Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 37

«Mos e lër dorën tënde të pushojë»

«Mos e lër dorën tënde të pushojë»

«Mbille farën në mëngjes dhe mos e lër dorën tënde të pushojë deri në mbrëmje.»—EKL. 11:6.

KËNGA 68 Të mbjellim farën e Mbretërisë

PËRMBLEDHJE *

1-2. Si lidhet Eklisiastiu 11:6 me predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë?

NË DISA vende, mjaft njerëz janë të etur të mësojnë më tepër kur u flasim për lajmin e mirë. Është tamam ajo që kishin pritur! Në vende të tjera, njerëzit në përgjithësi nuk kanë fort interes për Perëndinë ose për Biblën. Cili është zakonisht reagimi i njerëzve ndaj lajmit të mirë aty ku jeton ti? Cilido qoftë, Jehovai pret nga ne të mos e ndalim predikimin derisa ai të thotë se vepra ka përfunduar.

2 Në kohën që ka caktuar Jehovai, vepra e predikimit do të përfundojë dhe «do të vijë fundi». (Mat. 24:14, 36) Derisa të vijë ajo ditë, si mund t’u bindemi fjalëve «mos e lër dorën tënde të pushojë»? *Lexo Eklisiastiun 11:6.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në artikullin e kaluar shqyrtuam katër gjëra që duhet të bëjmë për të qenë të efektshëm si «peshkatarë njerëzish». (Mat. 4:19) Në këtë artikull do të shohim tri mënyra si ta forcojmë vendosmërinë për të predikuar në çfarëdo rrethane të gjendemi. Do të mësojmë pse është e rëndësishme (1) të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit, (2) të jemi të duruar dhe (3) ta mbajmë të fortë besimin.

JI I PËRQENDRUAR

4. Pse duhet të mbetemi të përqendruar te vepra që na ka ngarkuar Jehovai?

4 Jezui paratha ngjarjet dhe kushtet që do të karakterizonin ditët e fundit e që mund t’i shpërqendronin dishepujt e tij nga vepra e predikimit. Ai i nxiti dishepujt ‘të qëndronin vigjilentë’. (Mat. 24:42) Sot kemi shpërqendrime të ngjashme me ato që i penguan njerëzit në kohën e Noesë t’i kushtonin vëmendje paralajmërimit të tij. (Mat. 24:37-39; 2 Pjet. 2:5) Ja pse duhet të mbetemi të përqendruar te vepra që na ka ngarkuar Jehovai.

5. Sipas Veprave 1:6-8, sa e madhe do të ishte shtrirja e veprës së predikimit?

5 Sot duhet të kemi në qendër të vëmendjes veprën e predikimit për Mbretërinë. Jezui paratha se kjo vepër do të kishte një shtrirje më të madhe dhe do të vazhdonte për një kohë të gjatë pas vdekjes së tij. (Gjoni 14:12) Pasi Jezui vdiq, disa nga dishepujt e tij iu kthyen peshkimit. Por pasi u ringjall, ai bëri një mrekulli dhe ndihmoi disa dishepuj që të zinin shumë peshq. Jezui e përdori atë rast për të ritheksuar se caktimi si peshkatarë njerëzish ishte më i rëndësishëm se çdo aktivitet tjetër. (Gjoni 21:15-17) Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui u tregoi dishepujve se vepra e predikimit që kishte nisur ai, do të shtrihej shumë më larg se kufijtë e Izraelit. (Lexo Veprat 1:6-8.) Vite më vonë, Jezui i dha një vegim apostullit Gjon për t’i treguar ç’do të ndodhte në «ditën e Zotërisë». * Ndër të tjera, Gjoni pa diçka të mahnitshme: nën drejtimin e engjëjve, ‘lajmi i mirë i përhershëm’ po i predikohej «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 1:10; 14:6) Pa dyshim, vullneti i Jehovait për ne sot është të marrim pjesë në këtë vepër kolosale predikimi derisa të përfundojë.

6. Si mund të vazhdojmë ta mbajmë të parën në jetë veprën e predikimit?

6 Që të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit, bëjmë mirë të ndalemi e të mendojmë sa shumë po bën Jehovai për të na ndihmuar. Për shembull, ai na siguron me bollëk ushqim besimforcues në formën e botimeve të shtypura e digjitale, regjistrimeve audio, videove dhe programeve mujore. Vetëm të mendosh që në sitin tonë zyrtar, ka informacion në mbi 1.000 gjuhë! (Mat. 24:45-47) Mes një bote të përçarë nga dallimet politike, fetare dhe ekonomike, më shumë se tetë milionë shërbëtorë të Perëndisë janë vërtet të bashkuar në një familje mbarëbotërore. Për shembull, të premten, më 19 prill 2019, Dëshmitarët anekënd botës ishin të bashkuar ndërsa ndiqnin të gjithë një video ku u shqyrtua shkrimi i ditës. Atë mbrëmje, 20.919.041 veta u mblodhën për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Kur meditojmë çfarë privilegji është të shohim këtë mrekulli të kohës sonë dhe të jemi pjesë e saj, duam të jepemi me gjithë shpirt pas veprës së predikimit.

Jezui nuk lejoi të shpërqendrohej, por vazhdoi të jepte dëshmi për të vërtetën (Shih paragrafin 7)

7. Si na ndihmon shembulli i Jezuit të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit?

7 Një mënyrë si të vazhdojmë të jemi të përqendruar te vepra e predikimit është të ndjekim shembullin e Jezuit. Ai nuk lejoi asgjë ta shpërqendronte, por vazhdoi të jepte dëshmi për të vërtetën. (Gjoni 18:37) Nuk ia prishi mendjen oferta e Satanait se do t’i jepte «të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre»; as nuk u josh kur të tjerët donin ta bënin mbret. (Mat. 4:8, 9; Gjoni 6:15) Nuk e gërryente dëshira për të pasur sa më shumë gjëra materiale; as nuk stepej nga kundërshtimi i egër. (Luka 9:58; Gjoni 8:59) Kur na sprovohet besimi, mund të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit nëse kujtojmë këshillën e apostullit Pavël. Ai i nxiti vëllezërit e motrat të ndiqnin shembullin e Jezuit që ‘të mos lodheshin e të mos dorëzoheshin’.—Hebr. 12:3.

JI I DURUAR

8. Çfarë është durimi, dhe pse sot na duhet shumë durim?

8 Durimi është aftësia për të pritur me qetësi që një situatë të ndryshojë. Pavarësisht nëse presim me zjarr të marrë fund një situatë e pakëndshme apo të na plotësohet një dëshirë e kahershme, na duhet durim. Profeti Habakuk mezi priste të merrte fund dhuna në Judë. (Hab. 1:2) Dishepujt e Jezuit shpresonin që Mbretëria «të shfaqej atje në çast» dhe t’i shpëtonte nga zgjedha romake. (Luka 19:11) Na digjet zemra për ditën kur Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë ligësinë e do të sjellë një botë të re ku do të mbretërojë drejtësia. (2 Pjet. 3:13) Gjithsesi, duhet të jemi të duruar e të presim kohën që ka caktuar Jehovai. Të shohim disa mënyra si na mëson Jehovai të kemi durim.

9. Cilët shembuj nxjerrin në pah durimin e Jehovait?

9 Jehovai është shembulli i përsosur i durimit. Ai i la mjaft kohë Noesë që të ndërtonte arkën e të ishte «një predikues drejtësie». (2 Pjet. 2:5; 1 Pjet. 3:20) Gjithashtu, kur Abrahami e mbyti me pyetje për vendimin e tij se do të shkatërronte banorët e ligj të Sodomës dhe Gomorrës, Jehovai e dëgjoi me vëmendje. (Zan. 18:20-33) E për shekuj të tërë, Jehovai u tregua jashtëzakonisht i duruar me kombin jobesnik të Izraelit. (Neh. 9:30, 31) Sot e shohim durimin e Jehovait te fakti që po u jep kohë «të pendohen» të gjithë atyre që dëshiron t’i ketë miq. (2 Pjet. 3:9; Gjoni 6:44; 1 Tim. 2:3, 4) Shembulli i Jehovait është një nxitje e fortë që të tregojmë durim ndërsa vazhdojmë të predikojmë e të mësojmë të tjerët. Ai na e mëson durimin edhe nëpërmjet një ilustrimi që gjendet në Fjalën e tij.

Si një bujk i papërtuar por edhe i duruar, ne presim frytet e përpjekjeve tona (Shih paragrafët 10-11)

10. Çfarë na mëson shembulli i bujkut te Jakovi 5:7, 8?

10 Lexo Jakovin 5:7, 8. Shembulli i bujkut, që pret të rriten bimët, na mëson të jemi të duruar. Vërtet, ka bimë që rriten shpejt. Por shumica e bimëve, sidomos ato që japin fryt, duan goxha kohë të piqen. Në Izrael, sezoni kur rriteshin bimët zgjaste rreth gjashtë muaj. Bujku e mbillte farën pas shiut të parë të vjeshtës dhe e mblidhte prodhimin pas shiut të fundit të pranverës. (Mar. 4:28) Është gjë e mençur të imitojmë durimin e bujkut. Ama kjo mund të mos jetë e lehtë.

11. Si do të na ndihmojë durimi në shërbim?

11 Njerëzit e papërsosur zakonisht duan t’i shohin në çast rezultatet e përpjekjeve të tyre. Mirëpo, nëse kemi një kopsht dhe duam që të japë fryt, duhet t’i kushtojmë vëmendje vazhdimisht—ta lërojmë, ta mbjellim, të shkulim barërat e këqija dhe ta vaditim. Po njësoj, për të bërë dishepuj, kërkohen përpjekje të vazhdueshme. Duhet kohë që të shkulim me rrënjë paragjykimet dhe indiferentizmin tek ata që mësojmë. Durimi do të na ndihmojë të mos shkurajohemi kur hasim vështirësi. Edhe kur dikush e mirëpret lajmin e mirë, prapë na duhet durim. Nuk mund ta detyrojmë një student të Biblës ta forcojë besimin. Ndonjëherë, edhe dishepujve të Jezuit u duhej kohë ta kuptonin atë që u mësonte. (Gjoni 14:9) Të mos harrojmë se ne mund të mbjellim e të ujitim, por ai që rrit, është Perëndia.—1 Kor. 3:6.

12. Si mund të tregojmë durim kur u japim dëshmi të afërmve?

12 Një rrethanë ku mund ta kemi të vështirë të tregojmë durim është kur u dëshmojmë të afërmve. Për këtë mund të na ndihmojë parimi tek Eklisiastiu 3:1, 7. Aty thuhet: «Ka . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» Ndërkohë që sjellja jonë e mirë mund të japë dëshmi në heshtje, duhet të jemi gjithmonë syçelë për të shfrytëzuar mundësitë që të flasim për të vërtetën. (1 Pjet. 3:1, 2) Teksa predikojmë dhe mësojmë me zell, tregojmë durim me të gjithë njerëzit—duke përfshirë edhe pjesëtarët e familjes.

13-14. Cilët janë disa shembuj durimi që mund të imitojmë?

13 Mund ta mësojmë durimin edhe nga shembujt e besnikëve të lashtësisë dhe të ditëve tona. Habakuku mezi priste të merrte fund ligësia, e megjithatë tha plot besim: «Nga vendroja ime nuk do të lëviz.» (Hab. 2:1) Apostulli Pavël shprehu dëshirën e zjarrtë që ta përfundonte shërbimin. Prapëseprapë, vazhdoi me durim ‘të jepte dëshmi të plotë për lajmin e mirë’.—Vep. 20:24.

14 Të mendojmë për shembullin e një çifti që u diplomua në Galad dhe u caktua në një vend ku ka pak Dëshmitarë dhe ku feja kryesore nuk është një fe e krishterë. Në atë vend, fare pak veta donin të studionin Biblën. Ndërkohë, shokët e klasës së Galadit që shërbenin në vende të tjera u shkruanin për gjithë ato studime të frytshme që po drejtonin. Por çifti vazhdoi të predikonte me durim edhe pse shumica në territor nuk po u vinin veshin. Pasi predikuan tetë vjet në atë territor që dukej i pafrytshëm, më në fund patën kënaqësinë të shihnin një studente të tyre të pagëzohej. Çfarë mësojmë nga këta shembuj të lashtësisë dhe të ditëve tona? Këta besnikë nuk u plogështuan, nuk e lanë dorën e tyre të pushonte, dhe Jehovai i shpërbleu për durimin. Le ‘të imitojmë ata që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet’.—Hebr. 6:10-12.

MBAJE TË FORTË BESIMIN

15. Cila është një mënyrë si na e forcon besimi vendosmërinë që të predikojmë?

15 Kemi besim te mesazhi që predikojmë, prandaj vlojmë nga dëshira që t’ia tregojmë sa më shumë njerëzve. I besojmë premtimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Psal. 119:42; Isa. 40:8) Kemi parë si janë përmbushur profeci të Biblës. Gjithashtu kemi parë me sytë tanë si përmirësohet jeta e njerëzve kur fillojnë të zbatojnë këshillat e Biblës. Të gjitha këto dëshmi na forcojnë besimin se lajmi i mirë për Mbretërinë është një mesazh që ka nevojë ta dëgjojë çdo njeri.

16. Në harmoni me Psalmin 46:1-3, si na e forcon vendosmërinë për të predikuar besimi te Jehovai dhe te Jezui?

16 Veç kësaj, kemi besim te Jehovai, Burimi i mesazhit që predikojmë, dhe te Jezui, që Ai e ka vënë në fron si Mbret të Mbretërisë. (Gjoni 14:1) Në çfarëdo rrethane të gjendemi, Jehovai do të jetë gjithmonë streha dhe forca jonë. (Lexo Psalmin 46:1-3.) Gjithashtu jemi të sigurt se Jezui po drejton veprën e predikimit nga qielli, duke ushtruar autoritetin që i ka dhënë Jehovai.—Mat. 28:18-20.

17. Jepni një shembull pse duhet të vazhdojmë të predikojmë.

17 Besimi na forcon sigurinë se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona, ndonjëherë në mënyra që s’i presim. (Ekl. 11:6) Për shembull, çdo ditë para stendave tona të literaturës kalojnë mijëra njerëz. A është e efektshme kjo metodë predikimi? Pa diskutim! Shërbimi ynë i Mbretërisë i nëntorit 2014 tregonte për një studente në universitet që donte të shkruante një ese për Dëshmitarët e Jehovait. Ajo nuk arrinte të gjente një Sallë Mbretërie, por para universitetit pa një stendë literature dhe gjeti materiale për esenë. Si përfundim, ajo u bë Dëshmitare e pagëzuar dhe tani shërben si pioniere e rregullt. Shembuj të tillë na motivojnë të vazhdojmë të predikojmë, sepse tregojnë se ka ende njerëz që kanë nevojë ta dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë.

JI I VENDOSUR TË MOS E LËSH DORËN TËNDE TË PUSHOJË

18. Pse jemi të sigurt se vepra e predikimit për Mbretërinë do të përfundojë atëherë kur dëshiron Jehovai?

18 Mund të jemi të sigurt se vepra e predikimit për Mbretërinë do të përfundojë tamam në kohën e duhur. Të mendojmë për atë që ndodhi në ditët e Noesë. Jehovai tregoi se i përcakton dhe i respekton me përsosmëri afatet kohore. Rreth 120 vjet para Përmbytjes, Jehovai vendosi ditën kur do të fillonte Përmbytja. Dekada më vonë, Jehovai i ngarkoi Noesë detyrën të ndërtonte arkën. Ka mundësi që Noeja të ketë punuar fort për 40 a 50 vjet para se të vinte Përmbytja. Edhe pse njerëzit nuk ia vinin veshin, ai vazhdoi të predikonte mesazhin paralajmërues derisa Jehovai tha se ishte koha të fuste kafshët në arkë. Pastaj, fiks në kohën e caktuar, «Jehovai e mbylli derën».—Zan. 6:3; 7:1, 2, 16.

19. Çfarë mund të presim nëse nuk e lëmë dorën tonë të pushojë?

19 Së shpejti, Jehovai do të na e bëjë të qartë se vepra e predikimit për Mbretërinë ka përfunduar; ai ‘do ta mbyllë derën’ për sistemin e Satanait dhe do të sjellë një botë të re të drejtë. Deri atëherë, le të imitojmë Noenë, Habakukun dhe të tjerë që nuk e kanë lënë dorën e tyre të pushojë. Le të vazhdojmë të jemi të përqendruar te vepra e predikimit, të jemi të duruar dhe ta mbajmë të fortë besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij.

KËNGA 75 Të lutem, «më dërgo mua»!

^ par. 5 Artikulli i kaluar nxiti studentët e Biblës që po përparojnë, të pranojnë ftesën e Jezuit për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri mënyra se si të gjithë lajmëtarët, të rinj e me përvojë, mund ta forcojnë vendosmërinë që të vazhdojnë veprën e predikimit derisa Jehovai të thotë se ka përfunduar.

^ par. 2 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në këtë artikull, shprehja «mos e lër dorën tënde të pushojë» do të thotë se duhet të jemi të vendosur ta vazhdojmë predikimin e lajmit të mirë derisa Jehovai të thotë se vepra ka përfunduar.

^ par. 5 «Dita e Zotërisë» filloi në vitin 1914 kur Jezui hipi në fron si mbret dhe do të vazhdojë deri në fund të Mbretërimit të tij Mijëvjeçar.