor i çdo kryefamiljari. (Ligj. 6:6-9) Këtë përgjegjësi e përmbush duke u siguruar se ai dhe familja e tij po lexojnë e po studiojnë Fjalën e Perëndisë, po ndjekin mbledhjet, po predikojnë lajmin e mirë dhe po e forcojnë marrëdhënien me Jehovain.
15. Si mund të kujdeset një kryefamiljar për nevojat emocionale të familjes?
15 Të kujdeset për nevojat emocionale të familjes. Jehovai e shprehu para të gjithëve dashurinë e thellë për Jezuin. (Mat. 3:17) Jezui ua shprehte shpesh dishepujve sa shumë i donte, qoftë me fjalë, qoftë me vepra. Edhe dishepujt ia shprehnin Jezuit sa e kishin për zemër. (Gjoni 15:9, 12, 13; 21:16) Një kryefamiljar mund ta tregojë dashurinë për gruan dhe fëmijët me atë që bën, si për shembull duke studiuar Biblën bashkë me ta. Duhet edhe t’ua thotë se i do e i çmon dhe, nëse është me vend, mund t’i lavdërojë në sy të të tjerëve.—Prov. 31:28, 29.
16. Çfarë duhet të bëjë tjetër një kryefamiljar, dhe si mund ta mbajë ekuilibrin?
16 T’i sigurojë familjes gjërat e nevojshme materiale. Jehovai u sigurua që izraelitët të kishin gjërat e nevojshme materiale edhe atëherë kur ndëshkoheshin për mosbindje. (Ligj. 2:7; 29:5) Edhe sot ai na siguron gjërat e nevojshme materiale. (Mat. 6:31-33; 7:11) Po njësoj, Jezui i ushqente turmat që e ndiqnin. (Mat. 14:17-20) Ai kujdesej edhe për shëndetin e njerëzve. (Mat. 4:24) Që të kënaqë Jehovain, një kryefamiljar duhet t’i sigurojë familjes gjërat e nevojshme materiale. Por ndërkohë ka nevojë të mbajë ekuilibrin. Nuk duhet të jepet aq shumë pas punës, sa të lërë pas dore nevojën e familjes për t’u lidhur më fort me Jehovain dhe nevojat e tyre emocionale.
17. Në ç’mënyrë na stërvitin dhe na ndreqin Jehovai e Jezui?
17 Të japë drejtim e këshilla të dashura. Jehovai na stërvit dhe na ndreq ngaqë do me gjithë zemër të mirën tonë. (Hebr. 12:7-9) Ashtu si i Ati, Jezui i stërvit me dashuri ata që janë nën autoritetin e tij. (Gjoni 15:14, 15) Kur jep këshilla, ai flet hapur, por është edhe zemërdhembshur. (Mat. 20:24-28) E kupton se jemi të papërsosur dhe kemi prirjen të gabojmë.—Mat. 26:41.
18. Çfarë mban parasysh një kryefamiljar i mirë?
18 Një kryefamiljar që imiton Jehovain dhe Jezuin, mban parasysh se pjesëtarët e familjes janë të papërsosur. Ai nuk ‘zemërohet hidhtas’ me gruan ose me fëmijët. (Kolos. 3:19) Përkundrazi, zbaton parimin e Galatasve 6:1 dhe përpiqet t’i ndreqë «me butësi» duke mos harruar se edhe vetë është i papërsosur. Ashtu si Jezui, e kupton se mënyra më e mirë për të mësuar është me anë të shembullit.—1 Pjet. 2:21.
19-20. Si mund t’i imitojë një kryefamiljar Jehovain dhe Jezuin kur merr vendime?
19 Të marrë vendime altruiste. Jehovai merr vendime që janë për të mirën e të tjerëve. Për shembull, ai vendosi të krijonte jo për dobinë e vet, por nga dëshira që edhe ne të gëzojmë jetën. Askush nuk e detyronte dot Jehovain të jepte Birin e tij për të fshirë mëkatet tona. Ai e bëri me dëshirë atë sakrificë për dobinë tonë. Edhe Jezui merrte vendime që u sillnin dobi të tjerëve. (Rom. 15:3) Për shembull, ai la mënjanë nevojën e tij për të pushuar, me qëllim që të mësonte një turmë njerëzish.—Mar. 6:31-34.
20 Një kryefamiljar i mirë e di se një nga gjërat më të vështira është të marrë vendime të mençura për familjen, dhe e sheh këtë si përgjegjësi serioze. Përpiqet të mos i marrë vendimet thjesht si t’i shkrepë, pa një arsye të vlefshme, ose nisur nga ndjenjat e çastit. Përkundrazi, lejon ta stërvitë Jehovai. * (Prov. 2:6, 7) Si rezultat, ai mendon si t’u sjellë dobi të tjerëve, jo vetes.—Filip. 2:4.
21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
21 Jehovai u ka dhënë kryefamiljarëve një caktim të vështirë, dhe ata mbajnë përgjegjësi para tij për mënyrën si e përmbushin. Por nëse një burrë bën çmos të imitojë shembullin e Jehovait dhe të Jezuit, do të jetë kryefamiljar i mirë. E nëse edhe gruaja përmbush rolin e vet, do të gëzojnë një martesë të lumtur. Si duhet ta shohë gruaja kryesinë në familje? Çfarë vështirësish has ajo? Artikulli tjetër do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
KËNGA 16 Lëvdoni Jah për Birin e tij, të mirosurin
^ par. 5 Kur martohet, një burrë bëhet kreu i familjes së tij të re. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë është kryesia, pse e vendosi Jehovai parimin e kryesisë dhe çfarë mund të mësojnë burrat nga shembulli i Jehovait e i Jezuit. Në artikullin e dytë të serisë do të shohim çfarë mund të mësojnë burri dhe gruaja nga Jezui e nga shembuj të tjerë të Biblës. Kurse në artikullin e fundit do të shqyrtojmë si duhet ushtruar kryesia në kongregacion.
^ par. 7 Ideja se është e pranueshme që një burrë të sillet keq me gruan e tij, ose edhe ta keqtrajtojë fizikisht, pasqyrohet hera-herës në filma, spektakle, estrada a libra komikë. Pra, shoqëria e sotme mund ta ketë përforcuar konceptin se një burrë mund të sundojë mbi gruan e tij.
^ par. 20 Për më shumë informacion si të marrësh vendime të mençura, shih artikullin «Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë», botuar në Kullën e Rojës të 15 prillit 2011, f. 13-17.