Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Fjala e Perëndisë . . . ushtron fuqi»

«Fjala e Perëndisë . . . ushtron fuqi»

«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.»​—HEBR. 4:12.

KËNGËT: 96, 94

1. Pse nuk ka dyshim se Fjala e Perëndisë ushtron fuqi? (Shih figurën hapëse.)

NE SI shërbëtorë të Jehovait s’kemi dyshim se fjala e Perëndisë, mesazhi i tij për njerëzimin, «është e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebr. 4:12) Shumë prej nesh jemi provë e gjallë se Bibla ka fuqi të ndryshojë jetë. Disa nga vëllezërit e motrat tona më parë ishin hajdutë, të droguar ose imoralë. Të tjerë kishin njëfarë suksesi në këtë sistem, por ndienin se diçka mungonte në jetën e tyre. (Ekl. 2:3-11) Sa e sa herë, njerëz që ishin pa drejtim e të pashpresë kanë gjetur rrugën e jetës falë fuqisë transformuese të Biblës. Ka të ngjarë të kesh lexuar e shijuar jashtë mase disa nga këto përvoja që janë botuar në Kullën e Rojës në rubrikën «Bibla të ndryshon jetën». Veç kësaj, ke parë se edhe pasi pranojnë të vërtetën, shërbëtorët e Jehovait vazhdojnë të forcojnë marrëdhënien me të falë ndihmës nga Shkrimet.

2. Si ushtroi fuqi Fjala e Perëndisë në shekullin e parë?

2 A duhet të na habitë fakti që shumë veta në kohën tonë kanë bërë ndryshime mbresëlënëse falë studimit të Fjalës së Perëndisë? Aspak! Përvoja të tilla na sjellin ndër mend vëllezërit e motrat e shekullit të parë me shpresë qiellore. (Lexo 1 Korintasve 6:9-11.) Pasi renditi disa lloj njerëzish që nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë, apostulli Pavël shtoi: «Të tillë ishit disa nga ju.» Por me ndihmën e Shkrimeve dhe të frymës së shenjtë të Perëndisë ata kishin ndryshuar. Edhe pasi pranuan të vërtetën, disa u bënë ballë problemeve të rënda në marrëdhënien e tyre me Jehovain. Bibla flet për një të mirosur në shekullin e parë që duhej përjashtuar; më vonë, ai u rivendos. (1 Kor. 5:1-5; 2 Kor. 2:5-8) A nuk marrim zemër kur mendojmë se bashkëbesimtarët u bënë ballë lloj-lloj problemeve me ndihmën e Fjalës së Perëndisë?

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Meqë Fjala e Perëndisë është një mjet kaq i fuqishëm dhe e kemi në dispozicion, patjetër që duam ta përdorim sa më mirë. (2 Tim. 2:15) Prandaj në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta lëmë fuqinë e Fjalës së Perëndisë të veprojë më plotësisht (1) në jetën tonë, (2) kur jemi në shërbim dhe (3) kur mësojmë nga podiumi. Këta përkujtues do të na ndihmojnë t’i tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen Atit tonë të dashur qiellor, i cili na mëson si të nxjerrim dobi.​—Isa. 48:17.

NË JETËN TONË

4. (a) Çfarë duhet të bëjmë që Fjala e Perëndisë të ndikojë te ne? (b) Si e gjen kohën për të lexuar Biblën?

4 Që Fjala e Perëndisë të ndikojë te ne, duhet ta lexojmë rregullisht​—përditë po të jetë e mundur. (Jos. 1:8) Është e vërtetë se shumë prej nesh kemi një jetë mjaft të ngarkuar. Gjithsesi, s’duhet të lejojmë asgjë të na prishë programin e leximit të Biblës, madje as përgjegjësitë që na takojnë me të drejtë. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Shumë shërbëtorë të Jehovait kanë vënë në punë fantazinë që të gjejnë kohë ta lexojnë Biblën çdo ditë, qoftë në fillim, në fund ose diku gjatë ditës. Ata ndihen si psalmisti, që shkroi: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.»​—Psal. 119:97.

5, 6. (a) Pse ka rëndësi meditimi? (b) Ç’të bëjmë që meditimi të jetë i efektshëm? (c) Si ke nxjerrë dobi ti nga leximi dhe meditimi për Fjalën e Perëndisë?

5 Përveçse të lexojmë Biblën, është e rëndësishme edhe të meditojmë rreth asaj që lexojmë. (Psal. 1:1-3) Vetëm atëherë do të arrijmë ta zbatojmë në mënyrën më të mirë në jetën tonë mençurinë e saj që s’njeh kohë. Sido që ta lexojmë Fjalën e Perëndisë, në format të shtypur a elektronik, synimi ynë duhet të jetë t’i nxjerrim mendimet e Perëndisë nga faqet e saj dhe t’i çojmë drejt e në zemër.

6 Ç’të bëjmë që meditimi të jetë i efektshëm? Shumë vetave u është dukur e dobishme që, pas leximit të një pjese nga Shkrimet, të ndalen dhe të shqyrtojnë pyetje të tilla, si: «Çfarë më tregon kjo për Jehovain? Në çfarë mënyrash po e zbatoj tashmë parimin që gjendet në këtë pjesë të Fjalës së Perëndisë? Në cilat aspekte mund të përmirësohem?» Teksa meditojmë në lutje për Fjalën e Perëndisë, do të motivohemi që t’i zbatojmë edhe më plotësisht këshillat e saj. Vërtet, do të lëmë që fuqia e saj të veprojë akoma më shumë në jetën tonë.​—2 Kor. 10:4, 5.

NË SHËRBIM

7. Si ta përdorim mirë Fjalën e Perëndisë në shërbim?

7 Si mund ta përdorim mirë Fjalën e Perëndisë në shërbim? Hapi i parë është ta përdorim pa kursim kur predikojmë dhe mësojmë të tjerët. Një vëlla u shpreh: «Po të ishe duke predikuar shtëpi më shtëpi me vetë Jehovain, a do të flisje vetëm ti apo do ta lejoje Atë të fliste?» Ai donte të theksonte këtë pikë: kur lexojmë direkt nga Fjala e Perëndisë në shërbim, po lejojmë Jehovain t’i flasë të zotit të shtëpisë. Ka mjaft të ngjarë që një shkrim i zgjedhur me kujdes të ketë shumë më tepër fuqi se çdo gjë që mund të themi ne. (1 Sel. 2:13) Pyet veten: «A shfrytëzoj çdo rast për t’u lexuar një pjesë nga Fjala e Perëndisë atyre që u çoj lajmin e mirë?»

8. Pse nuk mjafton thjesht të lexojmë shkrime kur predikojmë?

8 Natyrisht, nuk mjafton thjesht t’u lexojmë vargje biblike atyre me të cilët bisedojmë. Përse? Sepse shumë veta e kuptojnë pak ose aspak Biblën. Kështu ishte në shekullin e parë, e kështu është edhe sot. (Rom. 10:2) Prandaj, të mos shkojmë me mendjen se tjetri do ta kapë pikën e një vargu vetëm ngaqë e lexojmë. Duhet edhe të veçojmë pjesë të vargut​—mbase duke rilexuar fjalët kyçe—​dhe të shpjegojmë domethënien e tyre. Kjo mund të ndihmojë jashtëzakonisht që mesazhi i Fjalës së Perëndisë të shkojë në mendjen dhe në zemrën e dëgjuesve.​—Lexo Lukën 24:32.

9. Si mund t’i prezantojmë shkrimet në një mënyrë që ngjall respekt për Biblën? Jepni një shembull.

9 Veç kësaj, është mirë t’i prezantojmë shkrimet në një mënyrë që ngjall respekt për Biblën. Për shembull, mund të themi: «Të shohim çfarë thotë Krijuesi ynë për këtë.» Kur flasim me dikë që s’është i krishterë, mund të themi: «Shiko pak çfarë thonë Shkrimet e Shenjta.» Ose nëse po i predikojmë dikujt që s’është fort fetar, mund të pyesim: «A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë proverb të lashtë?» Po, ne e shohim këdo si individ dhe e përshtatim prezantimin tonë në harmoni me këtë.​—1 Kor. 9:22, 23.

10. (a) Tregoni çfarë i ndodhi një vëllai në shërbim. (b) Si e ke parë ti në shërbim fuqinë që ushtron Fjala e Perëndisë?

10 Shumë kanë parë se përdorimi i Fjalës së Perëndisë në shërbim mund të ndikojë thellë tek ata që u predikojmë. Të marrim një shembull. Një vëlla rivizitoi një burrë të moshuar që lexonte prej disa vitesh revistat tona. Në vend që thjesht t’i prezantonte numrin e fundit të Kullës së Rojës, vendosi t’i lexonte një shkrim që gjendej në atë revistë. I lexoi 2 Korintasve 1:3, 4, që thotë: «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi . . . na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.» Të zotin e shtëpisë e prekën aq shumë ato fjalë sa i kërkoi vëllait t’ia lexonte përsëri shkrimin. Burri i tha sa shumë nevojë kishin ai dhe e shoqja për ngushëllim, dhe kësaj here shfaqi interes për mesazhin e Biblës. A nuk je dakord se Fjala e Perëndisë ushtron fuqi në shërbim?​—Vep. 19:20.

KUR MËSON NGA PODIUMI

11. Ç’përgjegjësi kanë vëllezërit që mësojnë nga podiumi?

11 Të gjithë kënaqemi kur ndjekim mbledhjet, asambletë e kongreset. Në radhë të parë, marrim pjesë në to për të adhuruar Jehovain. Gjithashtu, nxjerrim jashtë mase dobi nga mësimet që jepen atje. Vëllezërit që flasin nga podiumi në këto raste, gëzojnë një privilegj të madh. Në të njëjtën kohë duhet të mbajnë parasysh se kanë një përgjegjësi me peshë. (Jak. 3:1) Gjithnjë duhet të sigurohen se themeli i asaj që mësojnë është Fjala e Perëndisë. Nëse je caktuar t’i mësosh të tjerët nga podiumi, si mund ta lësh fuqinë e Biblës të veprojë në pjesën që mban?

12. Si mund të sigurohet një orator se Shkrimet formojnë boshtin e fjalimit të tij?

12 Sigurohu që Shkrimet të formojnë boshtin e fjalimit tënd. (Gjoni 7:16) Çfarë përfshin kjo? Së pari, bëj kujdes që asgjë​—përvojat, ilustrimet a madje as mënyra si e mban fjalimin—​të mos lërë në hije ose ta largojë vëmendjen nga vargjet biblike që përdor. Veç kësaj, mos harro se thjesht leximi i disa shkrimeve nuk do të thotë medoemos se po mëson nga Bibla. Në fakt, kur përdor tepër shkrime, dëgjuesve mund të mos u mbetet në mendje asnjë prej tyre. Prandaj, zgjidhi me kujdes shkrimet kyçe dhe lër kohë t’i lexosh, t’i shpjegosh, t’i ilustrosh dhe të tregosh zbatimin e tyre siç duhet. (Neh. 8:8) Kur një fjalim bazohet te një skemë që siguron organizata, studioje skemën dhe shkrimet që përmban ajo. Përpiqu të kuptosh si lidhen pohimet në skemë me shkrimet e përmendura. Pastaj mësojua të tjerëve pikat e skemës me anë të shkrimeve të zgjedhura. (Mund të gjesh sugjerime praktike në mësimet 21 deri 23 të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik.) Mbi të gjitha, lutju Jehovait të të ndihmojë të përcjellësh mendimet e çmuara të Fjalës së tij.​—Lexo Ezdrën 7:10; Proverbat 3:13, 14.

13. (a) Si ndikuan te një motër shkrimet që u përdorën në një mbledhje? (b) Si ke nxjerrë dobi ti nga mësimdhënia biblike në mbledhjet tona?

13 Vargjet biblike që u përdorën në një mbledhje ndikuan thellë te një motër në Australi. Ndonëse kishte pasur një fëmijëri tragjike, ajo e kishte mirëpritur mesazhin e Biblës dhe ia kishte kushtuar jetën Jehovait. Megjithatë, i dukej e vështirë të pranonte se Jehovai e donte. Mirëpo me kalimin e kohës, u bind që Perëndia e donte. Çfarë e ndihmoi të arrinte në këtë përfundim? Një pikë kthese ishte kur meditoi për një shkrim që u përdor në një mbledhje e që pastaj e lidhi me vargje të tjera të Biblës. * A ka ndikuar edhe te ti përdorimi i Fjalës së Perëndisë në mbledhje, asamble dhe kongrese?​—Neh. 8:12.

14. Si mund të tregojmë çmueshmëri për Fjalën e Jehovait?

14 A nuk i jemi mirënjohës Jehovait për Fjalën e tij të shkruar, Biblën? Ai jo vetëm e siguroi me dashuri për familjen njerëzore, por edhe e mbajti premtimin se Fjala e tij ‘do të mbetej’. (1 Pjet. 1:24, 25) Patjetër, bëjmë mirë ta lexojmë Fjalën e Perëndisë rregullisht, ta zbatojmë në jetën tonë dhe ta përdorim për të ndihmuar të tjerët. Kështu tregojmë dashuri dhe çmueshmëri jo vetëm për këtë thesar hyjnor por, ç’është më e rëndësishmja, për Autorin e saj, Perëndinë Jehova.

^ par. 13 Shih kutinë « Një pikë kthese».