Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 1

«Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë»

«Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë»

SHKRIMI I VITIT 2022: «Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.»—PSAL. 34:10.

KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»

PËRMBLEDHJE *

Edhe në kohë hallesh, Davidi ndiente se ‘nuk i mungonte asgjë e mirë’ (Shih paragrafët 1-3) *

1. Në çfarë situate të vështirë gjendej Davidi?

 DAVIDI po jetonte në arrati se e kishte kokën në rrezik. Sauli, mbreti i fuqishëm i Izraelit, ishte i vendosur ta vriste. Ngaqë i nevojiteshin ushqime, Davidi ndaloi në qytetin e Nobit, ku kërkoi vetëm pesë bukë. (1 Sam. 21:1, 3) Më vonë, bashkë me luftëtarët dhe familjen e tij, u strehua në një shpellë. (1 Sam. 22:1) Po si përfundoi në atë situatë Davidi?

2. Si e vuri veten Sauli në një pozicion të rrezikshëm? (1 Samuelit 23:16, 17)

2 Saulin e hante përbrenda xhelozia kur mendonte për famën dhe fitoret e Davidit në luftë. Gjithashtu e dinte se Jehovai e kishte hedhur poshtë si mbret të Izraelit për shkak të mosbindjes së vet dhe se kishte zgjedhur Davidin si mbret të ardhshëm. (Lexo 1 Samuelit 23:16, 17.) Megjithatë, si mbret i Izraelit, Sauli kishte një ushtri të madhe dhe shumë përkrahës, prandaj Davidit iu desh t’ia mbathte për të shpëtuar kokën. A mendonte vërtet Sauli se mund ta pengonte Perëndinë të realizonte qëllimin që kishte për Davidin?! (Isa. 55:11) Bibla nuk na e tregon këtë, ama për një gjë mund të jemi të sigurt: Sauli po e vinte veten në një pozicion të rrezikshëm. Ata që luftojnë kundër Perëndisë, humbasin gjithmonë!

3. Si ndihej Davidi, me gjithë hallet që i kishin rënë?

3 Davidi nuk ishte njeri ambicioz. Ai nuk zgjodhi të bëhej mbret i Izraelit. Atë rol ia caktoi Jehovai. (1 Sam. 16:1, 12, 13) Ndonëse Sauli filloi ta shihte si armik të betuar, Davidi nuk ia hodhi fajin Jehovait për situatën e rrezikshme ku ndodhej. As u ankua se kishte pak ushqim dhe po strehohej në një shpellë. Përkundrazi, tamam kur fshihej në atë shpellë, mund ta ketë kompozuar këngën e bukur të lëvdimit, që përmban edhe fjalët e shkrimit kryesor të artikullit: «Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.»—Psal. 34:10.

4. Cilat pyetje do të shqyrtojmë, dhe pse është e rëndësishme kjo?

4 Në ditët tona, sidomos gjatë pandemisë së kohëve të fundit, shumë shërbëtorëve të Jehovait u ka ndodhur të mos kenë mjaft ushqim ose gjëra të tjera të nevojshme. * E përderisa ‘shtrëngimi i madh’ është te dera, mund të presim kohë akoma më të vështira. (Mat. 24:21) Duke mbajtur në mendje këto, le të shqyrtojmë përgjigjet e katër pyetjeve: Në ç’kuptim ‘nuk i mungonte asgjë e mirë’ Davidit? Pse duhet të mësojmë të jemi të kënaqur me atë që kemi? Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do të kujdeset për ne? Dhe si mund të përgatitemi tani për të ardhmen?

«S’DO TË MË MUNGOJË ASGJË»

5-6. Si na ndihmon Psalmi 23:1-6 të kuptojmë ku e kishte fjalën Davidi kur tha se shërbëtorëve të Perëndisë ‘s’do t’u mungonte asgjë e mirë’?

5 Ku e kishte fjalën Davidi kur tha se shërbëtorëve të Jehovait ‘s’do t’u mungonte asgjë e mirë’? Mund ta kuptojmë duke shqyrtuar shprehjet e ngjashme që përdori te Psalmi 23. (Lexo Psalmin 23:1-6.) Ai e hap këtë psalm me fjalët: «Jehovai është Bariu im, ndaj s’do të më mungojë asgjë.» Në pjesën tjetër të psalmit, Davidi përmend gjëra që nuk u humb kurrë vlera—bekimet e bollshme që shijon ngaqë e ka pranuar Jehovain si Bariun e tij. Jehovai i prin «nëpër shtigjet e drejtësisë» dhe e mbështet me besnikëri në kohë të mira e të këqija. Davidi e pranon se jeta në ‘livadhet plot bar’ të Jehovait nuk do t’i shkojë vaj. Ndonjëherë mund të shkurajohet, mund të ndihet sikur po ecën «nëpër luginën e territ», e do të ketë edhe armiq. Megjithatë ‘nuk do të ketë frikë nga asnjë e keqe’, sepse Bariu i tij është Jehovai.

6 Ja, pra, edhe përgjigjja e pyetjes: në ç’kuptim ‘nuk i mungonte asgjë e mirë’ Davidit? Atij nuk i mungonte asgjë e nevojshme për të gëzuar miqësinë dhe miratimin e Jehovait. Lumturia e tij nuk varej nga gjërat materiale. Davidi ishte i kënaqur me ato që i siguronte Jehovai. Gjëja më e rëndësishme për të ishin bekimet dhe mbrojtja që i jepte Perëndia i tij.

7. Sipas Lukës 21:20-24, në çfarë situate të vështirë u gjendën të krishterët e Judesë në shekullin e parë?

7 Nga fjalët e Davidit mund të kuptojmë sa e rëndësishme është të kemi pikëpamjen e duhur për gjërat materiale. Natyrisht, mund t’i gëzojmë gjërat materiale që kemi, por nuk duhet ta përqendrojmë jetën tek ato. Të krishterët e shekullit të parë në Jude e kuptuan se kjo është një e vërtetë jetësore. (Lexo Lukën 21:20-24.) Jezui i kishte paralajmëruar se do të vinte koha kur qyteti i Jerusalemit ‘të rrethohej nga ushtritë që do të ngrinin kampin përreth’. Kur ta shihnin këtë, duhej ‘të fillonin të ikin me të shpejtë në male’. Ajo ikje do t’u shpëtonte jetën, por edhe do t’u kushtonte shtrenjtë. Ja çfarë thoshte për këtë Kulla e Rojës vite më parë: «Ata lanë prapa fusha e shtëpi, madje duke mos marrë me vete as sendet e tyre nga shtëpia. Të sigurt për mbrojtjen dhe mbështetjen e Jehovait, ata e vunë adhurimin e tij mbi gjithçka tjetër që mund të dukej e rëndësishme.»

8. Çfarë mësimi jetësor mund të nxjerrim nga ajo që u ndodhi të krishterëve në Jude?

8 Ajo që u ndodhi të krishterëve në Jude përmban një mësim jetësor që na bën të reflektojmë. Kulla e Rojës që cituam më sipër, thoshte: «Para nesh mund të gjenden sprova që na tregojnë se si i konsiderojmë gjërat materiale, nëse janë gjëja më e rëndësishme për ne apo është më i rëndësishëm shpëtimi që do të vijë për të gjithë ata që janë nga ana e Perëndisë. Në fakt, ikja jonë mund të përfshijë disa vështirësi dhe privime. Do të na duhet të jemi gati për të bërë çfarëdo që kërkohet, ashtu siç bënë ekuivalentët tanë të shekullit të parë, të cilët ikën nga Judea.» *

9. Çfarë të inkurajon të bësh këshilla që u dha apostulli Pavël hebrenjve?

9 E përfytyron dot sa të vështirë e kanë pasur ata të krishterë të linin thuajse çdo gjë që zotëronin dhe ta nisnin gjithçka nga e para? U duhej të mbështeteshin te Jehovai, plot besim se ai do të kujdesej të kishin gjërat e nevojshme. Por kishte diçka që mund t’i ndihmonte. Pesë vjet para se romakët të rrethonin Jerusalemin, apostulli Pavël u dha hebrenjve një këshillë të vyer: «Jetesa juaj të jetë pa lakmi për pará! Jini të kënaqur me atë që keni, sepse ai ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ Kështu mund të themi plot guxim: ‘Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!’» (Hebr. 13:5, 6) Pa dyshim, ata që ia vunë veshin këshillës së Pavlit para sulmit romak, e patën më të lehtë të përshtateshin me jetën e thjeshtë që iu desh të bënin atje ku u transferuan. Ata ishin të sigurt se Jehovai do të kujdesej të kishin gjërat e nevojshme. Fjalët e Pavlit na sigurojnë se mund të kemi besim të plotë që Jehovai do të kujdeset edhe për ne.

«TË KËNAQEMI ME KAQ»

10. Cili është ‘sekreti’ që na ka zbuluar Pavli?

10 Pavli i dha Timoteut një këshillë të ngjashme, e cila na drejtohet edhe neve. Ai shkroi: «Nëse kemi ç’të hamë e ç’të veshim, të kënaqemi me kaq.» (1 Tim. 6:8) A do të thotë kjo se nuk mund të shijojmë një vakt të mirë, të kemi një shtëpi të bukur ose të blejmë herë pas here rroba të reja? Pavli nuk po thoshte këtë. Po thoshte se duhet të jemi të kënaqur me ato gjëra materiale që kemi. (Filip. 4:12) Ky ishte ‘sekreti’ i Pavlit. Thesari më i madh që kemi, nuk janë gjërat që zotërojmë, por miqësia me Perëndinë tonë.—Hab. 3:17, 18.

Izraelitëve ‘nuk u mungoi asgjë’ gjatë 40 viteve në shkretëtirë. Po ne, a mund të mësojmë të jemi të kënaqur me ato që kemi? (Shih paragrafin 11) *

11. Çfarë mësimi nxjerrim nga fjalët që u tha Moisiu izraelitëve?

11 Mendimi i Jehovait për atë që na nevojitet vërtet mund të ndryshojë nga mendimi ynë. Të ndalemi pak tek ajo që u tha Moisiu izraelitëve pasi kishin kaluar 40 vjet në shkretëtirë: «Jehovai, Perëndia juaj, ju ka bekuar në çdo gjë që keni bërë. Ai e di mirë se ecët mes për mes kësaj shkretëtire të madhe. Gjatë këtyre 40 viteve, Jehovai, Perëndia juaj, ka qenë me ju, dhe nuk ju ka munguar asgjë.» (Ligj. 2:7) Gjatë atyre 40 viteve, Jehovai u kishte siguruar manën si ushqim. E rrobat—po ato rroba që kishin veshur kur dolën nga Egjipti—nuk iu vjetruan. (Ligj. 8:3, 4) Ndonëse disa izraelitëve këto mund t’u dukeshin gjëra elementare, Moisiu u kujtoi se kishin gjithçka që u nevojitej. Jehovait i gëzon zemra kur mësojmë të jemi të kënaqur—pra i çmojmë edhe gjërat e thjeshta që na siguron, i shohim si dhurata prej tij dhe e falënderojmë për to.

JI I SIGURT SE JEHOVAI DO TË KUJDESET PËR TY

12. Ç’gjë tregon se Davidi mbështetej te Jehovai, jo te vetja?

12 Davidi e dinte se Jehovai është besnik dhe ka merak e përzemërsi të thellë për ata që e duan. Ndonëse e kishte jetën në rrezik kur kompozoi Psalmin 34, Davidi pa me sytë e besimit se ‘engjëlli i Jehovait kishte fushuar rreth tij’. (Psal. 34:7, shën.) Ndoshta Davidi po e krahasonte engjëllin e Jehovait me një ushtar që fushon dhe rri syçelë për të diktuar çdo armik. Edhe pse ishte luftëtar i guximshëm dhe Jehovai i kishte premtuar se do të bëhej mbret, Davidi nuk besonte se do t’i mundte armiqtë falë aftësisë së vet për të gjuajtur gurin me hobé ose për të vringëlluar shpatën. (1 Sam. 16:13; 24:12) Përkundrazi, mbështetej me besim te Perëndia, i sigurt se engjëlli i Jehovait ‘i shpëton ata që e nderojnë thellësisht Atë’. Natyrisht, sot nuk presim që Jehovai të na mbrojë me ndonjë mrekulli. Ama jemi të sigurt se kush mbështetet me besim tek Ai, nuk do të pësojë asnjë dëm të përhershëm.

Gjatë shtrëngimit të madh, ushtria e Gogut të Magogut mund të orvatet të na sulmojë në shtëpitë tona. Por mund të marrim zemër nga siguria se Jezui dhe engjëjt e tij e dinë ç’po ndodh dhe kanë për të na mbrojtur (Shih paragrafin 13)

13. Pse do të dukemi pre e lehtë kur të sulmojë Gogu i Magogut, por pse nuk do të kemi arsye të frikësohemi? (Shih figurën e kopertinës.)

13 Në të ardhmen e afërt, do të vihet në provë besimi ynë tek aftësia e Jehovait për të na mbrojtur. Kur Gogu i Magogut, një koalicion kombesh, të sulmojë popullin e Perëndisë, do të duket se jeta jonë është në rrezik. Do të na duhet besim i patundur se Jehovai është i aftë të na shpëtojë dhe se do ta bëjë këtë. Kombeve do t’u dukemi si dele që s’ka kush i mbron. (Ezek. 38:10-12) Ne do të jemi të paarmatosur, të pastërvitur për luftë, ndaj kombet do të na shohin si një shënjestër e lehtë. Nuk do të arrijnë ta shohin atë që shohim ne me sytë e besimit—një ushtri engjëjsh që do të ketë fushuar rreth e përqark shërbëtorëve të Perëndisë, gati për t’i mbrojtur. E si mund ta shohin kur u mungon besimi?! Çfarë «surprize» i pret kur ushtria qiellore të hidhet në sulm për të na mbrojtur!—Zbul. 19:11, 14, 15.

PËRGATITU TANI PËR TË ARDHMEN

14. Cilët hapa mund të bëjmë tani që të përgatitemi për të ardhmen?

14 Çfarë mund të bëjmë tani që të përgatitemi për të ardhmen? Së pari, duhet të kemi pikëpamjen e duhur për gjërat materiale, duke mos harruar se një ditë do të na duhet t’i lëmë pas. Gjithashtu duhet të jemi të kënaqur me ato që kemi dhe ta bëjmë miqësinë me Jehovain burimin e gëzimit tonë. Sa më mirë ta njohim Perëndinë tonë, aq më shumë do të na forcohet besimi se ai do të jetë i aftë të na mbrojë kur të sulmojë Gogu i Magogut.

15. Cilat përvoja të jetës e siguruan Davidin se Jehovai nuk do ta zhgënjente kurrë?

15 Të mendojmë për diçka tjetër që e ndihmoi Davidin e që mund të na ndihmojë edhe ne të përgatitemi për sprovat. Ai tha: «Provoni dhe shijoni sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!» (Psal. 34:8) Këto fjalë tregojnë pse Davidi ishte i sigurt që Jehovai do t’i bëhej krah në çdo rast. Ai ishte mbështetur shpesh te Jehovai, dhe Perëndia i tij nuk e kishte zhgënjyer kurrë. Kur ishte djalosh, Davidi i doli ballas gjigantit filistin, Goliadit, dhe i tha atij luftëtari të tmerrshëm: «Pikërisht sot Jehovai do të të dorëzojë në dorën time.» (1 Sam. 17:46) Më vonë, Davidi ishte në shërbim të mbretit Saul, i cili u orvat shumë herë ta vriste. Mirëpo «Jehovai ishte me» Davidin. (1 Sam. 18:12) Ngaqë e kishte provuar ndihmën e Jehovait në të kaluarën, Davidi ishte i sigurt se Ai do t’i bëhej krah edhe mes sprovave që po kalonte.

16. Si mund ‘ta shijojmë’ në jetën tonë mirësinë e Jehovait?

16 Sa më shumë të mbështetemi sot te Jehovai për drejtim, aq më të sigurt do të ndihemi se Ai do të jetë në gjendje të na shpëtojë në të ardhmen. Sot, për shembull, na duhet të mbështetemi me besim te Jehovai për t’i kërkuar punëdhënësit leje që të ndjekim një asamble a kongres. Na duhet besim tek Ai edhe për t’i kërkuar punëdhënësit të ndryshojmë orarin e punës që të kemi mundësi të ndjekim të gjitha mbledhjet dhe të kalojmë më tepër kohë në shërbim. Po nëse nuk pranon të na e plotësojë kërkesën dhe e humbim punën? A kemi besim se Jehovai s’do të na lërë e s’do të na braktisë dhe se do të kujdeset gjithmonë të kemi gjërat e nevojshme? (Hebr. 13:5) Shumë nga ata që shërbejnë në kohë të plotë mund të tregojnë nga përvoja e vet si u ka vajtur në ndihmë Jehovai tamam kur kishin më shumë nevojë për të. Jehovai është besnik.

17. Cili është shkrimi i vitit 2022, dhe pse është kaq me vend?

17 Me Jehovain përkrah, nuk kemi asnjë arsye për t’iu frikësuar së ardhmes. Për sa kohë të mbajmë në qendër të jetës adhurimin e tij, Perëndia ynë nuk do të na braktisë kurrë. Për të na kujtuar sa e rëndësishme është të përgatitemi tani për kohët e vështira që na presin dhe të kemi besim se Jehovai s’do të na braktisë kurrë, Trupi Udhëheqës ka zgjedhur si shkrim të vitit 2022 Psalmin 34:10: «Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.»

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

^ Shkrimi i zgjedhur për vitin 2022 është Psalmi 34:10: «Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.» Shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë fare pak nga ana materiale. Si mund të thuhet, pra, se ‘nuk u mungon asgjë e mirë’? Tani do ta kuptojmë më qartë këtë varg, e kjo do të na ndihmojë të përgatitemi për kohët e vështira që na presin.

^ Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 2014.

^ Shih Kullën e Rojës të 1 majit 1999, f. 19.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Edhe ndërsa fshihej në një shpellë për t’i shpëtuar mbretit Saul, Davidi ishte mirënjohës për gjërat që i siguronte Jehovai.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi izraelitët dolën nga Egjipti, Jehovai u siguroi manën si ushqim dhe nuk lejoi t’u vjetroheshin rrobat.