Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë kuptimi ka urdhri që gjendet te Levitiku 19:16 «mos u ngri që t’i marrësh jetën» dikujt, dhe çfarë mësimi përmban për ne?

▪ Jehovai i nxiti izraelitët të ishin një popull i shenjtë. Një gjë që do t’i ndihmonte, ishte zbatimi i këtij urdhri: «Mos shko vërdallë që të shpifësh nëpër popull. Mos u ngri që t’i marrësh jetën tjetrit. Unë jam Jehovai!»—Lev. 19:2, 16.

Shprehja «mos u ngri» është një përkthim i mirë i një idiome hebraike. Por çfarë kuptimi ka? Një vepër referimi judaike për librin e Levitikut thotë: «Kjo pjesë e vargut . . . nuk është e lehtë të interpretohet, sepse ka disa vështirësi për të përcaktuar kuptimin e idiomës hebraike, që fjalë për fjalë do të thotë ‘mos rri duarkryq, mos rri pranë’.»

Disa studiues e lidhin këtë shprehje me vargun pararendës, që thotë: «Mos bëni padrejtësi kur gjykoni. Mos mbani anën e të varfrit, as mos e mbani me hatër pasanikun. Duhet ta gjykosh tjetrin me drejtësi.» (Lev. 19:15) Nëse lidhet me këtë, atëherë urdhri i vargut 16 «mos u ngri» kundër dikujt mund të kishte kuptimin që shërbëtorët e Perëndisë nuk duhej të dëmtonin askënd në procese gjyqësore, në biznes ose në çështje familjare dhe nuk duhej t’i shtrembëronin gjërat për leverdinë e vet. Është e vërtetë se nuk duhet t’i bëjmë këto gjëra, por ekziston një shpjegim më i logjikshëm për këtë shprehje në vargun 16.

Mendo pak për atë që thuhet në fillim të vargut. Perëndia i urdhëron shërbëtorët e tij të mos shkojnë vërdallë që të shpifin. Mbaj parasysh se shpifjet nuk janë thjesht thashetheme për të tjerët, ndonëse edhe thashethemet mund të hapin probleme. (Prov. 10:19; Ekl. 10:12-14; 1 Tim. 5:11-15; Jak. 3:6) Dikush që shpif, zakonisht thotë me qëllim gënjeshtra për t’i dëmtuar reputacionin një tjetri. Shpifësi mund të japë dëshmi të rreme, edhe nëse kjo vë në rrezik jetën e dikujt. Kujto rastin e Nabotit kur dy burra shpifën duke dhënë dëshmi të rreme kundër tij, e për pasojë Nabotin e vranë padrejtësisht me gurë. (1 Mbret. 21:8-13) Pra, një shpifës mund të ngrihej që t’i merrte jetën tjetrit, siç thotë pjesa e dytë e Levitikut 19:16.

Veç kësaj, shpifjet dashakeqe mund të motivohen nga urrejtja. Te 1 Gjonit 3:15 lexojmë: «Ai që urren vëllanë e vet, është vrasës, dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet shpresa e jetës së përhershme.» Vlen të përmendet se, pasi tha «mos u ngri që t’i marrësh jetën tjetrit», Perëndia shtoi: «Mos e urre në zemër vëllanë tënd.»—Lev. 19:17.

Pra, shprehja e pazakontë që gjendet te Levitiku 19:16 është një paralajmërim i fortë për shërbëtorët e Perëndisë. Duhet t’i rezistojmë prirjes që të mendojmë keq për dikë dhe nuk duhet të shpifim asnjëherë. Me pak fjalë, nëse ‘ngrihemi’ kundër dikujt, pra nëse shpifim kundër tij ngaqë e kemi zët ose zili, kjo mund të tregojë ose mund të ngjallë urrejtje. Shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të urrejnë asnjë njeri.—Mat. 12:36, 37.