Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Xhozef Radhërfordi dhe vëllezër të tjerë gjatë një vizite në Evropë

1920—Njëqind vjet më parë

1920—Njëqind vjet më parë

Në fillim të 1920-s, shërbëtorët e Jehovait ishin shumë entuziastë për veprën që i priste. Ata zgjodhën si shkrim të atij viti Psalmin 118:14 (King James Version): «Zoti është forca dhe kënga ime.»

E vërtet, Jehovai u dha forcë atyre predikuesve të zellshëm. Gjatë atij viti, radhët e përhapësve, ose të pionierëve, u shtuan nga 225 në 350. Dhe për herë të parë, mbi 8.000 punëtorë kongregacioni, ose lajmëtarë, i raportuan aktivitetin e shërbimit selisë botërore. Jehovai i bekoi me rezultate të papara.

TREGOJNË ZELL TË JASHTËZAKONSHËM

Më 21 mars 1920, Xhozef Radhërfordi, që në atë kohë merrte drejtimin mes Studentëve të Biblës, do të mbante në qytetin e Nju-Jorkut fjalimin «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Studentët e Biblës nuk lanë gur pa lëvizur që të ftonin sa më shumë njerëz në atë eveniment. Morën me qira një nga teatrot më të mëdhenj të Nju-Jorkut dhe shpërndanë rreth 320.000 ftesa.

Njoftimi në gazetë për fjalimin «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë»

Numri i atyre që iu përgjigjën ftesës tejkaloi çdo parashikim. Më shumë se 5.000 veta mbushën teatrin, dhe 7.000 të tjerëve iu desh të largoheshin ngaqë s’kishte vend. Kulla e Rojës e quajti «një ndër mbledhjet më të suksesshme që kishin mbajtur ndonjëherë Studentët Ndërkombëtarë të Biblës».

Studentët e Biblës u bënë të njohur si ata që predikonin mesazhin «miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Në atë kohë, nuk e kuptonin se lajmi për Mbretërinë duhej të predikohej në shumë më tepër vende e për një kohë shumë më të gjatë. Gjithsesi, zelli i tyre ishte i jashtëzakonshëm. Ida Omsted, që filloi të ndiqte mbledhjet në vitin 1902, kujtonte: «E dinim se gjithë njerëzimin e prisnin bekime të mëdha, dhe ia tregonim këtë lajm të mirë çdokujt që takonim në shërbim.»

PRODHOJNË VETË LITERATURË

Që të siguronin ushqim besimforcues, vëllezërit në Bethel filluan ta shtypnin vetë një pjesë të literaturës. Ata blenë pajisjet për një shtypshkronjë dhe e montuan në një ndërtesë të marrë me qira në 35 Myrtle Avenue, Bruklin, Nju Jork, pak më tutje nga shtëpia Bethel.

Në janar të vitit 1920, filluan shërbimin në Bethel Leo Pele dhe Uollter Kesleri. Uollteri kujtonte: «Kur mbërritëm, mbikëqyrësi i shtypshkronjës na tha: ‘Keni një orë e gjysmë deri në orarin e drekës.’ Pastaj na kërkoi të sillnim disa kuti me libra nga kati përdhes.»

Leo kujtonte çfarë ndodhi të nesërmen: «Na u caktua detyra të lanim muret në katin e parë të ndërtesës. Nuk kisha pasur kurrë ndonjë punë që të bënte aq pis. Por ishte vepra e Zotërisë, prandaj ia vlente çdo sakrificë.»

Kaluan vetëm pak javë dhe Kulla e Rojës filloi të shtypej nga vullnetarë të palodhur. Gjashtëdhjetë mijë kopje të Kullës së Rojës të 1 shkurtit 1920 dolën nga makina e sheshtë e shtypit në katin e dytë. Ndërkohë, në katin përdhes, vëllezërit montuan një makinë shtypi që e quajtën «Luftanija». Ata filluan të shtypnin edhe revistën Epoka e artë që nga numri i 14 prillit 1920. Pa dyshim, Jehovai i bekoi përpjekjet e atyre punëtorëve të papërtuar.

«Ishte vepra e Zotërisë, prandaj ia vlente çdo sakrificë»

Makinë shtypi e sheshtë që u përdor për të shtypur Kullën e Rojës

«LE TË BANOJMË NË PAQE»

Shërbëtorët besnikë të Jehovait po predikonin përsëri me zell dhe në unitet me njëri-tjetrin. Megjithatë, disa Studentë të Biblës ishin larguar nga organizata gjatë periudhës sprovuese 1917-1919. Ç’mund të bëhej për t’i ndihmuar?

Kulla e Rojës e 1 prillit 1920, përmbante artikullin «Le të banojmë në paqe». Me ngrohtësi, aty jepej kjo nxitje: «Jemi të sigurt . . . se kushdo që ka frymën e Zotërisë . . . është i gatshëm t’i hedhë pas krahëve gjërat e kaluara, . . . të banojë me të tjerët në unitet dhe të vazhdojë të shërbejë në harmoni me ta si një trup i vetëm.»

Shumë iu përgjigjën pozitivisht kësaj nxitjeje të dashur. Një çift i martuar shkroi: «Jemi të bindur se ishte e gabuar të rrinim duarkryq një vit e ca ndërsa të tjerët merrnin pjesë në vepër. . . . Kurrë më nuk duam të largohemi nga udha e drejtë!» Këta lajmëtarë që u bënë sërish aktivë, kishin mjaft punë përpara.

SHPËRNDAJNË «ZG»-NË

Më 21 qershor 1920, Studentët e Biblës filluan një fushatë të vrullshme për të shpërndarë «ZG»-në, një botim me kapak të butë i Misterit të përfunduar. * Shumë nga këta libra ishin magazinuar në vitin 1918, kur ky botim ishte ndaluar.

Në atë fushatë u ftuan të merrnin pjesë jo vetëm përhapësit, por të gjithë punëtorët e kongregacionit. Buletini  * i qershorit 1920, thoshte: «Në çdo klasë, çdo i kushtuar [i pagëzuar] që ka mundësi, duhet të marrë pjesë me kënaqësi. Secili nga ne sot le të ketë këtë moto: ‘Për një gjë jam i vendosur’—të shpërndaj ZG-në.» Edmond Huperi kujtonte se shumë veta predikuan për herë të parë derë më derë gjatë asaj fushate. Ai tha: «Filluam të kuptonim çfarë përfshinte kjo vepër, që do të shtrihej përtej çdo imagjinate.»

RIORGANIZIMI I VEPRËS NË EVROPË

Gjatë Luftës I Botërore kishte qenë e vështirë të komunikoje me Studentët e Biblës në vende të tjera, prandaj vëlla Radhërfordi donte t’i inkurajonte ata vëllezër dhe të riorganizonte aktivitetin e predikimit. Kështu, më 12 gusht 1920, bashkë me katër vëllezër të tjerë, ai nisi një udhëtim të gjatë për në Britani, Evropën kontinentale dhe Lindjen e Mesme.

Kur Radhërfordi vizitoi Britaninë, Studentët e Biblës mbajtën tri kongrese dhe 12 mbledhje publike. Numri i të pranishmëve ishte rreth 50.000 veta. Ja si e përmblidhte Kulla e Rojës atë vizitë: «Vëllezërit u përtërinë dhe morën zemër. Ata u lidhën më fort me njëri-tjetrin falë dashurisë dhe shërbenin më në unitet, e kështu shumë zemra të trishtuara u çelën.» Në Paris, vëlla Radhërfordi mbajti përsëri fjalimin «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Kur filloi fjalimi, salla ishte plot e përplot. Në fund, treqind veta kërkuan të mësonin më tepër.

Poster për fjalimin e mbajtur në Royal Albert Hall, në Londër

Vëlla Radhërfordi në Egjipt

Në javët pasuese, vëllezërit vizituan Athinën, Kajron dhe Jerusalemin. Që të ushqehej më tej interesi në ato vende, vëlla Radhërfordi hapi një zyrë dege në qytetin e Ramallahut, afër Jerusalemit. Më vonë u kthye në Evropë dhe hapi në Zvicër Zyrën e Evropës Qendrore, e mori masa që atje të shtypej literaturë.

NXIRRET NË SHESH NJË PADREJTËSI

Në vjeshtën e 1920-s, Studentët e Biblës nxorën një botim special, Epokën e Artë nr. 27, e cila demaskonte përndjekjen e Studentëve të Biblës gjatë vitit 1918. «Luftanija», e përmendur më sipër, punoi natë e ditë që të shtypte mbi katër milionë kopje të revistës.

Fotografia që iu bë në polici Ema Martinit

Lexuesit e asaj reviste mësuan për çështjen e pazakontë që ishte ngritur kundër Ema Martinit. Motra Martini ishte përhapëse në San Bernardino, Kaliforni. Më 17 mars 1918, ajo dhe tre vëllezër të tjerë, Eduard Hami, Eduard Sonenburgu dhe Ernest Stivensi, kishin marrë pjesë në një mbledhje të vogël të Studentëve të Biblës.

Një nga të pranishmit nuk ishte atje që të mësonte për Biblën. Më vonë ai dha këtë dëshmi: «Vajta në atë mbledhje . . . me urdhër të Zyrës së prokurorit. Kisha si qëllim të siguroja ndonjë provë.» Dhe e gjeti «provën» që kërkonte—librin Misteri i përfunduar. Pak ditë më vonë, motër Martinin dhe tre vëllezërit i arrestuan me akuzën se kishin shkelur Ligjin për spiunazh ngaqë shpërndanin kopje të atij libri të ndaluar.

Ema dhe tre vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me tre vjet burg. Më 17 maj 1920, atyre nuk u kishin mbetur më mundësi për të apeluar, prandaj i futën në burg. Por s’kaloi shumë dhe gjërat ndryshuan për mirë.

Më 20 qershor 1920, në kongresin e San-Franciskos, vëlla Radhërfordi tregoi çfarë kishte ndodhur me ta. Të pranishmit u shokuan nga mënyra si ishin trajtuar ata bashkëbesimtarë dhe i dërguan një telegram presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku shkruhej: «Dënimin . . . e znj. Martini . . . sipas Ligjit të spiunazhit . . . e konsiderojmë të padrejtë. . . . Zyrtarët federalë kanë shpërdoruar autoritetin e tyre . . . për ta futur në kurth . . . znj. Martini . . . dhe për të ngritur një çështje të sajuar kundër saj që ta fusnin në burg. E dënojmë veprimin e tyre . . . si të turpshëm.»

Menjëherë të nesërmen, presidenti Udrou Uilson e anuloi dënimin për motrën Martini dhe vëllezërit Ham, Sonenburg dhe Stivens. Burgosja e tyre e padrejtë mori fund.

Nga fundi i vitit 1920, Studentët e Biblës kishin plot arsye për të gëzuar. Puna në selinë botërore sa vinte e shtohej. E si kurrë më parë, të krishterët e vërtetë po predikonin me zell se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit. (Mat. 24:14) Viti pasues, 1921-shi, do të ishte akoma më fantastik, pasi vepra e predikimit për Mbretërinë do të merrte hov të paparë.

^ par. 18 Misteri i përfunduar ishte vëllimi i shtatë i Studime mbi Shkrimet. «ZG»-ja ishte një botim me kapak të butë i këtij vëllimi, që doli si numër i veçantë i Kullës së Rojës të 1 marsit 1918. «Z»-ja nënkuptonte Zion’s Watch Tower (Kulla e Rojës e Sionit), dhe «G»-ja, që është shkronja e shtatë e alfabetit në anglisht, nënkuptonte vëllimin e shtatë.

^ par. 19 Tani Jeta dhe shërbimi ynë i krishterëFletëstudimi për mbledhje.