Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Edhe pse i Plotfuqishëm, tregon konsideratë

Edhe pse i Plotfuqishëm, tregon konsideratë

«[Jehovai] e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.»​—PSAL. 103:14.

KËNGËT: 30, 10

1, 2. (a) Në kontrast me ata që kanë pushtet, si i trajton Jehovai njerëzit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

SHPESH njerëzit me pushtet dhe influencë «sillen si zotër» e madje sundojnë mbi të tjerët. (Mat. 20:25; Ekl. 8:9) Çfarë kontrasti me Jehovain! Edhe pse është i Plotfuqishmi, ai tregon shumë konsideratë për njerëzit e papërsosur. Është dashamirës dhe mendon për ne. Mban parasysh ndjenjat tona dhe u kushton vëmendje nevojave tona. Ai «nuk harron që jemi pluhur», ndaj nuk na kërkon kurrë më shumë nga ç’mund të japim.​—Psal. 103:13, 14.

2 Në Bibël gjejmë plot shembuj se si u tregon konsideratë Jehovai shërbëtorëve të tij. Le të shqyrtojmë tre prej tyre. Së pari, kujdesi që tregoi Perëndia për Samuelin e vogël kur e ndihmoi t’i jepte një mesazh gjykimi kryepriftit Eli; së dyti, durimi që shfaqi Jehovai para kundërshtimeve të Moisiut për të shërbyer si udhëheqës i izraelitëve dhe së treti, konsiderata që tregoi Perëndia kur i nxori izraelitët nga Egjipti. Teksa bluajmë në mend këta shembuj, le të shohim se çfarë na mësojnë për Jehovain dhe të nxjerrim mësime që mund t’i zbatojmë.

KONSIDERATË ATËRORE PËR NJË ÇUNAK

3. Çfarë gjëje e pazakontë i ndodhi një natë Samuelit të vogël, dhe cila pyetje lind nga kjo? (Shih figurën hapëse.)

Samueli nisi ‘t’i shërbente Jehovait’ në tabernakull në moshë fare të njomë. (1 Sam. 3:1) Një natë pasi kishte rënë të flinte, ndodhi diçka tepër e pazakontë. * (Lexo 1 Samuelit 3:2-10.) Samueli dëgjoi një zë që e thirri me emër. Duke kujtuar se ishte zëri i kryepriftit të moshuar Eli, Samueli u bind, vrapoi tek ai dhe i tha: «Ja ku jam, se ti më thirre.» Mirëpo Eliu i tha se nuk e kishte thirrur. Kur kjo ndodhi edhe dy herë të tjera, Eliu e kuptoi se ai që po e thërriste Samuelin ishte Perëndia. Prandaj e mësoi si të përgjigjej, dhe Samueli u bind. Pse Jehovai, nëpërmjet engjëllit të tij, nuk ia zbuloi që herën e parë Samuelit se po e thërriste Ai? Bibla nuk na e thotë arsyen, por mënyra si rrodhën ngjarjet tregon se një faktor i rëndësishëm duhet të ketë qenë konsiderata për Samuelin e vogël. Pse e themi këtë?

4, 5. (a) Si reagoi Samueli para caktimit që i dha Perëndia, dhe si morën rrugën e duhur gjërat të nesërmen në mëngjes? (b) Ç’na mëson për Jehovain kjo histori?

4 Lexo 1 Samuelit 3:11-18. Ligji i Jehovait i urdhëronte fëmijët të respektonin të moshuarit, sidomos dikë që ishte kre ose prijës. (Dal. 22:28; Lev. 19:32) A e përfytyron dot Samuelin të shkonte në mëngjes tek Eliu dhe t’i thoshte me guxim mesazhin therës të gjykimit nga Perëndia? Kurrsesi! Në fakt, Shkrimet thonë se Samueli «kishte frikë t’ia tregonte Eliut atë që i ishte shfaqur». Megjithatë, Perëndia ia bëri të qartë Eliut se Samuelin po e thërriste Ai. Si rezultat, Eliu e mori në dorë situatën dhe i kërkoi Samuelit të fliste. ‘Mos më fshih [asnjë] fjalë nga të gjitha ato që të ka thënë!’​—e urdhëroi Eliu. Samueli u bind dhe «ia tregoi të gjitha fjalët».

5 Mesazhi i Samuelit nuk duhet ta ketë zënë krejt në befasi Eliun. Ai përputhej me mesazhin që i kish dhënë më parë kryepriftit Eli «një njeri i Perëndisë», të cilit nuk i përmendet emri. (1 Sam. 2:27-36) Kjo histori me Samuelin dhe Eliun na tregon sa konsideratë e mençuri ka Jehovai.

6. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga mënyra si e ndihmoi Perëndia Samuelin e vogël?

6 A je fëmijë ose në moshë të re? Nëse po, historia e Samuelit të vogël tregon se Jehovai i kupton vështirësitë që has ti dhe si ndihesh. Mbase je i ndrojtur dhe e ke të zorshme t’u flasësh të rriturve për mesazhin e Mbretërisë ose të biesh në sy si i ndryshëm mes moshatarëve. Ji i sigurt se Jehovai dëshiron të të ndihmojë. Prandaj zbrazja zemrën në lutje. (Psal. 62:8) Mendo thellë për personazhe biblike në moshë të vogël si Samueli. Gjithashtu, bisedo me bashkëbesimtarët​—fëmijë a të rritur qofshin—​që mund të kenë kapërcyer vështirësi si ato që po has ti. Ata mund të të tregojnë për raste kur Jehovai u vajti në ndihmë, e ndoshta në mënyra që as nuk i pritnin.

KONSIDERATË PËR MOISIUN

7, 8. Si tregoi Jehovai konsideratë të jashtëzakonshme për Moisiun?

7 Kur Moisiu ishte 80 vjeç, Jehovai i dha një caktim që dukej frikësues. Moisiu duhej të çlironte Izraelin nga skllavëria në Egjipt. (Dal. 3:10) Pasi kishte shërbyer 40 vjet si bari në Midian, patjetër që Moisiu do të jetë tronditur kur mori atë caktim. Ai tha: «Po kush jam unë, që të shkoj te faraoni, dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?!» Perëndia e siguroi: «Unë do të jem me ty.» (Dal. 3:11, 12) Po ashtu, i premtoi: pleqtë e Izraelit «kanë për ta dëgjuar zërin tënd». Prapëseprapë, Moisiu ia ktheu: «Ta zëmë se . . . nuk e dëgjojnë.» (Dal. 3:18; 4:1) Pra, Moisiu po nënkuptonte se Perëndia mund ta kishte gabim! Megjithatë, Jehovai vazhdoi të tregonte durim. Në fakt, ai bëri edhe më shumë se kaq. I dha fuqi Moisiut të kryente mrekulli, duke e bërë kështu njeriun e parë në historinë biblike që kishte një fuqi të tillë.​—Dal. 4:2-9, 21.

8 Moisiu u mundua të gjente një sebep tjetër dhe tha se nuk ishte njeri i gojës. Perëndia iu përgjigj me këto fjalë: «Unë do të jem me gojën tënde e do të të mësoj se ç’duhet të thuash.» A iu mbush më në fund mendja Moisiut? Me sa duket jo, sepse me druajtje i kërkoi Perëndisë të dërgonte dikë tjetër. Atëherë Jehovait me të drejtë iu ndez zemërimi. Gjithsesi, ai nuk ishte i ngurtë ose i pandjeshëm. Përkundrazi, si një gjest tjetër konsiderate për ndjenjat e Moisiut, Perëndia caktoi Aaronin si zëdhënës të Moisiut.​—Dal. 4:10-16.

9. Si e ndihmoi Moisiun në caktimin e tij durimi dhe konsiderata që i tregoi Jehovai?

9 Ç’na mëson për Jehovain kjo histori? Si Perëndia i Plotfuqishëm, ai mund ta kishte frikësuar Moisiun në mënyrë që të nënshtrohej pa e zgjatur. Por në vend të kësaj, Jehovai ishte i duruar e dashamirës, dhe bëri përpjekje që t’i jepte siguri shërbëtorit të tij modest e të përulur. A bëri punë sjellja plot konsideratë e Jehovait? Absolutisht po! Moisiu u bë një udhëheqës i shkëlqyer që përpiqej t’i trajtonte të tjerët me të njëjtën butësi e konsideratë që e trajtoi Jehovai.​—Num. 12:3.

A imiton Jehovain në mënyrën si i trajton të tjerët? (Shih paragrafin 10.)

10. Si nxjerrim dobi kur i trajtojmë të tjerët me konsideratë si Jehovai?

10 Çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot? A je bashkëshort, prind ose plak kongregacioni? Nëse po, ke njëfarë autoriteti. Sa e rëndësishme është, pra, të imitosh Jehovain duke treguar konsideratë, dashamirësi dhe durim në marrëdhëniet me ata që janë nën kujdesin tënd! (Kolos. 3:19-21; 1 Pjet. 5:1-3) Kur bën çmos të imitosh Jehovain dhe Moisiun më të Madh, Jezu Krishtin, të tjerët do të ndihen rehat të të afrohen dhe do të jesh burim freskimi për ta. (Mat. 11:28, 29) Gjithashtu, do të lësh një shembull që ia vlen të imitohet.​—Hebr. 13:7.

NJË SHPËTIMTAR QË NGJALL FRIKË POR QË TREGON KONSIDERATË

11, 12. Ndërsa i nxirrte izraelitët nga Egjipti, çfarë bëri Jehovai që të ndiheshin të sigurt?

11 Kur dolën nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s., izraelitët mund të kenë qenë më shumë se tre milionë. U përkitnin tre ose katër brezave të ndryshëm, dhe kishte mes tyre fëmijë, të moshuar, e patjetër edhe disa që ishin të sëmurë ose invalidë. Për të nxjerrë nga Egjipti një numër kaq të madh njerëzish, duhej një Udhëheqës mirëkuptues e që merakosej për ta. Nëpërmjet Moisiut, Jehovai tregoi se ishte një Udhëheqës i tillë. Si rezultat, izraelitët u ndien të sigurt teksa linin pas të vetmen shtëpi që kishin pasur në jetë.​—Psal. 78:52, 53.

12 Çfarë bëri Jehovai që populli i tij të ndihej i qetë e i sigurt? Së pari, ai i nxori nga Egjipti në një «formacion luftimi» të organizuar mirë. (Dal. 13:18) Një organizim i tillë patjetër që i siguroi izraelitët se Perëndia i tyre e kishte situatën nën kontroll. Gjithashtu, Jehovai e bëri të dukshme praninë e tij ‘me një re ditën’ dhe ‘me një dritë zjarri natën’. (Psal. 78:14) Ishte sikur Jehovai po i siguronte: «Mos kini frikë! Jam unë me ju që t’ju prij e t’ju mbroj.» Dhe pas pak ata patën nevojë për këtë siguri.

Si tregoi konsideratë Jehovai për izraelitët në Detin e Kuq? (Shih paragrafin 13.)

13, 14. (a) Me cilat vepra tregoi konsideratë Jehovai për izraelitët në Detin e Kuq? (b) Si tregoi Jehovai se ishte ku e ku më i fuqishëm se egjiptianët?

13 Lexo Daljen 14:19-22. Përfytyro sikur je atje me izraelitët, i zënë në grackë mes ushtrisë së faraonit nga njëra anë dhe Detit të Kuq nga ana tjetër. Atëherë Perëndia vepron: shtylla e resë lëviz dhe shkon prapa kampit. Kjo i bllokon egjiptianët dhe i mban në errësirë. Kurse kampi juaj i paanë është kredhur në një dritë të mrekullueshme! Pastaj ti sheh Moisiun teksa shtrin dorën drejt detit, dhe një erë e fortë nga lindja hap një udhë të gjerë mespërmes detit. Ti, familja jote dhe kafshët shtëpiake që keni, kaloni në mënyrë të organizuar nëpër shtratin e detit bashkë me pjesën tjetër të popullit. Menjëherë të bie në sy diçka e çuditshme. Shtrati i detit nuk është as me llucë, as i ngrirë; është i thatë dhe goxha i fortë, ndaj mund të ecësh kollaj në të. Si rezultat, edhe ata që ecin më avash, kalojnë të sigurt në anën tjetër.

14 Lexo Daljen 14:23, 26-30. Ndërkaq, faraoni fodull dhe i marrë që po ju ndjek këmba-këmbës, turret me vrull në shtratin e detit. Prapë Moisiu shtrin dorën drejt detit. Kësaj here, dy muret e ujërave të ngurtësuara shemben. Deti vërshon nga të dyja anët, si dy tsuname që do të përplasen pas pak mbi faraonin dhe ushtrinë e tij. Ata s’kanë asnjë shans të mbijetojnë!​—Dal. 15:8-10.

15. Çfarë të mëson për Jehovain kjo ngjarje?

15 Nga kjo ngjarje kuptojmë se Jehovai është Perëndi i rregullit​—një cilësi që na ndihmon të ndihemi të qetë e të sigurt. (1 Kor. 14:33) Gjithashtu, Jehovai ka treguar se është një bari i dashur që kujdeset për shërbëtorët e tij në mënyra praktike. Ai i mbështjell në përqafimin e tij të ngrohtë duke i mbrojtur nga armiqtë. Sa shumë siguri na japin këto të vërteta tani që jemi në prag të fundit të këtij sistemi!​—Prov. 1:33.

16. Si mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar mënyrën si i çliroi Jehovai izraelitët?

16 Edhe sot Jehovai kujdeset për shërbëtorët e tij si grup​—që të mbajnë një marrëdhënie të fortë me të, si edhe që të jenë të mbrojtur nga armiqtë. Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet me të shpejtë. (Zbul. 7:9, 10) Prandaj, qofshin të rinj a të moshuar, të shëndetshëm a me probleme fizike, shërbëtorët e Perëndisë nuk do t’i zërë paniku e as do të struken nga frika gjatë shtrëngimit të madh. * Ata do të bëjnë krejt të kundërtën! Do të mbajnë ndër mend këto fjalë të Jezu Krishtit: «Drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (Luka 21:28) Kjo siguri nuk do t’u lëkundet as përballë sulmit të Gogut​—një koalicion kombesh që do të ketë shumë më tepër fuqi se faraoni i lashtë. (Ezek. 38:2, 14-16) Pse do të vazhdojnë të ndihen të sigurt shërbëtorët e Perëndisë? Sepse e dinë se Jehovai nuk ndryshon. Ai do të tregojë prapë se është një Shpëtimtar i dhimbsur që tregon konsideratë.​—Isa. 26:3, 20.

17. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga tregimet biblike për mënyrën si kujdeset Jehovai për popullin e tij? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Shembujt e këtij artikulli janë vetëm disa nga rastet e shumta që ilustrojnë sa dashamirësi e merak tregon Jehovai ndërsa kujdeset, udhëheq dhe çliron popullin e tij. Ndërsa mediton për këto histori, kushtoju vëmendje hollësive që zbulojnë edhe aspekte të imëta të cilësive të Jehovait. Kështu do të të skaliten më thellë në mendje e në zemër këto cilësi të bukura. Kjo do ta forcojë dashurinë tënde për Perëndinë dhe besimin tek ai. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë disa mënyra si ta imitojmë Jehovain duke treguar konsideratë për të tjerët në familje, në kongregacion dhe në shërbim.

^ par. 3 Historiani jude Jozef thotë se në atë kohë Samueli ishte 12 vjeç.

^ par. 16 Është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se disa nga të mbijetuarit e Harmagedonit do të kenë probleme fizike. Kur ishte në tokë, Jezui shëroi njerëz me ‘çdo lloj sëmundjeje’, duke na dhënë një tablo të asaj që do të bëjë, jo për të ringjallurit, por për të mbijetuarit e Harmagedonit. (Mat. 9:35) Të ringjallurit pa dyshim që do të kenë trupa të shëndetshëm pa asnjë mangësi.