Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 35

Jehovai i çmon shërbëtorët e tij të përulur

Jehovai i çmon shërbëtorët e tij të përulur

«Ti, o Jehova . . . i drejton sytë mbi të përulurit.»​—PSAL. 138:6.

KËNGA 48 Çdo ditë ecim me Jehovain

PËRMBLEDHJE *

1. Si ndihet Jehovai për njerëzit e përulur? Shpjegoni.

JEHOVAI i do të përulurit. Vetëm njerëzit vërtet të përulur mund të kenë një marrëdhënie të ngrohtë e të ngushtë me të. Nga ana tjetër, ai ‘i njeh nga larg fodullët’. (Psal. 138:6) Të gjithë ne duam ta kënaqim Jehovain dhe të provojmë dashurinë e tij të ngrohtë, ndaj kemi arsye të forta që ta zhvillojmë përulësinë.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë përgjigjet e tri pyetjeve: (1) Çfarë është përulësia? (2) Pse duhet ta zhvillojmë këtë cilësi? (3) Cilat situata mund të na e sprovojnë përulësinë? Siç do ta shohim, kur zhvillojmë përulësi, i gëzojmë zemrën Jehovait dhe nxjerrim dobi për vete.—Prov. 27:11; Isa. 48:17.

ÇFARË ËSHTË PËRULËSIA?

3. Çfarë është përulësia?

3 Të jesh i përulur do të thotë të kesh «përulësi mendjeje» dhe të mos jesh krenar ose arrogant. Bibla tregon se një njeri i përulur ka pikëpamjen e duhur për marrëdhënien e tij me Perëndinë Jehova dhe me të tjerët. Ai që është i përulur, e pranon se çdo njeri qëndron më lart se ai në ndonjë mënyrë.—Filip. 2:3, 4.

4-5. Pse dikush që duket i përulur, mund të mos jetë vërtet i tillë?

4 Disa njerëz vetëm sa duken të përulur. Ata mund të jenë modestë si karakter ose ndoshta tregojnë respekt e mirësjellje për shkak të kulturës dhe të mënyrës si janë rritur. Por thellë-thellë mund të jenë shumë krenarë. E herët a vonë, do të dalë në shesh si janë vërtet në zemër.—Luka 6:45.

5 Në krahun tjetër, ata që duken tipa të sigurt ose që flasin hapur, nuk janë medoemos krenarë. (Gjoni 1:46, 47) Sidoqoftë, tipat e hedhur, duhet të bëjnë kujdes të mos mbështeten tek aftësitë e tyre. Pavarësisht nëse jemi tipa të hedhur apo jo, të gjithë duhet të përpiqemi të zhvillojmë një zemër të përulur.

Apostulli Pavël kishte një pikëpamje të përulur për veten (Shih paragrafin 6) *

6. Siç tregon 1 Korintasve 15:10, çfarë mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pavël?

6 Të mendojmë për shembullin e apostullit Pavël. Jehovai e përdori në mënyrë të fuqishme për të formuar kongregacione të reja nga një qytet në tjetrin. Madje ai mund të ketë dhënë në shërbim më tepër se çdo apostull tjetër i Krishtit. Gjithsesi, Pavlit nuk i dukej vetja më i rëndësishëm se vëllezërit. Ai pranoi me përulësi: «Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull, ngaqë e përndoqa kongregacionin e Perëndisë.» (1 Kor. 15:9) Pastaj, me të drejtë Pavli tha se kishte një marrëdhënie të mirë me Jehovain falë dashamirësisë së Tij të pamerituar, jo falë cilësive ose veprave të veta. (Lexo 1 Korintasve 15:10.) Çfarë mësimi të bukur për përulësinë dha Pavli në letrën drejtuar korintasve, sidomos kur kujtojmë se disa në kongregacion po përpiqeshin të tregonin se qëndronin më lart se Pavli!—2 Kor. 10:10.

Karl Klajni, një vëlla i përulur që shërbeu në Trupin Udhëheqës (Shih paragrafin 7)

7. Si kanë treguar përulësi disa vëllezër të mirënjohur në ditët tona? Jepni një shembull.

7 Shumë shërbëtorëve të Jehovait u ka dhënë zemër jetëshkrimi i vëlla Karl Klajnit, që shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës. Vëlla Klajni fliste me përulësi për shumë dobësi e probleme me të cilat kishte luftuar në jetë. Për shembull, në vitet 20, i dukej aq i vështirë predikimi shtëpi më shtëpi, sa pasi doli për herë të parë në shërbim, nuk doli më për afro dy vjet. Më vonë, kur shërbente në Bethel, ushqeu mëri për njëfarë kohe pasi mori një këshillë. Gjithashtu pësoi një krizë nervore, nga e cila e mori veten më pas. Por njëkohësisht ai kishte mjaft privilegje të jashtëzakonshme. Imagjino sa përulësi iu desh këtij vëllai të mirënjohur që t’i pranonte hapur dobësitë e veta! Shumë vëllezër e motra e kujtojnë me dashuri vëllanë Klajn dhe jetëshkrimin e tij të çiltër që të bën për vete. *

PSE DUHET TË ZHVILLOJMË PËRULËSI?

8. Si na ndihmon 1 Pjetrit 5:6 të kuptojmë se përulësia e kënaq Jehovain?

8 Arsyeja më e rëndësishme pse zhvillojmë përulësi, është se kjo kënaq Jehovain. Apostulli Pjetër e bëri të qartë këtë. (Lexo 1 Pjetrit 5:6.) Libri «Eja e bëhu ithtari im» komenton për këto fjalë të Pjetrit: «Fodullëku është si helm. Pasojat e tij mund të jenë shkretuese. Ky tipar mund ta bëjë të padobishëm për Perëndinë edhe njeriun më të talentuar në botë. Kurse përulësia mund ta bëjë shumë të dobishëm për Jehovain edhe njeriun më të thjeshtë në botë. . . . [Ai] do të të shpërblejë me kënaqësi për përulësinë që tregon.» * Vërtet, ku ka gjë më të bukur se t’i gëzojmë zemrën Jehovait!—Prov. 23:15.

9. Pse të tjerët kanë qejf të na afrohen kur jemi të përulur?

9 Përveçse kënaqim Jehovain, ne vetë nxjerrim shumë dobi kur zhvillojmë përulësi. Të tjerët do të kenë qejf të rrinë me ne nëse jemi të përulur. Për të kuptuar pse, vëre veten në vendin e tyre. (Mat. 7:12) Ne s’para na pëlqen të shoqërohemi me njerëz që gjithmonë këmbëngulin t’u dalë e tyrja dhe që nuk pranojnë sugjerime nga të tjerët. Në kontrast me këtë, është freskuese të shoqërohemi me bashkëbesimtarët kur ‘tregojnë ndjenja të përbashkëta, kanë përzemërsi vëllazërore, janë zemërdhembshur, me mendje të përulur’. (1 Pjet. 3:8) Nëse ne kemi qejf të rrimë me njerëz të tillë, edhe ata ka shumë të ngjarë të kenë qejf të rrinë me ne—për sa kohë të jemi të përulur.

10. Pse përulësia na e bën jetën më të lehtë?

10 Përulësia na e bën jetën më të lehtë edhe neve. Për të qenë realistë, nganjëherë do të shohim ose do të përjetojmë gjëra që s’na duken të drejta. Mbreti Solomon, që ishte njeri i mençur, tha: «Kam parë shërbëtorë mbi kuaj, ndërsa princa që ecnin në këmbë tamam si shërbëtorë.» (Ekl. 10:7) Ndonjëherë njerëzit shumë të aftë nuk vlerësohen, kurse ata që s’janë edhe aq të aftë, nderohen më tepër se të tjerët. Prapëseprapë, Solomoni e kuptoi se është e mençur të pranojmë realitetin në vend se ta mbajmë mendjen te rrethanat e këqija. (Ekl. 6:9) Nëse jemi të përulur, do ta kemi më të lehtë ta pranojmë jetën ashtu siç është—jo siç mendojmë ne se duhet të jetë.

CILAT SITUATA MUND TË NA E SPROVOJNË PËRULËSINË?

Si mund të na e sprovojë përulësinë një situatë e tillë? (Shih paragrafët 11-12) *

11. Si duhet të reagojmë kur marrim këshilla?

11 Çdo ditë kemi mundësi të panumërta që të tregojmë përulësi. Të shohim disa situata. Kur marrim këshilla. Bëjmë mirë të kujtojmë që, nëse dikush gjen kohë të na japë një këshillë, ka shumë gjasa të kemi gabuar më tepër nga ç’na e merr mendja. Në raste të tilla, ndoshta në fillim na vjen ta hedhim poshtë këshillën. Mund të kritikojmë atë që na këshilloi ose mënyrën si na foli. Por nëse jemi të përulur, do të bëjmë çmos të rifitojmë ekuilibrin.

12. Sipas Proverbave 27:5, 6, pse duhet t’i jemi mirënjohës dikujt që na këshillon? Ilustrojeni.

12 Një njeri i përulur është mirënjohës për këshillat. Ta ilustrojmë: imagjino sikur je në mbledhje. Pasi bisedon me disa bashkëbesimtarë, njëri prej tyre të merr mënjanë e të thotë me takt se të ka mbetur pak ushqim te dhëmbët. Natyrisht, do të ndihesh në siklet. Por, a nuk do të jesh njëkohësisht mirënjohës që ta tha? Në fakt, ndoshta do të doje që dikush tjetër të ta kishte thënë më shpejt. Po njësoj, duhet të jemi të përulur dhe mirënjohës nëse një bashkëbesimtar merr kurajën të na japë një këshillë kur na nevojitet. E shohim atë person si mikun tonë, jo si armik.—Lexo Proverbat 27:5, 6; Gal. 4:16.

Pse nevojitet përulësi kur të tjerët marrin privilegje shërbimi? (Shih paragrafët 13-14) *

13. Si mund të tregojmë përulësi kur të tjerët marrin privilegje shërbimi?

13 Kur të tjerët marrin privilegje shërbimi. «Kur shoh se të tjerët marrin privilegje, ka raste që pyes veten pse nuk më zgjodhën mua»,—pranon një plak që quhet Xhejson. A ndihesh ndonjëherë kështu? Nuk është e gabuar ‘të synosh’ privilegje më të mëdha shërbimi. (1 Tim. 3:1) Gjithsesi, duhet të bëjmë kujdes se çfarë mendojmë. Po të mos jemi vigjilentë, mund të lejojmë të na rritet në zemër krenaria. Për shembull, një vëlla mund të fillojë të mendojë se ai është më i kualifikuari për një privilegj të caktuar. Ose një motër mund të mendojë: «Im shoq është shumë më i kualifikuar se filani!» Mirëpo, nëse jemi vërtet të përulur, do ta shmangim këtë frymë krenare.

14. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si reagonte Moisiu kur të tjerët merrnin privilegje?

14 Mund të mësojmë nga mënyra si reagonte Moisiu kur të tjerët merrnin privilegje. Ai e vlerësonte caktimin e tij që t’i printe kombit të Izraelit. Por, si reagoi Moisiu kur Jehovai lejoi që të shërbenin edhe të tjerë përkrah tij? Nuk u ndie xheloz. (Num. 11:24-29) E për sa i përket gjykimit të popullit, lejoi me përulësi që të tjerë ta mbanin atë ngarkesë bashkë me të. (Dal. 18:13-24) Kjo nënkuptonte një shërbim më të mirë për izraelitët, të cilët ishte caktuar t’i gjykonte. Pra, Moisiu nuk i vuri privilegjet e veta para mirëqenies së të tjerëve. Çfarë shembulli të bukur na la! Ne mbajmë parasysh se, që të jemi vërtet të dobishëm për Jehovain, përulësia duhet ta tejkalojë zotësinë. Edhe pse ‘është i lartë, Jehovai i drejton sytë mbi të përulurit’.—Psal. 138:6.

15. Si u kanë ndryshuar rrethanat shumë vëllezërve e motrave?

15 Kur ndryshojnë rrethanat. Vitet e fundit, shumë veta me dekada përvojë kanë ndryshuar caktim. Për shembull, në vitin 2014, mbikëqyrësit krahinorë dhe gratë e tyre u ftuan të shërbenin në një formë tjetër të shërbimit në kohë të plotë. Duke nisur nga po ai vit, mbikëqyrësit qarkorë e ndërpresin caktimin e tyre kur mbushin moshën 70 vjeç. Gjithashtu, vëllezërit 80 vjeç e sipër nuk shërbejnë më në kongregacion si koordinatorë të trupit të pleqve. Veç kësaj, gjatë viteve të fundit, shumë pjesëtarë të familjes Bethel kanë marrë caktime të reja në predikim. Të tjerëve u është dashur ta ndërpresin shërbimin special në kohë të plotë për shkak të problemeve shëndetësore, detyrimeve familjare ose rrethanave të tjera personale.

16. Si kanë treguar përulësi shumë vëllezër e motra ndërsa përshtateshin me rrethana të reja?

16 Këta vëllezër e motra nuk e kanë pasur të lehtë të bënin ndryshime të tilla. Shumë prej tyre kishin vite në një caktim, e natyrisht e donin fort. Disa kaluan një proces «hidhërimi» ndërsa përshtateshin me rrethanat e reja. Por me kohë, ia dolën të përshtateshin. Çfarë i ndihmoi? Mbi të gjitha, dashuria për Jehovain. E kishin të qartë se i ishin kushtuar Perëndisë, jo një vepre, një titulli a një caktimi. (Kolos. 3:23) Ata janë të kënaqur të vazhdojnë t’i shërbejnë me përulësi Jehovait në çfarëdo caktimi. ‘E hedhin gjithë ankthin mbi të’, të sigurt se merakoset për ta.—1 Pjet. 5:6, 7.

17. Pse jemi mirënjohës që Fjala e Perëndisë na inkurajon të zhvillojmë përulësinë?

17 Sa mirënjohës jemi që Fjala e Perëndisë na inkurajon të zhvillojmë përulësinë! Kur zhvillojmë këtë cilësi tërheqëse, nxjerrim dobi ne vetë dhe të tjerët. E kemi më të lehtë të përballojmë vështirësitë e jetës. Mbi të gjitha, afrohemi më shumë me Atin tonë qiellor. Na gufon zemra nga gëzimi që Jehovai, ndonëse është «i Larti dhe i Madhërishmi», i do dhe i çmon shërbëtorët e tij të përulur!—Isa. 57:15.

KËNGA 45 Meditimi i zemrës sime

^ par. 5 Një nga cilësitë më të rëndësishme që duhet të zhvillojmë, është përulësia. Çfarë është përulësia? Pse duhet ta kultivojmë? Dhe si mund të na sprovohet përulësia kur ndryshojnë rrethanat? Këto pyetje të rëndësishme do të shqyrtohen në këtë artikull.

^ par. 7 Shih artikullin «Jehovai më ka shpërblyer gjithnjë» në Kullën e Rojës të 1 tetorit 1984 (anglisht) dhe artikullin «Jehovai ka qenë shumë i mirë me mua!» në Kullën e Rojës të 1 majit 2001.

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në shtëpinë e një vëllai, apostulli Pavël me përulësi shoqërohet me të tjerët, përfshirë edhe fëmijët.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla pranon këshilla të bazuara në Bibël nga një vëlla më i ri.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Vëllai i moshuar nuk ndien zili për vëllanë më të ri që ka një privilegj në kongregacion.