Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ji guximtar . . . dhe vepro»

«Ji guximtar . . . dhe vepro»

«Ji guximtar e i fortë, dhe vepro. Mos ki frikë, as mos u tmerro, sepse Perëndia Jehova . . . është me ty.»​—1 KRON. 28:20.

KËNGËT: 38, 34

1, 2. (a) Cilin caktim të rëndësishëm mori Solomoni? (b) Çfarë meraku shprehu Davidi për Solomonin?

SOLOMONI u udhëzua të mbikëqyrte ndërtimin e tempullit në Jerusalem​—një nga projektet më të rëndësishme të ndërtimit të të gjitha kohëve. Ndërtesa duhej të ishte ‘tejet madhështore, me një bukuri që do ta bënte të dallohej në gjithë vendet’. Ç’është më e rëndësishmja, tempulli do të ishte «shtëpia e Jehovait, Perëndisë së vërtetë». Jehovai e caktoi Solomonin mbikëqyrës të këtij projekti.​—1 Kron. 22:1, 5, 9-11.

Mbreti David ishte i sigurt për mbështetjen e Perëndisë, por Solomoni ishte «i ri e i papërvojë». A do të kishte guxim të merrte përsipër ndërtimin e tempullit? A do t’i bëheshin pengesë mosha e re dhe mungesa e përvojës? Për të pasur sukses, Solomoni duhej të ishte i guximshëm dhe të vepronte, pra t’i përvishej punës.

3. Ç’mund të ketë mësuar për guximin Solomoni nga i ati?

3 Solomoni do të ketë mësuar shumë për guximin nga i ati. Kur ishte i ri, Davidi u përlesh me kafshë të egra që rrëmbenin delet e të atit. (1 Sam. 17:34, 35) Ai shfaqi guxim të pashoq kur u përball me një gjigant që ishte luftëtar i regjur. Po, me ndihmën e Perëndisë dhe një gur të lëmuar, Davidi mposhti Goliadin.​—1 Sam. 17:45, 49, 50.

4. Pse kishte nevojë për guxim Solomoni?

4 Sa me vend ishte që më pas Davidi e nxiti Solomonin të ishte guximtar dhe të ndërtonte tempullin! (Lexo 1 Kronikave 28:20.) Po të mos tregohej guximtar, Solomonin mund ta paralizonte frika, dhe pasiviteti do të ishte më keq se dështimi.

5. Pse na duhet guxim?

5 Ashtu si Solomoni, ne kemi nevojë për ndihmë nga Jehovai që të jemi guximtarë dhe t’i kryejmë deri në fund përgjegjësitë tona. Prandaj, mund të meditojmë për disa shembuj guximi nga e kaluara. Më pas, mund të mendojmë si të shfaqim guxim e të plotësojmë përgjegjësitë tona.

SHEMBUJ GUXIMI

6. Çfarë të bën përshtypje te guximi i Jozefit?

6 Mendo për guximin që tregoi Jozefi kur gruaja e Potifarit e joshi të kryente imoralitet seksual. Jozefi do ta ketë marrë me mend që do të kishte pasoja të hidhura po ta refuzonte. Prapëseprapë, në vend se të dorëzohej, shfaqi guxim dhe veproi me vendosmëri.​—Zan. 39:10, 12.

7. Përshkruani guximin që tregoi Rahaba. (Shih figurën hapëse.)

7 Rahaba është një tjetër shembull guximi. Kur dy zbuluesit izraelitë shkuan në shtëpinë saj në Jeriko, atë mund ta kishte mbytur frika e t’i kishte kthyer mbrapsht. Por, meqë kishte besim te Jehovai, ajo me guxim i fshehu burrat dhe i ndihmoi të largoheshin shëndoshë e mirë. (Jos. 2:4, 5, 9, 12-16) Rahaba e pranoi se Jehovai është Perëndia i vërtetë dhe tregoi besim se në një mënyrë a në një tjetër ai do t’ua jepte vendin izraelitëve. Rahaba nuk lejoi ta paralizonte frika nga të tjerët, madje as nga mbreti i Jerikosë dhe njerëzit e tij. Përkundrazi, veproi në një mënyrë që i shpëtoi jetën asaj dhe familjes së saj.​—Jos. 6:22, 23.

8. Si ndikoi guximi i Jezuit tek apostujt?

8 Apostujt besnikë të Jezuit lanë një shembull të shkëlqyer guximi. Ata kishin parë guximin e Jezuit. (Mat. 8:28-32; Gjoni 2:13-17; 18:3-5) Shembulli i tij i ndihmoi të bëheshin më të guximshëm. Kur saducenjtë iu kundërvunë, apostujt nuk pranuan të pushonin së mësuari në emër të Jezuit.​—Vep. 5:17, 18, 27-29.

9. Si na ndihmon 2 Timoteut 1:7 të dallojmë burimin kryesor të guximit?

9 Jozefi, Rahaba, Jezui dhe apostujt treguan se kishin një forcë të brendshme që i motivoi të kryenin vepra të mira. Guximi i tyre nuk vinte nga vetëbesimi. Vinte nga mbështetja te Jehovai. Edhe ne përballemi me rrethana që kërkojnë guxim, ndaj të mos mbështetemi te vetja, por te Jehovai. (Lexo 2 Timoteut 1:7.) Të shqyrtojmë dy fusha të jetës ku na duhet guxim: në familje dhe në kongregacion.

SITUATA QË KËRKOJNË GUXIM

10. Pse kanë nevojë për guxim të rinjtë Dëshmitarë?

10 Të rinjtë Dëshmitarë përballen me shumë situata ku duhet të tregojnë guxim për t’i shërbyer Jehovait. Ata mund të mësojnë nga Solomoni dhe të imitojnë guximin që tregoi ai kur mori vendime të mençura për të përfunduar ndërtimin e tempullit. Të rinjtë mund dhe duhet të marrin drejtim nga prindërit, por edhe ata vetë duhet të marrin vendime të rëndësishme. (Prov. 27:11) Të gjitha vendimet e mençura që marrin për shoqëritë e mira, zbavitjet e shëndetshme, pastërtinë morale dhe pagëzimin kërkojnë guxim. Pse? Se këta të rinj shkojnë kundër vullnetit të Satanait, atij që sfidon Perëndinë.

11, 12. (a) Pse Moisiu është shembull i shkëlqyer guximi? (b) Si mund ta imitojnë të rinjtë shembullin e Moisiut?

11 Një vendim i rëndësishëm që duhet të marrin të rinjtë lidhet me synimet. Në disa shtete, të rinjve u bëhet presion të vendosin synime që përqendrohen tek arsimimi i lartë dhe një punë me pagë të mirë. Në vende të tjera, gjendja ekonomike mund t’i shtyjë të rinjtë të mendojnë se duhet të synojnë së pari të ndihmojnë në sigurimin e të ardhurave për familjen. Nëse ndodhesh në ndonjë nga këto situata, mendo për shembullin e Moisiut. Meqë u rrit nga vajza e faraonit, Moisiu mund të kishte synuar prestigj a siguri ekonomike. Imagjino presionin që duhet të ketë pasur nga familja, mësuesit dhe këshilltarët egjiptianë për t’i arritur këto! Në vend se t’i dorëzohej presionit, Moisiu me guxim mori anën e adhurimit të pastër. Pasi hoqi dorë nga pasuritë e Egjiptit, ai u mbështet te Jehovai. (Hebr. 11:24-26) Kjo i solli bekime nga Jehovai atëherë, dhe s’ka dyshim që në të ardhmen Moisiun e presin edhe më shumë bekime.

12 Po njëlloj, Jehovai do t’i bekojë të rinjtë që me guxim veprojnë për të vendosur synime në shërbim të Tij dhe për të vënë Mbretërinë në radhë të parë në jetë. Jehovai do t’i ndihmojë të plotësojnë nevojat e familjeve të tyre. Në shekullin e parë, synimet e të riut Timote u përqendruan te shërbimi i Jehovait. Edhe ti mund ta bësh këtë. *​—Lexo Filipianëve 2:19-22.

A je i vendosur të jesh guximtar në të gjitha fushat e jetës? (Shih paragrafët 13-17.)

13. Si e ndihmoi guximi një motër të re të arrinte synimet e saj?

13 Një motër në Alabama, SHBA, kishte nevojë të zhvillonte guxim për të vendosur synime në shërbim të Perëndisë. Ajo shkruan: «Ndërsa rritesha isha shumë e ndrojtur. Mezi u flisja njerëzve në Sallën e Mbretërisë le pastaj të trokitja në dyert e njerëzve krejt të panjohur.» Me ndihmën e prindërve dhe të të tjerëve në kongregacion kjo e re Dëshmitare arriti synimin që të bëhej pioniere e rregullt. Ajo thotë: «Bota e Satanait i reklamon si synime të mira arsimimin e lartë, famën, paratë dhe zotërimet e shumta. Shpesh, synime të tilla janë të paarritshme dhe sjellin vetëm stres e dhembje. Ndërsa, shërbimi ndaj Jehovait më ka sjellë lumturinë më të madhe dhe një ndjenjë suksesi të vërtetë.»

14. Cilat janë disa situata ku prindërit Dëshmitarë kanë nevojë për guxim?

14 Edhe ju prindër Dëshmitarë keni nevojë për guxim. Për shembull, punëdhënësi mund të të kërkojë vazhdimisht të punosh jashtë orarit në mbrëmje dhe në fundjavë​—orare që i ke programuar për adhurimin familjar, shërbimin dhe mbledhjet e kongregacionit. Duhet guxim për të refuzuar kërkesa të tilla të vazhdueshme e të jesh shembull për fëmijët e tu. Ose, disa prindër në kongregacion i lejojnë fëmijët e tyre të bëjnë gjëra që ti nuk ia lejon fëmijës tënd. Këta prindër mund të të pyesin pse fëmija yt nuk merr pjesë në ato aktivitete. A do të jesh i guximshëm e t’u shpjegosh me takt pse ke marrë atë vendim?

15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit Psalmi 37:25 dhe Hebrenjve 13:5?

15 Duhet guxim për të ndihmuar fëmijët të vënë e të arrijnë synime në shërbim të Perëndisë. Për shembull, disa prindër mund të hezitojnë ta nxitin fëmijën që ta bëjë karrierë shërbimin si pionier, të shërbejë ku ka më shumë nevojë, të shërbejë në Bethel ose të punojë në projekte teokratike ndërtimi. Prindërit mund të kenë merak se kur të plaken, fëmija nuk do të ketë mundësi të kujdeset për ta. Sidoqoftë, prindërit e mençur tregojnë guxim dhe besim te premtimet e Jehovait. (Lexo Psalmin 37:25; Hebrenjve 13:5.) E një mënyrë tjetër si të tregosh se ke guxim dhe se mbështetesh te Jehovai, është ta ndihmosh fëmijën të bëjë njëlloj.​—1 Sam. 1:27, 28; 2 Tim. 3:14, 15.

16. Si i kanë ndihmuar disa prindër fëmijët të vendosin synime në shërbim dhe çfarë dobish ka sjellë kjo?

16 Një çift në Shtetet e Bashkuara i ndihmoi fëmijët të vinin synime në shërbim të Jehovait. Babai shpjegon: «Para se fëmijët të flitnin e të ecnin, u tregonim shpesh për gëzimet që sjell shërbimi si pionier dhe në kongregacion. Tani këtë synim kanë. Pasja dhe arritja e synimeve në shërbim, i ndihmon fëmijët tanë t’u kundërvihen presioneve nga sistemi i Satanait dhe të përqendrohen te gjërat më me vlerë​—të përqendrohen te Jehovai.» Një baba me dy fëmijë shkruan: «Shumë prindër harxhojnë mjaft energji dhe të ardhura që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të arrijnë synime në fusha të tilla si sporti, zbavitja dhe arsimimi. Është shumë më logjike t’i harxhosh energjitë e të ardhurat për t’i ndihmuar fëmijët të arrijnë synime që do t’i ndihmojnë të mbajnë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Na ka sjellë kënaqësi të pamasë jo vetëm t’i shohim fëmijët të arrijnë synime në shërbim të Jehovait, por edhe t’i shoqërojmë gjatë këtij udhëtimi.» Mund të jesh i sigurt se Perëndia do t’i bekojë prindërit që i ndihmojnë fëmijët të vënë dhe të arrijnë synime në shërbim të Jehovait.

GUXIM NË KONGREGACION

17. Jepni shembuj ku duhet guxim në kongregacion.

17 Ka nevojë të tregojmë guxim edhe në kongregacion. Për shembull, pleqtë kanë nevojë për guxim kur trajtojnë çështje gjyqësore ose kur ndihmojnë ata që përballen me urgjenca mjekësore me rrezik për jetën. Disa pleq shkojnë nëpër burgje që t’u mësojnë të burgosurve për Jehovain. Ç’të themi për motrat beqare? Tani ato kanë mjaft mundësi për të zgjeruar shërbimin. Mund të shërbejnë si pioniere, të transferohen ku ka më shumë nevojë, të bashkëpunojnë me Repartin Vendës të Projektim-Ndërtimit dhe të bëjnë kërkesë për Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Disa madje mund të ndjekin Shkollën e Galaadit.

18. Si mund të tregojnë guxim motrat e moshuara?

18 Gratë e moshuara janë bekim për kongregacionin. Sa i duam këto motra të shtrenjta! Disa mund të mos jenë në gjendje t’i shërbejnë Perëndisë aq sa në të kaluarën, por ende mund të tregojnë guxim e të veprojnë. (Lexo Titin 2:3-5.) Për shembull, një motër e moshuar ka nevojë për guxim nëse i kërkohet t’i flasë një motre më të re për veshjen modeste. Ajo nuk do ta qortojë motrën për veshjet që zgjedh, por mund ta inkurajojë që të mendojë si mund të ndikojnë te të tjerët veshjet që zgjedh. (1 Tim. 2:9, 10) Shprehje të tilla meraku të dashur mund të ndikojnë për mirë.

19. (a) Si mund të tregojnë guxim vëllezërit e pagëzuar? (b) Si mund t’i ndihmojnë vëllezërit Filipianëve 2:13 dhe 4:13 që të zhvillojnë guxim?

19 Edhe vëllezërit e pagëzuar duhet të jenë të guximshëm e të veprojnë. Burrat e guximshëm që janë të gatshëm të mbajnë më shumë përgjegjësi janë bekim për kongregacionin. (1 Tim. 3:1) Por disa mund të ngurrojnë të vënë synime. Ndoshta një vëlla që ka bërë gabime në të kaluarën, tani ndihet se nuk e meriton të jetë shërbëtor ndihmës ose plak. Ose një vëlla tjetër mund të ndihet i paaftë për të plotësuar një caktim. Nëse ndihesh kështu, Jehovai mund të të ndihmojë të zhvillosh guxim. (Lexo Filipianëve 2:13; 4:13.) Mos harro, edhe Moisiu në një rast nuk u ndie i kualifikuar për një caktim. (Dal. 3:11) Sidoqoftë, Jehovai e ndihmoi dhe me kalimin e kohës zhvilloi guxim për të kryer caktimin e tij. Një vëlla i pagëzuar mund të zhvillojë guxim të ngjashëm duke i kërkuar ndihmë Jehovait me lutje të zjarrta e duke lexuar Biblën çdo ditë. Edhe meditimi mbi personazhe biblike që treguan guxim do ta ndihmojë. Me përulësi ai mund t’u kërkojë pleqve që ta stërvitin dhe të vihet në dispozicion të ndihmojë për ç’të ketë nevojë. I nxitim përzemërsisht të gjithë vëllezërit e pagëzuar të jenë të guximshëm dhe të punojnë pa u lodhur për kongregacionin!

‘JEHOVAI ËSHTË ME TY’

20, 21. (a) Çfarë sigurie i dha Davidi Solomonit? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt?

20 Mbreti David i kujtoi Solomonit se Jehovai do të ishte me të derisa të mbaronte puna për ndërtimin e tempullit. (1 Kron. 28:20) Solomoni i gdhendi fjalët e të atit në mendje e në zemër e nuk lejoi që mosha e re dhe mungesa e përvojës t’i bëheshin pengesë. Ai shfaqi guxim të madh, iu përvesh punës dhe me ndihmën e Jehovait e përfundoi tempullin madhështor për shtatë vjet e gjysmë.

21 Siç ndihmoi Solomonin, Jehovai mund të na ndihmojë edhe ne të jemi të guximshëm dhe të plotësojmë përgjegjësitë në familje e në kongregacion. (Isa. 41:10, 13) Kur tregojmë guxim në adhurimin e Jehovait mund të jemi të sigurt se ai do të na bekojë tani dhe në të ardhmen. Prandaj, ‘të jemi guximtarë dhe të veprojmë’!

^ par. 12 Disa hapa praktikë për të vënë synime në shërbim të Perëndisë mund t’i gjesh në artikullin «T’i përdorim synimet frymore për t’i sjellë lavdi Krijuesit» në Kullën e Rojës 15 korrik, 2004.