Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1918​—Njëqind vjet më parë

1918​—Njëqind vjet më parë

Kulla e Rojës e 1 janarit 1918 hapej me këto fjalë: «Çfarë do të sjellë viti 1918?» Evropa vlonte ende nga Lufta I Botërore, por ngjarjet që ndodhën në fillim të atij viti dukej se premtonin gjëra të mira për Studentët e Biblës dhe botën në përgjithësi.

BOTA FLISTE PËR PAQE

Më 8 janar 1918, presidenti Udrou Uilson, në fjalimin që mbajti në Kongresin e SHBA-së, parashtroi 14 ide që mendonte se ishin themelore për një «paqe të qëndrueshme e të drejtë». Ai propozoi diplomaci të hapur mes kombeve, reduktim të armatimeve dhe krijimin e një «organizate të përgjithshme të kombeve» që do t’u sillte dobi «si shteteve të mëdha, edhe atyre të vogla». Më vonë, «katërmbëdhjetë pikat» e tij do të përdoreshin për të formuar Lidhjen e Kombeve dhe për bisedimet rreth Traktatit të Versajës, duke i dhënë kështu fund Luftës I Botërore.

KUNDËRSHTARËT U MUNDËN

Pavarësisht nga trazirat e vitit të mëparshëm, * paqja dukej në horizont edhe për Studentët e Biblës, siç dëshmohet nga ngjarjet e mbledhjes vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society.

Në këtë mbledhje, që u mbajt më 5 janar 1918, disa burra me pozitë që ishin përzënë nga Betheli, u orvatën të shtinin në dorë organizatën. Riçard Barberi, një mbikëqyrës udhëtues besnik, e hapi mbledhjen me një lutje. Pas një raporti rreth veprës së vitit të kaluar, u mbajtën zgjedhjet vjetore për drejtuesit. Vëlla Barberi propozoi si kandidatë Xhozef Radhërfordin dhe gjashtë vëllezër të tjerë. Më pas, një avokat që mbante anën e kundërshtarëve, propozoi si kandidatë shtatë burra të tjerë, përfshirë ata që ishin përzënë nga Betheli. Por kundërshtarët u mundën. Me një shumicë dërrmuese, pjesëmarrësit zgjodhën si drejtues vëlla Radhërfordin dhe gjashtë vëllezër të tjerë besnikë.

Shumë vëllezër që ishin të pranishëm, e quajtën këtë mbledhje «kongresi më i bekuar që kishin ndjekur ndonjëherë». Por gëzimi i tyre nuk do të zgjaste shumë.

REAGIMI NDAJ MISTERIT TË PËRFUNDUAR

Studentët e Biblës kishin disa muaj që shpërndanin librin Misteri i përfunduar. Lexuesit me zemër të sinqertë reaguan pozitivisht ndaj të vërtetave biblike që përmbante.

Eduard Kristi, një mbikëqyrës udhëtues në Kanada, tregoi për një çift që e kishin lexuar librin Misteri i përfunduar dhe që e kishin pranuar të vërtetën brenda pesë javësh. Ai tha: «Edhe burri, edhe gruaja janë plotësisht të kushtuar ndaj Perëndisë dhe po bëjnë përparim të jashtëzakonshëm.»

Një burrë që mori librin, u tregoi menjëherë miqve për të. Atë «e goditi» mesazhi i librit. Burri tha: «Po ecja në rrugën Third Avenue [dhe] më goditi në sup diçka që m’u duk si tullë, por ishte ‘Misteri i përfunduar’. E çova në shtëpi dhe e lexova të gjithin. . . . Më vonë mora vesh se një predikues . . . e kishte hedhur tërë furi librin nga dritarja . . . Jam më se i bindur se me këtë veprim ka ndihmuar më shumë veta të marrin një shpresë të vërtetë se me çdo veprim tjetër. . . . Falë tërbimit të këtij predikuesi, ne tani lëvdojmë Perëndinë.»

Ky predikues nuk ishte i vetmi që reagoi ashtu. Kanadaja, që ishte përfshirë në Luftën I Botërore, e ndaloi librin më 12 shkurt 1918, me pretendimin se përmbante deklarata që ishin kundër luftës dhe që nxitnin kryengritje. Pak pas kësaj, vepruan njësoj edhe autoritetet në Shtetet e Bashkuara. Agjentët qeveritarë ushtruan kontrolle në Bethel dhe në zyrat e Nju-Jorkut, Pensilvanisë dhe të Kalifornisë, në kërkim të provave kundër drejtuesve të organizatës. Më 14 mars 1918, Departamenti i Drejtësisë në SHBA e ndaloi librin Misteri i përfunduar, me pretendimin se botimi dhe shpërndarja e tij pengonte përpjekjet për luftë, dhe kjo ishte shkelje e ligjit të spiunazhit.

I BURGOSËN!

Më 7 maj 1918, Departamenti i Drejtësisë nxori urdhra arresti për këta persona: Xhovani DeÇeka, Xhorxh Fisher, Aleksandër Mekmillën, Robert Martin, Frederik Robison, Xhozef Radhërford, Uilliam Ven-Embërg dhe Klejtën Uduorth. Akuzat që rëndonin mbi ta ishin se «në mënyrë të paligjshme, kriminale dhe të qëllimshme kishin shkaktuar rebelim, tradhti dhe refuzim të shërbimit ushtarak e të forcave detare të Shteteve të Bashkuara». Gjyqi i tyre nisi më 5 qershor 1918, por kishte shumë mundësi të shpalleshin fajtorë. Pse?

Për prokurorin e përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, ligji i spiunazhit ishte një «armë e efektshme për të luftuar propagandën», ligj për të cilin akuzoheshin se e kishin shkelur. Veç kësaj, më 16 maj 1918, Kongresi nuk e kishte pranuar një amendament të këtij ligji, i cili do t’i kishte mbrojtur ata që do të botonin «diçka të vërtetë, me motive të mira dhe qëllime të justifikueshme». Kryesisht debati i Kongresit u përqendrua te Misteri i përfunduar. Në dokumentimin zyrtar të Kongresit të Shteteve të Bashkuara shkruhet kështu: «Një nga shembujt më të rrezikshëm të kësaj propagande është libri i titulluar ‘Misteri i përfunduar’ . . . I vetmi ndikim i tij është të nxitë ushtarët të diskreditojnë kauzën tonë dhe të frymëzojë . . . rezistencë ndaj rekrutimit ushtarak.»

Më 20 qershor 1918, juria i shpalli fajtorë për të gjitha akuzat të tetë vëllezërit. Gjykatësi e shpalli vendimin të nesërmen. Ai tha: «Propaganda fetare që këta të pandehur e kanë mbrojtur dhe përhapur me zjarr . . . përbën rrezik më të madh sesa një divizion i ushtrisë gjermane. . . . Ata duhen ndëshkuar rëndë.» Dy javë më vonë, këta tetë vëllezër i futën në burgun federal të Atlantës, Xhorxhia, me dënime që varionin nga 10 deri në 20 vjet.

VEPRA E PREDIKIMIT VAZHDOI

Gjatë asaj periudhe, Studentët e Biblës u përballën me kundërshtim të ashpër. Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e hetoi me imtësi aktivitetin e tyre, dhe përpiloi mijëra dokumente. Këto dokumentime tregojnë se vëllezërit tanë ishin të vendosur të mos e ndërpritnin predikimin.

Në një letër drejtuar FBI-së, drejtori i zyrës postare në Orlando, Florida, shkruante: «[Studentët e Biblës] shkojnë shtëpi më shtëpi dhe në të shumtën e rasteve shkojnë natën. . . . Duket se ata janë të vendosur të mos heqin dorë nga predikimi pavarësisht nga çdo kundërshtim.»

Një kolonel në Departamentin e Luftës i shkroi FBI-së që t’i raportonte për veprimtarinë e Frederik Francit, i cili më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës. Koloneli shkruante: «Frederik Franci është përfshirë aktivisht në shitjen e mijëra vëllimeve të librit ‘Misteri i përfunduar’.»

Çarls Fekëli, i cili më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës, u përball me kundërshtim të ashpër. Autoritetet e arrestuan për shpërndarjen e librit Misteri i përfunduar dhe ndërkohë i kontrollonin korrespondencën personale. E mbajtën të burgosur një muaj në Baltimorë të Merilendit. Autoritetet e quajtën «armik austriak» sepse ishte nga Austria, e cila në atë kohë konsiderohej vend armik. Teksa u jepte dëshmi tërë guxim atyre që e merrnin në pyetje, i vinin ndër mend fjalët e Pavlit te 1 Korintasve 9:16, ku thuhet: «Mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» *

Përveçse ishin të zellshëm në predikim, Studentët e Biblës qarkulluan tërë zjarr një peticion për të liruar vëllezërit e burgosur në Atlantë. Ana Gardneri tregoi: «Gjithmonë ishim duke bërë diçka. Kur vëllezërit i burgosën, puna e radhës ishte të gjenim nënshkrues për peticionin. Shkuam derë më derë. Mblodhëm mijëra firma. U thoshim njerëzve se ata burra ishin të krishterë të vërtetë dhe se i kishin burgosur padrejtësisht.»

KONGRESET

Gjatë asaj kohe të vështirë u mbajtën kongrese të shumta për të forcuar besimin e vëllazërisë. Në Kullën e Rojës thuhej: «Mbi dyzet kongrese . . . janë mbajtur gjatë vitit . . . Nga të gjitha këto kongrese kemi marrë raporte entuziazmuese. Më përpara, të gjitha kongreset mbaheshin nga fundi i verës ose fillimi i vjeshtës; por tani mbajmë kongrese çdo muaj.»

Kishte ende njerëz me zemër të sinqertë që reagonin pozitivisht ndaj lajmit të mirë. Për shembull, në një kongres në Klivlend, Ohajo, ishin të pranishëm rreth 1.200 veta dhe 42 u pagëzuan, përfshirë një djalë të vogël, i cili, me «vlerësimin që kishte për Perëndinë dhe kushtimin, do t’i bënte me turp shumë të rritur».

Ç’DO TË NDODHTE MË TEJ?

Nga fundi i 1918-s, e ardhmja e Studentëve të Biblës dukej e pasigurt. Një pjesë e pronës në Bruklin ishte shitur dhe selia botërore ishte transferuar në Pitsburg, Pensilvani. Ndonëse ata që merrnin drejtimin ishin ende në burg, u planifikua një tjetër mbledhje vjetore, e cila do të mbahej më 4 janar 1919. Çfarë do të ndodhte?

Vëllezërit ngulmuan në veprën e tyre. Ishin aq të sigurt si do të përfundonin gjërat, sa zgjodhën këtë shkrim viti për 1919-n: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Is 54:17) Tani skena ishte gati për një ndryshim të papritur e rrënjësor që do t’u rriste besimin dhe do t’i forconte për veprën madhështore që shtrihej përpara.

^ par. 6 Shih «Njëqind vjet më parë​—1917», në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2017, fq. 172-176

^ par. 22 Shih jetëshkrimin e Çarls Fekëlit, «Ngulmimi në veprën e mirë më solli shumë gëzime», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1969, anglisht.