Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 44

A do t’i shërbejnë Perëndisë kur të rriten?

A do t’i shërbejnë Perëndisë kur të rriten?

«Jezui rritej në shtat e fitonte gjithnjë e më shumë mençuri dhe pëlqimin e Perëndisë e të njerëzve.»—LUKA 2:52.

KËNGA 134 Fëmijët—dhuratë e çmuar nga Jehovai!

PËRMBLEDHJE *

1. Cili është vendimi më i shkëlqyer që mund të marrë çdo njeri?

SHPESH, zgjedhjet që bëjnë prindërit ndikojnë për një kohë të gjatë te fëmijët. Nëse marrin vendime të gabuara, prindërit mund t’u hapin probleme fëmijëve. Ama nëse marrin vendime të mençura, u çelin rrugën fëmijëve që të kenë një jetë të pasur e të lumtur. Natyrisht që edhe fëmijët duhet të marrin vendime të mira. Vendimi më i shkëlqyer që mund të marrë çdo njeri është t’i shërbejë Atit të dashur qiellor, Jehovait.—Psal. 73:28.

2. Cilat zgjedhje të mençura bënë Jezui dhe prindërit e tij?

2 Prindërit e Jezuit ishin të vendosur t’i ndihmonin fëmijët t’i shërbenin Jehovait. E me zgjedhjet që bënë, treguan se shërbimi i Jehovait ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre. (Luka 2:40, 41, 52) Edhe Jezui bëri zgjedhje të mençura që e ndihmuan të përmbushte rolin e tij në qëllimin e Jehovait. (Mat. 4:1-10) Kur u rrit, Jezui u bë një burrë i dhembshur, besnik dhe i guximshëm—një bir që do ta bënte krenar dhe do t’ia gëzonte zemrën çdo prindi që do Jehovain.

3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë këto pyetje: Cilat zgjedhje të mençura bëri Jehovai në lidhje me Jezuin? Çfarë mund të mësojnë prindërit Dëshmitarë nga zgjedhjet që bënë prindërit e Jezuit? E çfarë mund të mësojnë fëmijët dhe të rinjtë nga zgjedhjet që bëri Jezui?

MËSO NGA JEHOVAI

4. Cila ishte një zgjedhje e rëndësishme që bëri Jehovai në lidhje me Birin e tij?

4 Jehovai zgjodhi prindër të shkëlqyer për Jezuin. (Mat. 1:18-23; Luka 1:26-38) Fjalët nga zemra të Marisë që janë ruajtur në Bibël, zbulojnë dashurinë e saj të thellë për Jehovain e për Fjalën e tij. (Luka 1:46-55) Gjithashtu, mënyra si reagoi Jozefi ndaj drejtimit të Jehovait tregon se kishte nderim të thellë për Të dhe donte ta kënaqte.—Mat. 1:24.

5-6. Cilat vështirësi lejoi Jehovai të përballonte Biri i tij?

5 Është interesante që Jehovai nuk zgjodhi prindër të pasur për Jezuin. Flijimi që paraqitën Jozefi dhe Maria pasi lindi Jezui, tregon se ishin të varfër. (Luka 2:24) Jozefi mund të ketë pasur një punishte të vogël ngjitur me shtëpinë e tij në Nazaret, ku punonte si zdrukthëtar. Ka të ngjarë që ata bënin jetë të thjeshtë, sidomos ndërsa familja shtohej dhe u bënë të paktën me shtatë fëmijë.—Mat. 13:55, 56.

6 Jehovai e mbrojti Birin e tij nga disa rreziqe, ama nuk e mbrojti nga të gjitha vështirësitë. (Mat. 2:13-15) Për shembull, disa të afërm të Jezuit nuk tregonin besim tek ai. Imagjino sa i zhgënjyer duhet të jetë ndier që pjesëtarët e familjes së vet nuk e pranuan në fillim si Mesia. (Mar. 3:21; Gjoni 7:5) Gjithashtu ka të ngjarë që, kur ishte adoleshent, Jezui të ketë provuar dhimbjen e vdekjes së të atit, Jozefit. E si djali i madh, Jezuit ndoshta iu desh të vazhdonte zanatin e të atit. (Mar. 6:3) Ndërsa rritej, Jezui mësoi të mbante mbi supe përgjegjësinë që të kujdesej për familjen. Pa dyshim, ai derdhte djersë për t’u siguruar gjërat e nevojshme. Prandaj Jezui e dinte ç’do të thoshte të ishe i rraskapitur në fund të ditës.

Prindër, përgatitini fëmijët për realitetin e jetës duke u mësuar të mbështeten te këshillat e Fjalës së Perëndisë (Shih paragrafin 7) *

7. (a) Cilat pyetje mund t’i ndihmojnë çiftet e martuara për t’i rritur mbarë fëmijët? (b) Në harmoni me Proverbat 2:1-6, çfarë duhet t’u mësojnë prindërit fëmijëve?

7 Nëse jeni çift i martuar dhe dëshironi të keni fëmijë, pyesni veten: «A jemi njerëz të përulur që e duan Jehovain dhe Fjalën e tij? A do të na zgjidhte Jehovai të kujdeseshim për një fëmijë, që është dhuratë nga ai?» (Psal. 127:3, 4) E nëse je prind, pyet veten: «A po u mësoj fëmijëve vlerën e punës së palodhur?» (Ekl. 3:12, 13) «A bëj çmos t’i mbroj fëmijët nga rreziqet fizike dhe morale që mund të hasin në botën e Satanait?» (Prov. 22:3) S’ka si t’i mbrosh fëmijët nga të gjitha vështirësitë. Kjo është e pamundur. Ama mund t’i përgatitësh me dashuri dhe hap pas hapi për realitetin e jetës duke i mësuar si të mbështeten te këshillat e Fjalës së Perëndisë. (Lexo Proverbat 2:1-6.) Për shembull, nëse një i afërm braktis Jehovain, ndihmoji fëmijët të mësojnë nga Fjala e Perëndisë pse ka rëndësi të madhe t’i qëndrojmë besnikë Atit tonë. (Psal. 31:23) Ose nëse vdekja ju rrëmben një njeri të dashur, tregoju fëmijëve si ta përdorin Fjalën e Perëndisë për të qetësuar plagën e për të gjetur paqe.—2 Kor. 1:3, 4; 2 Tim. 3:16.

MËSO NGA JOZEFI DHE MARIA

8. Sipas Ligjit të përtërirë 6:6, 7, çfarë duhej të bënin Jozefi dhe Maria?

8 Jozefi dhe Maria e ndihmuan Jezuin të fitonte miratimin e Jehovait ndërsa rritej, sepse ndoqën udhëzimet e Tij për prindërit. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:6, 7.) Prindërit e Jezuit kishin dashuri të thellë për Jehovain, dhe synimi i tyre kryesor ishte t’i ndihmonin fëmijët të zhvillonin të njëjtën dashuri.

9. Cilën zgjedhje të rëndësishme bënë Jozefi dhe Maria?

9 Një zgjedhje e rëndësishme që bënë Jozefi dhe Maria ishte ta adhuronin Jehovain rregullisht si familje. Ata i ndiqnin çdo javë mbledhjet në sinagogën e Nazaretit, si edhe shkonin vit për vit në Jerusalem për Festën e Kalimit. (Luka 2:41; 4:16) Ato udhëtime që bënin si familje për në Jerusalem, mund t’i kenë shfrytëzuar që t’u mësonin Jezuit dhe fëmijëve të tjerë historinë e popullit të Jehovait. E mbase gjatë rrugës vizitonin vende që përmendeshin në Shkrime. Ndërsa familja shtohej, Jozefi dhe Maria mund ta kenë pasur të vështirë të mbanin një program të mirë për adhurimin e Jehovait. Ama nuk u dorëzuan, dhe ia vlejti çdo përpjekje! Ngaqë vendosën në vend të parë në jetë adhurimin e Jehovait, familja e tyre qëndroi e lidhur ngushtë me Perëndinë.

10. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga Jozefi dhe Maria?

10 Çfarë mund të mësojë nga Jozefi dhe Maria çdo prind që ka nderim të thellë për Perëndinë? Para së gjithash, tregoju fëmijëve me fjalë e me vepra se ti e do me gjithë shpirt Jehovain. Dhurata më e madhe që mund t’u bësh fëmijëve është t’i ndihmosh të duan Perëndinë. Dhe një ndër mësimet më të çmuara që mund t’u japësh, është t’i stërvitësh të mbajnë një program të mirë për studimin, lutjet, mbledhjet dhe shërbimin. (1 Tim. 6:6) S’do mend që duhet t’u sigurosh fëmijëve gjërat e nevojshme materiale. (1 Tim. 5:8) Por mos harro se ata mund të shpëtojnë kur të shkatërrohet ky sistem i vjetër dhe të hyjnë në botën e re të Perëndisë vetëm falë miqësisë së ngushtë me Jehovain, jo falë gjërave materiale. *Ezek. 7:19; 1 Tim. 4:8.

11. (a) Si i ndihmon prindërit këshilla te 1 Timoteut 6:17-19 që të bëjnë zgjedhje të mençura ndërsa rritin fëmijët? (b) Cilat synime mund të vini si familje, dhe çfarë bekimesh do të keni? (Shih kutinë « Cilat synime do të ndiqni si familje?»)

11 Sa gjë e bukur është që shumë prindër po bëjnë zgjedhje të mençura për t’i ndihmuar fëmijët të lidhen ngushtë me Jehovain! Ata kanë një program të rregullt për të adhuruar Jehovain së bashku. Ndjekin mbledhjet e kongregacionit dhe kongreset. Veç kësaj, u predikojnë lajmin e mirë të tjerëve. Madje disa familje kanë mundësi të shërbejnë në territore ku predikohet rrallë. Të tjera vizitojnë Bethelin ose ndihmojnë në projekte ndërtimi teokratike. Familjet që zgjedhin të përqendrohen te këto aktivitete duhet të bëjnë sakrifica financiare dhe ka shumë gjasa të hasin disa vështirësi. Por Jehovai i bekon me bujari. (Lexo 1 Timoteut 6:17-19.) Fëmijët që janë rritur në familje të tilla, shpesh i ruajnë zakonet e mira që kanë zhvilluar dhe nuk kanë asnjë pishmanllëk nga fëmijëria e tyre! *Prov. 10:22.

Sa bukur të shohësh prindër që bëjnë zgjedhje të mençura për t’i ndihmuar fëmijët të lidhen ngushtë me Jehovain! (Shih paragrafin 11) *

MËSO NGA JEZUI

12. Çfarë duhej të bënte Jezui ndërsa rritej?

12 Ati qiellor i Jezuit bën gjithmonë zgjedhje të mençura; edhe prindërit e tij në tokë morën vendime të mira. Gjithsesi, ndërsa rritej, Jezuit i duhej të bënte zgjedhjet e veta. (Gal. 6:5) Si të gjithë ne, ai kishte dhuratën e vullnetit të lirë. Mund të kishte zgjedhur të ndiqte interesat e veta. Por në vend të kësaj, zgjodhi të mbante një marrëdhënie të fortë me Jehovain. (Gjoni 8:29) Si mund t’i ndihmojë shembulli i tij fëmijët dhe të rinjtë sot?

Të rinj, bindjuni me gatishmëri stërvitjes së prindërve (Shih paragrafin 13) *

13. Cilën zgjedhje të rëndësishme bëri Jezui kur ishte fëmijë?

13 Kur ishte i vogël, Jezui zgjodhi t’u nënshtrohej prindërve të tij. Kurrë nuk u tregua i pabindur ndaj tyre duke arsyetuar se dinte më shumë. Përkundrazi, «vazhdoi t’u nënshtrohej». (Luka 2:51) Pa dyshim, Jezui bëri çmos të përmbushte përgjegjësitë si djali i madh. Punoi pa përtuar për të mësuar një zanat nga babai, që të ndihmonte për të mbajtur familjen.

14. Nga e dimë që Jezui ishte studiues i mirë i Fjalës së Perëndisë?

14 Prindërit duhet t’i kenë treguar Jezuit për lindjen e tij me anë të një mrekullie dhe çfarë kishin thënë për të lajmëtarët e Perëndisë. (Luka 2:8-19, 25-38) Ama Jezui nuk u mjaftua me aq sa i thanë ata; ai i studioi edhe vetë Shkrimet. Nga e dimë që Jezui ishte studiues i mirë i Fjalës së Perëndisë? Sepse kur ishte vetëm 12 vjeç, mësuesit në Jerusalem u mahnitën «me aftësinë e tij për të kuptuar dhe me përgjigjet që jepte». (Luka 2:46, 47) E që në atë moshë, Jezui ishte siguruar nga studimi i Shkrimeve se Jehovai ishte Ati i tij.—Luka 2:42, 43, 49.

15. Si e tregoi Jezui se kishte zgjedhur të bënte vullnetin e Jehovait?

15 Ndërsa mësonte rreth rolit të tij në qëllimin e Perëndisë, Jezui zgjodhi të vepronte sipas vullnetit të Jehovait. (Gjoni 6:38) Ai e dinte se do të urrehej nga shumica dhe duhet ta ketë bluar mirë në mendje këtë. Prapëseprapë, zgjodhi t’i nënshtrohej Jehovait. Kur u pagëzua në vitin 29 të e.s., gjëja kryesore në jetën e Jezuit ishte të bënte atë që donte Jehovai. (Hebr. 10:5-7) Madje edhe kur po vdiste në shtyllën e torturës, Jezui nuk u lëkund aspak, por vazhdoi të bënte vullnetin e Atit të tij.—Gjoni 19:30.

16. Cili është një mësim që mund të nxjerrin fëmijët nga Jezui?

16 Bindju prindërve. Ashtu si Jozefi dhe Maria, prindërit e tu nuk janë të përsosur. Megjithatë, Jehovai i ka caktuar të të mbrojnë, të të stërvitin dhe të të drejtojnë. Nëse ua vë veshin këshillave që të japin dhe e respekton autoritetin e tyre, ‘do të kesh sukses’.—Efes. 6:1-4.

17. Sipas Josiut 24:15, cilin vendim personal duhet të marrin fëmijët?

17 Vendos kujt do t’i shërbesh. Duhet të sigurohesh nga studimi i Shkrimeve se kush është Jehovai, çfarë përfshin qëllimi i tij dhe si ta përputhësh jetën me vullnetin e tij. (Rom. 12:2) Atëherë do të jesh në gjendje të marrësh vendimin më të rëndësishëm në jetë—vendimin që t’i shërbesh Jehovait. (Lexo Josiun 24:15; Ekl. 12:1) Nëse mban një program të rregullt për leximin dhe studimin e Biblës, dashuria jote për Jehovain do të vazhdojë të thellohet dhe besimi tek ai do të bëhet më i fortë.

18. Cila është një zgjedhje që duhet të bëjnë të rinjtë, dhe çfarë bekimesh do të kenë?

18 Zgjidh të vësh në vend të parë vullnetin e Jehovait. Bota e Satanait premton se po t’i përdorësh talentet për leverdinë tënde, do të jesh i lumtur. Por në realitet, ata që përqendrohen te synimet materiale ‘shpohen tejpërtej me shumë dhembje’. (1 Tim. 6:9, 10) Nga ana tjetër, nëse i bindesh Jehovait dhe zgjedh të vësh në vend të parë vullnetin e tij, «do të veprosh me mençuri» dhe do të kesh sukses.—Jos. 1:8.

ÇFARË DO TË ZGJEDHËSH TË BËSH?

19. Çfarë nuk duhet të harrojnë prindërit?

19 Prindër, përpiquni me mish e me shpirt ta ndihmoni familjen tuaj t’i shërbejë Jehovait. Mbështetuni tek ai, dhe Jehovai do t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mençura. (Prov. 3:5, 6) Mos harroni: ajo që bëni, ndikon më thellë te fëmijët tuaj se ajo që thoni. Prandaj merrni vendime që do t’u çelin rrugën fëmijëve të fitojnë miratimin e Jehovait.

20. Cilat bekime do të shijojnë fëmijët dhe të rinjtë nëse zgjedhin t’i shërbejnë Jehovait?

20 Fëmijë, prindërit mund t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhje të mençura në jetë. Ama është në dorën tuaj nëse do ta fitoni apo jo miratimin e Perëndisë. Prandaj imitoni Jezuin dhe zgjidhni t’i shërbeni Atit tuaj të dashur. Kështu do të bëni sot një jetë të pasur, shpërblyese dhe emocionuese. (1 Tim. 4:16) E në të ardhmen, jeta juaj do të jetë më e bukur nga ç’mund ta imagjinoni!

KËNGA 133 Të adhurojmë Jehovain në rininë tonë

^ par. 5 Prindërit Dëshmitarë duan që, kur të rriten, fëmijët e tyre t’i shërbejnë Jehovait të lumtur. Çfarë zgjedhjesh mund të bëjnë për t’i ndihmuar fëmijët ta arrijnë këtë synim? Çfarë zgjedhjesh duhet të bëjnë fëmijët dhe të rinjtë për të pasur një jetë të suksesshme? Artikulli do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

^ par. 11 Shih kutinë «S’mund të kisha prindër më të mirë» te Zgjohuni! i tetorit 2011, f. 20, dhe artikullin «Një letër e veçantë prindërve të tyre» te Zgjohuni! i marsit 1999, f. 25.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Maria duhet t’i ketë rrënjosur në zemër Jezuit të vogël dashurinë e thellë për Jehovain. Edhe nënat sot mund t’u rrënjosin në zemër fëmijëve dashurinë për Jehovain.

^ par. 68 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Për Jozefin duhet të ketë qenë e rëndësishme të ndiqte mbledhjet në sinagogë bashkë me familjen. Edhe baballarët sot duhet ta shohin si diçka të rëndësishme të ndjekin mbledhjet bashkë me familjen.

^ par. 70 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui mësoi aftësi praktike nga babai i tij. Edhe të rinjtë sot mund të mësojnë aftësi të ndryshme nga baballarët.