Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vëlla Radhërfordi duke mbajtur fjalim në kongresin e vitit 1919 në Sidër-Point, Ohajo

1919—Njëqind vjet më parë

1919—Njëqind vjet më parë

Në vitin 1919, Lufta e Madhe (më vonë u quajt Lufta I Botërore), e cila zgjati për më shumë se katër vjet, kishte përfunduar. Në fund të vitit 1918, kombet e ndalën luftën dhe më 18 janar 1919 filloi Konferenca e Paqes në Paris. Një nga arritjet e saj ishte Traktati i Versajës, që i dha fund zyrtarisht luftës së Fuqive Aleate me Gjermaninë. Ai u nënshkrua më 28 qershor 1919.

Në këtë traktat u vendos edhe të formohej një organizatë e re, e cila u quajt Lidhja e Kombeve. Qëllimi i saj ishte «të nxiste bashkëpunimin mes kombeve dhe të arrinte paqen dhe sigurinë botërore». Shumë fe të krishterimit e mbështetën Lidhjen e Kombeve. Këshilli Federal i Kishave të Krishtit në Amerikë e ngriti në qiell duke e quajtur «përfaqësuese politike e Mbretërisë së Perëndisë në tokë». Ky këshill e mbështeti hapur Lidhjen duke dërguar delegatë në Konferencën e Paqes në Paris. Një nga delegatët pohoi se konferenca «shënoi agimin e një epoke të re në historinë botërore».

Vërtet po agonte një epokë e re, por jo falë pjesëtarëve të konferencës së paqes. Më 1919 agoi një epokë e re në veprën e predikimit kur Jehovai fuqizoi popullin e tij të predikonte si kurrë më parë. Mirëpo në fillim, Studentëve të Biblës u duhej të bënin ndryshime drastike.

NJË VENDIM I VËSHTIRË

Xhozef Radhërford

Zgjedhjet e përvitshme të drejtuesve të Watch Tower Bible and Tract Society ishin caktuar të mbaheshin të shtunën, më 4 janar 1919. Në atë kohë, Xhozef Radhërfordi, që merrte drejtimin mes popullit të Jehovait, ishte burgosur padrejtësisht në Atlanta, Xhorxhia, SHBA, bashkë me shtatë vëllezër të tjerë. Pyetja ishte: a duhej të zgjidheshin sërish vëllezërit e burgosur në postet e tyre drejtuese? Apo duhej të zëvendësoheshin?

Ivander Kauërd

Në qelinë e burgut, vëlla Radhërfordin e hante meraku për të ardhmen e organizatës. Ai e dinte që disa vëllezër mendonin se do të ishte më mirë të zgjidhej dikush tjetër si president. Për këtë arsye u kishte shkruar një letër vëllezërve që ishin mbledhur, ku rekomandonte vëllanë Ivander Kauërd si president. Radhërfordi e përshkruante vëllanë Kauërd si «njeri të qetë, të matur dhe të përkushtuar ndaj Zotërisë». Megjithatë, shumë vëllezër preferonin një zgjidhje tjetër, pra që të shtyheshin zgjedhjet për gjashtë muaj. Ekipi ligjor që kishte mbrojtur vëllezërit e burgosur, ishte dakord me këtë. Tensioni sa vinte e shtohej teksa diskutimi vazhdonte.

Riçard Barber

Pastaj ndodhi diçka, të cilën Riçard Barberi e përshkroi më vonë si «një kovë ujë që e shoi zjarrin». Një nga vëllezërit e mbledhur u çua dhe tha: «Unë nuk jam ekspert i ligjeve, ama di diçka për ligjin e besnikërisë. Perëndia kërkon nga ne besnikëri. E nuk ka mënyrë më të mirë për të treguar besnikëri ndaj tij, sesa të bëjmë zgjedhjet dhe të zgjedhim përsëri vëlla Radhërfordin si president.»—Psal. 18:25.

Aleksandër Mekmilën

Një vëlla tjetër i burgosur, Aleksandër Mekmilën, kujtonte se të nesërmen, vëlla Radhërfordi trokiti në murin e qelisë së tij dhe i tha të nxirrte dorën jashtë. Pastaj i dha një telegram, në të cilin pa një mesazh të shkurtër. Ai e kuptoi menjëherë çfarë donte të thoshte ai mesazh, ku ishte shkruar: «RADHËRFORD UAIZ VEN BARBER ANDERSON BULI DHE SPIL DREJTUES TRE TË PARËT PËRFAQËSUES ME DASHURI TË GJITHËVE». Kjo do të thoshte se të gjithë drejtuesit ishin rizgjedhur dhe se Xhozef Radhërfordi dhe Uilliam Ven-Embërgu ishin caktuar si përfaqësues të organizatës. Kështu vëlla Radhërfordi do të vazhdonte të ishte president.

MË NË FUND TË LIRË!

Ndërsa tetë vëllezërit ishin në burg, Studentë besnikë të Biblës shpërndanë një peticion për të kërkuar lirimin e tyre. Këta vëllezër dhe motra guximtarë mblodhën më shumë se 700.000 firma. Të mërkurën, më 26 mars 1919, para se peticioni të dërgohej, vëlla Radhërfordi dhe vëllezërit e tjerë përgjegjës u liruan nga burgu.

Në një fjalim drejtuar atyre që e mirëpritën, vëlla Radhërfordi tha: «Jam i bindur se kjo situatë që kemi kaluar të gjithë, thjesht po na përgatit për kohë akoma më të vështira. . . . Ju nuk keni luftuar që të lironi vëllezërit nga burgu. Nuk ishte ky qëllimi i çështjes. . . . Qëllimi i luftës suaj ishte të jepnit dëshmi për të vërtetën, dhe ata që kanë luftuar, kanë marrë një bekim të mrekullueshëm.»

Ngjarjet që ndodhën në periudhën e gjyqit të vëllezërve tanë, mund të jenë tregues se gjërat po i drejtonte Jehovai. Më 14 maj 1919, gjykata e apelit mori këtë vendim: «Të pandehurve të kësaj çështjeje nuk iu bë . . . një gjyq i drejtë, siç u takonte, e për këtë arsye vendimi i mëparshëm rrëzohet.» Vëllezërit ishin dënuar për krime të rënda dhe dënimet do të kishin mbetur në dosjen e tyre penale nëse gjykata thjesht do t’i kishte falur ose do t’ua kishte ulur dënimin. Kundër tyre nuk u ngrit asnjë akuzë tjetër. Si rezultat gjykatësi Radhërford nuk i humbi kualifikimet e tij ligjore për të mbrojtur popullin e Jehovait para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e këtë gjë e bëri shumë herë pasi u lirua nga burgu.

TË VENDOSUR PËR TË PREDIKUAR

«Nuk do të rrinim duarkryq e pa bërë gjë duke pritur që Zotëria të na merrte në qiell,—kujtonte vëllai Mekmilën.—Kuptuam se duhej të bënim diçka për të mësuar cili ishte vërtet vullneti i Zotërisë.»

Por vëllezërit në selinë botërore nuk mund ta rifillonin punën që kishin bërë prej vitesh. Pse? Sepse gjatë kohës që ishin të burgosur, të gjitha pllakat tipografike që përdoreshin për të shtypur literaturë, ishin shkatërruar. Kjo ishte shkurajuese, dhe disa vëllezër vrisnin mendjen nëse vepra kishte përfunduar.

A kishte ende të interesuar për mesazhin e Mbretërisë që predikonin Studentët e Biblës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, vëlla Radhërfordi vendosi të mbante një fjalim, ku do të ftoheshin të gjithë. Vëllai Mekmilën kujtonte: «Nëse asnjë nuk do të vinte në atë mbledhje, do të kuptonim se vepra kishte përfunduar.»

Njoftim në gazetë për fjalimin e vëlla Radhërfordit «Shpresa për njerëzimin që vuan» në Los-Anxhelos, Kaliforni, 1919

Kështu të dielën, më 4 maj 1919, edhe pse i sëmurë rëndë, vëlla Radhërfordi mbajti fjalimin «Shpresa për njerëzimin që vuan» në Los-Anxhelos, Kaliforni. Fjalimin e ndoqën rreth 3.500 veta, dhe vëllezërit u detyruan të kthenin mbrapsht qindra të tjerë. Të nesërmen morën pjesë edhe 1.500 veta. Përgjigjja ishte e qartë—njerëzit ishin të interesuar!

Ajo që bënë vëllezërit më pas, përcaktoi mënyrën si do të kryhej vepra e Dëshmitarëve të Jehovait që nga ai moment e tutje.

GATI PËR RRITJEN E MËTEJSHME

Kulla e Rojës e 1 gushtit 1919, njoftoi se në fillim të shtatorit do të mbahej një kongres në Sidër-Point, Ohajo. «Të gjithë mendonim se duhej të shkonim se s’bën»,—kujtonte Klarens Biti, një i ri nga Misuri që ishte Student i Biblës. Atë kongres e ndoqën mbi 6.000 vëllezër dhe motra, shumë më tepër nga sa pritej. Pagëzimi i më shumë se 200 vetave në liqenin Erie aty pranë e bëri edhe më emocionues atë rast.

Kapaku i numrit të parë të revistës Epoka e artë, me datë 1 tetor 1919

Ditën e pestë të kongresit, më 5 shtator 1919, në fjalimin e tij «Drejtuar bashkëpunëtorëve», vëlla Radhërfordi lajmëroi se do të botohej një revistë e re me titull Epoka e artë. * Në të ‘do të botoheshin lajme të fundit të bujshme, duke shpjeguar nga Shkrimet pse po ndodhnin ato ngjarje të rëndësishme’.

Të gjithë Studentët e Biblës u inkurajuan të predikonin me guxim duke përdorur këtë botim të ri. Një letër që shpjegonte si duhej të organizohej vepra, thoshte: «Asnjë i kushtuar [i pagëzuar] të mos harrojë se është privilegj i madh të shërbesh. Ndaj përfito tani nga kjo mundësi dhe bëj pjesën tënde në këtë dëshmi të madhe që do t’i jepet botës!» Reagimi ishte i jashtëzakonshëm! Në dhjetor, lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë kishin më shumë se 50.000 pajtime për revistën e re.

Disa vëllezër në Bruklin, Nju-Jork, pranë një kamioni plot me revista Epoka e artë

Në fund të vitit 1919, populli i Jehovait ishte riorganizuar dhe kishte marrë forca të reja. Veç kësaj, ishin plotësuar disa profeci të rëndësishme për ditët e fundit. Koha e sprovës dhe rafinimi i popullit të Perëndisë, të parathëna te Malakia 3:1-4, kishin përfunduar. Populli i Jehovait ishte çliruar nga kthetrat e robërisë së ‘Babilonisë së Madhe’ dhe Jezui kishte emëruar «skllavin besnik dhe të mençur». * (Zbul. 18:2, 4; Mat. 24:45, nwt) Tani Studentët e Biblës ishin gati për veprën që Jehovai donte të bënin.

^ par. 22 Më 1937 Epoka e artë mori emrin Ngushëllim dhe më 1946 u quajt Zgjohuni!