Pyetje nga lexuesit
Çfarë është «fjala e Perëndisë» për të cilën Hebrenjve 4:12 thotë se «është e gjallë dhe ushtron fuqi»?
Konteksti tregon se apostulli Pavël e kishte fjalën për mesazhin e Perëndisë, ose qëllimin që ka shprehur ai, të cilin e gjejmë në faqet e Biblës.
Hebrenjve 4:12 përmendet shpesh në botimet tona për të treguar se Bibla ka fuqi t’ua ndryshojë jetën njerëzve, dhe ky aplikim është plotësisht i përshtatshëm. Gjithsesi, ia vlen ta shohim Hebrenjve 4:12 në kontekstin e tij të gjerë. Pavli po i nxiste të krishterët hebrenj të bashkëpunonin me qëllimet e Perëndisë. Shumë prej tyre zbuloheshin në shkrimet e shenjta. Pavli përdori si shembull izraelitët që ishin çliruar nga Egjipti. Ata kishin perspektivën të hynin në tokën premtuar, ‘një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë’, ku mund të gëzonin prehje ose pushim të vërtetë.—Dal. 3:8; Ligj. 12:9, 10.
Ky ishte qëllimi që kishte shprehur Perëndia. Mirëpo izraelitët më vonë e ngurtësuan zemrën dhe nuk treguan besim, prandaj shumica nuk hynë dot në atë pushim. (Num. 14:30; Jos. 14:6-10) Megjithatë, Pavli shtoi se mbetej ende «një premtim për të hyrë në pushimin [e Perëndisë]». (Hebr. 3:16-19; 4:1) Pa dyshim, ky «premtim» është pjesë e qëllimit që ka shprehur Perëndia. Ashtu si të krishterët hebrenj, edhe ne mund të mësojmë për këtë qëllim dhe të bashkëpunojmë me të. Për ta theksuar se ky premtim bazohet te Shkrimet, Pavli citoi pjesë nga Zanafilla 2:2 dhe nga Psalmi 95:11.
Natyrisht, duhet të na prekë fakti që «mbetet një premtim për të hyrë në pushimin [e Perëndisë]». Kemi besim të plotë se është vërtet e mundur të bëhet realitet perspektiva e bazuar në Bibël që të hyjmë në pushimin e Perëndisë, dhe kemi ndërmarrë hapa për të hyrë në këtë pushim. Këtë nuk e kemi bërë duke u përpjekur të zbatojmë Ligjin e Moisiut ose të fitojmë miratimin e Jehovait me anë të veprave të tjera. Në vend të kësaj, plot besim kemi bashkëpunuar me kënaqësi dhe vazhdojmë të bashkëpunojmë me qëllimin që ka zbuluar Perëndia. Por, siç u tha më sipër, «fjala e Perëndisë» që përmendet te Hebrenjve 4:12 mund të aplikohet edhe për Biblën. Mijëra njerëz anekënd botës kanë filluar të studiojnë Biblën dhe të mësojnë qëllimin që ka shprehur Perëndia. Kjo i ka nxitur shumë prej tyre të ndryshojnë jetën, të tregojnë besim dhe të bëhen të krishterë të pagëzuar. Mënyra si po ndikon tek ata «fjala e Perëndisë» është provë e qartë se ajo «është e gjallë dhe ushtron fuqi». Qëllimi që ka shprehur Perëndia, e që parashtrohet në faqet e Biblës, ka ndikuar tashmë në jetën tonë dhe do të vazhdojë të ushtrojë fuqi.