ARTIKULLI I STUDIMIT 4
Pse e ndjekim Përkujtimin
«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»—LUKA 22:19.
KËNGA 20 Dhe Birin tënd të shtrenjtë
PËRMBLEDHJE *
1-2. (a) Kur e kujtojmë në veçanti një njeri të dashur që na ka vdekur? (b) Çfarë themeloi Jezui natën para se të vdiste?
SADO kohë të ketë kaluar nga dita kur është ndarë nga jeta një njeriu ynë i dashur, prapë e kujtojmë. Kujtimet na kthehen të gjalla në mendje sidomos në përvjetorin e vdekjes së tij.
2 Çdo vit, ne jemi mes miliona njerëzve anembanë botës që mblidhen për përvjetorin e vdekjes së dikujt që e duam shumë—Jezu Krishtit. (1 Pjet. 1:8) Së bashku kujtojmë atë që dha jetën si shpërblesë për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. (Mat. 20:28) Në fakt, Jezui donte që dishepujt e vet ta kujtonin vdekjen e tij. Natën para se të vdiste, ai themeloi Përkujtimin në një darkë speciale dhe urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» *—Luka 22:19.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Një numër i vogël i atyre që ndjekin Përkujtimin e vdekjes së Krishtit kanë shpresën të jetojnë në qiell. Por janë të pranishëm edhe shumë miliona të tjerë që kanë shpresën të jetojnë në tokë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë arsyet pse të dyja këto grupe mezi presin të ndjekin Përkujtimin çdo vit. Do të shohim edhe si nxjerrim dobi kur ndjekim këtë ngjarje speciale. Në fillim, le të ndalemi te disa arsye pse e ndjekin Përkujtimin të mirosurit.
PSE E NDJEKIN PËRKUJTIMIN TË MIROSURIT
4. Pse të mirosurit marrin nga buka dhe nga vera në Përkujtim?
4 Çdo vit, të mirosurit mezi presin të ndjekin Përkujtimin si pjesëmarrës. Pse është me vend që ata marrin nga buka dhe nga vera? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë çfarë ndodhi natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë. Pasi hëngrën darkën e Festës së Kalimit, Jezui themeloi Darkën e Zotërisë. Ai u kaloi bukën dhe verën 11 apostujve të tij besnikë e u tha të hanin e të pinin. Jezui u foli për dy besëlidhje, ose marrëveshje—besëlidhja e re dhe besëlidhja për Mbretërinë. * (Luka 22:19, 20, 28-30) Këto besëlidhje u hapën rrugën apostujve dhe një numri të kufizuar njerëzish që të bëheshin mbretër e priftërinj në qiell. (Zbul. 5:10; 14:1) Vetëm mbetja e të mirosurve, * që janë pjesëmarrës në këto dy besëlidhje, mund të hanë nga buka dhe të pinë nga vera në Përkujtim.
5. Çfarë dinë të mirosurit për shpresën e tyre?
5 Të shohim një arsye tjetër pse të mirosurit duan me gjithë zemër ta ndjekin Përkujtimin: kjo ceremoni u jep mundësinë të meditojnë për shpresën e tyre. Jehovai u ka dhënë një shpresë të mahnitshme—të jetojnë në qiell si të pavdekshëm e të pashkatërrueshëm, të mbretërojnë përkrah Jezu Krishtit të lartësuar dhe pjesës tjetër të 144.000-ve e mbi të gjitha, të jenë në praninë e Perëndisë Jehova! (1 Kor. 15:51-53; 1 Gjon. 3:2) Të mirosurit e dinë se janë ftuar t’i gëzojnë këto privilegje në qiell. Por që të jenë të denjë të jetojnë në qiell, duhet të qëndrojnë besnikë deri në vdekje. (2 Tim. 4:7, 8) Atyre u gufon zemra kur meditojnë për shpresën e tyre qiellore. (Titit 2:13) Por, cilat janë disa arsye pse e ndjekin ‘delet e tjera’ Përkujtimin?—Gjoni 10:16.
PSE E NDJEKIN PËRKUJTIMIN DELET E TJERA
6. Pse e ndjekin Përkujtimin delet e tjera?
6 Delet e tjera e ndjekin Përkujtimin jo si pjesëmarrës, por si vëzhgues. Në vitin 1938, për herë të parë atyre me shpresë tokësore iu bë shprehimisht ftesa që të ndiqnin Përkujtimin. Kulla e Rojës e 1 marsit 1938 thoshte: «Është e drejtë dhe me vend që [delet e tjera] të jenë të pranishme në këtë mbledhje dhe të vëzhgojnë çfarë ndodh. . . . Edhe për ta, ky duhet të jetë dhe është një rast i gëzueshëm.» Ashtu si mysafirët që vëzhgojnë me kënaqësi ndërsa zhvillohet një ceremoni martese, edhe delet e tjera janë të kënaqura ta ndjekin Përkujtimin si vëzhgues.
7. Pse e presin me padurim fjalimin e Përkujtimit delet e tjera?
7 Edhe delet e tjera meditojnë për shpresën e tyre. Mezi e presin fjalimin e Përkujtimit, i cili përqendrohet te të mirat që do të bëjnë Krishti dhe 144.000 bashkëqeveritarët për njerëzit besnikë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. Nën udhëheqjen e Mbretit të tyre Jezu Krisht, ata qeveritarë qiellorë do të ndihmojnë që toka të shndërrohet në parajsë dhe njerëzit e bindur të arrijnë përsosmërinë. Miliona vëzhguesve në Përkujtim u ngrihet zemra peshë kur përfytyrojnë plotësimin e profecive të Biblës, si ato të Isaisë 35:5, 6; 65:21-23 dhe të Zbulesës 21:3, 4. Ndërsa imagjinojnë veten dhe njerëzit e tyre të dashur në botën e re, u forcohet shpresa për të ardhmen dhe vendosmëria për të mos u dorëzuar kurrë në shërbim të Jehovait.—Mat. 24:13; Gal. 6:9.
8. Cila është një arsye tjetër pse e ndjekin Përkujtimin delet e tjera?
8 Le të ndalemi te një arsye tjetër pse e ndjekin Përkujtimin delet e tjera: dëshirojnë të tregojnë se i duan dhe i mbështetin të mirosurit. Fjala e Perëndisë parathoshte se mes të mirosurve dhe atyre me shpresë tokësore do të kishte një lidhje të ngushtë. Le të shohim disa shembuj.
9. Siç tregon profecia e Zakarisë 8:23, si ndihen delet e tjera për të mirosurit?
9 Lexo Zakarinë 8:23. Kjo profeci përshkruan në mënyrë prekëse si ndihen delet e tjera për vëllezërit dhe motrat e mirosura. Fjalët «një jude» dhe «ju» nënkuptojnë të njëjtin grup—mbetjen e të mirosurve. (Rom. 2:28, 29) ‘Dhjetë burrat nga të gjitha gjuhët e kombeve’ paraqesin delet e tjera. Ata «kapin fort» të mirosurit—pra qëndrojnë besnikërisht përkrah tyre—duke u bashkuar me ta në adhurimin e pastër. Ndaj është e natyrshme që mbrëmjen e Përkujtimit, delet e tjera e tregojnë dashurinë dhe besnikërinë ndaj të mirosurve duke ndjekur bashkë me ta Përkujtimin.
10. Si e ka përmbushur Jehovai profecinë e Ezekielit 37:15-19, 24, 25?
10 Lexo Ezekielin 37:15-19, 24, 25. Në përmbushje të kësaj profecie, Jehovai i ka bashkuar të mirosurit dhe delet e tjera në një unitet të pathyeshëm. Profecia përmend dy shkopinj. Ata me shpresë qiellore janë ‘shkopi për Judën’ (fisi nga i cili zgjidheshin mbretërit e Izraelit), kurse ata me shpresë tokësore janë ‘shkopi i Efraimit’. * Jehovai do t’i bashkonte këto dy grupe që të bëheshin ‘një shkop i vetëm’. Kjo do të thotë se ato shërbejnë në unitet, të udhëhequra nga i njëjti Mbret, Krishti Jezu. Çdo vit, të mirosurit dhe delet e tjera ndjekin Përkujtimin, jo si dy grupe te veçuara, por si «një kope e vetme» nën «një bari të vetëm».—Gjoni 10:16.
11. Cila është mënyra kryesore si i mbështetin «delet» e përmendura te Mateu 25:31-36, 40 vëllezërit e Krishtit?
11 Lexo Mateun 25:31-36, 40. «Delet» në këtë ilustrim paraqesin të drejtët që jetojnë në ditët e fundit dhe që kanë shpresë tokësore—pra, delet e tjera. Ata i mbështetin me besnikëri vëllezërit e mirosur të Krishtit që janë ende në tokë, kryesisht duke i ndihmuar të përmbushin një përgjegjësi kolosale—veprën mbarëbotërore të predikimit dhe bërjes së dishepujve.—Mat. 24:14; 28:19, 20.
12-13. Cilat janë disa mënyra të tjera si i mbështetin delet e tjera vëllezërit e Krishtit?
12 Çdo vit, në javët para Përkujtimit, delet e tjera tregojnë se i mbështetin vëllezërit e Krishtit duke marrë pjesë me zell në një fushatë globale për të ftuar njerëzit në Përkujtim. (Shih kutinë « A po bën plane për periudhën e Përkujtimit?») Gjithashtu ndihmojnë duke marrë masa që Përkujtimi të mbahet në çdo kongregacion anembanë botës, edhe pse në shumicën e kongregacioneve nuk ka asnjë që merr simbolet. Delet e tjera duan me gjithë shpirt t’i mbështetin vëllezërit e Krishtit në këto mënyra dhe e dinë se çdo gjë që bëjnë për ta, Jezui e sheh sikur ta bënin për atë vetë.—Mat. 25:37-40.
13 Cilat janë disa arsye të tjera pse e ndjekim Përkujtimin të gjithë ne, pavarësisht nga shpresa që kemi?
PSE E NDJEKIM PËRKUJTIMIN TË GJITHË NE
14. Si kanë treguar dashuri të madhe për ne Jehovai dhe Jezui?
14 Jemi mirënjohës për dashurinë që kanë treguar për ne Jehovai dhe Jezui. Jehovai na ka shfaqur dashuri në shumë mënyra, por njëra spikat mbi të gjitha. Shprehja më e madhe e dashurisë altruiste të Perëndisë është që dërgoi Birin e tij të shtrenjtë që të vuante e të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) Edhe Jezui tregoi dashuri të madhe duke qenë i gatshëm të jepte jetën e vet për ne. (Gjoni 15:13) Nuk ua shpërblejmë dot kurrë Jehovait dhe Jezuit dashurinë që na kanë treguar. Por mund ta shprehim mirënjohjen me mënyrën si jetojmë çdo ditë. (Kolos. 3:15) Veç kësaj, ndjekim Përkujtimin që ta kujtojmë dashurinë e tyre për ne, si edhe që t’u tregojmë se i duam.
15. Pse e vlerësojnë nga zemra dhuratën e shpërblesës të mirosurit dhe delet e tjera?
15 E vlerësojmë nga zemra dhuratën e shpërblesës. (Mat. 20:28) Shpërblesa është shumë e çmuar për të mirosurit, sepse falë saj bëhet realitet shpresa e tyre e mrekullueshme. Ngaqë tregojnë besim te flijimi i Krishtit, Jehovai i ka shpallur të drejtë dhe i ka birësuar si fëmijët e tij. (Rom. 5:1; 8:15-17, 23) Edhe delet e tjera janë mirënjohëse për shpërblesën. Falë besimit të tyre te gjaku që derdhi Krishti, janë të pastër në sytë e Perëndisë, mund t’i bëjnë atij shërbim të shenjtë dhe kanë shpresën të dalin «nga shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:13-15) Një mënyrë si e tregojnë mirënjohjen për shpërblesën të mirosurit dhe delet e tjera, është duke qenë të pranishëm çdo vit në Përkujtim.
16. Cila është një arsye tjetër pse e ndjekim Përkujtimin?
16 Një arsye tjetër pse e ndjekim Përkujtimin është se duam t’i bindemi Jezuit. Pavarësisht nga shpresa që kemi për të ardhmen, secili prej nesh dëshiron t’i bindet urdhërimit që dha Jezui natën kur themeloi Përkujtimin: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»—1 Kor. 11:23, 24.
SI NXJERRIM DOBI TË GJITHË KUR NDJEKIM PËRKUJTIMIN
17. Si na ndihmon Përkujtimi të afrohemi më shumë me Jehovain?
17 Afrohemi më shumë me Jehovain. (Jak. 4:8) Siç e kemi parë, Përkujtimi na krijon mundësinë të mendojmë thellë për shpresën që na ka dhënë Jehovai dhe për dashurinë e madhe që na ka shfaqur. (Jer. 29:11; 1 Gjon. 4:8-10) Kur meditojmë për shpresën tonë të sigurt dhe për dashurinë e Jehovait që nuk shuhet kurrë, na thellohet dashuria për të dhe forcohet miqësia mes nesh.—Rom. 8:38, 39.
18. Çfarë na motivon të bëjmë meditimi për shembullin e Jezuit?
18 Zemra na nxit të imitojmë shembullin e Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Në ditët para Përkujtimit, përqendrohemi te tregimet e Biblës për javën e fundit të Jezuit në tokë, për vdekjen dhe për ringjalljen e tij. Pastaj, gjatë mbrëmjes së Përkujtimit, fjalimi na kujton dashurinë e madhe që tregoi Jezui për ne. (Efes. 5:2; 1 Gjon. 3:16) Ndërsa lexojmë dhe meditojmë për shembullin vetëmohues të Jezuit, zemra na nxit të vazhdojmë ‘të ecim si Jezui’.—1 Gjon. 2:6.
19. Si mund të mbetemi të denjë për dashurinë e Perëndisë?
19 Na forcohet vendosmëria që të jemi të denjë për dashurinë e Perëndisë. (Jud. 20, 21, shën.) Kur përpiqemi me mish e me shpirt t’i bindemi Perëndisë, të shenjtërojmë emrin e tij dhe t’i gëzojmë zemrën, mbetemi të denjë për dashurinë e tij. (Prov. 27:11; Mat. 6:9; 1 Gjon. 5:3) Pjesëmarrja në Përkujtim na motivon të jemi më të vendosur që, me mënyrën si jetojmë çdo ditë, t’i themi Jehovait: «Dua të jem i denjë përgjithmonë për dashurinë tënde!»
20. Cilat arsye të forta kemi që të ndjekim Përkujtimin?
20 Cilado qoftë shpresa jonë—të jetojmë përgjithmonë në qiell apo në tokë—kemi arsye të forta që të ndjekim Përkujtimin. Kur mblidhemi çdo vit së bashku për këtë rast, kujtojmë vdekjen e dikujt që e duam shumë, Jezu Krishtit. Mbi të gjitha, kujtojmë aktin më të madh të dashurisë—dashurinë që tregoi për ne Jehovai duke dhënë Birin e tij si shpërblesë. Këtë vit, Përkujtimi do të mbahet më 15 prill 2022, të premten në mbrëmje. I duam me gjithë zemër Jehovain dhe Birin e tij, prandaj në përvjetorin e vdekjes së Jezuit, asgjë nuk do të jetë më e rëndësishme për ne sesa të jemi të pranishëm në Përkujtim.
KËNGA 16 Të lëvdojmë Jehovain dhe Krishtin, mbretin tonë
^ Pavarësisht nëse kemi shpresën të jetojmë në qiell apo të jetojmë në tokën parajsore, çdo vit mezi presim të ndjekim Përkujtimin. Në këtë artikull do të shohim arsyet e forta të bazuara te Shkrimet pse e ndjekim Përkujtimin. Do të ndalemi edhe te dobitë që vijnë kur ndjekim Përkujtimin.
^ Përkthime të tjera thonë: «Bëni këtë në përkujtimin tim.» (Diodati i Ri)
^ Për më shumë informacion rreth besëlidhjes së re dhe besëlidhjes për Mbretërinë, shih artikullin «Do të bëheni ‘një mbretëri priftërinjsh’» te Kulla e Rojës e 15 tetorit 2014, f. 15-17.
^ SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shprehja mbetja e të mirosurve nënkupton të krishterët e mirosur që janë ende në tokë.
^ Për më shumë informacion rreth profecisë së dy shkopinjve që gjendet në kapitullin 37 të Ezekielit, shih librin Jehovai rivendos adhurimin e pastër!, f. 130-135, p. 3-17.