Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u mësojmë të tjerëve të vërtetën

T’u mësojmë të tjerëve të vërtetën

«O Jehova, . . . brendia e fjalës sate është e vërteta.»​—PSAL. 119:159, 160.

KËNGËT: 29, 53

1, 2. (a) Cilën vepër vuri Jezui në vend të parë në jetë, dhe pse? (b) Ç’duhet të bëjmë që të kemi sukses si «bashkëpunëtorë të Perëndisë»?

JEZU KRISHTI ishte zdrukthëtar dhe mësues. (Mar. 6:3; Gjoni 13:13) Ai u bë mjeshtër në të dyja këto zanate. Si zdrukthëtar, Jezui mësoi të përdorte mjetet e punës, të kthente lëndën drusore në produkte të dobishme. Si mësues i lajmit të mirë, e përdori me mjeshtëri njohurinë e tij të thellë rreth Shkrimeve që të ndihmonte njerëzit e thjeshtë të kuptonin të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. (Mat. 7:28; Luka 24:32, 45) Në moshën 30-vjeçare, Jezui la mënjanë veglat e zdrukthëtarisë, sepse e dinte se detyra si mësues ishte më e rëndësishme. Ai tha se vepra e shpalljes së lajmit të mirë për Mbretërinë, ishte një nga arsyet pse Perëndia e kishte dërguar në tokë. (Mat. 20:28; Luka 3:23; 4:43) Jezui e vuri shërbimin në vend të parë në jetë dhe donte që edhe të tjerë të bashkoheshin me të në këtë vepër.—Mat. 9:35-38.

2 Mbase nuk jemi zdrukthëtarë, por me siguri jemi mësues të lajmit të mirë. Kjo detyrë është kaq e rëndësishme sa edhe vetë Perëndia është i përfshirë. Në fakt, ne quhemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9; 2 Kor. 6:4) Jemi dakord me fjalët e psalmistit që thotë se «brendia e fjalës [së Jehovait] është e vërteta». (Psal. 119:159, 160) Për këtë arsye duam të sigurohemi që ‘e përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ në shërbim. (Lexo 2 Timoteut 2:15.) Ja pse, vazhdojmë të mprehim aftësitë tona në mënyrën si e përdorim Biblën, mjetin kryesor për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën rreth Jehovait, Jezuit dhe Mbretërisë. Që të na ndihmojë të kemi sukses në shërbim, organizata e Jehovait ka siguruar edhe mjete të tjera të rëndësishme, të cilat duhet t’i njohim shumë mirë. Ato janë pjesë e Çantës së mjeteve mësimore.

3. Cili duhet të jetë synimi ynë kryesor gjatë kohës që na mbetet për të dëshmuar, dhe cilët duhet të kërkojmë sipas Veprave 13:48?

3 Ndoshta pyet veten pse quhet Çanta e mjeteve mësimore dhe jo Çanta e mjeteve për predikim. «Të predikosh» do të thotë të shpallësh një mesazh, kurse «të mësosh» do të thotë ta rrënjosësh atë mesazh në mendjen dhe në zemrën e dikujt, që ai pastaj të veprojë sipas asaj që mëson. Gjatë kohës që na mbetet për të dëshmuar, synimi ynë kryesor duhet të jetë të fillojmë studime biblike dhe t’u mësojmë njerëzve të vërtetën. Kjo do të thotë të kërkojmë me zell të gjithë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» dhe t’i ndihmojmë të bëhen besimtarë.—Lexo Veprat 13:44-48.

4. Si mund ta dimë se cilët janë «të prirur për jetën e përhershme», dhe si mund t’i gjejmë?

4 Si mund ta dimë se cilët janë «të prirur për jetën e përhershme»? Ashtu si në shekullin e parë, e vetmja mënyrë për t’i gjetur këta njerëz, është të japim dëshmi. Pra, duhet të bëjmë tamam siç na udhëzoi Jezui: «Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton.» (Mat. 10:11) Nuk presim që njerëzit hipokritë, fodullë ose ata që s’duan t’ia dinë për Perëndinë të reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë. Ne kërkojmë ata që janë të sinqertë, të përulur dhe të etur për të vërtetën. Mund ta krahasojmë këtë kërkim me atë që mund të ketë bërë Jezui si zdrukthëtar teksa kontrollonte për llojin e duhur të drurit që të bënte mobilie, dyer, zgjedha ose gjëra të tjera. Kur gjente materialin e përshtatshëm, përdorte çantën e veglave dhe aftësitë që kishte për të bërë orendinë. Duhet të veprojmë njësoj ndërsa përpiqemi të bëjmë dishepuj njerëz me zemër të sinqertë.—Mat. 28:19, 20.

5. Çfarë duhet të dimë për mjetet në Çantën e mjeteve mësimore? Ilustrojeni. (Shih figurën hapëse.)

5 Si në çdo çantë mjetesh, secili mjet shërben për një qëllim specifik. Të mendojmë pak për veglat e zdrukthëtarisë që duhet të ketë përdorur Jezui. * Atij i duheshin mjete për të bërë matje dhe shenja mbi dru; mjete për të prerë, për të hapur vrima e për t’i dhënë formë drurit dhe mjete për të niveluar, për të drejtuar e për të mbërthyer bashkë pjesët. Po kështu, secili mjet në Çantën e mjeteve mësimore ka një qëllim specifik. Ndaj, le të shohim brenda çantës e të kuptojmë si t’i përdorim këto mjete të rëndësishme që na janë siguruar.

MJETE QË NA PREZANTOJNË

6, 7. (a) Si i ke përdorur kartëvizitat? (b) Për ç’qëllim të dyfishtë shërbejnë ftesat për mbledhjet e kongregacionit?

6 Kartëvizitat. Janë mjete të vogla por të efektshme që mund t’i përdorim për t’u prezantuar me të tjerët dhe për t’i drejtuar te siti ynë, ku mund të mësojnë më shumë për ne, e madje mund të kërkojnë një studim biblik. Deri tani, në jw.org janë bërë mbi 400.000 kërkesa për studime biblike, dhe çdo ditë bëhen qindra kërkesa të tjera! Ndoshta mund të mbash disa kartëvizita me vete, që të shfrytëzosh mundësitë për të dhënë dëshmi teksa merresh me aktivitetet e përditshme.

7 Ftesat. Ftesat për mbledhjet e kongregacionit shërbejnë për një qëllim të dyfishtë. Aty thuhet: «Je i ftuar të studiosh Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.» Pastaj paraqet mundësinë për ta bërë këtë «në mbledhjet tona» «ose me një mësues personal». Kështu, ky mjet jo vetëm na identifikon ne, por edhe fton njerëzit që janë «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë» që të studiojnë Biblën me ne. (Mat. 5:3) Patjetër, të gjithë janë të mirëpritur të ndjekin mbledhjet tona, pranojnë apo jo një studim biblik. Nëse vijnë në mbledhje, do të shohin dhe do të dëgjojnë se çfarë arsimimi të vërtetë biblik ofrojmë.

8. Sa e rëndësishme është që njerëzit të vijnë në mbledhjet tona të paktën një herë? Jepni një shembull.

8 Është e rëndësishme që të vazhdojmë t’i ftojmë njerëzit të vijnë në mbledhjet tona të paktën një herë. Pse? Sepse do të shohin kontrastin e thellë mes bollëkut të ushqimit besimforcues që gëzojmë në mbledhjet tona dhe gjendjes së mjerë që ekziston brenda Babilonisë së Madhe. (Isa. 65:13) Rei dhe Linda, një çift në Shtetet e Bashkuara, e vërejtën këtë disa vite më parë. Ata vendosën se kishin nevojë të shkonin në kishë. Besonin te Perëndia dhe e ndienin se kishin nevojë për të, ndaj i morën me radhë një nga një të gjitha kishat në qytetin e tyre. Ekzistonin sa e sa kisha dhe shumë grupe fetare. Që në fillim, vendosën se kisha në të cilën do të regjistroheshin duhej të plotësonte dy kushte. Së pari, duhej të mësonin diçka gjatë shërbesës fetare, dhe së dyti, anëtarët e kishës duhej të visheshin si njerëz që pohojnë se përfaqësojnë Perëndinë. Pas disa vitesh, kishin shkuar në çdo kishë në qytetin e tyre, por ndiheshin thellësisht të zhgënjyer. Nuk kishin mësuar asgjë, dhe ata që shkonin në kishë vetëm pamje dinjitoze që s’kishin. Pasi dolën nga kisha e fundit në listën e tyre, Linda u nis për në punë, kurse Rei për në shtëpi. Rrugës kaloi pranë një Salle Mbretërie dhe mendoi: «Pse të mos hyj e të shoh se ç’bëhet aty?» S’ka dyshim që kjo ishte përvoja më e bukur! Të gjithë në Sallën e Mbretërisë ishin të dashur e miqësorë dhe të veshur për së mbari. Rei u ul në rreshtin e parë dhe i pëlqeu jashtë mase ajo që mësoi. Ishte tamam siç tha apostulli Pavël për atë njeri që vjen në një mbledhje të krishterë për herë të parë dhe thotë: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Kor. 14:23-25) Pas asaj dite, Rei ndoqi mbledhjet çdo të diel; më mbas ndoqi edhe çdo mbledhje të mesjavës. Edhe Linda nisi të vinte në mbledhje, dhe kur ishin në të 70-at, pranuan një studim biblik dhe u pagëzuan.

MJETE PËR TË NISUR BISEDA

9, 10. (a) Pse fletushkat përdoren kollaj? (b) Shpjegoni si mund ta përdorim fletushkën Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

9 Fletushkat. Kemi tetë fletushka që përdoren kollaj dhe që janë mjete shumë të efektshme për të nisur biseda. Që nga viti 2013, kur këto fletushka filluan të botoheshin për herë të parë, janë shtypur rreth 5 miliardë kopje. E veçanta e këtyre mjeteve është se kur mëson të përdorësh një prej fletushkave, mund t’i përdorësh të gjitha, sepse kanë të njëjtën skemë. Si mund të përdorësh një fletushkë për të hapur bisedë me dikë?

10 Mund të zgjedhësh të përdorësh fletushkën Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Tregoji personit pyetjen në faqen e parë dhe thuaji: «A ke menduar ndonjëherë se çfarë është Mbretëria e Perëndisë? A mendon se është . . . ?» Pastaj pyete se cilën nga tri përgjigjet do të zgjidhte. Pa thënë nëse zgjedhja e tij është e saktë ose jo, hape fletushkën te pjesa «Bibla thotë» dhe lexoji shkrimet që tregohen aty, Danielin 2:44 dhe Isainë 9:6. Nëse është e mundur, vazhdoje bisedën. Në fund, drejtoja vëmendjen te pyetja pezull poshtë nëntitullit «Mendo pak» që ndodhet në faqen e fundit: «Si do të jetë bota nën Mbretërinë e Perëndisë?» Kjo do të shërbejë si bazë për bisedën e ardhshme me të. Kur të takoheni përsëri, mund të përdorësh mësimin 7 të broshurës Një lajm i mirë nga Perëndia, që është një nga mjetet për të filluar studime biblike.

MJETE QË NGJALLIN INTERES

11. Cilin qëllim kanë revistat tona, por çfarë duhet të dimë për to?

11 Revistat. Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! janë revistat më të botuara dhe më të përkthyera në botë. Meqë shpërndahen në shkallë ndërkombëtare, temat kryesore zgjidhen që të jenë tërheqëse për njerëzit në çdo vend. Mund t’i përdorim këto mjete që të ngjallim interesin e dikujt për atë që ka vërtet rëndësi në jetë. Mirëpo që t’ua japim njerëzve të duhur, duhet të dimë se për cilin auditor është menduar secila revistë.

12. (a) Për cilët është menduar revista Zgjohuni!, dhe cili është qëllimi i saj? (b) Çfarë rezultatesh të bukura ke pasur kohët e fundit me këtë mjet?

12 Zgjohuni! është menduar për lexuesit që mund të kenë pak ose aspak njohuri rreth Biblës. Ndoshta nuk dinë asgjë për mësimet e krishtere, mbase janë disi mosbesues ndaj fesë ose mund të mos e dinë se Bibla ka vlerë praktike për jetën. Një nga qëllimet kryesore të revistës Zgjohuni! është t’i bindë lexuesit se Perëndia ekziston. (Rom. 1:20; Hebr. 11:6) Veç kësaj, ajo synon t’i ndihmojë të besojnë se Bibla ‘është me të vërtetë fjala e Perëndisë’. (1 Sel. 2:13)Tri temat kryesore për vitin 2018 janë: «Udha e lumturisë», «12 sekrete të familjeve të suksesshme» dhe «Ndihmë për të pikëlluarit».

13. (a) Për cilët është menduar Kulla e Rojës për publikun? (b) Çfarë rezultatesh të bukura ke pasur kohët e fundit me këtë mjet?

13 Kulla e Rojës, botimi për publikun, trajton mësime biblike për njerëz që kanë njëfarë respekti për Perëndinë dhe për Fjalën e tij. Ndonëse ata mund ta njohin disi Biblën, nuk i kuptojnë saktë mësimet e saj. (Rom. 10:2; 1 Tim. 2:3, 4) Tri temat kryesore për vitin 2018 u përgjigjen këtyre pyetjeve: «A është ende praktike Bibla?», «Si do të jetë e ardhmja?» dhe «A interesohet Perëndia për ty?»

MJETE QË MOTIVOJNË

14. (a) Për ç’qëllim shërbejnë katër videot që janë në Çantën e mjeteve mësimore? (b) Çfarë rezultatesh të bukura ke pasur kur ke përdorur këto video?

14 Videot. Në kohën e Jezuit, një zdrukthëtar përdorte vetëm vegla dore. Mirëpo sot, zdrukthëtarët kanë edhe mjete elektrike, si: sharrë, trapano, makinë smerilimi e të tjera. Përveç botimeve të shtypura, tani kemi edhe video të bukura që mund t’ua tregojmë njerëzve. Katër prej këtyre videove janë pjesë e çantës sonë: Pse ta studiosh Biblën?, Si zhvillohet një studim biblik?, Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? dhe Kush janë Dëshmitarët e Jehovait? Videot që zgjatin më pak se 2 minuta janë të efektshme në vizitën e parë. Videot më të gjata mund t’i përdorim për rivizitat dhe për ata që kanë më shumë kohë. Këto mjete të mrekullueshme, mund t’i motivojnë njerëzit të studiojnë Biblën dhe të ndjekin mbledhjet tona.

15. Ilustroni si mund të ndikojë te njerëzit kur shohin një nga videot tona në gjuhën e tyre.

15 Mendo për këtë rast: një motër takoi një grua që ishte transferuar nga Mikronezia dhe që kishte si gjuhë të nënës gjuhën japeze. Motra i tregoi videon Pse ta studiosh Biblën? në gjuhën japeze. Kur filloi videoja, gruaja tha: «Është gjuha ime. S’më besohet! Nga theksi i tij e kuptoj se është nga ishulli im. Ai flet gjuhën time!» Pastaj tha se do të lexonte e do të shikonte çdo gjë në gjuhën e saj, në sitin jw.org. (Krahaso Veprat 2:8, 11.) Mendo edhe për një rast tjetër. Një motër në Shtetet e Bashkuara i dërgoi nipit, që jeton në një vend tjetër, linkun e së njëjtës video në gjuhën e tij. Ai e pa dhe i dërgoi motrës një email: «Më bëri përshtypje sidomos ajo pjesa që tregonte se botën e kontrollon një fuqi e ligë. Kërkova një studim biblik.» Ai jeton në një shtet ku vepra jonë është e kufizuar.

MJETE PËR T’U MËSUAR NJERËZVE TË VËRTETËN

16. Shpjegoni qëllimin specifik që ka secila broshurë: (a) Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. (b) Një lajm i mirë nga Perëndia. (c) Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot?

16 Broshurat. Si mund t’i mësosh të vërtetën dikujt që ka vështirësi për të lexuar ose dikujt që nuk ka literaturë biblike në gjuhën e vet? Kemi pikërisht mjetin e duhur​—broshurën Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. Një mjet i shkëlqyer për të filluar studime biblike, është broshura Një lajm i mirë nga Perëndia. Mund t’i tregosh personit 14 temat që janë renditur në faqen e fundit dhe pyete se cila temë i intereson më shumë. Pastaj filloje studimin tek ai mësim. A e ke provuar këtë metodë me rivizitat e tua? Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot? është broshura e tretë në çantën e mjeteve. Ajo është bërë apostafat që t’i drejtojë studentët tek organizata. Për të mësuar si ta përdorësh broshurën sa herë që drejton një studim, shih Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje, mars 2017.

17. (a) Cili është qëllimi specifik i secilit libër për studim? (b) Çfarë kërkohet nga të gjithë ata që përparojnë drejt pagëzimit, dhe pse?

17 Librat. Pasi të kesh filluar një studim me një broshurë, mund të kalosh në çfarëdo momenti te libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Ky mjet do t’i zgjerojë studentit njohurinë për mësimet bazë të Biblës. Pasi të përfundoni këtë libër dhe nëse studenti po përparon në të vërtetën, vazhdojeni studimin me librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’. * Ky mjet do t’i mësojë studentit si të zbatojë në jetën e përditshme parimet e Biblës. Mos harro, edhe pasi pagëzohen, të rinjtë në të vërtetën duhet ta vazhdojnë studimin derisa t’i përfundojnë të dy këta libra. Kjo do t’i ndihmojë të kenë një themel të fortë në të vërtetën.​—Lexo Kolosianëve 2:6, 7.

18. (a) Çfarë na nxit të bëjmë 1 Timoteut 4:16 si mësues të së vërtetës, dhe me ç’rezultat? (b) Ndërsa përdorim Çantën e mjeteve mësimore, cili duhet të jetë synimi ynë?

18 Si Dëshmitarë të Jehovait, na është besuar ‘e vërteta e lajmit të mirë’ që mund t’i çojë njerëzit drejt jetës së përhershme. (Kolos. 1:5; lexo 1 Timoteut 4:16.) Që t’ia dalim mbanë, organizata na ka siguruar Çantën e mjeteve mësimore që përmban tamam atë që na duhet. (Shih « Çanta e mjeteve mësimore».) Le t’i shfrytëzojmë sa më mirë këto mjete! Çdo lajmëtar mund të vendosë vetë se cilin botim nga çanta e mjeteve t’i prezantojë një të interesuari dhe kur ta bëjë këtë. Ama, synimi ynë nuk është thjesht të shpërndajmë literaturë; e as duhet t’i lëmë literaturë dikujt që nuk shfaq interes për mesazhin tonë. Synimi ynë është të bëjmë dishepuj njerëz që janë të sinqertë, të përulur dhe të etur për të vërtetën​—njerëz që janë «të prirur për jetën e përhershme».​—Vep. 13:48; Mat. 28:19, 20.

^ par. 5 Shih artikullin «Zdrukthëtari» dhe kutinë «Kutia e veglave të zdrukthëtarit» në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2010.

^ par. 17 Nëse këta libra vihen në dispozicion në gjuhën tuaj në versionet e thjeshtuara, duhet të përdoren këto versione.