Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni»

«Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni»

«Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»​—GJONI 4:34.

KËNGËT: 80, 35

1. Si mund të ndikojë fryma egoiste e botës te përulësia jonë?

PSE është një sfidë ta zbatojmë atë që mësojmë nga Fjala e Perëndisë? Një arsye është se për të bërë atë që është e drejtë, duhet përulësi, dhe aftësia jonë për të mbetur të përulur është në rrezik. Në këto ‘ditë të fundit’, rrethohemi nga njerëz që janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë» dhe «pa vetëkontroll». (2 Tim. 3:1-3) Kur sjellja egoiste është objekt bisedash dhe madje admirohet, një shërbëtor i Perëndisë mund ta përbuzë këtë sjellje, por ndoshta ka zili rezultatet e saj. (Psal. 37:1; 73:3) Madje mund të pyesë veten: «A ia vlen t’i vë interesat e të tjerëve para të miave? Mos ndoshta të tjerët do ta humbin respektin për mua nëse sillem ‘si më i vogli’?» (Luka 9:48) Nëse lejojmë të ndikojë te ne fryma egoiste e botës, kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet e dashura që gëzojmë në kongregacion dhe identitetin tonë si të krishterë. Por kur studiojmë shembujt e mirë që gjejmë në Bibël dhe i imitojmë, nxjerrim dobi.

2. Si mund të ndikojnë te ne shërbëtorët besnikë të Perëndisë?

2 Nëse duam të kemi si shembuj në jetë shërbëtorët besnikë të Perëndisë, duhet të shqyrtojmë me kujdes se çfarë bënë ata që patën rezultatet e dëshiruara. Si arritën të bëheshin miq të Perëndisë, të gëzonin miratimin e tij dhe të merrnin fuqi për të bërë vullnetin e tij? Ky lloj studimi është një element jetësor për të ushqyer besimin.

USHQIMI BESIMFORCUES​—JO THJESHT INFORMACION

3, 4. (a) Si na mëson Jehovai? (b) Pse mund të themi se ushqimi besimforcues përfshin më shumë se të marrim njohuri?

3 Ne marrim shumë stërvitje dhe këshilla të dobishme nëpërmjet Biblës, botimeve e siteve tona, JW Broadcasting, mbledhjeve dhe asambleve. Por sipas fjalëve të Jezuit te Gjoni 4:34, ushqimi që na forcon besimin nuk kufizohet te marrja e njohurisë. Çfarë përfshin tjetër? Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»

4 Për Jezuin, ushqimi besimforcues përfshinte të vepronte sipas drejtimit të Perëndisë. Në ç’kuptim është si ushqim kjo gjë? Po ja, një vakt i mirë na kënaq e na ushqen fizikisht. Po njësoj, kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, na mbushet zemra plot dhe na ushqehet besimi që çon në jetën e përhershme. Sa herë të ka ndodhur të shkosh në një mbledhje për shërbim kur s’ke qenë në formë, ama kur mbarove predikimin atë ditë, ndiheshe i freskuar dhe i përtërirë?

5. Çfarë shpërblimesh kemi kur veprojmë me mençuri?

5 Në thelb, mençuri do të thotë të vësh në praktikë udhëzimet e Perëndisë. (Jak. 3:13) Dhe për shpërblimet që sjell mençuria, ia vlen çdo përpjekje. «Gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të. . . . Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.» (Prov. 3:13-18) Jezui tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17) Dishepujt do të vazhdonin të ishin të lumtur për sa kohë të vazhdonin të zbatonin udhëzimet e Jezuit. Për ta, ndjekja e mësimeve dhe e shembullit të Jezuit nuk ishte një reagim emocional kalimtar. Përkundrazi, ishte vetë jeta e tyre.

6. Pse duhet të vazhdojmë të veprojmë me mençuri?

6 Sot është po aq e rëndësishme të vazhdojmë t’i zbatojmë gjërat që e dimë se janë të vërteta. Ta ilustrojmë: një mekanik mund të ketë veglat e punës, materialet dhe njohuri. Por nëse nuk i përdor, nuk do të nxjerrë dobi prej tyre. Nëse ka punuar si mekanik në të kaluarën dhe ka fituar ndërkohë përvojë të çmuar, duhet të vazhdojë t’i praktikojë ato që ka mësuar, me qëllim që të vazhdojë të jetë i zoti dhe i frytshëm në punë. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të kemi sukses në fillim, sepse zbatojmë ato që mësojmë nga Bibla. Megjithatë, që të kemi lumturi të përhershme, duhet të jetojmë me përulësi sipas udhëzimeve të Jehovait çdo ditë.

7. Teksa fitojmë mençuri, si duhet të reagojmë ndaj shembujve biblikë?

7 Le të shqyrtojmë disa situata ku mund të na vihet në provë përulësia dhe të shohim si përballuan sfida të ngjashme besnikët e lashtësisë. Po për të qenë të fortë në besim, nuk mjafton thjesht të shqyrtojmë informacione. Prandaj, mendo si mund ta zbatosh personalisht secilën nga këto pika, e pastaj vepro pa vonesë.

SHIHI TË TJERËT SI TË BARABARTË

8, 9. Çfarë zbulojnë për përulësinë e apostullit Pavël ngjarjet e dokumentuara te Veprat 14:8-15? (Shih figurën hapëse.)

8 Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Si i sheh ti njerëzit e çdo lloji që akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën? Ndonëse apostulli Pavël kërkonte në sinagoga ata që tashmë kishin njëfarë njohurie për Perëndinë, pa dyshim që nuk i kufizoi përpjekjet e tij te populli jude. E në fakt reagimi i atyre që adhuronin perëndi të tjera, do të vinte në provë sa e thellë ishte përulësia e tij.

9 Për shembull, gjatë udhëtimit të parë misionar të Pavlit, banorët e Likaonisë i morën për superheronj atë dhe Barnabën, duke pandehur se ishin mishërim i perëndive të tyre të rreme Zeus dhe Hermes. A u tunduan Pavli dhe Barnaba ta shijonin gjithë atë popullaritet? A do ta shihnin këtë si një ndryshim të mirëpritur pas gjithë përndjekjes që kishin hequr në dy qytetet e fundit? A menduan se ai publicitet mund të ndihmonte në përhapjen e lajmit të mirë? Aspak! Ata protestuan në moment duke shqyer rrobat e duke u turrur mes turmës, dhe thirrën: «Ç’bëni kështu? Edhe ne jemi njerëz si ju, me po ato të meta.»​—Vep. 14:8-15.

10. Në ç’kuptim mund ta konsideronin veten të barabartë me likaonasit Pavli dhe Barnaba?

10 Duke pranuar se edhe ata ishin të papërsosur, Pavli dhe Barnaba nuk po thoshin se mënyra e tyre e adhurimit ishte në thelb njësoj si adhurimi i atyre paganëve. A nuk kishin marrë ata të dy një emërim special si misionarë? (Vep. 13:2) A nuk ishin mirosur me frymë të shenjtë dhe a nuk ishin veshur me një shpresë të lavdishme? Po. Gjithsesi, Pavli dhe Barnaba e kuptonin se edhe likaonasit mund të merrnin të njëjtën shpresë nëse pranonin lajmin e mirë.

11. Si mund ta imitojmë përulësinë shembullore të Pavlit kur predikojmë?

11 Si mund ta imitojmë përulësinë shembullore të Pavlit? Para së gjithash, duhet t’i rezistojmë çdo tundimi që të presim ose të pranojmë admirim të tepruar për gjërat që i bëjmë me fuqinë e Jehovait. Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «Si i shoh njerëzit të cilëve u predikoj? Mos ndoshta pa e kuptuar kam ende ndaj disave ndonjë paragjykim të përhapur në zonën time?» Sa bukur që Dëshmitarët e Jehovait përqark botës i kanë shqyrtuar territoret e tyre për të kuptuar nëse ka akoma njerëz që mund ta dëgjojnë lajmin e mirë! Hera-herës kjo kërkon të mësojnë gjuhët dhe zakonet e atyre që shoqëria në përgjithësi i ka trajtuar si inferiorë. Dëshmitarët që u predikojnë këtyre njerëzve, nuk duhet ta shohin kurrsesi veten si superiorë. Në vend të kësaj, ata përpiqen të kuptojnë çdo individ, me qëllim që t’i prekin zemrën me mesazhin për Mbretërinë.

LUTU PËR TË TJERËT ME EMËR

12. Si tregoi Epafrai merak altruist për të tjerët?

12 Një mënyrë tjetër si e tregojmë se ndjekim me përulësi drejtimin hyjnor, është të lutemi për ata që tashmë «kanë marrë një besim, i cili është një privilegj i barabartë me tonin». (2 Pjet. 1:1) Epafrai e bënte këtë. Në Bibël ai përmendet vetëm tri herë​—të tria herët në shkrimet e frymëzuara të Pavlit. Kur ishte në arrest shtëpie në Romë, Pavli u shkroi të krishterëve që jetonin në Kolose se Epafrai ‘përpiqej gjithmonë për ta në lutjet e tij’. (Kolos. 4:12) Epafrai i njihte mirë vëllezërit dhe merakosej thellë për ta. Situata ku ndodhej vetë si ‘shok robërie’ i Pavlit, nuk e bëri të mbyllte sytë para nevojave të të tjerëve. (Fil. 23) Dhe ai bëri diçka për t’i ndihmuar. A nuk është ky tregues i merakut altruist? Lutjet për shërbëtorët e tjerë të Jehovait kanë vërtet forcë, sidomos kur i kujtojmë si individë, ndoshta duke i përmendur me emër.​—2 Kor. 1:11; Jak. 5:16.

13. Si mund ta imitosh shembullin e Epafrait kur lutesh?

13 Mendo për cilët mund të lutesh me emër. Ashtu si Epafrai, mjaft vëllezër e motra luten për pjesëtarët e kongregacionit e për familjet që mbajnë një barrë të rëndë përgjegjësie ose që përballen me vendime a tundime serioze. Shumë luten për bashkëbesimtarët emrat e të cilëve renditen tek artikulli «Dëshmitarët e Jehovait burgosen për shkak të besimit» në jw.org. (Shih te KËNDI I LAJMEVE > ZHVILLIME LIGJORE.) Veç kësaj, bëjmë mirë të kujtojmë ata që u ka rrëmbyer vdekja njerëz të dashur, ata që u kanë mbijetuar katastrofave e luftërave të kohëve të fundit dhe ata që vuajnë nga kriza ekonomike. Është e qartë se ka shumë vëllezër e motra që kanë nevojë për lutjet tona dhe që mund të nxjerrin dobi prej tyre. Kur lutemi për ta, tregojmë se nuk shohim vetëm interesin tonë, por edhe atë të të tjerëve. (Filip. 2:4) Jehovai i dëgjon lutje të tilla.

‘JI I SHPEJTË NË TË DËGJUAR’

14. Në ç’mënyrë na lë shembullin më të mirë si dëgjues Jehovai?

14 Një aspekt tjetër që zbulon sa e thellë është përulësia jonë, është gatishmëria për t’i dëgjuar të tjerët pa i ndërprerë. Jakovi 1:19 thotë se duhet ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar’. Jehovai vetë na lë shembullin më të shkëlqyer në këtë pikë. (Zan. 18:32; Jos. 10:14) Të shohim ç’mund të mësojmë nga biseda e dokumentuar te Dalja 32:11-14. (Lexoje.) Edhe pse nuk kishte nevojë për idetë e Moisiut, Jehovai i dha mundësi të shprehej si ndihej. A ka ndonjë njeri që do t’i dëgjonte deri në fund arsyetimet e dikujt që ka treguar se i mendon gjërat gabim, e pastaj të vepronte sipas fjalës së tij?! Gjithsesi, Jehovai i dëgjon me durim njerëzit që e thërrasin me besim.

15. Si mund ta imitoj Jehovain duke i nderuar të tjerët?

15 Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «Nëse Jehovai tregon përulësi që t’i begenisë njerëzit e t’i dëgjojë​—siç bëri me Abrahamin, Rakelën, Moisiun, Josiun, Manoahun, Elijan dhe Hezekinë—​a nuk duhet të bëj më shumë përpjekje për t’i nderuar të gjithë vëllezërit, për t’u dhënë dinjitet, për t’i dëgjuar idetë e tyre, e madje edhe për të vepruar sipas ideve të tyre të mira? A meriton dikush në kongregacion ose në familje vëmendjen time në këtë moment? Çfarë duhet të bëj për këtë? Çfarë do të bëj për këtë?»​—Zan. 30:6; Gjyk. 13:9; 1 Mbret. 17:22; 2 Kron. 30:20.

«NDOSHTA JEHOVAI DO TË SHOHË» VUAJTJEN TIME

Davidi tha: ‘Lëre rehat!’ Po ti si do të veproje? (Shih paragrafët 16, 17.)

16. Si reagoi mbreti David kur e provokoi Shimei?

16 Përulësia na ndihmon edhe të tregojmë vetëkontroll kur na provokojnë. (Efes. 4:2) Një shembull mbresëlënës e gjejmë te 2 Samuelit 16:5-13. (Lexoje.) Davidi dhe shërbëtorët e tij duruan fyerjet dhe sulmin fizik të Shimeit, një i afërm i mbretit Saul. Davidi duroi edhe pse kishte fuqinë t’i jepte fund gjithë kësaj. Ku e gjeti Davidi forcën për të treguar vetëkontroll? Këtë mund ta zbulojmë duke shqyrtuar Psalmin 3.

17. Çfarë e ndihmoi Davidin të tregonte vetëkontroll, dhe si mund ta imitojmë?

17 Mbishkrimi i Psalmit 3 tregon se atë e kompozoi Davidi kur «iku për shkak të të birit, Absalomit». Vargjet 1 dhe 2 përkojnë me ngjarjet e përshkruara në kapitullin 16 të Librit të Dytë të Samuelit. Më tej, Psalmi 3:4 nxjerr në pah sigurinë që ndiente Davidi: «Me zërin tim do t’i thërras Jehovait, dhe ai do të më përgjigjet nga mali i tij i shenjtë.» Edhe ne mund të lutemi kur na keqtrajtojnë. Në përgjigje të kësaj, Jehovai na jep frymën e tij të shenjtë, që mund të na ndihmojë të qëndrojmë. A të vjen ndër mend ndonjë situatë ku ke nevojë të tregosh vetëpërmbajtje ose të falësh bujarisht një armiqësi të pashkak? A je plotësisht i sigurt se Jehovai interesohet për vuajtjen tënde dhe do të të japë një bekim?

«MENÇURIA ËSHTË GJËJA PARËSORE»

18. Si do të nxjerrim dobi nëse vazhdojmë t’i zbatojmë udhëzimet e Perëndisë?

18 Kur bëjmë atë që e dimë se është e drejtë korrim bekime të pasura. Jo më kot Proverbat 4:7 thotë se «mençuria është gjëja parësore»! Ndonëse mençuria bazohet te njohuria, ajo lidhet veçanërisht me vendimet që marrim, jo thjesht me faktet që kuptojmë. Edhe milingonat tregojnë mençuri. Ato shfaqin mençuri instinktive duke e përgatitur ushqimin në verë. (Prov. 30:24, 25) Krishti, ‘mençuria e Perëndisë’, bën gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Atit. (1 Kor. 1:24; Gjoni 8:29) Perëndia e di se të bësh zgjedhjen e duhur dhe të jetosh sipas saj, janë dy gjëra të ndryshme. E ai i shpërblen ata që vazhdojnë të tregojnë përulësi dhe që e zbatojnë atë që është e vërtetë. (Lexo Mateun 7:21-23.) Ndaj, përpiqu të kultivosh vazhdimisht përulësi, për të ndihmuar që kongregacioni të jetë një vend ku lulëzon përulësia e vërtetë. Duhet kohë dhe durim për ta zbatuar atë që e dimë se është e vërtetë, por kjo është shenjë përulësie dhe sjell lumturi sot e përgjithmonë.