ARTIKULLI I STUDIMIT 33
Jehovai i mban sytë mbi shërbëtorët e tij
«Jehovai i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht.»—PSAL. 33:18.
KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»
PËRMBLEDHJE *
1. Pse Jezui iu lut Jehovait që t’i mbronte dishepujt e tij?
MBRËMJEN para se të vdiste, Jezui i bëri një lutje të veçantë Atit të tij qiellor. I kërkoi Jehovait që t’i mbronte dishepujt e tij. (Gjoni 17:15, 20) Pa diskutim, Jehovai i ka mbajtur gjithmonë sytë mbi shërbëtorët e vet—është kujdesur për ta dhe i ka mbrojtur. Gjithsesi, Jezui e dinte se dishepujt do të përballeshin me përndjekje të ashpër nga Satanai. Dinte edhe se kishin nevojë për ndihmën e Jehovait që t’u rezistonin sulmeve të egra të Djallit.
2. Sipas Psalmit 33:18-20, pse nuk kemi asnjë arsye të frikësohemi nga vështirësitë?
2 Sistemi i Satanait ushtron tej mase presion mbi adhuruesit e Perëndisë sot. Ne kalojmë vështirësi që na shkurajojnë, e madje që mund të na vënë në provë besnikërinë ndaj Jehovait. Por, siç do ta shohim në këtë artikull, s’ka asnjë arsye pse të kemi frikë. Jehovai po i mban sytë mbi ne—ai i vëren sfidat që hasim dhe është gjithmonë gati të na vijë në ndihmë për t’i përballuar. Le të shohim dy shembuj nga Bibla që tregojnë se si Jehovai «i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht».—Lexo Psalmin 33:18-20.
KUR NDIHEMI VETËM
3. Në cilat situata mund të ndihemi vetëm?
3 Ndonëse kemi një familje të madhe me vëllezër e motra, me raste mund të ndihemi vetëm. Për shembull, të rinjve mund t’u duket sikur janë vetëm kur duhet t’u shpjegojnë bindjet shokëve të shkollës ose mund të ndihen fillikat kur transferohen në një kongregacion të ri. Disa prej nesh mund të jenë të trishtuar ose të dëshpëruar dhe mund të mendojnë se s’kanë një krah ku të mbështeten për t’i luftuar këto ndjenja. Ndoshta ngurrojmë të flasim për ndjenjat tona nga meraku se të tjerët s’do të na kuptojnë. E mbase ndonjëherë na duket se askujt nuk i bëhet vonë për ne. Kur ndihesh vetëm—për çfarëdo arsye—mund të të zërë ankthi dhe të ndihesh i pafuqishëm. Por, Jehovai nuk dëshiron kurrë që t’i provojmë këto ndjenja. Pse e themi këtë?
4. Pse profeti Elija tha «kam mbetur vetëm unë»?
4 Le të shqyrtojmë shembullin e një shërbëtori besnik të Jehovait që quhej Elija. Jezebela ishte betuar t’i merrte jetën, ndaj ai kishte mbi 40 ditë që ia mbathte për të shpëtuar kokën. (1 Mbret. 19:1-9) Më në fund, kur ishte vetëm në një shpellë, i tha Jehovait këto fjalë: «Kam mbetur vetëm unë [profet].» (1 Mbret. 19:10) Por në vend kishte edhe profetë të tjerë; Abdia kishte arritur të shpëtonte 100 profetë nga dora gjakatare e Jezebelës. (1 Mbret. 18:7, 13) Atëherë, pse ndihej vetëm Elija? Mos mendonte se profetët që kishte shpëtuar Abdia kishin vdekur të gjithë? Apo ndoshta ndihej vetëm ngaqë asnjë nuk filloi t’i shërbente Jehovait, ndonëse Jehovai e tregoi qartë në malin Karmel se ishte Perëndia i vërtetë? Mos vallë mendonte se asnjë s’e kuptonte në çfarë rreziku gjendej, ose ndoshta dyshonte se askush s’donte t’ia dinte për të? Bibla nuk shpjegon plotësisht çfarë mendonte Elija. Ama jemi të sigurt se Jehovai e kuptonte pse Elija ndihej vetëm dhe e dinte fare mirë si t’i vinte në ndihmë.
5. Si e siguroi Jehovai Elijan se nuk ishte vetëm?
5 Jehovai e ndihmoi Elijan në disa mënyra. Në fillim e nxiti t’i fliste hapur. Ai e pyeti dy herë: «Çfarë po bën këtu, Elija?» (1 Mbret. 19:9, 13) Në të dyja rastet, Jehovai e dëgjoi me vëmendje ndërsa i zbrazte zemrën. Pastaj, Jehovai i tregoi se ishte me të dhe se kishte një fuqi të jashtëzakonshme. Gjithashtu e siguroi Elijan se kishte edhe shumë të tjerë që e adhuronin Atë. (1 Mbret. 19:11, 12, 18) Natyrisht, Elija u ndie i lehtësuar kur i hapi zemrën Jehovait dhe kur mori përgjigjen e Tij. Më pas, Jehovai i dha Elijas disa caktime të rëndësishme. I kërkoi të miroste Hazaelin si mbret të Sirisë, Jehun si mbret të Izraelit dhe Eliseun si profet. (1 Mbret. 19:15, 16) Nëpërmjet këtyre caktimeve, Jehovai e ndihmoi Elijan të përqendrohej te gjërat pozitive. Veç kësaj, Perëndia i dha edhe një mik të ngushtë, Eliseun. Po ti, si mund ta kërkosh ndihmën e Jehovait kur ndihesh vetëm?
6. Për çfarë mund të lutesh kur ndihesh vetëm? (Psalmi 62:8)
6 Jehovai të fton t’i lutesh. Ai e sheh çfarë po kalon dhe të siguron se do të të dëgjojë kurdo që t’i lutesh. (1 Sel. 5:17) Lutjet e adhuruesve të tij i kënaqin shpirtin. (Prov. 15:8) Për çfarë mund të lutesh kur ndihesh vetëm? Ashtu si Elija, zbrazja zemrën Jehovait. (Lexo Psalmin 62:8.) Foli për shqetësimet e tua dhe për ndjenjat që të shkaktojnë. Kërkoji Jehovait ndihmë që të dalësh fitimtar mbi ndjenjat negative. Për shembull, nëse ndihesh vetëm dhe ke frikë të japësh dëshmi në shkollë, lutju Jehovait të të japë guxim që të shprehesh pa druajtje. Madje, mund t’i kërkosh mençuri që t’i shpjegosh me takt bindjet e tua. (Luka 21:14, 15) Nëse po lufton me ndjenja negative, lutju Jehovait që të arrish të flasësh për to me një vëlla ose motër të pjekur. Mund t’i kërkosh Jehovait ta ndihmojë personin me të cilin do të hapesh, që të të kuptojë. Zbrazja zemrën Jehovait, dallo përgjigjet e lutjeve dhe prano ndihmën e të tjerëve. Kështu ndjenjat e vetmisë do të të veniten.
7. Çfarë mësojmë nga shembulli i Mauricios?
7 Jehovai na ka dhënë të gjithëve punë të kënaqshme. Mos ki pikë dyshimi se ai e vëren dhe e çmon gjithçka bën për të përmbushur caktimet e tua në kongregacion dhe në veprën e predikimit. (Psal. 110:3) Si të ndihmon ta luftosh vetminë pjesëmarrja me gjithë shpirt në shërbimin e Jehovait? Të shohim shembullin e një vëllai të ri që quhet Mauricio. * Pak pasi Mauricio u pagëzua, një nga shokët e tij të ngushtë filloi gradualisht të largohej nga Jehovai. Mauricio thotë: «Ndërsa e shihja ta merrte rryma e kësaj bote, nisa të humbja besimin te vetja. Vrisja mendjen nëse do ta mbaja dot betimin e kushtimit e nëse do të vazhdoja të isha pjesë e familjes së Jehovait. Ndihesha vetëm dhe mendoja se askush s’do të më kuptonte.» Çfarë e ndihmoi Mauricion? «Zgjerova shërbimin,—thotë ai.—Kjo më ndihmoi të mos përqendrohesha te vetja dhe te mendimet e mia negative. Kur dilja në shërbim me vëllezërit e motrat, isha i lumtur dhe nuk ndihesha më aq i vetmuar.» Në fakt, edhe nëse nuk dalim dot fizikisht me njëri-tjetrin në shërbim, inkurajohemi jashtë mase kur marrim pjesë me ta në forma të tjera shërbimi, si dëshmia me letra ose me telefon. Çfarë e ndihmoi tjetër Mauricion? Ai shton: «Veç kësaj, isha aktiv në kongregacion. Përpiqesha me gjithë zemër për të përgatitur dhe për të prezantuar caktimet si student. Falë këtyre caktimeve ndihesha i vlerësuar nga Jehovai dhe nga të tjerët.»
KUR NDIHEMI TË SHKURAJUAR NGA SPROVAT E RËNDA
8. Si mund të ndikojnë te ne sprovat e rënda?
8 Në këto ditë të fundit presim sprova të rënda. (2 Tim. 3:1) Megjithatë, lloji i sprovave dhe momenti kur vijnë, mund të na zërë në befasi. Papritur mund të kemi probleme ekonomike, të diagnostikohemi me një sëmundje të rëndë a të humbasim një njeri të dashur. Në kohë të tilla mund të përjetojmë ankth e të ndihemi përtokë, sidomos nëse sprovat na bien njëra pas tjetrës ose të gjitha njëherësh. Mirëpo, mos harro se Jehovai po i mban sytë mbi ne dhe me ndihmën e tij mund t’i bëjmë ballë çdo sprove plot besim.
9. Përshkruani disa nga sprovat që hasi Jobi.
9 Të shohim shembullin e Jobit, një shërbëtor besnik i Jehovait. Atij i ranë disa sprova të vështira brenda një kohe të shkurtër. Në një ditë të vetme, Jobi mori vesh për disa ngjarje tronditëse: humbi gjithë bagëtinë, i vranë shërbëtorët, e ç’është më e keqja, fëmijët e tij të shtrenjtë humbën jetën. (Jobi 1:13-19) Ndërsa akoma s’e kishte marrë veten nga pikëllimi i thellë, Jobit i ra një sëmundje e dhimbshme që e shpërfytyroi. (Jobi 2:7) Situata e tij ishte aq e rëndë sa Jobi shfreu: «Më është neveritur jeta! S’dua të jetoj më!»—Jobi 7:16.
10. Si i siguroi Jehovai Jobit çfarë i nevojitej për të përballuar sprovat e tij? (Shih figurën e kopertinës.)
10 Jehovai po i mbante sytë mbi Jobin. Ngaqë e donte shumë, i dha Jobit çfarë i nevojitej që të përballonte me sukses sprovat. Jehovai foli me Jobin, duke i kujtuar mençurinë e pafund që ka dhe merakun e dashur që tregon për krijesat e tij. Ai i foli për shumë kafshë të mahnitshme. (Jobi 38:1, 2; 39:9, 13, 19, 27; 40:15; 41:1, 2) Gjithashtu përdori Elihun, një të ri besnik, që ta forconte e ta ngushëllonte. Ai e siguroi se Jehovai i shpërblen gjithmonë adhuruesit e vet për qëndrueshmërinë e tyre. Jehovai e nxiti Elihun edhe që t’i jepte disa këshilla të dashura Jobit. Elihu e ndihmoi Jobin të mos përqendrohej tepër te vetja, duke i kujtuar sa të vegjël janë njerëzit në krahasim me Jehovain, Krijuesin e universit. (Jobi 37:14) Veç kësaj, Jehovai i dha një caktim Jobit: të lutej për tre shokët e tij që kishin mëkatuar. (Jobi 42:8-10) Po sot, si na mbështet Jehovai kur na bien sprova të rënda?
11. Si na ngushëllon Bibla kur jemi nën sprova?
11 Jehovai nuk flet me ne ashtu siç bëri me Jobin, por na flet nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. (Rom. 15:4) Na jep zemër duke na premtuar një të ardhme plot shpresë. Të shohim disa mendime nga Bibla që na ngushëllojnë kur hasim probleme. Në Fjalën e tij, Jehovai na siguron se asgjë—domethënë as sprovat e rënda—‘nuk do të na ndajë dot nga dashuria e tij’. (Rom. 8:38, 39) Na siguron edhe se «u rri pranë tërë atyre që e thërrasin» në lutje. (Psal. 145:18) Jehovai na thotë se po të mbështetemi tek ai, mund t’i bëjmë ballë çdo vështirësie, e madje të provojmë njëfarë lumturie edhe kur vuajmë. (1 Kor. 10:13; Jak. 1:2, 12) Veç kësaj, Fjala e Perëndisë na kujton se sprovat janë të përkohshme e kalimtare në krahasim me bekimet e përhershme që na ka rezervuar Perëndia. (2 Kor. 4:16-18) Ai na jep shpresën e sigurt se do të eliminojë shkakun e të gjitha sprovave tona—Satana Djallin dhe ata që ndjekin udhën e tij të ligë. (Psal. 37:10) A ke mësuar përmendsh shkrime zemërdhënëse që do të të ndihmojnë të tregosh qëndrueshmëri nën sprova?
12. Çfarë pret Jehovai të bëjmë që të nxjerrim plotësisht dobi nga Fjala e tij?
12 Jehovai pret që të programojmë kohë për të studiuar rregullisht Biblën dhe për të menduar thellë rreth asaj që lexojmë. Kur i zbatojmë gjërat që mësojmë, na forcohet besimi dhe afrohemi më tepër me Atin tonë qiellor. Si rezultat, bëhemi më të fortë për të përballuar sprovat. Veç kësaj, Jehovai u jep frymë të shenjtë atyre që mbështeten te Fjala e tij. Fryma mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të qëndruar të palëkundur në çdo sprovë.—2 Kor. 4:7-10.
13. Si na ndihmon ushqimi besimforcues që siguron «skllavi besnik dhe i mençur» t’u bëjmë ballë sprovave?
13 Me mbështetjen e Jehovait, «skllavi besnik dhe i mençur» na siguron me bollëk artikuj, video dhe muzikë që na ndihmojnë të forcojmë besimin dhe të qëndrojmë vigjilentë. (Mat. 24:45) Duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë çdo gjë që na jep Jehovai në kohën e duhur. Kohët e fundit, një motër nga Shtetet e Bashkuara shprehu vlerësimin e saj për ushqimin besimforcues. Ajo tha: «Gjatë 40 viteve në shërbim të Jehovait, më është sprovuar sa e sa herë integriteti.» Ajo hasi sprova të rënda—gjyshi humbi jetën në një aksident për shkak të një shoferi të dehur, prindërit u diagnostikuan me një sëmundje që u mori jetën, kurse ajo vetë ka luftuar dy herë me kancerin. Çfarë e ndihmoi t’u bënte ballë sprovave? Ajo shpjegoi: «Jehovai është kujdesur gjithmonë për mua. Ushqimi nga Shkrimet që ka siguruar nëpërmjet skllavit besnik dhe të mençur më ka ndihmuar të qëndroj e palëkundur. Falë kësaj, ndihem si Jobi që tha: ‘Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!’»—Jobi 27:5.
14. Si i përdor Jehovai bashkëbesimtarët që të na ndihmojnë kur kalojmë vështirësi? (1 Selanikasve 4:9)
14 Jehovai i ka stërvitur shërbëtorët e tij që të tregojnë dashuri dhe të ngushëllojnë njëri-tjetrin në kohë të vështira. (2 Kor. 1:; lexo 3, 41 Selanikasve 4:9.) Ashtu si Elihu, motrat e vëllezërit tanë mezi presin të na ndihmojnë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait kur hasim probleme. (Vep. 14:22) Për shembull, të shohim si vëllezërit e motrat në kongregacion e inkurajuan Dianën dhe e ndihmuan të mbante një marrëdhënie të fortë me Jehovain kur bashkëshorti i saj pati një problem të rëndë shëndetësor. Ajo thotë: «Nuk ishte fare e lehtë. Por gjatë atyre muajve të vështirë, ndiheshim sikur Jehovai po na mbante në krahët e tij të fuqishëm e të ngrohtë. Kongregacioni mori iniciativën që të na mbështeste. Vizitat, telefonatat dhe përqafimet e vëllezërve e motrave na ndihmuan të ecnim para. Meqë nuk e ngas makinën, ata siguroheshin të më çonin në mbledhjet e kongregacionit dhe të më shoqëronin në shërbim sa herë që mundesha.» Çfarë bekimi të jesh pjesë e një familjeje kaq të dashur!
MIRËNJOHËS PËR MERAKUN E DASHUR TË JEHOVAIT
15. Pse jemi të bindur se mund t’ia dalim mbanë përballë vështirësive?
15 Të gjithë do të hasim sprova. Mirëpo, siç e kemi parë, nuk do të jemi kurrë vetëm përballë tyre. Si një atë i dashur, Jehovai i mban gjithmonë sytë mbi ne. Ai është përkrah nesh, gati të na i dëgjojë përgjërimet për ndihmë dhe mezi pret të na mbështetë. (Isa. 43:2) Jemi krejtësisht të bindur se mund t’ia dalim mbanë përballë vështirësive sepse ai na ka siguruar me bujari çdo gjë që na nevojitet për të treguar qëndrueshmëri. Na ka dhënë dhuratën e lutjes, Biblën, ushqim besimforcues me bollëk dhe një familje të dashur me vëllezër e motra që të na ndihmojë në ditë të vështira.
16. Si mund të vazhdojmë të kemi ndihmën e dashur të Jehovait?
16 Sa mirënjohës jemi për Atin tonë qiellor, i cili i mban sytë mbi ne! «Zemra jonë gëzon falë tij.» (Psal. 33:21) Tregojmë se e çmojmë merakun e dashur të Jehovait duke i shfrytëzuar sa më mirë masat që ka marrë për të na ndihmuar. Gjithashtu duhet të veprojmë në atë mënyrë që të kemi ndihmën e Perëndisë. Me fjalë të tjera, nëse vazhdojmë të bëjmë çmos t’i bindemi Jehovait dhe të bëjmë atë që është e drejtë, ai do t’i mbajë sytë përgjithmonë mbi ne!—1 Pjet. 3:12.
KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im