ARTIKULLI I STUDIMIT 41
Si t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit—Pjesa 1
«Është e qartë se ju jeni një letër e Krishtit, e shkruar nga ne si shërbëtorë të Perëndisë.»—2 KOR. 3:3.
KËNGA 78 ‘Mësojuni fjalën e Perëndisë’
PËRMBLEDHJE *
1. Si del në pah te 2 Korintasve 3:1-3 se është privilegj i madh të ndihmosh dikë të përparojë drejt pagëzimit? (Shih figurën e kopertinës.)
SI NDIHESH kur sheh të pagëzohet një student i Biblës nga kongregacioni yt? Patjetër që të bëhet zemra mal. (Mat. 28:19) E nëse je ai që i ka bërë studimin dishepullit të ri, fluturon nga gëzimi ndërsa e sheh të pagëzohet! (1 Sel. 2:19, 20) Dishepujt e sapopagëzuar janë «letra rekomandimi» të shkëlqyera jo vetëm për ata që u kanë bërë studimin, por edhe për gjithë kongregacionin.—Lexo 2 Korintasve 3:1-3.
2. (a) Cilën pyetje të rëndësishme duhet të shqyrtojmë, dhe pse? (b) Çfarë është një studim i Biblës? (Shih shënimin.)
2 Sa gjë e bukur të shohësh se gjatë katër viteve të fundit, në mbarë botën janë raportuar mesatarisht rreth 10.000.000 studime të Biblës * çdo muaj. E gjatë po këtyre viteve, janë pagëzuar mesatarisht mbi 280.000 veta në vit si Dëshmitarë të Jehovait dhe dishepuj të rinj të Jezu Krishtit. Si të ndihmojmë më shumë nga këta miliona studentë të Biblës të pagëzohen? Me durim, Jehovai vazhdon t’u japë kohë dhe mundësi njerëzve që të bëhen dishepuj të Krishtit. Prandaj duam të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për t’i ndihmuar të përparojnë sa më shpejt drejt pagëzimit. Koha po pakësohet me shpejtësi!—1 Kor. 7:29a; 1 Pjet. 4:7.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Duke pasur parasysh nevojën urgjente për të bërë dishepuj, disa zyra degësh u pyetën si mund të ndihmojmë më shumë studentë të Biblës që të përparojnë drejt pagëzimit. Kështu, në këtë artikull dhe në atë vijues do të shohim ç’mund të mësojmë prej pionierëve, misionarëve dhe mbikëqyrësve qarkorë me përvojë nga vende të ndryshme. * (Prov. 11:14; 15:22) Ata shpjegojnë çfarë mund të bëjnë mësuesit e Biblës dhe studentët që studimi të jetë më i suksesshëm. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pesë gjëra që duhet të bëjë çdo student për të përparuar drejt pagëzimit.
NXITE TË STUDIOJË ÇDO JAVË
4. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për një studim që bëhet te dera e shtëpisë?
4 Shumë vëllezër e motra i drejtojnë studimet te dera e shtëpisë së studentit. Ndonëse ky është një fillim i mbarë që të ushqejmë interesin për Biblën, zakonisht këto biseda janë mjaft të shkurtra, e madje ka të ngjarë të mos bëhen çdo javë. Për të ushqyer interesin, disa i japin të interesuarit numrin e telefonit ose adresën e email-it. Kështu mund t’i tregojnë shkurtimisht diçka nga Shkrimet në ditët mes vizitave, nëse krijohet mundësia. Këto biseda që bëhen tek-tuk mund të vazhdojnë për muaj të tërë pa u kthyer në një studim të frytshëm. A do të përparojë studenti drejt kushtimit dhe pagëzimit nëse i kushton vetëm kaq kohë dhe përpjekje studimit të Fjalës së Perëndisë? S’do mend që jo.
5. Në harmoni me fjalët e Jezuit te Luka 14:27-33, për çfarë duhet t’i ndihmojmë studentët tanë?
5 Jezui e ilustroi me dy shembuj çmimin që paguhet për t’u bërë dishepull i tij. Ai foli për dikë që dëshiron të ndërtojë një kullë dhe për një mbret që dëshiron të marshojë për në betejë. Jezui tha se ndërtuesi duhet ‘të ulet më parë që të llogaritë shpenzimet’ për të kuptuar nëse ka mundësi ta përfundojë kullën. Gjithashtu tha se mbreti duhet ‘të ulet më parë me këshilltarët e vet’ për të parë nëse ushtria e tij mund t’ia dalë mbanë. (Lexo Lukën 14:27-33.) Po njësoj, Jezui e dinte se kush dëshiron të bëhet dishepull i tij, duhet ta peshojë mirë çfarë nënkupton kjo. Mund ta ndihmojmë studentin të veprojë sipas nxitjes së Jezuit duke e inkurajuar të studiojë me ne çdo javë. Si mund ta bëjmë këtë?
6. Çfarë mund të bëjmë që studentët tanë të përparojnë?
6 Si fillim, mund ta zgjatësh kohën e studimit që bëni te dera. Ndoshta mund të diskutosh ndonjë pikë më shumë nga Shkrimet çdo herë që e takon. Kur studenti të ndihet mirë me vizitat më të gjata, mund ta pyesësh nëse mund të uleni diku për ta vazhduar bisedën. Përgjigjja që jep, do të zbulojë sa i rëndësishëm është për të studimi i Biblës. Më vonë, për ta shpejtuar përparimin, mund edhe ta pyesësh studentin nëse ka dëshirë të studiojë dy herë në javë. Por, që të përparojë, kërkohet diçka më shumë se të studiojë një a dy herë në javë.
PËRGATITU ÇDO HERË PËR STUDIMIN
7. Si mund të përgatitet mirë mësuesi për çdo seancë studimi?
7 Ti si mësues, duhet të përgatitesh mirë për çdo seancë studimi. Në fillim mund të lexosh materialin dhe shkrimet. Kupto qartë pikat kryesore. Mendo për titullin, nëntitujt, pyetjet, shkrimet që thonë «lexo», figurat dhe ndonjë video që e shpjegon më tej atë argument. Pastaj, duke pasur parasysh studentin, medito si do ta shpjegosh informacionin thjesht dhe qartë, në mënyrë që ta ketë të lehtë ta kuptojë e ta zbatojë.—Neh. 8:8; Prov. 15:28a.
8. Çfarë mund të kërkojmë në lutje për studentët tanë, në harmoni me fjalët e apostullit Pavël te Kolosianëve 1:9, 10?
8 Gjatë përgatitjes, duhet edhe t’i lutesh Jehovait për studentin dhe për çka i nevojitet. Kërkoji ndihmë që ta mësosh nga Bibla në një mënyrë që i prek zemrën. (Lexo Kolosianëve 1:9, 10.) Përpiqu të parashikosh ndonjë pikë që studenti mund ta ketë të vështirë ta kuptojë a ta pranojë. Mbaj në mendje se synimi yt është ta ndihmosh të përparojë drejt pagëzimit.
9. Si mund ta ndihmojë mësuesi studentin të përgatitet? Shpjegoni.
9 Shpresojmë që, falë studimit të rregullt, studenti të ndihet mirënjohës për gjithë sa kanë bërë Jehovai dhe Jezui, e kjo t’i ngjallë dëshirën të mësojë më shumë. Mat. 5:3, 6) Që të përfitojë plotësisht nga studimi, studenti duhet ta përqendrojë vëmendjen tek ajo që mëson. Prandaj theksoji sa e rëndësishme është të përgatitet çdo herë për studimin, duke e lexuar mësimin që më parë dhe duke medituar si ta zbatojë. Si mund ta ndihmosh të përgatitet? Përgatitni një mësim së bashku. * Shpjegoji si t’i gjejë përgjigjet e pyetjeve dhe tregoji se nënvizimi i vetëm pak fjalëve a shprehjeve kyçe, do ta ndihmojë të kujtojë përgjigjen. Pastaj kërkoji të përgjigjet me fjalët e veta. Në këtë mënyrë do të dish sa ka kuptuar studenti nga materiali. Por mund ta inkurajosh të bëjë edhe diçka tjetër.
(MËSOJE TË KOMUNIKOJË ME JEHOVAIN ÇDO DITË
10. Pse është i rëndësishëm leximi i përditshëm i Biblës, dhe çfarë duhet të bëjë studenti që të përfitojë në maksimum nga leximi i saj?
10 Përveçse të studiojë çdo javë me mësuesin, studenti duhet të bëjë disa gjëra vetë çdo ditë që të përparojë. Ka nevojë të komunikojë me Jehovain duke e dëgjuar dhe duke folur me Të. Ai mund ta dëgjojë Perëndinë duke lexuar Biblën çdo ditë. (Jos. 1:8; Psal. 1:1-3) Tregoji si ta përdorë Programin për leximin e Biblës që gjendet në sitin jw.org * e që mund të shtypet. E për ta ndihmuar që të përfitojë në maksimum nga leximi i Biblës, nxite të meditojë se çfarë i mëson Bibla për Jehovain dhe si ta zbatojë në jetën e tij atë që mëson.—Vep. 17:11; Jak. 1:25.
11. Si mund të mësojë studenti të lutet siç duhet, dhe pse është e rëndësishme t’i lutet shpesh Jehovait?
11 Inkurajoje studentin të flasë me Jehovain duke u lutur përditë. Sa herë që filloni e mbaroni studimin, lutu nga zemra dhe përmende studentin në lutje. Ndërsa dëgjon lutjet e tua, ai do të mësojë si t’i zbrazë zemrën Perëndisë Jehova dhe do të kuptojë se duhet të lutet në emër të Jezu Krishtit. (Mat. 6:9; Gjoni 15:16) Imagjino sa shumë do të afrohet me Perëndinë studenti ndërsa lexon Biblën çdo ditë (dëgjon Jehovain) dhe ndërsa lutet (flet me Jehovain)! (Jak. 4:8) Nëse i bën shprehi këto, do të fitojë diçka që mund ta motivojë t’i kushtohet Perëndisë dhe të pagëzohet.
NDIHMOJE TË KULTIVOJË MIQËSINË ME JEHOVAIN
12. Si mund ta ndihmojë mësuesi studentin të kultivojë miqësinë me Jehovain?
12 Ajo që mëson gjatë studimit të Biblës, duhet të depërtojë jo vetëm në mendjen, por edhe në zemrën e studentit. Pse? Sepse zemra—që përfshin dëshirat, emocionet dhe ndjenjat—na motivon të veprojmë. Jezui përdorte arsyetime logjike që vinin në punë mendjen. Por njerëzit bëheshin dishepuj të tij ngaqë u prekte edhe zemrën. (Luka 24:15, 27, 32) Studenti ka nevojë ta shohë Jehovain si një Person real, me të cilin mund të lidhë miqësi. Ka nevojë ta shohë si Atin e tij, si Perëndinë e tij dhe si Mikun e tij. (Psal. 25:4, 5) Gjatë studimit të Biblës, drejtoja vëmendjen te cilësitë e bukura të Perëndisë. (Eks. 34:5, 6; 1 Pjet. 5:6, 7) Çfarëdo argumenti të diskutoni, thekso ç’lloj personi është Jehovai. Ndihmoje studentin të vërejë cilësitë tërheqëse të Jehovait—dashurinë, mirësinë dhe dhembshurinë e tij. Jezui tha se «urdhërimi i parë dhe më i madhi» është ky: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd.» (Mat. 22:37, 38) Përpiqu t’i rrënjosësh studentit thellë në zemër dashurinë për Perëndinë.
13. Jepni një shembull si mund ta ndihmojmë studentin të njohë cilësitë e bukura të Jehovait.
13 Kur bisedon me studentin, shpjegoji arsyet pse e do me shpirt Jehovain. Kjo mund ta ndihmojë të kuptojë se edhe ai vetë ka nevojë të zhvillojë një miqësi të ngrohtë me Perëndinë. (Psal. 73:28) Për shembull, a ka te botimi për studim ose te një shkrim ndonjë shprehje që nxjerr në pah diçka për Jehovain—për dashurinë, mençurinë, drejtësinë ose fuqinë e tij—një shprehje që të prek në zemër? Përmendja studentit dhe tregoji se kjo është një nga arsyet e shumta pse e do Atin tënd qiellor. Ka edhe diçka tjetër që duhet të bëjë çdo student i Biblës për të përparuar drejt pagëzimit.
INKURAJOJE TË NDJEKË MBLEDHJET
14. Si mund ta ndihmojnë mbledhjet studentin të përparojë, në harmoni me atë që thotë Hebrenjve 10:24, 25?
14 Të gjithë duam që studentët tanë të përparojnë drejt pagëzimit. Një mënyrë e rëndësishme si t’i ndihmojmë është duke i inkurajuar të ndjekin mbledhjet. Mësuesit me përvojë thonë se studentët që fillojnë Psal. 111:1) Disa mësues u shpjegojnë studentëve se në mbledhje do të mësojnë shumë gjëra që s’kanë për t’i mësuar gjatë studimit. Lexo Hebrenjve 10:24, 25 bashkë me studentin dhe foli për dobitë që do të ketë nëse vjen në mbledhje. Shihni bashkë videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? * Ndihmoje studentin të jetë i vendosur të mos humbë as edhe një mbledhje.
të vijnë menjëherë në mbledhje, përparojnë më shpejt. (15. Çfarë mund të bëjmë që ta inkurajojmë studentin t’i ndjekë mbledhjet rregullisht?
15 Ç’mund të bësh nëse studenti nuk ka ndjekur akoma asnjë mbledhje ose i ndjek vetëm tek-tuk? Me entuziazëm, tregoji diçka që ke mësuar në një nga mbledhjet e fundit. Kjo është më motivuese sesa thjesht ta ftosh të vijë në mbledhje. Jepi Kullën e Rojës ose Fletëstudimin për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» që po studiohet atë muaj. Tregoji çfarë do të shqyrtohet në mbledhjen vijuese dhe pyete cila pjesë i duket më interesante. Ajo që sheh e dëgjon një student në mbledhjen e parë, as që krahasohet me atë që ka parë a dëgjuar në ndonjë grumbullim tjetër fetar. (1 Kor. 14:24, 25) Në mbledhje takon vëllezër e motra që janë shembull i bukur për të e që mund ta ndihmojnë të përparojë drejt pagëzimit.
16. Ç’duhet të bëjmë për t’i ndihmuar studentët të përparojnë drejt pagëzimit, dhe ç’do të mësojmë në artikullin tjetër?
16 Si mund ta ndihmojmë një student të përparojë drejt pagëzimit? Që të kuptojë sa i rëndësishëm është studimi, duhet ta nxitim të studiojë çdo javë dhe të përgatitet çdo herë. Gjithashtu ta inkurajojmë të komunikojë me Jehovain përditë dhe të kultivojë miqësinë me të. Ta motivojmë edhe të ndjekë mbledhjet e kongregacionit. (Shih kutinë në faqen 12, « Ç’duhet të bëjë studenti që të përparojë drejt pagëzimit».) Megjithatë, siç do të shpjegohet në artikullin vijues, mësuesit e Biblës mund të bëjnë edhe pesë gjëra të tjera për t’i ndihmuar studentët të përparojnë drejt pagëzimit.
KËNGA 76 Një ndjenjë speciale
^ par. 5 Të mësosh dikë do të thotë ta ndihmosh të mendojë, të ndihet ose të sillet në një mënyrë tjetër. Shkrimi i vitit për 2020-n, Mateu 28:19, na ka kujtuar sa e rëndësishme është të studiojmë Biblën me njerëzit dhe t’i mësojmë si të bëhen dishepuj të pagëzuar të Jezu Krishtit. Në këtë artikull dhe në atë vijues do të shohim si të bëhemi më të aftë në këtë vepër jetësore.
^ par. 2 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Nëse bën rregullisht biseda të bazuara te Bibla për ta ndihmuar studentin të njohë mësimet bazë të saj, atëherë po drejton një studim të Biblës. Mund ta raportosh studimin nëse e ke drejtuar dy herë pasi i tregove studentit si zhvillohet dhe nëse ke arsye të mendosh se studimi do të vazhdojë.
^ par. 3 Këta artikuj përfshijnë edhe sugjerime nga seria «Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim», e cila doli te Shërbimi ynë i Mbretërisë nga korriku 2004 deri në maj 2005.
^ par. 9 Shih videon 4-minutëshe Të mësojmë studentët si të përgatiten. Në jw.org, shko te BIBLIOTEKË > VIDEO > MBLEDHJET DHE SHËRBIMI YNË > TË MPREHIM AFTËSITË.
^ par. 10 Shko te BIBLIOTEKË > LIBRA DHE BROSHURA.
^ par. 14 Në jw.org, shko te MËSIME NGA BIBLA > MJETE PËR STUDIMIN E BIBLËS > STUDIO NË MBLEDHJET TONA.