ARTIKULLI I STUDIMIT 3
Çfarë mund të mësojmë nga lotët e Jezuit
«Jezui nuk i mbajti dot lotët.»—GJONI 11:35.
KËNGA 17 «Po, dua!»
PËRMBLEDHJE *
1-3. Për ç’arsye mund të derdhin lot të hidhur shërbëtorët e Jehovait?
A TË kujtohet hera e fundit që ke qarë? Ndonjëherë derdhim lot gëzimi. Por më shpesh qajmë nga hidhërimi i zemrës. Për shembull, mund të qajmë kur na rrëmben vdekja një njeri të dashur. Lorela, një motër në Shtetet e Bashkuara, shkroi: «Ka pasur momente kur dhimbja për humbjen e vajzës ishte aq therëse, sa nuk më ngushëllonte dot asgjë. Në ato momente, çuditesha si mbante akoma zemra ime që ishte bërë copë e çikë nga dhimbja.» *
2 Mund të derdhim lot edhe për arsye të tjera. Hiromi, një pioniere në Japoni, tha: «Herë pas here më lëshon zemra kur shoh në shërbim indiferentizmin e njerëzve. Ka raste që i lutem Jehovait me lot në sy të më ndihmojë të gjej dikë që po kërkon të vërtetën.»
3 A je ndier ndonjëherë si këto motra? Shumë prej nesh kanë provuar ndjenja të tilla. (1 Pjet. 5:9) Ne duam ‘t’i shërbejmë Jehovait me gëzim’, por ndoshta po i shërbejmë me lot për shkak të hidhërimit, të shkurajimit ose të një situate stresuese që na e bën të vështirë t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë. (Psal. 6:6; 100:2) Çfarë mund të na ndihmojë kur na mbërthejnë ndjenja të tilla?
4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
4 Mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit. Në disa raste, edhe ai provoi ndjenja aq të forta, sa «nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:35; Luka 19:41; 22:44; Hebr. 5:7) Le të ndalemi te këto ngjarje dhe të shohim se çfarë mësimesh mund të nxjerrim. Do të shqyrtojmë edhe mënyra praktike si t’i përballojmë problemet që na bëjnë të derdhim lot.
DERDHI LOT PËR MIQTË
5. Çfarë mësojmë për Jezuin nga ngjarja e dokumentuar te Gjoni 11:32-36?
5 Në dimrin e vitit 32 të e.s., Lazari, miku i shtrenjtë i Jezuit, u sëmur dhe vdiq. (Gjoni 11:3, 14) Ai kishte dy motra, Marinë dhe Martën, dhe Jezui e donte shumë atë familje. Motrat ishin helm e vrer nga vdekja e vëllait të tyre të dashur. Pasi Lazari vdiq, Jezui shkoi në Betani, në fshatin ku jetonin Maria dhe Marta. Kur mori vesh se po vinte Jezui, Marta nxitoi ta takonte. Imagjino si po e mbyste pikëllimi kur tha: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» (Gjoni 11:21) Pak më pas, kur pa Marinë dhe të tjerët duke qarë, Jezui «nuk i mbajti dot lotët».—Lexo Gjonin 11:32-36.
6. Pse qau Jezui në atë rast?
6 Pse qau Jezui në atë rast? Botimi Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet thotë: «Vdekja e mikut të tij, Lazarit, dhe hidhërimi i motrave të Lazarit bënë që Jezui ‘të rënkonte e të mos i mbante dot lotët’.» * Jezui mund të ketë menduar për dhimbjet që kishte hequr nga sëmundja miku i tij i dashur, Lazari, dhe mund të ketë imagjinuar si ishte ndier pasi kuptoi se jetës së tij po i vinte fundi. Jezui derdhi lot edhe ngaqë pa sa të brengosura ishin Maria dhe Marta nga vdekja e të vëllait. Nëse vdekja të ka rrëmbyer një mik të afërt ose një pjesëtar të familjes, pa dyshim që ke provuar ndjenja të ngjashme. Le të ndalemi te tri gjëra që mund të mësojmë nga kjo ngjarje.
7. Çfarë mësojmë për Jehovain nga lotët që derdhi Jezui për miqtë e tij?
7 Jehovai e kupton si ndihesh. Jezui është «paraqitja e saktë» e Atit. (Hebr. 1:3) Kur qau, ai pasqyroi ndjenjat e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Nëse po vuan nga vdekja e një njeriu të dashur, të jesh i sigurt se Jehovai jo vetëm e sheh hidhërimin tënd, por edhe i pikon në shpirt për ty. Ai dëshiron të ta shërojë zemrën e thyer.—Psal. 34:18; 147:3.
8. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui do t’i ringjallë njerëzit tanë të dashur?
8 Jezui ka dëshirë t’i ringjallë njerëzit e tu të dashur. Pak para se të qante, Jezui e siguroi Martën: «Vëllai yt do të ringjallet.» Marta kishte besim te këto fjalë të Jezuit. (Gjoni 11:23-27) Si adhuruese besnike e Jehovait, ajo pa dyshim e dinte se shekuj më parë, profetët Elija dhe Elise kishin bërë ringjallje. (1 Mbret. 17:17-24; 2 Mbret. 4:32-37) Gjithashtu duhej të kishte dëgjuar për ringjalljet që kishte bërë Jezui. (Luka 7:11-15; 8:41, 42, 49-56) Edhe ti mund të jesh i sigurt se do t’i shohësh sërish njerëzit e tu të dashur që kanë vdekur. Lotët që derdhi Jezui ndërsa ngushëllonte miqtë e tij të hidhëruar, tregojnë se ia do zemra t’i ringjallë ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes!
9. Ashtu si Jezui, si mund t’i mbështetësh të pikëlluarit? Jep një shembull.
9 Ti mund t’i mbështetësh të pikëlluarit. Jezui jo vetëm qau bashkë me Martën e Marinë, por edhe i dëgjoi e u tha fjalë zemërdhënëse. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë për të pikëlluarit. Dani, një plak që jeton në Australi, thotë: «Pasi më vdiq gruaja, kisha nevojë për mbështetje. Disa çifte u treguan të gatshme të më mbështetnin në çdo moment duke më dëgjuar. Më linin ta shprehja hidhërimin dhe nuk ndiheshin në siklet nga lotët e mi. Veç kësaj, më ofronin ndihmë praktike, si për shembull të më lanin makinën, të bënin pazarin dhe të gatuanin për mua kur nuk isha në gjendje t’i bëja vetë ato punë. Po ashtu, luteshin shpesh me mua. Treguan se ishin miq të vërtetë dhe vëllezër ‘në ditë të vështira’.»—Prov. 17:17.
DERDHI LOT PËR NJERËZIT
10. Përshkruani atë që ndodhi në Jerusalem sipas Lukës 19:36-40.
10 Më 9 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui shkoi në Jerusalem. Ndërsa i afrohej qytetit, u mblodh një turmë njerëzish që shtronin para tij në rrugë mantelet, si shenjë se e pranonin si Mbretin e tyre. Pa dyshim që ajo ishte një ngjarje e hareshme. (Lexo Lukën 19:36-40.) Prandaj dishepujt e tij mund t’i ketë befasuar ajo që ndodhi më pas. ‘Kur u afrua, [Jezui] pa qytetin dhe qau për të.’ Me lot në sy, Jezui paratha çfarë fundi i hidhur i priste banorët e Jerusalemit.—Luka 19:41-44.
11. Pse qau Jezui për banorët e Jerusalemit?
11 Jezuit i sëmbonte në zemër se e dinte që, pavarësisht nga ajo pritje e përzemërt, shumica e bashkëkombësve të tij e kishin treguar se nuk do ta pranonin mesazhin për Mbretërinë. Si pasojë, Jerusalemi do të shkatërrohej, dhe çdo jude që do t’i mbijetonte shkatërrimit të qytetit do të përfundonte rob. (Luka 21:20-24) Mjerisht, tamam siç e parashikoi Jezui, shumica e hodhën poshtë. Po aty ku jeton ti, si reagojnë njerëzit në përgjithësi kur dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë? Nëse vetëm pak veta u përgjigjen përpjekjeve të tua për t’u mësuar të vërtetën, çfarë mund të mësosh nga lotët e Jezuit? Të shohim tri mësime të tjera.
12. Çfarë mund të mësojmë për Jehovain nga lotët që derdhi Jezui për njerëzit?
12 Jehovai ka merak të thellë për njerëzit. Lotët e Jezuit na kujtojnë sa i thellë është meraku i Jehovait për njerëzit. Ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen». (2 Pjet. 3:9) Ne e tregojmë dashurinë për të tjerët kur nuk i reshtim përpjekjet dhe sakrificat për t’u prekur zemrën me lajmin e mirë.—Mat. 22:39. *
13-14. Si tregonte dhembshuri për njerëzit Jezui, dhe si mund ta kultivojmë edhe ne këtë cilësi?
13 Jezui nuk kursehej në shërbim. Ai tregoi se i donte njerëzit duke i mësuar sa herë që krijohej mundësia. (Luka 19:47, 48) Çfarë e motivonte ta bënte këtë? Jezui ndiente dhembshuri për ta. Në disa raste, kishte aq shumë veta që donin t’i dëgjonin fjalët e Jezuit, sa ai dhe dishepujt nuk arrinin «as të hanin bukë». (Mar. 3:20) Madje Jezui ishte i gatshëm t’i mësonte njerëzit edhe natën—siç ndodhi në një rast kur dikush e pati për mbarë të fliste me të në një orar të vonë. (Gjoni 3:1, 2) Shumica e atyre që e dëgjuan Jezuin, nuk u bënë dishepuj të tij. Ama të gjithëve iu dha dëshmi e plotë. Sot ne duam t’i japim çdo njeriu mundësinë ta dëgjojë lajmin e mirë. (Vep. 10:42) Për ta arritur këtë, mund të jetë e nevojshme të ndryshojmë mënyrën si predikojmë.
14 Ji i gatshëm të bësh ndryshimet e nevojshme. Po të predikojmë përherë në të njëjtat orare, mund të mos arrijmë t’ua japim lajmin e mirë atyre që janë të etur për të. Një pioniere që quhet Matilda, thotë: «Burri im dhe unë përpiqemi të japim dëshmi në orare të ndryshme. Herët në mëngjes, predikojmë në territor tregtar. Në mesditë, kur shumë veta janë jashtë për aktivitete të ndryshme, përdorim stendat e literaturës. E më vonë gjatë ditës, gjejmë më shumë njerëz në shtëpi.» Në vend që të fiksohemi pas një programi që e kemi për mbarë, duhet të jemi të gatshëm të predikojmë në orare të ndryshme, në mënyrë që të flasim me më shumë njerëz. Nëse e bëjmë këtë, mund të jemi të sigurt se Jehovait do t’i kënaqet zemra.
DERDHI LOT PËR SHFAJËSIMIN E EMRIT TË ATIT
15. Çfarë ndodhi natën e fundit të jetës së Jezuit sipas Lukës 22:39-44?
15 Ishte 14 nisan i vitit 33 të e.s. Në mbrëmje vonë, Jezui shkoi në kopshtin e Getsemanisë, ku i zbrazi zemrën Jehovait. (Lexo Lukën 22:39-44.) Gjatë atyre orëve sfilitëse, iu përgjërua Perëndisë «me klithma të forta dhe lot». (Hebr. 5:7) Për çfarë u lut Jezui atë natë të fundit para se të vdiste? U lut për forcë që t’i qëndronte besnik Jehovait dhe të bënte vullnetin e Tij. Ndërsa Biri i lutej, Jehovai e kuptoi ankthin që ndiente dhe dërgoi një engjëll për t’i dhënë forcë.
16. Pse e pushtoi ankthi Jezuin ndërsa lutej në kopshtin e Getsemanisë?
16 Jezui qau ndërsa lutej në kopshtin e Getsemanisë se po e mbyste ankthi edhe vetëm nga mendimi që do ta shihnin si blasfemues. Po ashtu e dinte çfarë përgjegjësie kolosale mbante mbi supe—të qëndronte besnik dhe të shfajësonte emrin e Atit të tij. Nëse po kalon ndonjë situatë të rëndë që të sprovon besnikërinë ndaj Jehovait, çfarë mund të mësosh nga lotët e Jezuit? Të ndalemi te tri mësime të tjera.
17. Çfarë mësojmë për Jehovain nga fakti që iu përgjigj lutjeve të zjarrta të Jezuit?
17 Jehovai i dëgjon përgjërimet e tua. Jehovai i dëgjoi lutjet e zjarrta të Jezuit. Pse? Sepse meraku kryesor i Jezuit ishte t’i qëndronte besnik Atit dhe të shfajësonte emrin e Tij. Nëse meraku ynë kryesor është t’i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe të shfajësojmë emrin e tij, ai do t’u përgjigjet lutjeve tona për ndihmë.—Psal. 145:18, 19.
18. Pse mund të themi se Jezui është një mik që na mirëkupton?
18 Jezui e kupton mirë si ndihesh. Kur na e mbyt shpirtin ankthi, lehtësohemi nëse kemi një mik që na mirëkupton, sidomos po të ketë kaluar sprova të ngjashme me tonat. Jezui është një mik i tillë. Ai e di ç’do të thotë të ndihesh i pafuqishëm dhe të kesh nevojë për ndihmë. I kupton dobësitë tona dhe do të sigurohet që të marrim ndihmën e nevojshme «në kohën e duhur». (Hebr. 4:15, 16) Ashtu siç e pranoi Jezui ndihmën e një engjëlli në kopshtin e Getsemanisë, edhe ne duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë ndihmën që na jep Jehovai, sido që të vijë ajo—nga një botim, një video, një fjalim a nga vizita inkurajuese e një plaku ose bashkëbesimtari të pjekur.
19. Si mund të marrësh forcë në një situatë të dhimbshme që të sprovon besimin? Jep një shembull.
19 Jehovai do të të japë ‘paqen e Perëndisë’. Si do të na japë forcë Jehovai? Kur t’i lutemi, do të marrim ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’. (Filip. 4:6, 7) Paqja e Jehovait na qetëson zemrën dhe na ndihmon të mendojmë kthjellët. Të shohim si e ka provuar këtë një motër që quhet Luz. Ajo thotë: «Më mundojnë shpesh ndjenjat e vetmisë. Nga kjo, ndonjëherë mendoj se Jehovai nuk më do. Por në ato momente ia hap menjëherë zemrën Jehovait dhe i tregoj si ndihem. Lutjet më ndihmojnë t’i kem prapë nën kontroll ndjenjat e mia.» Siç e tregon shembulli i saj, lutjet na ndihmojnë të rifitojmë paqen.
20. Çfarë kemi mësuar nga lotët që derdhi Jezui?
20 Sa mësime praktike e zemërdhënëse nxjerrim nga lotët që derdhi Jezui! Lotët e tij na kujtojnë sa e rëndësishme është t’i mbështetim miqtë tanë të pikëlluar e të kemi besim se Jehovai dhe Jezui do të na ngushëllojnë kur vdekja të na rrëmbejë një njeri të dashur. Veç kësaj, na motivojnë të predikojmë e të mësojmë me dhembshuri, sepse vetë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti e shfaqin këtë cilësi të bukur. Gjithashtu, na e ngroh zemrën siguria se Jehovai dhe Biri i tij i dashur i kuptojnë ndjenjat dhe dobësitë tona e duan të na ndihmojnë të qëndrojmë. Mos i harrofshim këto mësime zemërdhënëse deri ditën kur Jehovai të plotësojë premtimin e mrekullueshëm se «do të fshijë çdo lot nga sytë» tanë!—Zbul. 21:4.
KËNGA 120 Të jemi të butë si Krishti
^ Kishte raste që Jezui provoi ndjenja aq të forta, sa nuk i mbajti dot lotët. Në këtë artikull, do të shohim tri raste kur Jezui derdhi lot dhe mësimet që mund të nxjerrim.
^ Disa emra janë ndryshuar.
^ Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, f. 69, anglisht.
^ Fjala greke e përkthyer «i afërm» te Mateu 22:39 nuk nënkupton vetëm dikë nga familja ose farefisi. Ajo mund të nënkuptojë çdo njeri që takojmë në jetën e përditshme.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Nga dëshira për t’ua lehtësuar plagën, Jezui i ngushëlloi Marinë e Martën. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë për ata që u ka vdekur një njeri i dashur.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Jezui u tregua i gatshëm ta mësonte Nikodemin natën. Ne duhet ta studiojmë Biblën me njerëzit atëherë kur është më e përshtatshme për ta.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Jezui u lut për forcë që t’i qëndronte besnik Jehovait. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne në sprova.