Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdo të ndeshesh për bekimin e Jehovait

Vazhdo të ndeshesh për bekimin e Jehovait

«U ndeshe me Perëndinë e me njerëzit, dhe më në fund ngadhënjeve.»​—ZAN. 32:28.

KËNGËT: 60, 38

1, 2. Me cilat sfida përballen shërbëtorët e Jehovait?

QË NGA njeriu i parë plot besim, Abeli, e deri në ditët tona, adhuruesit besnikë kanë luftuar për besimin. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrenj se ‘duruan një betejë të madhe nën vuajtje’ ndërsa kërkonin miratimin dhe bekimin e Jehovait. (Hebr. 10:32-34) Pavli i krahasoi betejat e të krishterëve me përpjekjet e fuqishme të sportistëve që ndesheshin në garat greke, si vrapimi, mundja dhe boksi. (Hebr. 12:1, 4) Sot ne jemi në garën për jetë dhe përballemi me kundërshtarë që duan të na shpërqendrojnë, të na futin në kurth, të na dërrmojnë dhe të na rrëmbejnë gëzimin e shpërblimet që na presin.

2 Së pari, kemi një betejë të ashpër ose «përleshje» me Satanain dhe me botën e tij të ligë. (Efes. 6:12) Është jetësore t’i rezistojmë ndikimit të ‘gjërave të fortifikuara mirë’ të kësaj bote, siç janë: doktrinat e saj, filozofitë dhe praktikat e dëmshme, si imoraliteti, pirja e duhanit dhe abuzimi me alkoolin e drogën. Veç kësaj, duhet të luftojmë pareshtur kundër dobësive të mishit dhe shkurajimit.​—2 Kor. 10:3-6; Kolos. 3:5-9.

3. Si na stërvit Perëndia që të luftojmë armiqtë tanë?

3 A është vërtet e mundur t’i mposhtim këta kundërshtarë të fuqishëm? Po, ama kjo nuk arrihet pa luftuar. Duke përdorur shembullin e një boksieri të lashtësisë, Pavli tha për veten: «Mënyra se si i drejtoj goditjet, është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin.» (1 Kor. 9:26) Ashtu si një boksier e spraps kundërshtarin, edhe ne duhet t’u kundërvihemi armiqve tanë. Jehovai na stërvit e na ndihmon në këtë luftë. Ai na jep udhëzime jetëshpëtuese në Fjalën e tij. Veç kësaj, na ndihmon me anë të botimeve të bazuara në Bibël, mbledhjeve, asambleve dhe kongreseve. A po i zbaton gjërat që mëson? Po të mos e bësh këtë, do të jetë si ‘të godasësh ajrin’ dhe nuk do ta luftosh plotësisht armikun tënd.

4. Ç’duhet të bëjmë që të mos na mundë e keqja?

4 Armiqtë tanë mund të na sulmojnë atëherë kur s’e presim dhe mund të na godasin kur jemi fare përtokë, ndaj duhet të rrimë gjithmonë syçelë. Bibla na paralajmëron: «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Rom. 12:21) Nxitja «mos e lejo të keqen të të mundë» tregon se është e mundur ta mposhtim të keqen. Mund t’ia dalim nëse vazhdojmë të luftojmë kundër saj. Përndryshe, nëse e ulim vigjilencën dhe nuk luftojmë më, mund të na vënë poshtë Satanai, bota e tij e ligë dhe mishi ynë i papërsosur. Kurrë mos lejo që Satanai të të trembë aq sa të shkurajohesh ose të lëshosh duart i mundur!​—1 Pjet. 5:9.

5. (a) Ç’mund të na ndihmojë që të vazhdojmë të luftojmë për të marrë bekimin e Perëndisë? (b) Për cilat personazhe biblike do të flasim?

5 Për t’ia dalë mbanë, ata që ndeshen në këtë betejë nuk duhet të humbin nga sytë arsyen pse luftojnë. Që të marrin miratimin dhe bekimin e Perëndisë, duhet të vazhdojnë t’i mbajnë të ngulitura në mendje këto fjalë siguruese të Hebrenjve 11:6: «Kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» Folja greke e përkthyer «kërkojnë me ngulm» është në një formë që nënkupton intensitet dhe përpjekje të forta. (Vep. 15:17) Në Shkrime gjejmë shembuj të bukur për burra e gra që bënë përpjekje të forta për të kërkuar bekimin e Jehovait. Jakobi, Rakela, Jozefi dhe Pavli hasën rrethana që mund t’u shteronin forcat emocionale e fizike. E megjithatë, ata treguan se ngulmimi sjell bekime të pasura. Si mund t’i imitojmë këta katër luftëtarë të shkëlqyer?

NGULMIMI SJELL BEKIME

6. Çfarë e ndihmoi Jakobin të ngulmonte, dhe si u shpërblye për këtë? (Shih figurën hapëse.)

6 Patriarku Jakob luftoi dhe ngulmoi ngaqë e donte Jehovain, e çmonte marrëdhënien me të dhe kishte besim të plotë te premtimi i Jehovait se do ta bekonte pasardhjen e tij. (Zan. 28:3, 4) Ja pse, kur ishte gati 100 vjeç, Jakobi bëri gjithçka që kishte në dorë për të marrë bekimin e Perëndisë; madje u kacafyt me një engjëll që kishte marrë trup njerëzor. (Lexo Zanafillën 32:24-28.) A e kishte vetë Jakobi forcën dhe qëndrueshmërinë që duhej për t’u ndeshur me një engjëll të fuqishëm? S’do mend që jo. Por ai ishte një luftëtar goxha i vendosur dhe tregoi se nuk do t’i bënte bisht sfidës. E u shpërblye vërtet për ngulmimin e tij. Ai mori me të drejtë emrin Izrael (që do të thotë «ndeshet [ngulmon] me Perëndinë» ose «Perëndia ndeshet»). Jakobi fitoi shpërblimin e pasur që po kërkojmë edhe ne​—miratimin dhe bekimin e Jehovait.

7. (a) Në cilën situatë të dhimbshme gjendej Rakela? (b) Si vazhdoi të ndeshej ose të ngulmonte, dhe si u bekua me kalimin e kohës?

7 Rakela, gruaja e dashur e Jakobit, donte me po aq zjarr të shihte si do ta plotësonte Jehovai premtimin që i kishte bërë burrit të saj. Veçse kishte një pengesë që dukej e pakapërcyeshme: ajo nuk kishte fëmijë. Në kohën e saj, kjo shihej si një situatë tepër e dhimbshme. Ku e gjeti Rakela forcën emocionale e fizike që të vazhdonte të luftonte përballë rrethanave shkurajuese që s’i kishte aspak në dorë? Ajo nuk e humbi kurrë shpresën. Përkundrazi, vazhdoi të ndeshej ose të ngulmonte duke u lutur më me zjarr. Jehovai i dëgjoi përgjërimet e saj me gjithë shpirt dhe, me kohë, e bekoi me fëmijë. S’është çudi që në një rast Rakela thirri triumfuese: «Jam përleshur ashpër . . . dhe kam dalë fitimtare!»​—Zan. 30:8, 20-24.

8. Çfarë sprove të gjatë e të vështirë kaloi Jozefi, dhe si na la një shembull të mirë me mënyrën si reagoi?

8 Pa dyshim, shembulli i Jakobit dhe i Rakelës që qëndruan të patundur la gjurmë të thella te djali i tyre, Jozefi, dhe ndikoi te mënyra si do t’u bënte ballë sprovave të tij të besimit. Kur ishte 17 vjeç, jeta e tij u kthye përmbys. Nga xhelozia, vëllezërit e shitën si skllav. Më vonë, iu desh të vuante vite të tëra në një burg të Egjiptit, ku e futën padrejtësisht. (Zan. 37:23-28; 39:7-9, 20-21) Jozefi nuk u dorëzua para shkurajimit dhe as u mbush me mllef aq sa të kërkonte hakmarrje. Në vend të kësaj, i përqendroi mendjen dhe zemrën te marrëdhënia e vyer me Jehovain. (Lev. 19:18; Rom. 12:17-21) Shembulli i Jozefit duhet të na ndihmojë sot. Për shembull, edhe nëse kemi pasur fëmijëri të vështirë ose gjendemi në rrethana që duken të pashpresa, duhet të vazhdojmë të ndeshemi e të ngulmojmë. Mund të kemi besim të plotë se po ta bëjmë këtë, Jehovai do të na bekojë.​—Lexo Zanafillën 39:21-23.

9. Çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë që të marrim bekimin e Jehovait sipas shembullit të Jakobit, të Rakelës dhe të Jozefit?

9 Mendo për një situatë që po kalon dhe që mund të jetë një sprovë për ty. Mbase është ndonjë lloj padrejtësie, paragjykimi ose talljeje. A ndoshta dikush të akuzon pa të drejtë, mbase i shtyrë nga xhelozia. Në vend që të lëshosh duart i mundur, kujto çfarë i ndihmoi Jakobin, Rakelën dhe Jozefin të vazhdonin t’i shërbenin Jehovait me gëzim. Perëndia u dha forcë e i bekoi ngaqë vazhduan të tregonin çmueshmëri të thellë për marrëdhënien me Të. Ata vazhduan të ndesheshin dhe të vepronin sipas lutjeve të tyre të zjarrta. Ne po jetojmë afër fundit të këtij sistemi të lig. Pra, kemi arsye të forta të rrokim shpresën e patundur që na ka dhënë Perëndia. A je i gatshëm të përpiqesh me të gjitha forcat për të fituar miratimin e Jehovait dhe, si të thuash, të përleshesh për të?

JI I GATSHËM TË PËRLESHESH PËR NJË BEKIM

10, 11. (a) Pse mund të na duhet të përleshemi për bekimin e Perëndisë? (b) Ç’do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të fitojmë luftën kundër shkurajimit e shpërqendrimeve?

10 Cilat janë disa rrethana ku mund të na duhet të përleshemi për bekimin e Perëndisë? Për shembull, shumë veta luftojnë që të mposhtin një dobësi të mishit. Të tjerëve u është dashur të bëjnë përpjekje të vendosura që të mbajnë një pikëpamje pozitive për shërbimin. Ose ndoshta për ty mund të jetë një betejë të vazhdosh të qëndrosh, ndërkohë që ke shëndet të dobët ose je i vetmuar. Gjithashtu, të mos harrojmë se për disa është një luftë të falin dikë që i ka fyer ose që ka mëkatuar kundër tyre. Pavarësisht nga sa kohë i shërbejmë Jehovait, të gjithë duhet të luftojmë kundër gjërave që mund të na pengojnë t’i shërbejmë Perëndisë, atij që i shpërblen besnikët.

A po ndeshesh për të marrë bekimin e Perëndisë? (Shih paragrafët 10, 11.)

11 Ta themi hapur, mund të jetë vërtet një luftë të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të ndjekim udhën e krishterë, e sidomos nëse zemra e pabesë na tërheq në drejtim të kundërt. (Jer. 17:9) Nëse e kupton se je ndikuar deri diku negativisht, lutu medoemos për frymën e shenjtë. Lutja dhe fryma e shenjtë mund të të japin forcë të ndjekësh atë udhë që e di se është e drejtë dhe që Jehovai mund ta bekojë. Vepro sipas lutjeve të tua. Përpiqu të lexosh çdo ditë një pjesë nga Bibla dhe gjej kohë për studimin personal, si edhe për Adhurimin e rregullt Familjar.​—Lexo Psalmin 119:32.

12, 13. Çfarë i ndihmoi dy të krishterë të mbanin nën kontroll dëshirat e gabuara?

12 Ka plot shembuj se si Fjala e Perëndisë, fryma e tij dhe botimet tona i kanë ndihmuar të krishterët të mposhtin dëshirat e gabuara. Një adoleshent lexoi artikullin «Si t’i luftojmë dëshirat e gabuara?» që doli në revistën Zgjohuni! të 8 dhjetorit 2003. Cili ishte reagimi i tij? Ai tha: «Po luftoj që të mbaj nën kontroll mendimet e papërshtatshme. Kur lexova në artikull se ‘për shumë veta, beteja për të mposhtur dëshirat e gabuara është jashtëzakonisht e ashpër’, u ndjeva pjesë e vëllazërisë. Ndjeva se nuk isha vetëm.» Ky i ri nxori dobi edhe nga artikulli «Stilet alternative të jetesës: A i miraton Perëndia?» që doli në numrin e 8 tetorit 2003. Ai tha se në artikull përmendej që kjo betejë është «një gjemb në mish» për disa. (2 Kor. 12:7) Teksa vazhdojnë të luftojnë për të mbajtur një sjellje të drejtë, ata mund ta shohin të ardhmen me optimizëm. Ky i ri u shpreh: «Ja pse mendoj se mund të qëndroj besnik ditë pas dite. I jam shumë mirënjohës Jehovait që përdor organizatën e tij për të na ndihmuar të mbijetojmë çdo ditë në këtë sistem të lig.»

13 Mendo edhe për përvojën e një motre në Shtetet e Bashkuara. Ajo shkruan: «Dua t’ju falënderoj që gjithmonë na ushqeni tamam me atë që na nevojitet dhe në kohën e duhur. Shpesh më duket se këta artikuj janë shkruar fiks për mua. Kam luftuar prej vitesh me një dëshirë të fortë për të bërë diçka që Jehovai e urren. Hera-herës, më vjen të ngre duart lart e të mos luftoj më. E di se Jehovai është i mëshirshëm dhe i gatshëm të falë. Por, ngaqë kam këtë dëshirë të gabuar dhe thellë-thellë nuk e urrej, ndihem e padenjë që ai të më ndihmojë. Kjo betejë e pareshtur ka ndikuar në krejt jetën time. . . . Pasi lexova artikullin “A ke ‘një zemër për të njohur’ Jehovain?” në Kullën e Rojës të 15 marsit 2013, e ndjeva realisht se Jehovai dëshiron vërtet të më ndihmojë.»

14. (a) Si ndihej Pavli për betejën që kishte brenda vetes? (b) Si mund ta fitojmë luftën kundër dobësive të mishit?

14 Lexo Romakëve 7:21-25. Pavli e provoi vetë sa e vështirë mund të jetë të luftosh me dëshirat dhe me dobësitë e mishit të papërsosur. Prapëseprapë, ishte plotësisht i sigurt se mund ta fitonte këtë betejë të brendshme duke u mbështetur te Jehovai me anë të lutjes dhe duke treguar besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Po ne, a mund ta fitojmë luftën kundër dobësive tona? Patjetër që po! Si? Duke imituar Pavlin, pra duke u mbështetur plotësisht te Jehovai, jo te forca jonë, dhe duke pasur besim te shpërblesa.

15. Pse lutja mund të na ndihmojë të rrimë besnikë e të qëndrojmë në sprova?

15 Ka raste kur Perëndia mund të lejojë që të tregojmë sa i thellë është meraku ynë për diçka. Për shembull, si do të vepronim sikur ne a një familjari të na binte një sëmundje e rëndë ose të përballeshim me ndonjë padrejtësi? Mund të tregojmë se kemi besim të plotë te Jehovai po t’i përgjërohemi të na japë forcë që të rrimë besnikë e të mos humbim gëzimin dhe ekuilibrin në adhurimin e tij. (Filip. 4:13) Përvoja e shumë vetave​—qoftë në kohën e Pavlit, qoftë në kohën tonë—​provon se lutja mund të na ndihmojë të përtërijmë fuqitë dhe të forcojmë besimin, në mënyrë që të vazhdojmë të qëndrojmë.

VAZHDO TË NDESHESH PËR BEKIMIN E JEHOVAIT

16, 17. Për çfarë je i vendosur në luftën tënde?

16 Djalli do të kënaqej shumë po të të shihte të dorëzoheshe dhe të lëshoje duart i mundur. Ji i vendosur ‘ta mbash fort atë që është e shkëlqyer’. (1 Sel. 5:21) Ji i bindur se mund ta fitosh luftën kundër Satanait, botës së tij të ligë dhe çdo prirjeje mëkatare. Mund t’ia dalësh duke pasur besim të plotë se Perëndia është i aftë të të japë forcë.​—2 Kor. 4:7-9; Gal. 6:9.

17 Në çfarëdo rrethane, vazhdo të luftosh! Vazhdo të ndeshesh! Vazhdo të ngulmosh! Ki besim të plotë se Jehovai ‘do të të derdhë një bekim të tillë, sa të mos kesh më nevojë’.​—Mal. 3:10.