Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 36

Harmagedoni është lajm i mirë!

Harmagedoni është lajm i mirë!

«I mblodhën ata së bashku në . . . Harmagedon.»​—ZBUL. 16:16.

KËNGA 150 Kërkoni Jehovain për shpëtimin tuaj

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Pse Harmagedoni është lajm i mirë për njerëzimin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

NDOSHTA i ke dëgjuar njerëzit ta përdorin fjalën «Harmagedon» për një luftë bërthamore ose për një katastrofë mjedisi. Në kontrast me këtë, ajo që thotë Bibla për Harmagedonin, është një lajm i mirë, një arsye për të qenë të lumtur! (Zbul. 1:3) Lufta e Harmagedonit nuk do ta shfarosë njerëzimin, por do ta shpëtojë. Në ç’mënyrë?

2 Bibla tregon se lufta e Harmagedonit do ta shpëtojë njerëzimin duke i dhënë fund sundimit të njeriut. Do ta shpëtojë edhe duke asgjësuar të ligjtë e duke ruajtur gjallë të drejtët. Gjithashtu do ta shpëtojë njerëzimin duke mos lejuar që planeti ynë të shkatërrohet. (Zbul. 11:18) Për t’i kuptuar më qartë këto pika, le të ndalemi te katër pyetje: Çfarë është Harmagedoni? Cilat ngjarje do t’i paraprijnë? Si mund të jemi mes atyre që do të shpëtojnë në Harmagedon? Si mund të qëndrojmë besnikë ndërsa afrohet Harmagedoni?

ÇFARË ËSHTË HARMAGEDONI?

3. (a) Çfarë do të thotë fjala «Harmagedon»? (b) Duke u bazuar te Zbulesa 16:14, 16, pse mund të themi se Harmagedoni nuk është një vend i mirëfilltë?

3 Lexo Zbulesën 16:14, 16. Fjala «Harmagedon» del vetëm një herë në Shkrime dhe vjen nga një term hebraik që do të thotë «mali i Megidos». (Zbul. 16:16; shën.) Megidoja ishte një qytet në Izraelin e lashtë. (Jos. 17:11) Megjithatë, Harmagedoni nuk është një vend i mirëfilltë në tokë. Në kuptimin e ngushtë të fjalës, është situata kur «mbretërit e mbarë tokës së banuar» mblidhen për t’iu kundërvënë Jehovait. (Zbul. 16:14) Gjithsesi, në këtë artikull do ta përdorim fjalën «Harmagedon» edhe për luftën që ndodh fill pasi mblidhen mbretërit e tokës. Nga e dimë se Harmagedoni është një vend i figurshëm? Së pari, nuk ekziston ndonjë vend i mirëfilltë që quhet mali i Megidos. Së dyti, zona përreth Megidos është tepër e vogël për të nxënë «mbretërit e mbarë tokës së banuar» dhe ushtritë e armatimet e tyre. Së treti, siç do ta shohim më tej në artikull, lufta e Harmagedonit do të fillojë kur «mbretërit» e tokës të sulmojnë shërbëtorët e Perëndisë, që jetojnë anekënd tokës.

4. Pse Perëndia e lidhi luftën e madhe përfundimtare me Megidon?

4 Pse Jehovai e lidhi luftën e madhe përfundimtare me Megidon? Megidoja dhe lugina e Jezreelit aty pranë ishin sheshi i shumë betejave. Hera-herës, Jehovai ndërhynte drejtpërdrejt në ato beteja. Për shembull, «pranë ujërave të Megidos», Perëndia e ndihmoi Barakun, një gjykatës të Izraelit, të mundte një ushtri kananite të drejtuar nga komandanti Sisera. Baraku dhe profetesha Debora e falënderuan Jehovain për fitoren që korrën falë një mrekullie. Ata kënduan: «Nga qielli luftuan yjet, luftuan kundër Siserës. . . . Përroi i Kishonit i mori me vete.»—Gjyk. 5:19-21.

5. Në cilën mënyrë të rëndësishme do të ndryshojë lufta e Harmagedonit nga beteja e Barakut?

5 Baraku dhe Debora e mbyllën këngën e tyre me fjalët: «Kështu vdekshin të gjithë armiqtë e tu, o Jehova! Ata që të duan qofshin si dielli kur lind me tërë forcën e tij!» (Gjyk. 5:31) Edhe në Harmagedon, armiqtë e Perëndisë do të asgjësohen, kurse ata që e duan, do të shpëtojnë. Ama ekziston një ndryshim i rëndësishëm mes këtyre dy betejave. Në Harmagedon, shërbëtorët e Perëndisë nuk do të luftojnë. Madje as që do të jenë të armatosur. ‘Fuqia e tyre do të qëndrojë në qetësinë dhe në besimin’ te Jehovai dhe te ushtria e tij qiellore.—Isa. 30:15; Zbul. 19:11-15.

6. Si mund t’i mposhtë Jehovai armiqtë e tij në Harmagedon?

6 Si do t’i mposhtë Perëndia armiqtë e tij në Harmagedon? Ai mund të përdorë një shumëllojshmëri mënyrash. Për shembull, mund të përdorë tërmetet, breshrin dhe rrufetë. (Job. 38:22, 23; Ezek. 38:19-22) Mund t’i kthejë armiqtë e tij kundër njëri-tjetrit. (2 Kron. 20:17, 22, 23) Gjithashtu mund të përdorë engjëjt e tij për të vrarë të ligjtë. (Isa. 37:36) Çfarëdo mjeti të përdorë, fitorja e Perëndisë do të jetë e plotë. Të gjithë armiqtë e tij do të shfarosen dhe të gjithë të drejtët do të shpëtojnë.—Prov. 3:25, 26.

CILAT NGJARJE DO T’I PARAPRIJNË HARMAGEDONIT?

7-8. (a) Sipas 1 Selanikasve 5:1-6, cilën deklaratë të pazakontë do të bëjnë udhëheqësit e botës? (b) Pse do të jetë një gënjeshtër e rrezikshme ajo deklaratë?

7 Deklarata «paqe dhe siguri» para ‘ditës së Jehovait’. (Lexo 1 Selanikasve 5:1-6.) «Dita e Jehovait» e përmendur te 1 Selanikasve 5:2, është «shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:14) Nga do ta dimë se kur është gati të nisë ky shtrëngim? Bibla flet për një deklaratë tepër të pazakontë. Ajo do të shërbejë si sinjal se do të fillojë shtrëngimi i madh.

8 Kjo do të jetë deklarata e parathënë «paqe dhe siguri». Pse do ta bëjnë këtë deklaratë udhëheqësit e botës? Nuk e dimë me siguri. A do të përfshihen edhe krerët fetarë? Ka të ngjarë. Sidoqoftë, ajo deklaratë do të jetë thjesht një tjetër gënjeshtër e frymëzuar nga demonët. Veçse do të jetë një gënjeshtër jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse do t’u japë njerëzve një ndjenjë të rreme sigurie tamam para se të fillojë shtrëngimi më i madh në historinë e njerëzimit. Po, «një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë». Ç’do të ndodhë me shërbëtorët besnikë të Jehovait? Ata mund t’i habitë fillimi i papritur i ditës së Jehovait, por nuk do t’i zërë në befasi.

9. Sipas cilës radhë do ta shkatërrojë Perëndia botën e Satanait?

9 Jehovai nuk do ta shfarosë të gjithën njëherësh botën e Satanait, siç bëri në kohën e Noesë. Në vend të kësaj, do ta shkatërrojë në dy faza kryesore. Së pari, do të shkatërrojë Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. Pastaj, në Harmagedon, do të shkatërrojë pjesën tjetër të botës së Satanait, që përfshin sistemet politike, ushtarake dhe tregtare. Le t’i shohim më hollësisht këto dy ngjarje kryesore.

10. Sipas Zbulesës 17:1, 6 dhe 18:24, pse do ta shkatërrojë Jehovai Babiloninë e Madhe?

10 ‘Gjykimi i prostitutës së madhe’. (Lexo Zbulesën 17:1, 6; 18:24.) Babilonia e Madhe i ka sjellë shumë sharje emrit të Perëndisë. Ajo ka mësuar gënjeshtra për Perëndinë. Si një grua imorale, e ka tradhtuar Jehovain duke lidhur aleanca me qeveritarët e botës. I ka përdorur pushtetin dhe influencën e saj për të shfrytëzuar pjesëtarët e kopesë. Gjithashtu ka derdhur shumë gjak, përfshirë edhe gjakun e shërbëtorëve të Perëndisë. (Zbul. 19:2) Si do ta shkatërrojë Jehovai Babiloninë e Madhe?

11. Çfarë është ‘bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur’, dhe si do ta përdorë Perëndia për të kryer vullnetin e tij lidhur me Babiloninë e Madhe?

11 Jehovai do ta shkatërrojë ‘prostitutën e madhe’ me anë të ‘një bishe me ngjyrë të kuqe të ndezur’ dhe të ‘dhjetë brirëve’. Kjo bishë paraqet Kombet e Bashkuara. Dhjetë brirët paraqesin fuqitë e sotme politike që mbështetin këtë organizatë. Në kohën që ka caktuar Perëndia, fuqitë politike do të kthehen kundër Babilonisë simbolike. Ato «do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq» duke i plaçkitur pasurinë dhe duke demaskuar ligësinë e saj. (Zbul. 17:3, 16) Ai shkatërrim i rrufeshëm—si në një ditë të vetme—do t’i tronditë ata që e përkrahin Babiloninë e Madhe. Fundja, ajo është mburrur prej kohësh: «Ulem posi mbretëreshë. Nuk jam vejushë e nuk do të vajtoj kurrë.»—Zbul. 18:7, 8.

12. Çfarë nuk do të lejojë Jehovai të bëjnë kombet, dhe pse?

12 Perëndia nuk do të lejojë që kombet ta shfarosin popullin e tij. Ata mbajnë me krenari emrin e tij dhe i janë bindur urdhrit për t’u larguar nga Babilonia e Madhe. (Vep. 15:16, 17; Zbul. 18:4) Gjithashtu janë përpjekur fort të ndihmojnë edhe të tjerë të largohen prej saj. Prandaj shërbëtorët e Jehovait nuk ‘do të marrin nga plagët e saj’. Gjithsesi, besimi i tyre do të sprovohet.

13. (a) Kush është Gogu? (b) Sipas Ezekielit 38:2, 8, 9, kur do të shkojë Gogu në vendin e figurshëm të quajtur Harmagedon?

13 Sulmi i Gogut. (Lexo Ezekielin 38:2, 8, 9.) Pas shkatërrimit të gjithë organizatave të rreme fetare, populli i Perëndisë do të spikatë si një pemë e vetme që i ka mbijetuar një shtrëngate të egër. S’do mend që Satanai do të tërbohet. Ai do ta shfryjë tërbimin duke përdorur propagandën demonike—«shprehje të frymëzuara të ndyra»—në mënyrë që një koalicion kombesh të sulmojë shërbëtorët e Jehovait. (Zbul. 16:13, 14) Ai koalicion quhet «Gogu i vendit të Magogut». Kur të fillojnë sulmin e tyre, kombet do të arrijnë në vendin e figurshëm të quajtur Harmagedon.—Zbul. 16:16.

Në çdo cep të tokës, shërbëtorët e Perëndisë do të kenë besim tek ai kur të fillojë sulmi (Shih paragrafin 13) *

14. Çfarë ka për të marrë vesh Gogu?

14 Gogu do të ketë besim te ‘krahu i tij prej mishi’—te fuqia e tij ushtarake. (2 Kron. 32:8) Ne do të kemi besim te Perëndia ynë, Jehovai—një qëndrim që kombeve do t’u duket marrëzi. Tekefundit, perënditë e Babilonisë së Madhe që ishte aq e fuqishme, nuk e shpëtuan dot atë nga «bisha» dhe «dhjetë brirët» e saj! (Zbul. 17:16) Prandaj Gogu do të presë të korrë një fitore të lehtë. «Si retë që mbulojnë vendin», ai do të sulmojë popullin e Jehovait. (Ezek. 38:16) Por Gogu do ta kuptojë shpejt se ka rënë me këmbët e veta në një kurth. Ashtu si faraoni në Detin e Kuq, ka për ta marrë vesh se po lufton kundër Jehovait.—Dal. 14:1-4; Ezek. 38:3, 4, 18, 21-23.

15. Në cilat mënyra do të dalë plotësisht fitimtar Krishti?

15 Krishti dhe ushtria e tij qiellore do të mbrojnë popullin e Perëndisë e do të asgjësojnë ushtrinë e Gogut. (Zbul. 19:11, 14, 15) Ç’do të bëhet me kryearmikun e Jehovait, Satanain, që me propagandën e tij plot gënjeshtra i çoi kombet drejt Harmagedonit? Jezui do ta flakë në humnerë atë dhe demonët e tij, ku do të mbyllen për 1.000 vjet.—Zbul. 20:1-3.

SI MUND TË SHPËTOSH NË HARMAGEDON?

16. (a) Si tregojmë se ‘e njohim Perëndinë’? (b) Çfarë do të ndodhë në Harmagedon me ata që njohin Jehovain?

16 Qofshim të rinj a prej vitesh në të vërtetën, që të shpëtojmë në Harmagedon, duhet të tregojmë se ‘e njohim Perëndinë’ dhe ‘t’i bindemi lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu’. (2 Sel. 1:7-9) Ne ‘e njohim Perëndinë’ kur njohim gjërat që i pëlqejnë, ato që nuk i pëlqejnë dhe normat e tij. Gjithashtu tregojmë se e njohim kur e duam, i bindemi dhe i përkushtohemi vetëm atij. (1 Gjon. 2:3-5; 5:3) Kur tregojmë se e njohim Perëndinë, kemi nderin që ‘Perëndia të na njohë’, dhe kjo do të na shpëtojë jetën në Harmagedon! (1 Kor. 8:3) Pse? Sepse ‘të na njohë Perëndia’ do të thotë të kemi miratimin e tij.

17. Çfarë do të thotë ‘t’i bindemi lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu’?

17 ‘Lajmi i mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu’ përfshin gjithë të vërtetat që mësoi Jezui, të cilat gjenden në Fjalën e Perëndisë. Ne i bindemi lajmit të mirë kur jetojmë sipas tij. Kjo bindje përfshin të mbajmë në vend të parë Mbretërinë, duke jetuar sipas normave të drejta të Perëndisë dhe duke predikuar për Mbretërinë e Tij. (Mat. 6:33; 24:14) Përfshin edhe të mbështetim vëllezërit e mirosur të Krishtit ndërsa përmbushin përgjegjësitë e tyre të rëndësishme.—Mat. 25:31-40.

18. Si do t’i shpërblejnë vëllezërit e mirosur të Krishtit ‘delet e tjera’ për ndihmën që u dhanë?

18 Së shpejti shërbëtorët e mirosur të Perëndisë do të kenë mundësi t’i shpërblejnë ata që janë pjesë e ‘deleve të tjera’ për ndihmën e tyre. (Gjoni 10:16) Si? Para se të nisë lufta e Harmagedonit, të 144.000 të mirosurit do të jenë ringjallur në qiell si bij të pavdekshëm të Perëndisë. Atëherë ata do të jenë pjesë e ushtrisë qiellore që do të asgjësojë Gogun dhe do të mbrojë ‘shumicën e madhe’. (Zbul. 2:26, 27; 7:9, 10) Sa e lumtur do të jetë shumica e madhe që pati mundësinë të mbështeste shërbëtorët e mirosur të Jehovait kur ishin ende në tokë!

SI MUND TË QËNDROJMË BESNIKË NDËRSA AFROHET FUNDI?

19-20. Pavarësisht nga sprovat, si mund të qëndrojmë besnikë ndërsa afrohet Harmagedoni?

19 Gjatë këtyre ditëve të fundit të vështira, shumë shërbëtorë të Jehovait po kalojnë sprova. Pavarësisht nga kjo, ne mund të tregojmë qëndrueshmëri me gëzim. (Jak. 1:2-4) Një ndihmë e madhe për këtë, janë lutjet nga zemra. (Luka 21:36) Përveçse të lutemi, duhet edhe të studiojmë Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe të meditojmë për të, duke përfshirë këtu profecitë mbresëlënëse për ditët tona. (Psal. 77:12) Kur i bëjmë të gjitha këto dhe japim maksimumin në shërbim, e mbajmë besimin të fortë dhe shpresën të gjallë!

20 Imagjino sa drithëruese do të jetë kur Babilonia e Madhe të jetë zhdukur dhe kur Harmagedoni të ketë mbaruar! Mbi të gjitha, imagjino si do të të gufojë zemra kur emri dhe sovraniteti i Perëndisë të jenë shfajësuar plotësisht! (Ezek. 38:23) Po, Harmagedoni është lajm i mirë për ata që e njohin Perëndinë, i binden Birit të tij dhe qëndrojnë deri në fund.—Mat. 24:13.

KËNGA 143 Le të qëndrojmë vigjilentë dhe të presim

^ par. 5 Shërbëtorët e Jehovait e kanë pritur prej kohësh Harmagedonin. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë është Harmagedoni, cilat ngjarje do t’i paraprijnë dhe si mund të qëndrojmë besnikë ndërsa afrohet fundi.

^ par. 71 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur përreth nesh të ndodhin ngjarje dramatike, ne (1) do të dalim në shërbim për sa kohë të jetë e mundur, (2) do të ndjekim programin tonë të studimit dhe (3) do të vazhdojmë të kemi besim se Perëndia do të na mbrojë.

^ par. 85 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Policët bëhen gati të hyjnë me forcë në shtëpinë e një familjeje Dëshmitarësh, që kanë besim se Jezui dhe engjëjt e tij e dinë mirë ç’po ndodh.