Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njerëzit kanë nevojë t’i dëgjojnë paralajmërimet ndërsa «stuhia» e Perëndisë afrohet!

Gjykimet e Perëndisë—A paralajmëron gjithnjë në kohë ai?

Gjykimet e Perëndisë—A paralajmëron gjithnjë në kohë ai?

TEKSA monitoron pamjet e radarit, sinoptikani sheh se një stuhi e rrezikshme po i afrohet me të shpejtë një zone me popullsi të madhe. I merakosur për jetën e njerëzve, bën çmos t’i lajmërojë para se të jetë tepër vonë.

Po njësoj, Jehovai po i lajmëron sot banorët e tokës për një «stuhi» më të rrezikshme se çdo katastrofë që mund të parashikojnë sinoptikanët. Si po e bën këtë? Dhe pse mund të jemi të sigurt se po u jep mjaft kohë njerëzve t’ia vënë veshin? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, të shqyrtojmë në fillim disa paralajmërime të Jehovait në të kaluarën.

PARALAJMËRIME TË PERËNDISË NË TË KALUARËN

Në Bibël gjejmë raste kur Jehovai ka paralajmëruar për disa «stuhi» ose gjykime, të cilat do t’i ekzekutonte kundër atyre që me dashje nuk u bindeshin urdhrave të tij. (Prov. 10:25; Jer. 30:23) Në çdo rast, ai i lajmëroi shumë kohë përpara njerëzit që mund të prekeshin prej tyre dhe i udhëzoi të bënin ndryshime në përputhje me vullnetin e tij. (2 Mbret. 17:12-15; Neh. 9:29, 30) Që t’i nxiste të reagonin siç duhej, shpesh përdori shërbëtorët e tij besnikë në tokë për të shpallur gjykimet e tij dhe për të transmetuar ndjenjën e urgjencës.—Amo. 3:7.

Një prej këtyre shërbëtorëve besnikë ishte Noeja. Për shumë vjet, ai i paralajmëroi pa frikë njerëzit imoralë e të dhunshëm të kohës së tij për Përmbytjen globale që po vinte. (Zan. 6:9-13, 17) Gjithashtu u tregoi çfarë duhej të bënin për të mbijetuar. Ai predikoi kaq shumë, sa më vonë u quajt «predikues drejtësie».—2 Pjet. 2:5.

Pavarësisht përpjekjeve të Noesë, njerëzit e asaj bote para Përmbytjes e shpërfillën mesazhin nga Perëndia. Ata treguan mungesë të theksuar besimi. Si pasojë, e humbën jetën kur «erdhi Përmbytja e i përpiu të gjithë». (Mat. 24:39; Hebr. 11:7) Kur po u vinte fundi, nuk mund të thoshin kurrsesi se Perëndia nuk i kishte paralajmëruar.

Në raste të tjera, Jehovai i paralajmëroi njerëzit pak para se të fillonte «stuhia», pra gjykimi i tij. Megjithatë, ai sigurohej që njerëzit, të cilët mund të prekeshin prej saj, të kishin mjaft kohë për të reaguar. Të marrim si shembull paralajmërimet që dha gjatë Dhjetë Plagëve që ranë mbi Egjiptin e lashtë. Që të paralajmëronte faraonin dhe shërbëtorët e tij për plagën e shtatë, breshrin shkretues, Jehovai dërgoi Moisiun dhe Aronin. A u la mjaft kohë Perëndia të gjenin strehë dhe t’i shpëtonin stuhisë, përderisa breshri do të fillonte të nesërmen? Bibla tregon: «Shërbëtorët e faraonit që e respektonin fjalën e Jehovait, i çuan menjëherë në shtëpi shërbëtorët dhe bagëtitë e veta. Por ata që nuk ia vunë veshin fjalës së Jehovait, i lanë jashtë në arë shërbëtorët dhe bagëtitë.» (Eks. 9:18-21, nwt) Është e qartë se Jehovai la mjaft kohë. Prandaj, ata që do të vepronin shpejt, nuk do të dëmtoheshin rëndë nga ajo plagë.

Edhe pak para plagës së dhjetë, faraoni dhe shërbëtorët e tij u paralajmëruan. Megjithatë, ata u treguan të marrë dhe e hodhën poshtë paralajmërimin. (Eks. 4:22, 23) Si pasojë, panë me sytë e tyre t’u vdisnin djemtë e parëlindur. Sa tragjike! (Eks. 11:4-10; 12:29) A mund t’ia kishin vënë veshin paralajmërimit para se të ishte tepër vonë? Po! Moisiu i paralajmëroi menjëherë izraelitët për plagën e dhjetë që u kanosej dhe i udhëzoi si t’i shpëtonin familjet e tyre. (Eks. 12:21-28) Sa njerëz ia vunë veshin paralajmërimit? Mendohet se ishin rreth 3 milionë a më shumë njerëz, ku përfshiheshin izraelitët dhe «një turmë e madhe e përzier» me joizraelitë dhe egjiptianë, të cilët i mbijetuan gjykimit të Perëndisë dhe dolën nga Egjipti.—Eks. 12:38; shën., nwt.

Siç tregojnë këta shembuj, Jehovai gjithnjë u jepte mjaft kohë njerëzve që t’ua vinin veshin paralajmërimeve të tij. (Ligj. 32:4) Me cilin motiv? Apostulli Pjetër tha se Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen». (2 Pjet. 3:9) Po, Perëndia merakosej për njerëzit. Ai dëshironte që të pendoheshin dhe të vepronin sipas këshillave të tij para se të sillte gjykimin.—Isa. 48:17, 18; Rom. 2:4.

T’UA VËMË VESHIN SOT PARALAJMËRIMEVE TË PERËNDISË

Edhe sot, të gjithë njerëzit duhet t’ia vënë veshin paralajmërimit urgjent që po jepet në mbarë botën. Kur ishte në tokë, Jezui paralajmëroi se ky sistem do të shkatërrohej gjatë një ‘shtrëngimi të madh’. (Mat. 24:21) Për këtë gjykim të ardhshëm, ai dha një profeci të hollësishme, në të cilën tregoi çfarë do të shihnin e do të përjetonin dishepujt e tij ndërsa afrohej ajo kohë. Jezui foli për ngjarje të rëndësishme globale që po i shohim me sytë tanë.—Mat. 24:3-12; Luka 21:10-13.

Në përputhje me këtë profeci, sot Jehovai po nxit çdo njeri t’i nënshtrohet sovranitetit të tij të dashur. Ai dëshiron që njerëzit e bindur të shijojnë tani një jetë më të mirë dhe në të ardhmen bekimet e botës së re të drejtë. (2 Pjet. 3:13) Që njerëzit të kenë besim te premtimet e tij, Jehovai u jep një mesazh jetëshpëtues—‘lajmin e mirë për Mbretërinë’, për të cilin Jezui paratha se ‘do të predikohej në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) Perëndia i ka organizuar adhuruesit e tij të vërtetë ta japin këtë «dëshmi» ose të predikojnë këtë mesazh hyjnor në afro 240 vende. Jehovai dëshiron që sa më shumë njerëz t’ua vënë veshin paralajmërimeve dhe të shpëtojnë nga «stuhia» që po vjen, nga gjykimi i tij i drejtë.—Sof. 1:14, 15; 2:2, 3.

Pra, pyetja më e rëndësishme nuk është nëse Jehovai u jep njerëzve mjaft kohë për t’ua vënë veshin paralajmërimeve të tij. Faktet tregojnë se ai e bën këtë gjithnjë. Në vend të kësaj, pyetja kryesore është: A do t’ua vënë veshin njerëzit paralajmërimeve të Perëndisë sa ka ende kohë? Si lajmëtarë të Perëndisë, ndihmofshim pareshtur sa më shumë njerëz që t’i mbijetojnë fundit të këtij sistemi!