Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 37

Nënshtroju me gatishmëri Jehovait—Pse dhe si?

Nënshtroju me gatishmëri Jehovait—Pse dhe si?

«A nuk do t’i nënshtrohemi shumë më tepër Atit?»​—HEBR. 12:9.

KËNGA 9 Jehovai është Mbreti ynë!

PËRMBLEDHJE *

1. Pse duhet t’i nënshtrohemi Jehovait?

DUHET t’i nënshtrohemi * Jehovait, sepse është Krijuesi ynë. Prandaj, ai ka të drejtën të vendosë standarde për krijesat e tij. (Zbul. 4:11) Por kemi edhe një arsye tjetër të fortë për t’iu bindur—mënyra si qeveris ai, është më e mira. Gjatë gjithë historisë, shumë qeveritarë njerëzorë kanë pasur njëfarë pushteti e autoriteti mbi të tjerët. Në krahasim me ta, Jehovai është Qeveritari më i mençur, më i dashur, më i mëshirshëm dhe më i dhembshur nga të gjithë.—Dal. 34:6; Rom. 16:27; 1 Gjon. 4:8.

2. Sipas Hebrenjve 12:9-11, cilat arsye kemi për t’iu nënshtruar Jehovait?

2 Jehovai do që t’i bindemi, jo thjesht nga frika, por ngaqë e duam dhe e shohim si Atin tonë të dashur. Në letrën që u shkroi hebrenjve, Pavli shpjegon se duhet «t’i nënshtrohemi shumë më tepër [me gatishmëri] Atit», sepse na stërvit «për dobinë tonë».—Lexo Hebrenjve 12:9-11.

3. (a) Si e tregojmë se i nënshtrohemi Jehovait? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Ne i nënshtrohemi Jehovait kur bëjmë çmos t’i bindemi në çdo gjë dhe kur luftojmë prirjen që të mbështetemi tek aftësia jonë për të kuptuar. (Prov. 3:5) E kemi më të lehtë t’i nënshtrohemi Jehovait ndërsa njohim më mirë cilësitë e tij të bukura. Pse? Sepse këto cilësi e motivojnë për çdo gjë që bën. (Psal. 145:9) Sa më shumë të mësojmë për Jehovain, aq më shumë do ta duam. E kur e duam Jehovain, nuk kemi nevojë për një listë të gjatë me rregulla se çfarë të bëjmë e çfarë jo. Ne përpiqemi t’i përputhim mendimet dhe ndjenjat tona me atë që është e mirë dhe të shmangim atë që është e keqe. (Psal. 97:10) Por pse mund ta kemi të vështirë hera-herës t’i bindemi Jehovait? Çfarë mund të mësojnë pleqtë, baballarët dhe nënat nga shembulli i guvernatorit Nehemia, i mbretit David dhe i Marisë, nënës së Jezuit? Këto pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull.

PSE MUND TA KEMI TË VËSHTIRË T’I NËNSHTROHEMI JEHOVAIT

4-5. Sipas Romakëve 7:21-23, pse mund ta kemi të vështirë t’i nënshtrohemi Jehovait?

4 Një arsye pse mund ta kemi të vështirë t’i nënshtrohemi Jehovait, është se të gjithë kemi trashëguar mëkatin dhe jemi të papërsosur. Ja pse kemi prirjen të rebelohemi. Pasi u rebeluan kundër Perëndisë dhe hëngrën frytin e ndaluar, Adami dhe Eva i vendosën vetë standardet e së mirës e të së keqes. (Zan. 3:22) Sot, shumica e njerëzve ende preferojnë ta shpërfillin Jehovain dhe të vendosin vetë ç’është e drejtë dhe e gabuar.

5 Edhe ata që e njohin dhe e duan Jehovain, mund ta kenë të vështirë t’i nënshtrohen gjithmonë. Këtë vështirësi e hasi edhe apostulli Pavël. (Lexo Romakëve 7:21-23.) Ashtu si Pavli, ne duam të bëjmë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait. Ama na duhet të luftojmë vazhdimisht prirjen për të bërë atë që është e gabuar.

6-7. Cila është një arsye tjetër pse mund ta kemi të vështirë t’i nënshtrohemi Jehovait? Jepni një shembull.

6 Një arsye tjetër pse mund ta kemi të vështirë t’i nënshtrohemi Jehovait, është se ndikohemi nga kultura a shoqëria ku jemi rritur. Shumë ide njerëzore bien ndesh me vullnetin e Jehovait, e mund të na duhet të luftojmë pareshtur që të mos mendojmë më si shumica. Të shohim vetëm një shembull.

7 Në disa vende është e zakonshme t’u bëhet presion të rinjve që të jepen gjithë jetën pas parave. Një motër me emrin Meri * hasi këtë vështirësi. Përpara se të njihte Jehovain, ajo ndiqte një nga shkollat më prestigjoze në vend. Meri ndiente presionin e familjes që të kishte një profesion të respektuar me rrogë të lartë. Edhe ajo e donte këtë. Mirëpo, pasi njohu Jehovain dhe iu rrit dashuria për të, i ndryshoi synimet. Prapëseprapë, ajo thotë: «Ndonjëherë shihja mundësi tërheqëse biznesi që mund të më jepnin shansin të fitoja shumë para, por që do të më prishnin programin teokratik. Nga mënyra si jam rritur, e kam ende të vështirë të them ‘jo’. Më duhet t’i përgjërohem për ndihmë Jehovait, që t’i rezistoj tundimit për të pranuar një punë që mund të më pengojë të bëj më të mirën në shërbim.»—Mat. 6:24.

8. Çfarë do të shqyrtojmë tani?

8 Kur i nënshtrohemi Jehovait, nxjerrim dobi vetë. Por ata që kanë njëfarë autoriteti, si pleqtë, baballarët dhe nënat, kanë një arsye më shumë që të ndjekin drejtimin e Perëndisë—ata kanë mundësinë t’u sjellin dobi të tjerëve. Të shqyrtojmë disa shembuj nga Bibla që na mësojnë si ta përdorim autoritetin në një mënyrë që e kënaq Jehovain.

ÇFARË MUND TË MËSOJNË PLEQTË NGA NEHEMIA

Pleqtë ndihmojnë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë, ashtu si iu përvesh punës Nehemia për rindërtimin e Jerusalemit (Shih paragrafët 9-11) *

9. Cilat sfida hasi Nehemia?

9 Jehovai u ka besuar pleqve përgjegjësinë me peshë që të jenë barinj për popullin e tij. (1 Pjet. 5:2) Pleqtë mund të mësojnë shumë duke shqyrtuar mënyrën si e trajtoi Nehemia popullin e Jehovait. Si guvernator i Judës, Nehemia kishte goxha autoritet. (Neh. 1:11; 2:7, 8; 5:14) Imagjino disa nga sfidat që hasi. Ai kishte marrë vesh se populli e kishte përdhosur tempullin dhe nuk po i mbështeste levitët me kontribute, siç e kërkonte Ligji. Judenjtë po e shkelnin ligjin për Sabatin dhe disa burra ishin martuar me gra të huaja. Guvernatori Nehemia duhej ta përballonte këtë situatë të vështirë.—Neh. 13:4-30.

10. Si e trajtoi Nehemia popullin e Jehovait?

10 Nehemia nuk abuzoi me autoritetin e tij duke i imponuar popullit të Perëndisë standardet e veta. Përkundrazi, ai kërkoi drejtimin e Jehovait me lutje të zjarrta dhe i mësoi popullit Ligjin e Jehovait. (Neh. 1:4-10; 13:1-3) Gjithashtu, Nehemia punoi me përulësi përkrah vëllezërve, e madje i ndihmoi të rindërtonin muret e Jerusalemit.—Neh. 4:15.

11. Sipas 1 Selanikasve 2:7, 8, si duhet t’i trajtojnë pleqtë pjesëtarët e kongregacionit?

11 Pleqtë mund të mos hasin të njëjtat probleme si Nehemia, por mund ta imitojnë në shumë mënyra. Për shembull, ata punojnë fort për të mirën e vëllezërve e të motrave. Gjithashtu nuk lejojnë të bëhen krenarë ngaqë kanë autoritet. Përkundrazi, e trajtojnë kongregacionin me përzemërsi e butësi. (Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.) Dashuria e thellë dhe qëndrimi i përulur ndikojnë te mënyra si u flasin të tjerëve. Andrea, një plak me përvojë, thotë: «Kam vënë re se vëllezërit dhe motrat në përgjithësi reagojnë mirë kur një plak është zemërmirë e miqësor. Këto cilësi e motivojnë kongregacionin të bashkëpunojë me pleqtë.» Toni, një vëlla tjetër që shërben nga kohë si plak, thotë: «Përpiqem të zbatoj këshillën e Filipianëve 2:3 dhe punoj vazhdimisht që t’i konsideroj të tjerët më të lartë se veten. Kjo më ndihmon të mos sillem si diktator.»

12. Pse është e rëndësishme që pleqtë të jenë të përulur?

12 Pleqtë duhet të jenë të përulur, ashtu si Jehovai. Edhe pse është Sovrani i universit, Jehovai «përkulet» për të ngritur «të përvuajturin nga pluhuri». (Psal. 18:35; 113:6, 7) Në fakt, njerëzit krenarë e arrogantë janë të pështirë për Jehovain.—Prov. 16:5.

13. Pse ka nevojë ‘t’i vërë fre gjuhës’ një plak?

13 Një plak që i nënshtrohet Jehovait, ka nevojë ‘t’i vërë fre gjuhës’. Përndryshe mund t’i flasë ashpër dikujt që nuk e respekton. (Jak. 1:26; Gal. 5:14, 15) Andrea, i përmendur më sipër, thotë: «Ndonjëherë më vinte t’i flitja ashpër një vëllai a motre kur më dukej sikur nuk më respektonte. Gjithsesi kam medituar për shembullin e burrave besnikë në Bibël, e kjo më ka ndihmuar të kuptoj sa e rëndësishme është të jesh i përulur e zemërbutë.» Pleqtë tregojnë se i nënshtrohen Jehovait duke u folur me dashuri e në mënyrë të hijshme vëllezërve e motrave, përfshirë edhe pleqve të tjerë.—Kolos. 4:6.

ÇFARË MUND TË MËSOJNË BABALLARËT NGA MBRETI DAVID

14. Cilin rol u ka caktuar Jehovai baballarëve, dhe çfarë pret nga ata?

14 Jehovai e ka caktuar babanë si kreun e familjes dhe pret që ai t’i stërvitë e t’i disiplinojë fëmijët. (1 Kor. 11:3; Efes. 6:4) Ama autoriteti i babait është i kufizuar—ai i jep llogari Jehovait, nga i cili merr emër çdo familje. (Efes. 3:14, 15) Baballarët tregojnë se i nënshtrohen Jehovait kur e përdorin autoritetin në atë mënyrë që e kënaq. Ata mund të mësojnë shumë duke studiuar shembullin e mbretit David.

Lutjet e një babai duhet të pasqyrojnë përulësinë e tij (Shih paragrafët 15-16) *

15. Pse mbreti David është një shembull i mirë për baballarët?

15 Jehovai nuk e caktoi Davidin vetëm si kreun e familjes së tij, por edhe të të gjithë kombit të Izraelit. Si mbret, Davidi kishte shumë autoritet. Në disa raste e keqpërdori atë autoritet dhe bëri gabime të rënda. (2 Sam. 11:14, 15) Por iu nënshtrua Jehovait duke pranuar disiplinën. Ai ia zbrazte zemrën Jehovait në lutje dhe bënte çmos t’u bindej këshillave të tij. (Psal. 51:1-4) Përveç kësaj, ishte aq i përulur, sa pranonte këshilla të mira, jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë. (1 Sam. 19:11, 12; 25:32, 33) Davidi mësoi nga gabimet e veta dhe e bëri shërbimin e Jehovait boshtin e jetës.

16. Çfarë mësimesh mund të nxjerrin baballarët nga Davidi?

16 Të shohim disa mësime që mund të nxirrni ju baballarë nga mbreti David. Mos abuzoni me autoritetin që ju ka dhënë Jehovai. Gjithashtu pranojini gabimet dhe këshillat nga Bibla që ju japin të tjerët. Nëse veproni kështu, familja do t’ju respektojë ngaqë jeni të përulur. Kur të luteni me familjen, zbrazjani zemrën Jehovait—lërini të dëgjojnë sa nevojë keni për mbështetjen e tij. Mbi të gjitha, bëjeni shërbimin e Jehovait boshtin e jetës suaj. (Ligj. 6:6-9) Shembulli juaj i mirë është dhurata më e çmuar që mund t’i bëni familjes.

ÇFARË MUND TË MËSOJNË NËNAT NGA MARIA

17. Ç’rol u ka caktuar Jehovai nënave?

17 Jehovai i ka caktuar nënës një rol të nderuar në familje dhe i ka dhënë njëfarë autoriteti mbi fëmijët. (Prov. 6:20) Faktikisht, ndikimi i nënës te fëmijët mund të jetë i thellë e të zgjatë gjithë jetën. (Prov. 22:6) Të shohim çfarë mund të mësojnë nënat nga Maria, nëna e Jezuit.

18-19. Ç’mund të mësojnë nënat nga shembulli i Marisë?

18 Maria i njihte shumë mirë Shkrimet. Ajo kishte zhvilluar respekt të thellë për Jehovain dhe një miqësi të fortë me të. Iu nënshtrua me gatishmëri drejtimit të tij, ndonëse për këtë iu desh të ndryshonte gjithë jetën.—Luka 1:35-38, 46-55.

Nëse është e lodhur ose e acaruar, një nëne mund t’i duhet të bëjë më shumë përpjekje që të shprehë dashurinë për fëmijët (Shih paragrafin 19) *

19 Ju nëna mund ta imitoni Marinë në disa mënyra. Ç’mund të bëni? Së pari, mbani një miqësi të fortë me Jehovain duke bërë studimin personal të Biblës e duke u lutur rregullisht kur jeni vetëm. Së dyti, jini të gatshme të bëni ndryshime në jetë, që ta kënaqni Jehovain. Për shembull, mbase ju kanë rritur prindër që nxeheshin kollaj dhe që u flitnin ashpër fëmijëve. Prandaj mund të jeni rritur me idenë se është normale t’i rritësh fëmijët kështu. Edhe pasi keni njohur standardet e Jehovait, mbase e keni të vështirë të rrini të qeta dhe të keni durim me fëmijët, sidomos nëse sillen keq kur jeni të lodhura. (Efes. 4:31) Në raste të tilla, keni më shumë nevojë se kurrë të mbështeteni te Jehovai me anë të lutjeve. Një nënë me emrin Lidia, thotë: «Ndonjëherë më është dashur të lutesha me zjarr që të mos i flisja me nerva djalit kur nuk më bindej. Madje e kam ndërprerë fjalinë në mes dhe i jam lutur në heshtje Jehovait për ndihmë. Lutja më ndihmon të mos e humb qetësinë.»—Psal. 37:5.

20. Cilën sfidë hasin disa nëna, dhe si mund ta kapërcejnë?

20 Disa nëna mund të hasin një sfidë tjetër—e kanë të vështirë të shprehin dashurinë për fëmijët. (Titit 2:3, 4) Shumë prej tyre janë rritur në familje ku prindërit nuk kishin një marrëdhënie të ngrohtë me fëmijët. Nëse je rritur kështu, s’ke pse të përsëritësh gabimet e prindërve. Një nëne që i nënshtrohet vullnetit të Jehovait, mund t’i duhet të mësojë si ta shprehë dashurinë për fëmijët. Mund të jetë e vështirë të ndryshojë mënyrën si mendon, si ndihet e si sillet. Por mund t’ia dalë, e kështu do të nxjerrë dobi ajo vetë dhe familja.

VAZHDO T’I NËNSHTROHESH JEHOVAIT

21-22. Sipas Isaisë 65:13, 14, cilat dobi kemi kur i nënshtrohemi Jehovait?

21 Mbreti David e dinte sa e dobishme është t’i nënshtrohesh Jehovait. Ai shkroi: «Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë. Veç këtyre, ato janë paralajmërim për shërbëtorin tënd, dhe kur i zbaton, merr shpërblim të madh.» (Psal. 19:8, 11) Sot e shohim kontrastin mes atyre që i nënshtrohen Jehovait dhe atyre që i hedhin poshtë këshillat e tij të dashura. Ata që i nënshtrohen Jehovait, «lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës».—Lexo Isainë 65:13, 14.

22 Kur pleqtë, baballarët dhe nënat i nënshtrohen me gatishmëri Jehovait, u përmirësohet jeta, kanë familje më të lumtura dhe i gjithë kongregacioni është më i bashkuar. Ç’është më e rëndësishmja, i gëzojnë zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) A ka shpërblim më të madh se ky?!

KËNGA 123 T’i qëndrojmë besnikë teokracisë

^ par. 5 Në këtë artikull do të shohim pse duhet t’i nënshtrohemi Jehovait. Do të shqyrtojmë edhe çfarë mund të mësojnë pleqtë, baballarët dhe nënat​—që kanë njëfarë autoriteti—​nga shembulli i guvernatorit Nehemia, i mbretit David dhe i Marisë, nënës së Jezuit.

^ par. 1 SHPJEGIMI I FJALËVE: Fjalët nënshtrohem dhe nënshtrim kanë kuptim negativ për ata që i binden dikujt ngaqë janë të detyruar. Gjithsesi, shërbëtorët e Perëndisë zgjedhin t’i binden atij, prandaj nuk e shohin me sy negativ nënshtrimin.

^ par. 7 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak punon përkrah të birit për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë, ashtu si iu përvesh punës Nehemia për rindërtimin e mureve të Jerusalemit.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një baba përfaqëson familjen në një lutje të zjarrtë drejtuar Jehovait.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një djalë ka luajtur orë të tëra me videolojëra dhe nuk i ka mbaruar detyrat e shkollës a punët që ka për të bërë në shtëpi. Ndonëse e lodhur nga puna, mamaja nuk humb gjakftohtësinë e nuk i flet ashpër kur e disiplinon.