Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 42

Si t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit—Pjesa 2

Si t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit—Pjesa 2

«Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate.»—1 TIM. 4:16.

KËNGA 77 Dritë në një botë të errët

PËRMBLEDHJE *

1. Pse themi se vepra e bërjes së dishepujve shpëton jetë?

VEPRA e bërjes së dishepujve shpëton jetë! Pse e themi këtë? Sepse kur dha urdhrin e dokumentuar te Mateu 28:19, 20, Jezui tha: «Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i pagëzuar.» Pagëzimi është një kërkesë për shpëtimin. Ai që dëshiron të pagëzohet, duhet të ketë besim se shpëtimi është i mundur vetëm falë vdekjes flijuese dhe ringjalljes së Jezuit. Ja pse apostulli Pjetër u tha bashkëbesimtarëve: «Pagëzimi . . . tani po ju shpëton . . . nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit.» (1 Pjet. 3:21) Pra, kur pagëzohet, një dishepull i ri ka shpresën të shpëtojë e të jetojë përgjithmonë.

2. Ç’lloj mësuesish duhet të jemi sipas 2 Timoteut 4:1, 2?

2 Që të bëjmë dishepuj, duhet të bëhemi ‘mësues të mirë’. (Lexo 2 Timoteut 4:1, 2.) Pse? Sepse Jezui na urdhëroi: «Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar.» Apostulli Pavël na nxit ‘të ngulmojmë’ në këtë vepër, ‘sepse duke e bërë këtë, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë’. Prandaj, me të drejtë, Pavli thotë: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme . . . mësimdhënies sate.» (1 Tim. 4:16) Përderisa mësimdhënia lidhet me bërjen e dishepujve, duam që mësimdhënia jonë të jetë e cilësisë më të lartë.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Ne u mësojmë rregullisht miliona njerëzve të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Por siç u tha në artikullin e kaluar, duam të dimë si të ndihmojmë më shumë prej tyre që të bëhen dishepuj të pagëzuar të Jezu Krishtit. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pesë gjëra të tjera që duhet të bëjë çdo mësues për ta ndihmuar studentin të përparojë drejt pagëzimit.

LEJO TË FLASË BIBLA

Kërkoji sugjerime një mësuesi me përvojë si të bëhesh mësues më i aftë duke lejuar të flasë Bibla (Shih paragrafët 4-6) *

4. Pse duhet të tregojë vetëkontroll mësuesi kur drejton studimin? (Shih edhe shënimin.)

4 I duam shumë të vërtetat që u mësojmë të tjerëve nga Fjala e Perëndisë. E ndoshta na vjen të flasim pa pushim për atë që kemi në zemër. Por, pavarësisht nëse po drejton Studimin e Kullës së Rojës, Studimin e Biblës në Kongregacion apo një studim të Biblës me dikë, drejtuesi nuk duhet të flasë tepër. Që të lejojë të flasë Bibla, një mësues duhet të tregojë vetëkontroll. S’ka nevojë të shpjegojë gjithë sa di për ndonjë temë a varg nga Bibla. * (Gjoni 16:12) Krahaso njohurinë që kishe kur u pagëzove me njohurinë që ke tani. Ka shumë të ngjarë që atëherë dije vetëm mësimet themelore të Biblës. (Hebr. 6:1) Të janë dashur vite të tëra për t’i mësuar gjërat që di sot, prandaj mos u përpiq t’ia mësosh çdo gjë njëherësh studentit të ri.

5. (a) Në harmoni me 1 Selanikasve 2:13, çfarë duam të kuptojë studenti falë studimit? (b) Si mund ta inkurajojmë studentin të flasë për gjërat që mëson?

5 Duam që studenti ta kuptojë se ajo që po mëson, vjen nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (Lexo 1 Selanikasve 2:13.) Si mund ta bësh këtë? Inkurajoje studentin të flasë për gjërat që mëson. Në vend që t’ia shpjegosh gjithnjë ti vargjet e Biblës, kërkoji disa herë të t’i shpjegojë ai. Ndihmoje të kuptojë si lidhet me të personalisht ajo që thotë Fjala e Perëndisë. Bëj pyetje që do ta nxitin të shprehet si mendon dhe si ndihet për shkrimet që lexon. (Luka 10:25-28) Për shembull, pyete: «Si të ndihmon ky varg të dallosh një cilësi të Jehovait?» «Si mund të të sjellë dobi kjo që mësove nga Bibla?» «Si ndihesh për këtë që mësove?» (Prov. 20:5) Gjëja më e rëndësishme nuk është sa di studenti, por sa e do dhe e zbaton atë që di.

6. Pse mund të jetë e dobishme të ftosh një mësues me përvojë në një studim?

6 Kur drejton një studim, a merr ndonjëherë me vete lajmëtarë që janë mësues me përvojë? Nëse po, mund t’i pyesësh çfarë mendojnë për mënyrën si e drejton ti studimin dhe nëse po lejon të flasë Bibla duke e përdorur sa duhet. Për t’u bërë mësues më i zotë, të duhet përulësi. (Krahaso Veprat 18:24-26.) Veç kësaj, pyete lajmëtarin me përvojë nëse i duket se studenti po i kap të vërtetat që mëson. Gjithashtu mund t’i kërkosh të njëjtit lajmëtar ta drejtojë studimin në vendin tënd nëse s’do të jesh një javë a më shumë. Kështu studimi do të zhvillohet rregullisht, e kjo do t’i theksojë studentit sa rëndësi ka studimi. Kurrë mos u ndie sikur studimi është «yti» dhe nuk mund ta drejtojë askush tjetër. Tekefundit, ti do më të mirën për studentin, do që të vazhdojë ta njohë hap pas hapi të vërtetën e Biblës.

MËSO ME ENTUZIAZËM DHE BINDJE

Tregoji studentit histori reale për ta ndihmuar të kuptojë si t’i zbatojë parimet e Biblës (Shih paragrafët 7-9) *

7. Çfarë do ta ndihmojë studentin ta dojë atë që mëson?

7 Studenti duhet të shohë se je entuziast dhe i bindur për të vërtetat që po i mëson nga Bibla. (1 Sel. 1:5) Atëherë ka më shumë të ngjarë që edhe ai të jetë entuziast për atë që mëson. Nëse është e përshtatshme, tregoji si të ka ndihmuar në jetën tënde zbatimi i parimeve të Biblës. Kështu do të kuptojë se Bibla përmban këshilla praktike që mund ta ndihmojnë edhe atë.

8. Çfarë mund të bësh tjetër për ta ndihmuar studentin, dhe pse ia vlen ta bësh këtë?

8 Gjatë studimit, tregoji studentit për vëllezër e motra që kanë pasur probleme të ngjashme me të tijat dhe i kanë kapërcyer. Pse të mos marrësh me vete në studim një vëlla a motër që mund ta inkurajojë me shembullin e tij? Ose mund të gjesh te rubrika «Bibla të ndryshon jetën», në jw.org, histori që i japin zemër. * Artikuj dhe video të tilla do ta ndihmojnë studentin të kuptojë sa e mençur është t’i zbatojë parimet e Biblës në jetën e tij.

9. Si mund ta inkurajosh studentin të flasë me familjen dhe miqtë për atë që po mëson?

9 Nëse studenti është i martuar, a po studiojnë si çift? Nëse jo, ftoje burrin ose gruan e tij të marrë pjesë në studim. Inkurajoje studentin të flasë me familjen dhe miqtë për atë që po mëson. (Gjoni 1:40-45) Si? Thjesht mund ta pyesësh: «Si do t’ia shpjegoje këtë të vërtetë dikujt nga familja?» ose «Çfarë shkrimi do të përdorje për t’ia provuar këtë një shoku?» Në këtë mënyrë, do ta stërvitësh studentin që të jetë mësues. Pastaj, kur të kualifikohet, do të jetë në gjendje të predikojë me kongregacionin. Mund ta pyesësh studentin nëse njeh dikë tjetër që do t’i pëlqente të studionte Biblën. Nëse po, kontaktoje menjëherë, ofroji të studiosh Biblën me të dhe tregoji videon Si zhvillohet një studim biblik? *

INKURAJOJE STUDENTIN TË ZËRË MIQ NË KONGREGACION

Inkurajoje studentin të zërë miq në kongregacion (Shih paragrafët 10-11) *

10. Si mund ta imitojë një mësues shembullin e Pavlit të përmendur te 1 Selanikasve 2:7, 8?

10 Mësuesit duhet të interesohen me gjithë zemër për studentët e tyre. Shihe studentin si vëllanë a motrën tënde të ardhshme. (Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.) Një student nuk e ka të lehtë ta ndërpresë shoqërinë me miqtë nga bota dhe të bëjë gjithë ato ndryshime që nevojiten për t’i shërbyer Jehovait. Duhet ta ndihmosh të gjejë miq të vërtetë në kongregacion. Ji një mik për studentin tënd duke kaluar kohë me të jo vetëm gjatë studimit, por edhe në raste të tjera. Një telefonatë, një mesazh ose një vizitë e shkurtër midis seancave të studimit tregon se interesohesh sinqerisht për të.

11. Si mund ta ndihmojmë studentin të zërë miq në kongregacion, dhe pse?

11 Një proverb thotë: «Duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë.» Ne mund të themi: «Duhet një kongregacion i tërë për të bërë një dishepull.» Ja pse mësuesit e efektshëm i prezantojnë studentët e tyre me të tjerë në kongregacion që mund të ndikojnë për mirë te ta. Kështu, një student mund të shijojë shoqërinë e adhuruesve të Perëndisë. Ata mund ta ndihmojnë të lidhet më fort me Jehovain dhe mund t’i japin zemër kur kalon probleme. Duam që çdo student ta ndiejë se ka vendin e tij në kongregacion dhe se është pjesë e familjes sonë të madhe. Duam të ketë dëshirë të jetë mes kësaj familjeje të përzemërt e të dashur. Atëherë do ta ketë më të lehtë të ndërpresë shoqërinë e ngushtë me njerëz që nuk e ndihmojnë të dojë Jehovain. (Prov. 13:20) Nëse shoqëria e dikurshme i kthen shpinën, studenti do të ketë sigurinë se mund të gjejë miq të vërtetë në organizatën e Jehovait.—Mar. 10:29, 30; 1 Pjet. 4:4.

THEKSO SYNIMIN E KUSHTIMIT DHE TË PAGËZIMIT

Hap pas hapi, një student i sinqertë mund ta arrijë synimin e pagëzimit! (Shih paragrafët 12-13)

12. Pse duhet të flasim me studentin për kushtimin dhe pagëzimin?

12 Fol shpesh për rëndësinë e kushtimit dhe të pagëzimit. Fundja, arsyeja pse studiojmë me dikë, është ta ndihmojmë të bëhet një dishepull i pagëzuar. Pak muaj pasi nis të studiojë Biblën rregullisht, e sidomos pasi fillon të ndjekë mbledhjet, studenti duhet të kuptojë cili është qëllimi i studimit—ta ndihmojmë t’i shërbejë Jehovait si Dëshmitar i tij.

13. Cilët hapa bën studenti ndërsa përparon drejt pagëzimit?

13 Një student i sinqertë mund ta arrijë synimin e pagëzimit! Ja hapat që bën për të arritur synimin: së pari, njeh Jehovain, zhvillon dashuri për të dhe tregon besim tek Ai. (Gjoni 3:16; 17:3) Pastaj lidh miqësi me Jehovain dhe me vëllezërit e motrat në kongregacion. (Hebr. 10:24, 25; Jak. 4:8) Me kohë, pendohet për gjërat e gabuara që ka bërë dhe i flak tej zakonet dhe veprimet e këqija. (Vep. 3:19) Ndërkaq besimi e shtyn të flasë me të tjerët për të vërtetën. (2 Kor. 4:13) Më pas ia kushton jetën Jehovait dhe pagëzohet në simbol të kushtimit të tij. (1 Pjet. 3:21; 4:2) Çfarë dite e gëzuar është ajo për të gjithë! Në çdo hap që hedh studenti drejt synimit, mos ia kurse lavdërimet nga zemra dhe inkurajoje të përparojë më tej në rrugën e duhur.

VLERËSO HERË PAS HERE PËRPARIMIN E STUDENTIT

14. Si mund ta vlerësojë mësuesi përparimin e studentit?

14 Na duhet durim ndërsa e ndihmojmë studentin të përparojë drejt kushtimit dhe pagëzimit. Ama, në njëfarë pike, duhet të kuptojmë nëse ka dëshirë t’i shërbejë Perëndisë Jehova. A vëren shenja se studenti po përpiqet t’u bindet urdhrave të Jezuit? Apo thjesht ka qejf të mësojë ca gjëra interesante nga Bibla?

15. Cilat shenja përparimi duhet të shohë mësuesi te studenti?

15 Analizo rregullisht përparimin e studentit. Për shembull: A e shpreh si ndihet për Jehovain? A i lutet Jehovait? (Psal. 116:1, 2) A e shijon leximin e Biblës? (Psal. 119:97) A i ndjek rregullisht mbledhjet? (Psal. 22:22) A ka bërë ndonjë ndryshim në harmoni me atë që po mëson? (Psal. 119:112) A ka nisur të flasë me familjarët a miqtë për të vërtetën? (Psal. 9:1) Ç’është më e rëndësishmja, a dëshiron të bëhet Dëshmitar i Jehovait? (Psal. 40:8) Nëse nuk po bën përparim në ndonjë nga këto pika, përpiqu të kuptosh me lezet e maturi arsyen pse; pastaj diskutoje këtë me studentin me dashamirësi, por hapur. *

16. Si mund ta kuptosh nëse një studim duhet ndërprerë?

16 Herë pas here, shqyrto nëse duhet ta vazhdosh apo jo një studim. Pyet veten: «A përgatitet studenti? A ka dëshirë të ndjekë mbledhjet? A i ka hequr zakonet e këqija? A ka shkëputur çdo lidhje me fenë e rreme?» Nëse përgjigjja është «jo», të vazhdosh të studiosh me të është sikur t’i japësh mësime noti dikujt që nuk dëshiron të futet në ujë. Nëse studenti nuk e çmon atë që po mëson dhe nuk dëshiron të bëjë ndryshime, atëherë pse të vazhdosh të studiosh me të?!

17. Sipas 1 Timoteut 4:16, çfarë duhet të bëjnë të gjithë mësuesit e Biblës?

17 Për ne ka shumë rëndësi të përmbushim përgjegjësinë që të bëjmë dishepuj, e duam t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit. Ja pse lejojmë të flasë Bibla dhe mësojmë me entuziazëm e me bindje. E inkurajojmë studentin të zërë miq në kongregacion. Gjithashtu theksojmë synimin e kushtimit e të pagëzimit dhe vlerësojmë herë pas here përparimin e tij. (Shih kutinë në faqen 13, « Ç’duhet të bëjë mësuesi që studenti të përparojë drejt pagëzimit».) Na gëzon zemra që mund të marrim pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese! Qofshim të vendosur të bëjmë gjithë sa kemi në dorë që t’i ndihmojmë studentët tanë të përparojnë drejt pagëzimit!

KËNGA 79 Ndihmoji të jenë të pathyeshëm

^ par. 5 Kur drejtojmë studime, kemi privilegjin t’i ndihmojmë njerëzit të mendojnë, të ndihen e të sillen në një mënyrë që e kënaq Jehovain. Ky artikull do të shpjegojë më tej si të bëhemi mësues më të aftë.

^ par. 4 Shih artikullin «Shmang këto gracka kur drejton një studim biblik» te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» i shtatorit 2016.

^ par. 8 Shko te PËR NE > HISTORI PERSONALE.

^ par. 9 Në jw.org, shko te MËSIME NGA BIBLA > MJETE PËR STUDIMIN E BIBLËS.

^ par. 77 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pas studimit, motra me përvojë ndihmon motrën që drejtoi studimin të kuptojë çfarë duhet të bëjë që të mos flasë tepër.

^ par. 79 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë studimit, studentja mëson si të jetë bashkëshorte më e mirë. Më vonë, ajo i tregon të shoqit çfarë ka mësuar.

^ par. 81 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në shtëpinë e një mikeje që ka zënë në Sallën e Mbretërisë, studentja dhe i shoqi kënaqen në shoqërinë e të tjerëve.