Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Trego konsideratë dhe dashamirësi si Jehovai

Trego konsideratë dhe dashamirësi si Jehovai

«Lum ai që mendon për të varfrin!»​—PSAL. 41:1.

KËNGËT: 130, 107

1. Si shprehet dashuria mes adhuruesve të Perëndisë?

ADHURUESIT e Perëndisë janë pjesë e një familjeje në besim​—një familje që karakterizohet nga dashuria. (1 Gjon. 4:16, 21) Zakonisht kjo dashuri nuk shprehet me disa akte heroike tek-tuk, por me gjëra më të vogla të panumërta, si fjalët e menduara mirë dhe veprat dashamirëse. Kur i trajtojmë të tjerët me dashamirësi dhe konsideratë, bëhemi «imitues të Perëndisë, si bij të dashur».​—Efes. 5:1.

2. Si e imitoi Jezui dashurinë e Perëndisë?

2 Jezui e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij. Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj . . . sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.» (Mat. 11:28, 29) Kur imitojmë shembullin e Krishtit dhe ‘mendojmë [tregojmë konsideratë] për të varfrin’, gëzojmë miratimin e Atit tonë qiellor dhe provojmë lumturi të madhe. (Psal. 41:1) Le të shohim si mund të tregojmë konsideratë për të tjerët në familje, në kongregacion dhe në shërbim.

TREGO KONSIDERATË NË FAMILJE

3. Si duhet të jenë të pandara te një bashkëshort mirëkuptimi dhe konsiderata? (Shih figurën hapëse.)

3 Burrat duhet të lënë shembullin të parët për t’u treguar konsideratë të tjerëve në familje. (Efes. 5:25; 6:4) Shkrimet i nxitin burrat të banojnë me gratë e tyre «sipas njohurisë»​—një shprehje që mund të përkthehet edhe «duke u treguar konsideratë; duke i mirëkuptuar». (1 Pjet. 3:7) Mirëkuptimi dhe konsiderata janë të pandara nga njëra-tjetra. Për shembull, një burrë mirëkuptues e di se e shoqja, si një plotësim i tij, ndryshon në shumë aspekte nga ai, por nuk është aspak inferiore. (Zan. 2:18) Prandaj i mban parasysh dhe i respekton ndjenjat e saj, duke e trajtuar me dinjitet e nderim. Një grua në Kanada tha për të shoqin: «Ai nuk i nënçmon kurrë ndjenjat e mia dhe as më thotë ‘s’ka pse të ndihesh kështu’. Veç kësaj, është dëgjues i mirë. Kur më ndihmon të ndreq pikëpamjen për diçka, e bën me dashamirësi.»

4. Si duhet të tregojë konsideratë për të shoqen një burrë në mënyrën si sillet ndaj grave të tjera?

4 Një burrë që ka konsideratë për gruan e vet, i mban parasysh ndjenjat e saj edhe në mënyrën si sillet me gratë e tjera. Kurrë nuk flirton ose nuk tregon interes të papërshtatshëm për to; e po njësoj sillet kur përdor mediat sociale ose Internetin. (Jobi 31:1). Ai i qëndron besnik së shoqes jo vetëm nga dashuria për të, por edhe nga dashuria për Perëndinë e nga urrejtja për të keqen.​—Lexo Psalmin 19:14; 97:10.

5. Si mund të tregojë një grua konsideratë për burrin e saj?

5 Kur burri ndjek shembullin e kreut të tij, Jezu Krishtit, ia bën më të lehtë së shoqes të zhvillojë «respekt të thellë» për të. (Efes. 5:22-25, 33) Respekti pastaj do ta shtyjë gruan të tregojë konsideratë për të shoqin, si për shembull kur ai duhet t’u kushtojë akoma më tepër kohë përgjegjësive teokratike ose kur i rëndojnë në mendje disa probleme. Një burrë në Britani, thotë: «Hera-herës, ime shoqe e nuhat nga ndonjë ndryshim në sjelljen time se më shqetëson diçka. Atëherë zbaton parimin e Proverbave 20:5, edhe kur kjo kërkon të presë momentin e duhur ‘për të nxjerrë në sipërfaqe’ mendimet e mia, nëse është diçka që jam i lirë ta diskutoj me të.»

6. Si mund t’i inkurajojmë ne të gjithë fëmijët që të tregojnë konsideratë për të tjerët, dhe si do t’u sjellë dobi kjo fëmijëve?

6 Kur prindërit tregojnë konsideratë për njëri-tjetrin, u lënë një shembull të shkëlqyer fëmijëve. Pa dyshim, prindërve u takon përgjegjësia kryesore që t’u mësojnë fëmijëve si të tregojnë konsideratë për të tjerët. Për shembull, mund t’i mësojnë të mos vrapojnë nëpër Sallën e Mbretërisë. Në një grumbullim shoqëror, prindërit mund t’u thonë fëmijëve që t’i lënë të moshuarit të dalin para kur mbahet radha për ushqim. Natyrisht, të gjithë në kongregacion mund t’i mbështetin prindërit. Për shembull, kur një fëmijë bën një veprim që tregon konsideratë​—ndoshta duke na hapur derën—​duhet ta lavdërojmë. Kjo mund të ndikojë për mirë te fëmija, pasi i ngulit në zemër se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».​—Vep. 20:35.

‘INTERESOHU PËR TË TJERËT’ NË KONGREGACION

7. Si tregoi konsideratë Jezui për një burrë që s’dëgjonte, dhe ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij?

7 Një herë kur Jezui ishte në rajonin e Dekapolit, njerëzit «i çuan një njeri të shurdhër, që i mbahej goja». (Mar. 7:31-35) Në vend që ta shëronte para të gjithëve, Jezui «e mori veçmas» dhe e shëroi. Pse? Ai burrë mund të ndihej në siklet mes një turme për shkak të problemeve që kishte. Ndoshta duke e ndier këtë, Jezui e shëroi larg syve të të tjerëve. Patjetër që ne s’mund të bëjmë mrekulli për të shëruar dikë. Megjithatë, mundemi​—dhe duhet—​të tregojmë vëmendje e konsideratë për nevojat dhe ndjenjat e bashkadhuruesve. Apostulli Pavël shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.» (Hebr. 10:24) Jezui e kuptoi si ndihej ai burrë që s’dëgjonte dhe e trajtoi me dashamirësi. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne!

8, 9. Në cilat mënyra mund të tregojmë konsideratë për të moshuarit dhe të sëmurët? Jepni shembuj.

8 Trego konsideratë për të moshuarit dhe të sëmurët. Shenja dalluese e kongregacionit të krishterë nuk është efikasiteti, por dashuria. (Gjoni 13:34, 35) Kjo dashuri na nxit të mos e kursejmë veten për t’i ndihmuar të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore që të ndjekin mbledhjet e të predikojnë lajmin e mirë. Nuk kursehemi edhe kur ajo që mund të bëjnë ata është e kufizuar. (Mat. 13:23) Majkëlli, që është në karrige me rrota, e çmon thellë ndihmën që i jep familja dhe grupi i tij i shërbimit. Ai thotë: «Falë ndihmës që më japin të gjithë ata, arrij të ndjek shumicën e mbledhjeve dhe të marr pjesë rregullisht në shërbim. Kam qejf sidomos dëshminë publike.»

9 Shumë shtëpi Bethel kanë anëtarë të moshuar e të sëmurë. Mbikëqyrësit e dhembshur tregojnë konsideratë për këta shërbëtorë besnikë, duke marrë masa që të japin dëshmi me anë të letrave ose të telefonit. Billi, që është 86 vjeç dhe u shkruan njerëzve në zona të izoluara, thotë: «E çmojmë privilegjin për të dhënë dëshmi me anë të letrave.» Nensi, që është gati 90 vjeçe, thotë: «Për mua, dëshmia nëpërmjet letrave nuk është thjesht të mbush ca zarfe dhe aq. Është shërbim. Njerëzit kanë nevojë të njohin të vërtetën!» Ethel, që ka lindur në vitin 1921, thotë: «Dhimbjet janë pjesë e jetës sime. Ka ditë që e kam të vështirë edhe thjesht të vishem.» Prapëseprapë, asaj i pëlqen shumë të japë dëshmi me telefon dhe ka disa rivizita të bukura. Barbara 85-vjeçare tregon: «Për shkak të shëndetit të dobët, e kam goxha të vështirë të dal rregullisht në predikim. Por dëshmia me telefon më jep mundësi të flas me njerëzit. Faleminderit o Jehova!» Në më pak se një vit, një grup me bashkëbesimtarë të shtrenjtë në moshë të thyer i kushtuan 1.228 orë shërbimit, shkruan 6.265 letra, bënë mbi 2.000 telefonata dhe shpërndanë 6.315 botime. Pa dyshim që Jehovait i gufoi zemra nga këto përpjekje!​—Prov. 27:11.

10. Si mund t’i ndihmojmë vëllezërit tanë të nxjerrin dobi plotësisht nga mbledhjet?

10 Trego konsideratë në mbledhje. Duam që vëllezërit tanë të nxjerrin dobi plotësisht nga mbledhjet. Mund t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë duke treguar konsideratë. Si? Një mënyrë është të arrijmë në kohë, që të mos krijojmë shpërqendrime të panevojshme. Sigurisht, ka raste që mund të vonohemi për shkak të ngjarjeve të paparashikuara. Ama nëse e kemi zakon të shkojmë me vonesë në mbledhje, duhet të meditojmë si mund të tregojmë më shumë konsideratë për të tjerët. Gjithashtu, të mos harrojmë se mikpritësit tanë janë Jehovai dhe Biri i tij. (Mat. 18:20) Pa dyshim që ata meritojnë respektin tonë të thellë!

11. Pse ata që kanë pjesë në mbledhje duhet të zbatojnë drejtimin që jepet te 1 Korintasve 14:40?

11 Konsiderata për vëllezërit tanë përfshin edhe t’i vëmë veshin këtij udhëzimi: «Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.» (1 Kor. 14:40) Vëllezërit që kanë pjesë në mbledhje i binden këtij drejtimi duke e zhvilluar pjesën brenda kohës së caktuar. Kështu tregojnë konsideratë jo vetëm për oratorin pasues, por edhe për kongregacionin. Disa vëllezërve mund t’u duhet të bëjnë një udhë të gjatë për në shtëpi. Të tjerë ndoshta janë të varur nga transporti publik. Dhe të tjerë akoma mund të kenë bashkëshortë jobesimtarë, që i presin të paduruar të kthehen në shtëpi.

12. Pse pleqtë e palodhur meritojnë ‘t’i vlerësojmë së tepërmi me dashuri’? (Shih kutinë « Tregoju vlerësim atyre që marrin drejtimin».)

12 Barinjtë e popullit të Perëndisë që punojnë me të gjitha forcat në kongregacion dhe marrin drejtimin me zell në shërbim, meritojnë konsideratë ose vlerësim të veçantë. (Lexo 1 Selanikasve 5:12, 13.) Pa dyshim, ti i çmon përpjekjet që bëjnë pleqtë për të mirën tënde. Ndaj, bëj çmos ta tregosh këtë duke bashkëpunuar e duke i mbështetur me gatishmëri. Në fund të fundit, ata «rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari».​—Hebr. 13:7, 17.

TREGO KONSIDERATË NË SHËRBIM

13. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i trajtonte Jezui njerëzit?

13 Ja çfarë paratha Isaia për Jezuin: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit me dritë të mekur.» (Isa. 42:3) Dashuria që ndiente për njerëzit, e shtynte Jezuin të tregonte empati. Ai i kuptonte ndjenjat e atyre që, në kuptimin e figurshëm, ishin si një kallam i thyer ose si një fitil kandili që gati po shuhej. Prandaj tregonte konsideratë, dashamirësi dhe durim. Edhe fëmijët madje kishin qejf të rrinin me të. (Mar. 10:14) Natyrisht, ne s’kemi gjykimin e thellë dhe aftësinë e mësimdhënies së Jezuit. Ama mundemi​—dhe duhet—​të tregojmë konsideratë për njerëzit në territorin tonë. Kjo përfshin mënyrën si u flasim, kur u flasim dhe sa gjatë u flasim.

14. Pse duhet të tregojmë kujdes të veçantë për mënyrën si u flasim njerëzve?

14 Si duhet t’u flasim njerëzve? Sot miliona e miliona veta janë «të keqtrajtuar e të hallakatur» nga biznesmenët, politikanët dhe udhëheqësit fetarë të korruptuar dhe zemërgur. (Mat. 9:36) Për pasojë, shumë janë cinikë e pa asnjë shpresë. Sa e rëndësishme është, pra, të jemi dashamirës e të dhembshur në fjalët që zgjedhim dhe në tonin e zërit! Në fakt, shumë njerëz tërhiqen drejt mesazhit tonë jo vetëm nga njohuria jonë rreth Biblës e nga arsyetimi logjik, por edhe nga interesi i sinqertë që kemi për ta dhe nga sjellja plot konsideratë.

15. Në cilat mënyra praktike mund të tregojmë konsideratë ndaj atyre që u dëshmojmë?

15 Ka shumë mënyra praktike si të tregojmë konsideratë ndaj atyre që u dëshmojmë. Pyetjet, për shembull, janë një mjet i shkëlqyer për të mësuar. Duhet t’i formulojmë pyetjet tona në një mënyrë që tregon dashamirësi e respekt. Një pionier që kishte në territorin e tij shumë njerëz të rezervuar e të ndrojtur, mësoi të mos u bënte pyetje që mund t’i vinin në siklet. Këtu përfshiheshin pyetje që i zoti i shtëpisë mund të mos ishte në gjendje t’u përgjigjej ose mund t’u përgjigjej gabim. Për shembull, ai shmangte pyetje të tilla, si: «A e di si e ka emrin Zoti?» ose «A e di çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» Në vend të kësaj, thoshte diçka si: «Unë kam mësuar nga Shkrimet se Zoti ka një emër. A mund t’jua tregoj edhe juve?» Dihet, njerëzit dhe kulturat janë të ndryshme, prandaj s’kemi nevojë për rregulla. Sidoqoftë, duhet të tregojmë gjithmonë konsideratë dhe respekt, e kjo përfshin t’i njohim mirë njerëzit në zonën tonë.

16, 17. Si mund të tregojmë konsideratë për njerëzit kur vendosim se (a) kur t’u shkojmë në shtëpi? (b) sa gjatë të flasim me ta?

16 Kur duhet t’u shkojmë në shtëpi njerëzve? Kur shkojmë shtëpi më shtëpi, jemi mysafirë të paftuar. Sa e rëndësishme është, pra, të shkojmë në një kohë kur njerëzit mund të jenë më të prirur të bisedojnë! (Mat. 7:12) Për shembull, a u pëlqen të flenë më gjatë në fundjavë njerëzve në territorin tënd? Nëse po, ndoshta mund ta nisësh shërbimin duke dhënë dëshmi në rrugë a në vende publike ose duke rivizituar ata që e di se janë zgjuar tashmë.

17 Sa gjatë duhet të qëndrojmë? Shumë njerëz janë goxha të zënë, ndaj mund të jetë e përshtatshme të bëjmë vizita të shkurtra, të paktën në fillim. Më mirë ta mbyllim shpejt bisedën sesa të qëndrojmë gjatë. (1 Kor. 9:20-23) Kur njerëzit shohin se i mbajmë parasysh rrethanat e tyre ose programin e ngjeshur, mund të jenë më të gatshëm të na mirëpresin kur të kthehemi. Natyrisht, në shërbimin tonë duhet të pasqyrojmë frytin e frymës së Perëndisë. Kur shfaqim këto cilësi, bëhemi vërtet «bashkëpunëtorë të Perëndisë»​—madje edhe një mjet që Jehovai mund ta përdorë për të tërhequr dikë drejt së vërtetës.​—1 Kor. 3:6, 7, 9.

18. Cilat bekime mund të marrim kur tregojmë konsideratë për të tjerët?

18 Le të bëjmë çmos, pra, të tregojmë konsideratë për të tjerët​—në familje, në kongregacion dhe në shërbim. Nëse e bëjmë këtë, do të na derdhen shumë bekime sot e në të ardhmen. Psalmi 41:1, 2 thotë: «Lum ai që mendon për të varfrin! Në ditë të keqe Jehovai do t’i sigurojë shpëtim. . . . Ai do të shpallet i lumtur në tokë.»