Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 8

Si ta ruash gëzimin mes sprovave

Si ta ruash gëzimin mes sprovave

«Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.»—JAK. 1:2.

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

PËRMBLEDHJE *

1-2. Sipas Mateut 5:11, si duhet t’i shohim sprovat?

JEZUI u premtoi dishepujve të tij se do të ishin vërtet të lumtur. Njëkohësisht i paralajmëroi se do të hasnin sprova. (Mat. 10:22, 23; Luka 6:20-23) Gëzojmë që jemi dishepuj të Krishtit. Por si ndihemi kur mendojmë që familjarët mund të na kundërvihen, qeveria mund të na përndjekë ose shokët e punës a të shkollës mund të ushtrojnë presion mbi ne që të bëjmë diçka të gabuar? Natyrisht që kjo mund të na futë ankth.

2 Njerëzit në përgjithësi nuk e shohin përndjekjen si arsye për të gëzuar. Mirëpo, Fjala e Perëndisë na nxit ta shohim tamam kështu. Për shembull, dishepulli Jakov shkroi se në vend që të ndihemi zemërlëshuar, duhet ‘ta konsiderojmë gëzim’ kur përballojmë sprova. (Jak. 1:2, 12) Po ashtu, Jezui tha se duhet të jemi të lumtur edhe kur na përndjekin. (Lexo Mateun 5:11.) Si mund ta ruajmë gëzimin pavarësisht nga sprovat? Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar disa mendime nga letra që u shkroi Jakovi të krishterëve të hershëm. Në fillim le të shohim çfarë vështirësish hasnin ata të krishterë.

ÇFARË SPROVASH HASËN TË KRISHTERËT E HERSHËM?

3. Çfarë ndodhi pak pasi Jakovi u bë dishepull i Jezuit?

3 Pak pasi Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, u bë dishepull, shpërtheu një valë përndjekjeje kundër të krishterëve në Jerusalem. (Vep. 1:14; 5:17, 18) E pasi u vra dishepulli Stefan, shumë të krishterë ikën nga qyteti dhe «u shpërndanë në mbarë rajonet e Judesë dhe të Samarisë», madje shkuan deri në Qipro dhe Antioki. (Vep. 7:58–8:1; 11:19) Mund ta marrim me mend sa vështirësi hoqën ata dishepuj. Prapëseprapë, e predikonin me zell lajmin e mirë kudo që shkonin, dhe anekënd Perandorisë Romake u formuan kongregacione. (1 Pjet. 1:1) Por të krishterët e shekullit të parë i pritnin kohë shumë më të trazuara.

4. Çfarë vështirësish të tjera hoqën të krishterët e hershëm?

4 Të krishterëve të hershëm iu desh të duronin lloj-lloj sprovash. Për shembull, aty nga viti 50 i e.s., perandori romak Klaudi dha urdhër që të gjithë judenjtë të largoheshin nga Roma. Prandaj judenjtë që ishin bërë të krishterë, u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin gjetkë. (Vep. 18:1-3) Rreth vitit 61 të e.s., apostulli Pavël shkroi se shumë vëllezër i kishin fyer publikisht, i kishin flakur në burgje dhe i kishin plaçkitur. (Hebr. 10:32-34) E njësoj si gjithë njerëzit, të krishterët luftonin me varfërinë dhe sëmundjet.—Rom. 15:26; Filip. 2:25-27.

5. Cilat pyetje do të marrin përgjigje?

5 Kur shkroi letrën e tij para vitit 62 të e.s., Jakovi e dinte fare mirë çfarë vuajtjesh hiqnin vëllezërit e motrat. Jehovai e frymëzoi Jakovin t’u shkruante për t’u dhënë këshilla praktike, që do t’i ndihmonin ta ruanin gëzimin edhe mes sprovave. Le ta shqyrtojmë letrën e Jakovit dhe t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Çfarë është gëzimi për të cilin shkroi Jakovi? Çfarë mund të na e grabitë këtë gëzim? Si mund të na ndihmojnë mençuria, besimi dhe guximi të mos e humbim gëzimin në çfarëdo sprove?

ÇFARË E MBUSH ME GËZIM NJË SHËRBËTOR TË PERËNDISË?

Si një flakë që ndrit pareshtur, e mbrojtur nga xhami i fenerit, gëzimi i thellë që na jep Jehovai bën dritë përherë në zemrën tonë (Shih paragrafin 6)

6. Sipas Lukës 6:22, 23, pse mund të gëzojmë kur heqim sprova?

6 Mjaft njerëz mendojnë se mund të jenë të lumtur vetëm po të kenë shëndet të mirë, shumë pará dhe harmoni familjare. Por gëzimi për të cilin shkroi Jakovi, është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë dhe nuk varet nga rrethanat. (Gal. 5:22) Një shërbëtor i Perëndisë provon gëzim, ose një ndjenjë të thellë lumturie, ngaqë e di se po kënaq Jehovain dhe po ndjek gjurmët e Jezuit. (Lexo Lukën 6:22, 23; Kolos. 1:10, 11) Si një flakë që ndrit pareshtur, e mbrojtur nga xhami i fenerit, ky lloj gëzimi bën dritë përherë në zemrën tonë. Drita e tij nuk meket kur na bien probleme shëndetësore ose ekonomike. Nuk venitet as kur na tallin ose na kundërshtojnë pjesëtarët e familjes a të tjerët. Në vend që të shuhet, ajo flakë shndrit akoma më fort sa herë që kundërshtarët përpiqen ta fikin. Sprovat që hasim për shkak të besimit, janë provë se jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit. (Mat. 10:22; 24:9; Gjoni 15:20) Ja pse Jakovi shkroi: «Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.»—Jak. 1:2.

Pse sprovat mund të krahasohen me zjarrin që kalit një teh çeliku? (Shih paragrafin 7) *

7-8. Çfarë ndodh kur besimi ynë sprovohet?

7 Jakovi përmend edhe një arsye tjetër pse shërbëtorët e Perëndisë janë të gatshëm të përballojnë sprova të rënda. Ai thotë: «Cilësia e besimit tuaj të sprovuar sjell qëndrueshmëri.» (Jak. 1:3) Sprovat mund të krahasohen me zjarrin që përdoret për të kalitur një teh çeliku. Kur tehu nxehet e pastaj ftohet, çeliku bëhet më i fortë. Po njësoj, kur përballojmë sprova, besimi ynë forcohet. Për këtë arsye, Jakovi shkroi: «Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt.» (Jak. 1:4) Kur shohim se sprovat na forcojnë besimin, arrijmë t’u bëjmë ballë me gëzim.

8 Në letrën e tij, Jakovi veçon edhe disa vështirësi që mund të na e grabitin gëzimin. Cilat janë, dhe si mund t’i kapërcejmë?

TË KAPËRCEJMË VËSHTIRËSITË QË GRABITIN GËZIMIN

9. Pse kemi nevojë për mençuri?

9 Vështirësia: nuk di çfarë të bësh. Përballë sprovave na nevojitet ndihma e Jehovait për të marrë vendime që kënaqin atë, që ndikojnë për mirë te vëllezërit e motrat dhe që na ndihmojnë ne vetë të mbajmë integritetin. (Jer. 10:23) Na duhet mençuri për të ditur çfarë rruge të zgjedhim dhe çfarë t’u themi atyre që na kundërshtojnë. Kur nuk dimë ç’të bëjmë, mund të ndihemi si viktima të pafuqishme të rrethanave dhe mund ta humbim shpejt gëzimin.

10. Sipas Jakovit 1:5, çfarë duhet të bëjmë për të fituar mençuri?

10 Zgjidhja: kërkoji mençuri Jehovait. Për t’u bërë ballë sprovave me gëzim, duhet që së pari t’i lutemi Jehovait të na japë mençurinë e nevojshme për të marrë vendime të mira. (Lexo Jakovin 1:5.) Ç’duhet të bëjmë nëse na duket se Jehovai nuk po u përgjigjet menjëherë lutjeve tona? Jakovi thotë se duhet ‘t’i kërkojmë pareshtur’ mençuri Perëndisë. Jehovai nuk bezdiset kur vazhdojmë t’i lutemi për mençuri e as na kritikon i zemëruar. Po të vazhdojmë të lutemi, Ati ynë qiellor ‘do të na japë bujarisht’ mençuri që të përballojmë sprovat. (Psal. 25:12, 13) Ai i sheh problemet që kalojmë, ndien dhimbje kur vuajmë dhe mezi pret të na ndihmojë. Patjetër që kjo është një arsye për të gëzuar! Por si na jep mençuri Jehovai?

11. Çfarë duhet të bëjmë tjetër që të fitojmë mençuri?

11 Jehovai na jep mençuri nëpërmjet Fjalës së tij. (Prov. 2:6) Që ta fitojmë këtë mençuri, duhet të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe botimet e bazuara tek ajo. Por nuk mjafton thjesht të grumbullojmë njohuri. Kemi nevojë ta përdorim në jetën tonë mençurinë e Perëndisë duke vepruar sipas këshillave të tij. Jakovi shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.» (Jak. 1:22) Kur i zbatojmë këshillat e Perëndisë, bëhemi më paqësorë, më të arsyeshëm e më të mëshirshëm. (Jak. 3:17) Këto cilësi na ndihmojnë ta përballojmë çdo sprovë pa humbur gëzimin.

12. Pse është e rëndësishme ta njohim mirë Biblën?

12 Fjala e Perëndisë shërben si pasqyrë, pasi na ndihmon të dallojmë ku duhet të punojmë dhe si ta bëjmë këtë. (Jak. 1:23-25) Për shembull, pasi studiojmë Fjalën e Perëndisë, mund të kuptojmë se kemi nevojë të mbajmë nën kontroll temperamentin. Me ndihmën e Jehovait, mësojmë si të jemi zemërbutë kur kemi të bëjmë me njerëz a probleme që mund të na acarojnë. Kur zhvillojmë butësi, arrijmë t’i përballojmë më mirë presionet. Jemi në gjendje të mendojmë më me kthjelltësi dhe të marrim vendime më të mençura. (Jak. 3:13) Sa e rëndësishme është, pra, ta njohim mirë Biblën!

13. Pse duhet t’i studiojmë shembujt nga Bibla?

13 Ndonjëherë mësojmë çfarë të shmangim vetëm pasi gabojmë. Por në vend që të mësojmë duke e pësuar, ka një mënyrë më të mirë për të fituar mençuri—të mësojmë nga sukseset dhe gabimet e të tjerëve. Ja pse Jakovi na nxit të mendojmë për shembujt nga Bibla, si Abrahami, Rahaba, Jobi dhe Elija. (Jak. 2:21-26; 5:10, 11, 17, 18) Këta shërbëtorë besnikë të Jehovait ia dolën të përballonin sprova që mund t’ua grabitnin gëzimin. Qëndrueshmëria e tyre tregon se me ndihmën e Jehovait, edhe ne mund t’ia dalim.

14-15. Pse duhet të përpiqemi t’i heqim dyshimet?

14 Vështirësia: të brejnë dyshimet. Hera-herës mund ta kemi të vështirë të kuptojmë diçka që thotë Fjala e Perëndisë. Ose ndoshta Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona në atë mënyrë që shpresonim. Kjo mund të na ngjallë dyshime. Nëse i shpërfillim, këto dyshime do të na e dobësojnë besimin dhe do të na dëmtojnë marrëdhënien me Jehovain. (Jak. 1:7, 8) Madje si pasojë e tyre mund të humbim shpresën për të ardhmen.

15 Apostulli Pavël e krahasoi shpresën tonë me një spirancë. (Hebr. 6:19) Spiranca e stabilizon anijen gjatë një stuhie dhe nuk e lë të përplaset pas shkëmbinjve. Por spiranca ka vlerë vetëm nëse nuk këputet zinxhiri që e lidh me anijen. Ashtu si ndryshku që e gërryen zinxhirin e spirancës, dyshimet na gërryejnë besimin. Përballë kundërshtimeve, dikush që ka dyshime, mund ta humbë besimin se Jehovai do t’i bëjë realitet premtimet e tij. Nëse humbim besimin, humbim shpresën. Siç thotë Jakovi, kush dyshon, «është si dallgët e detit që era i shtyn dhe i hedh andej-këtej». (Jak. 1:6) Një njeri i tillë ka të ngjarë të mos ndihet kurrë i gëzuar!

16. Çfarë duhet të bëjmë nëse kemi dyshime?

16 Zgjidhja: puno për t’i hequr dyshimet; forco besimin. Mos ji i lëkundur. Në kohën e profetit Elija, populli i Jehovait kishte nisur të lëkundej. Elija u tha: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Nëse është Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por nëse është Baali, ndiqni atë.» (1 Mbret. 18:21) Edhe sot kemi nevojë të veprojmë me vendosmëri. Na duhet të bëjmë kërkime që të sigurohemi se Jehovai është Perëndia i vërtetë, se Bibla është Fjala e tij dhe se Dëshmitarët e Jehovait janë populli i tij. (1 Sel. 5:21) Kështu dyshimet do të davariten dhe besimi do të na forcohet. Nëse na nevojitet ndihmë për t’i hequr dyshimet, mund të flasim me pleqtë. Duhet të veprojmë pa vonesë nëse duam të ruajmë gëzimin në shërbim të Jehovait!

17. Çfarë do të ndodhë nëse humbim guximin?

17 Vështirësia: shkurajimi. Fjala e Perëndisë thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Prov. 24:10) Fjala hebraike e përkthyer «të shkurajohesh» mund të ketë kuptimin «të humbësh guximin». Nëse humb guximin, do të humbësh shpejt edhe gëzimin.

18. Çfarë do të thotë të tregosh qëndrueshmëri?

18 Zgjidhja: mbështetu te Jehovai që të marrësh guxim për të qëndruar i palëkundur. Na duhet guxim që të tregojmë qëndrueshmëri në sprova. (Jak. 5:11) Fjala që përdori Jakovi dhe që është përkthyer «qëndrueshmëri», përcjell idenë e dikujt që qëndron i palëkundur. Mund të na vijë në mendje një ushtar që plot guxim nuk luan nga istikami dhe nuk dorëzohet kurrsesi, sado i egër qoftë sulmi i armikut.

19. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pavël?

19 Apostulli Pavël është një shembull i shkëlqyer guximi dhe qëndrueshmërie. Kishte raste që ai ndihej i dobët. Por ngaqë mbështetej te Jehovai për të marrë forcën që i nevojitej, tregoi qëndrueshmëri. (2 Kor. 12:8-10; Filip. 4:13) Edhe ne mund të marrim forcë e guxim si ai nëse e pranojmë me përulësi se kemi nevojë për ndihmën e Jehovait.—Jak. 4:10.

AFROHU ME PERËNDINË DHE RUAJE GËZIMIN

20-21. Për çfarë mund të jemi të sigurt?

20 Mund të jemi të sigurt se sprovat që ndeshim, nuk janë ndëshkim nga Jehovai. Jakovi na siguron: «Kur has sprova, askush të mos thotë: ‘Po më vë në provë Perëndia’, sepse, me qëllime të liga, Perëndia nuk mund të vihet në provë e as ai vetë nuk vë njeri në provë.» (Jak. 1:13) Kur jemi të bindur për këtë, afrohemi më shumë me Atin tonë të dashur.—Jak. 4:8.

21 Jehovai «nuk ndryshon». (Jak. 1:17) Ai i mbështeti të krishterët në shekullin e parë përmes sprovave e do t’i bëhet krah edhe secilit nga ne sot. Lutju me zjarr Jehovait për mençuri, besim dhe guxim. Ai do t’u përgjigjet lutjeve të tua. Kështu nuk do të kesh fije dyshimi se ai do të të ndihmojë ta ruash gëzimin ndërsa përballon sprova!

KËNGA 128 Qëndro deri në fund

^ par. 5 Letra e Jakovit është plot me këshilla praktike si t’u bëjmë ballë sprovave. Në këtë artikull do të ndalemi te disa nga këshillat që jep Jakovi. Ato mund të na ndihmojnë t’i përballojmë vështirësitë pa e humbur gëzimin në shërbim të Jehovait.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla e arrestojnë në shtëpinë e tij. Gruaja dhe vajza shohin ndërsa e marrin policët. Kur burri është në burg, disa vëllezër e motra bëjnë adhurimin familjar së bashku me motrën dhe vajzën e saj. Mamaja dhe vajza i luten shpesh Jehovait për forcë që të tregojnë qëndrueshmëri. Jehovai u jep paqe të brendshme dhe guxim. Si rezultat, u forcohet besimi e kjo i ndihmon ta përballojnë sprovën me gëzim.