Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A flet Eklisiastiu 5:8 vetëm për qeveritarët njerëzorë, apo edhe për Jehovain?

Ky varg që të ngjall kureshtje, thotë: «Nëse sheh në krahinën tënde se të varfrit shtypen, drejtësia shkelet dhe jepen gjykime të padrejta, mos u trondit, sepse atë zyrtar të lartë po e vëzhgon një më i lartë se ai, dhe ka të tjerë që janë akoma më të lartë se ata.»—Ekl. 5:8.

Nga pikëpamja njerëzore, duket se këto fjalë përshkruajnë vetëm autoritetet qeveritare. Por nëse mendojmë pak më thellë, ato përcjellin edhe një të vërtetë për Jehovain, që na jep zemër dhe siguri.

Eklisiastiu 5:8 flet për një qeveritar që shtyp të varfrit dhe u bën padrejtësi. Ai duhet të mbajë parasysh se ka të ngjarë që po e vëzhgon dikush me pozitë më të lartë ose me më shumë autoritet. E mund të ketë të tjerë që kanë pozitë «akoma më të lartë» se ata. Mjerisht, në qeveritë njerëzore, të gjithë këta qeveritarë mund të jenë të korruptuar, dhe njerëzit e thjeshtë vuajnë në kurriz padrejtësitë.

Por sado e pashpresë të duket situata, mund të marrim zemër nga fakti që Jehovai ‘vëzhgon madje edhe zyrtarët e lartë’ në qeveritë njerëzore. Mund t’i përgjërohemi Perëndisë për ndihmë dhe të hedhim çdo barrë mbi të. (Psal. 55:22; Filip. 4:6, 7) E dimë se «sytë e Jehovait vështrojnë me kujdes gjithë tokën, që të tregojë forcën e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër».—2 Kron. 16:9.

Pra, Eklisiastiu 5:8 na e drejton vëmendjen te realiteti i qeveritarëve sot; në këto qeveri ekziston gjithmonë një që ka më shumë pushtet se një tjetër. Ç’është më e rëndësishmja, vargu na sjell ndër mend se Jehovai qëndron më lart se të gjithë, po, ai është Autoriteti Suprem. Ai po qeveris tani me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, Mbretit të Mbretërisë. I Plotfuqishmi, që vëzhgon çdokënd, është përherë i drejtë, e po kështu është edhe Biri i tij.