Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Kam pasur bekimin të punoj me vëllezër të pjekur

Kam pasur bekimin të punoj me vëllezër të pjekur

NË MES të viteve 30, babai dhe nëna ime​—Xhejms dhe Xhesi Sinkler—​u transferuan në Bronks, një lagje e Nju-Jorkut. Një nga njerëzit që njohën ishte Uilli Snedoni që, njësoj si ata, ishte nga Skocia. Brenda pak minutash pasi u takuan, të tre nisën të flitnin për familjet. Kjo ndodhi pak vjet para se të lindja unë.

Mamaja i tha Uillit se pak para Luftës së Madhe, babai dhe vëllai i saj i madh u mbytën kur anija e tyre e peshkimit goditi një minë në Detin e Veriut. Uilli i tha: «Babai yt është në ferr.» Uilli ishte Dëshmitar i Jehovait, dhe kjo ishte mënyra tronditëse si e njohu ime më të vërtetën e Biblës.

Uilli dhe Liza Snedoni

Fjalët e Uillit e mërzitën mamanë, sepse ajo ishte e sigurt që i ati ishte njeri i mirë. Por Uilli shtoi: «A do të ndiheshe më mirë po të të thosha se Jezui shkoi në ferr?» * Mamaja solli ndër mend lutjen që kish mësuar në kishë, e cila thoshte se Jezui zbriti në ferr dhe u ngrit ditën e tretë. Ndaj vriste mendjen: «Nëse ferri është një vend i zjarrtë ku torturohen të ligjtë, pse shkoi atje Jezui?» Kështu nisi interesimi i mamasë për të vërtetën. Ajo nisi të ndiqte mbledhjet në kongregacionin e Bronksit dhe u pagëzua më 1940.

Me mamanë, dhe më vonë me babanë

Në atë kohë, prindërve Dëshmitarë nuk u jepej ndonjë nxitje e veçantë që të studionin Biblën me fëmijët. Kur isha i vogël, im atë kujdesej për mua ndërkohë që mamaja ndiqte mbledhjet dhe dilte në predikim fundjavëve. Pas ca vjetësh, unë dhe babai filluam të ndiqnim mbledhjet bashkë me mamanë. Ajo ishte shumë e zellshme në predikimin e lajmit të mirë dhe drejtonte disa studime biblike me të interesuarit. Në fakt, kishte një periudhë kur drejtonte disa studime si grup, ngaqë studentet e saj jetonin goxha afër njëra-tjetrës. Gjatë pushimeve të shkollës e shoqëroja në shërbim. Në këtë mënyrë, mësova shumë gjëra nga Bibla dhe se si t’ua mësoja të tjerëve atë që thotë ajo.

Me keqardhje them se kur isha i vogël, nuk e vlerësoja plotësisht të vërtetën. E shihja si diçka të zakonshme. Megjithatë, rreth moshës 12-vjeçare u bëra lajmëtar i Mbretërisë dhe, që nga ajo kohë, kam marrë pjesë rregullisht në shërbim. Kur isha 16 vjeç ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova në një kongres në Toronto, Kanada, më 24 korrik 1954.

SHËRBEJ NË BETHEL

Disa vëllezër në kongregacionin tonë ishin pjesëtarë të familjes Bethel ose kishin qenë më parë. Ata ndikuan jashtë mase tek unë. Më linte mbresa oratoria e tyre dhe aftësia për të shpjeguar të vërtetat e Biblës. Ndonëse mësuesit e shkollës donin që të ndiqja universitetin, synimi im ishte të shkoja në Bethel. Prandaj, dorëzova një kërkesë për Bethel në kongresin në Toronto. Më 1955 dorëzova një kërkesë tjetër në një kongres që u mbajt në stadiumin «Jenki», në qytetin e Nju-Jorkut. Pak pas kësaj, kur isha 17 vjeç, mora ftesën për të filluar shërbimin në Bethelin e Bruklinit më 19 shtator 1955. Ditën e dytë në Bethel, nisa punë në Repartin e Libralidhjes që ndodhej në 117 Adams Street. S’kaloi shumë dhe po punoja në një makineri që mblidhte fashikuj librash me 32 faqe dhe i bënte gati për një makineri që qepte libra.

Në moshën 17-vjeçare, nisa të shërbeja në Bethelin e Bruklinit

Pas rreth një muaji në Repartin e Libralidhjes, më dërguan në Repartin e Revistave sepse dija të shtypja në makinë shkrimi. Në ato kohë, vëllezërit e motrat shtypnin në lastra (pllaka të vogla metali) adresat e atyre që sapo ishin abonuar në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ca muaj më vonë, fillova në Repartin e Transportit. Klaus Xhensëni, mbikëqyrësi i repartit, më pyeti nëse isha i gatshëm të shoqëroja shoferin që çonte me kamion kutitë me literaturë në doke, që të transportoheshin pastaj nëpër botë. Veç kësaj, duheshin çuar në postë thasët me revista që të dërgoheshin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Vëlla Xhensëni tha se mendonte që puna fizike do të më bënte mirë. Peshoja vetëm nja 57 kilogramë dhe isha i hollë si skilipec. Ato vajtje-ardhje deri te doket dhe te posta më forcuan fizikisht. Është e qartë se vëlla Xhensëni e dinte ç’do të më bënte mirë.

Reparti i Revistave plotësonte edhe kërkesat e kongregacioneve për revista. Kështu mësova për gjuhët në të cilat shtypeshin revistat tona në Bruklin që pastaj dërgoheshin në vende të tjera të botës. Për shumë nga ato gjuhë s’kisha dëgjuar kurrë, ama kënaqesha që dhjetëra mijë revista dërgoheshin në vende të largëta. Edhe pse nuk e dija atëherë, gjatë viteve në vijim do të kisha privilegjin t’i vizitoja mjaft nga këto vende.

Me Robert Uollënin, Çarls Molohanin dhe Don Adamsin

Më 1961, më caktuan të punoja në Zyrën e Thesarit nën mbikëqyrjen e Grent Sutërit. Pas disa vitesh atje, më thirrën të punoja te reparti i Nejthën Norit, që në atë kohë merrte drejtimin në veprën tonë mbarëbotërore. Ai shpjegoi se një nga vëllezërit që punonte në repartin e tij do të ndiqte për një muaj Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë dhe pas saj do të punonte në Repartin e Shërbimit. Mua më caktuan ta zëvendësoja dhe të punoja bashkë me Don Adamsin. Është interesante që Doni ishte vëllai që kishte pranuar kërkesën time për në Bethel në kongresin e vitit 1955. Dy vëllezër të tjerë që shërbenin në këtë repart ishin Robert Uollëni dhe Çarls Molohani. Ne të katër punuam bashkë për më se 50 vjet. Çfarë kënaqësie ka qenë të shërbej krah për krah me këta vëllezër të pjekur besnikë!​—Psal. 133:1.

Vizita ime e parë e zonës në Venezuelë, më 1970

Që nga 1970-a më caktuan që çdo një ose dy vjet të udhëtoja disa javë për të vizituar zyra degësh të Shoqatës Watch Tower. Atëherë këto quheshin vizita të zonës. Kjo përfshinte të vizitoja familjet Bethel e misionarët rreth e qark botës, të jepja inkurajim nga Shkrimet dhe të kontrolloja regjistrimet e zyrës së degës. Më bëhej zemra mal kur takoja disa që ishin diplomuar në klasat e para të Shkollës së Galaadit dhe po vazhdonin të shërbenin me besnikëri në caktimet e tyre në vende të huaja! Ka qenë një privilegj dhe kënaqësi të vizitoja mbi 90 shtete në këtë caktim.

Ç’kënaqësi të vizitoja vëllezërit në mbi 90 shtete!

GJEJ NJË SHOQE BESNIKE

Të gjithë anëtarët e familjes Bethel në Bruklin ishin caktuar në kongregacionet e qytetit të Nju-Jorkut. Unë isha caktuar në një kongregacion në Bronks. Kongregacioni i parë i asaj zone ishte rritur dhe ishte ndarë. Tani kongregacioni i parë fare quhej Bronksi i Sipërm, e aty shërbeja unë.

Në mes të viteve 60, një familje Dëshmitarësh nga Letonia që kishte marrë të vërtetën në jug të Bronksit u transferua në territorin e kongregacionit Bronksi i Sipërm. Livja, vajza e madhe, u bë pioniere e rregullt sapo mbaroi shkollën e mesme. Pak muaj më vonë, u transferua në Masaçusets që të shërbente atje ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Nisa t’i shkruaja letra duke i treguar të rejat e kongregacionit. Edhe ajo më shkruante për suksesin që kishte në shërbim në zonën e Bostonit.

Me Livjan

Ca vite më vonë, Livja u emërua pioniere speciale. Donte të bënte gjithë sa mundej në shërbim të Jehovait, ndaj bëri kërkesë për në Bethel dhe në vitin 1971 e ftuan të vinte. Dukej sikur kjo ishte shenjë nga Jehovai! Më 27 tetor 1973, u martuam dhe patëm privilegjin që fjalimin e dasmës të na e mbante vëllai Nor. Proverbat 18:22 thotë: «Kush gjen një grua të mirë, gjen një gjë të mirë dhe merr pëlqimin e Jehovait.» Kështu, Livja dhe unë kemi pasur bekimin të shërbenim së bashku në Bethel për më se 40 vjet. Sot vazhdojmë të mbështetim një kongregacion në të njëjtën zonë të Bronksit.

SUP MË SUP ME VËLLEZËRIT E KRISHTIT

Ka qenë vërtet kënaqësi të punoja me vëlla Norin. Punonte pa u lodhur për të vërtetën dhe i çmonte jashtëzakonisht misionarët kudo në botë. Shumë prej tyre ishin Dëshmitarët e parë në shtetet ku u caktuan. Ishte mjaft e trishtueshme ta shihje vëlla Norin të vuante nga kanceri më 1976. Një herë, kur kishte zënë shtratin, më kërkoi t’i lexoja disa materiale që ishin në proces për t’u shtypur. Më kërkoi të thirrja Frederik Francin që edhe ai të vinte e të dëgjonte leximin. Më vonë mora vesh se, ngaqë vëlla Francin po e linin sytë, vëlla Nori kishte kaluar goxha kohë duke i lexuar materiale të tilla.

Në një vizitë zone me Daniel dhe Marina Sidlikun më 1977

Vëlla Nori vdiq më 1977, por fakti që ai e kishte përfunduar besnik jetën në tokë i ngushëllonte ata që e njihnin dhe e donin. (Zbul. 2:10) Pas kësaj, vëlla Franci mori drejtimin e veprës.

Në atë kohë, unë punoja edhe si sekretar i Milton Henshelit, i cili kishte punuar për dekada të tëra me vëlla Norin. Vëlla Hensheli më tha se tani përgjegjësia ime kryesore në Bethel ishte të ndihmoja vëlla Francin në çfarëdo mënyre të nevojitej. I lexoja rregullisht atij materialet para se të shtypeshin. Vëlla Franci kishte një kujtesë mbresëlënëse dhe një aftësi të mahnitshme për t’u përqendruar plotësisht tek ajo që lexohej. Ç’gëzim ishte ta ndihmoja në këtë mënyrë derisa përfundoi jetën e tij në tokë në dhjetor të 1992-shit!

124 Columbia Heights, ku punova për dekada të tëra

Këto 61 vjet që kam kaluar në Bethel kanë fluturuar. Të dy prindërit e mi vdiqën besnikë ndaj Jehovait, dhe mezi pres t’u uroj mirëseardhjen në një botë shumë më të mirë. (Gjoni 5:28, 29) Asgjë që ofron ky sistem i vjetër s’mund të krahasohet me privilegjin e mrekullueshëm për të bashkëpunuar me gra e burra besnikë në dobi të popullit të Perëndisë anekënd botës. Livja dhe unë mund të themi me plot gojën se gjatë viteve që kemi shërbyer në kohë të plotë ‘gëzimi i Jehovait ka qenë kalaja jonë’.​—Neh. 8:10.

Asnjë njeri nuk është i domosdoshëm në organizatën e Jehovait, dhe vepra e përhapjes së të vërtetave të Mbretërisë vazhdon para. Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punoja gjatë viteve me gjithë ata motra e vëllezër besnikë e të paepur. Shumica e të mirosurve me të cilët kam punuar nuk janë më këtu në tokë. Por jam mirënjohës që kam punuar krah për krah këtyre vëllezërve të pjekur besnikë në shërbim të Jehovait.

^ par. 6 Në shumë Bibla anglisht, fjala «Sheol» përkthehet «ferr».