Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 2

Të mësojmë nga vëllai i vogël i Jezuit

Të mësojmë nga vëllai i vogël i Jezuit

«Jakovi, skllav i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht.»—JAK. 1:1.

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

PËRMBLEDHJE *

1. Si do ta përshkruaje familjen e Jakovit?

 JAKOVI, vëllai i Jezuit, u rrit në një familje të lidhur fort me Jehovain. * Prindërit e tij, Jozefi dhe Maria, kishin dashuri të thellë për Perëndinë dhe nuk kurseheshin për t’i shërbyer atij. Jakovi kishte edhe një bekim tjetër—vëllai i tij i madh do të bëhej Mesia i premtuar. Çfarë privilegji i jashtëzakonshëm të bëje pjesë në atë familje!

Gjatë fëmijërisë, ndërsa rritej bashkë me Jezuin, Jakovi e njohu goxha mirë vëllanë e madh (Shih paragrafin 2)

2. Pse Jakovi mund ta ketë parë si model vëllanë e madh?

2 Jakovi kishte plot arsye që ta shihte si model vëllanë e tij të madh. (Mat. 13:55) Për shembull, Jezui i njihte aq mirë Shkrimet, sa kur ishte 12 vjeç i la gojëhapur pleqtë e arsimuar të Jerusalemit. (Luka 2:46, 47) Veç kësaj, Jakovi mund të ketë punuar si zdrukthëtar bashkë me Jezuin. Nëse ishte kështu, ka pasur mundësi ta njihte goxha mirë të vëllanë. Nejthën Nori shpesh thoshte: «Mëson shumë për dikë kur punon përkrah tij.» * E patjetër Jakovi vërente edhe se «Jezui rritej në shtat e fitonte gjithnjë e më shumë mençuri dhe pëlqimin e Perëndisë e të njerëzve». (Luka 2:52) Prandaj ndoshta do të prisnim që Jakovi të ishte ndër dishepujt e parë të Jezuit. Por nuk ndodhi ashtu.

3. Si reagoi Jakovi kur Jezui nisi shërbimin në tokë?

3 Gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë, Jakovi nuk u bë dishepull i tij. (Gjoni 7:3-5) Madje, Jakovi mund të ketë qenë një nga të afërmit që mendonin se Jezui kishte «luajtur mendsh». (Mar. 3:21) Gjithashtu, Bibla nuk thotë gjë se Jakovi ishte me të ëmën, Marinë, kur Jezui po vdiste në shtyllën e torturës.—Gjoni 19:25-27.

4. Cilat mësime do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Më vonë, Jakovi tregoi besim te Jezui dhe u bë një plak i respektuar në kongregacionin e krishterë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë dy mësime që nxjerrim nga shembulli i Jakovit: (1) pse duhet të vazhdojmë të jemi të përulur dhe (2) si të jemi mësues të aftë.

VAZHDO TË JESH I PËRULUR SI JAKOVI

Jakovi tregoi përulësi kur iu shfaq Jezui i ringjallur dhe që atëherë shërbeu me besnikëri si dishepull i Krishtit (Shih paragrafët 5-7)

5. Çfarë bëri Jakovi pasi iu shfaq Jezui i ringjallur?

5 Kur u bë Jakovi dishepull i Jezuit? Pasi u kthye në jetë, Jezui «iu shfaq Jakovit, pastaj gjithë apostujve». (1 Kor. 15:7) Ai takim me Jezuin shënoi një pikë kthese në jetën e Jakovit. Jakovi ishte bashkë me apostujt në një dhomë të sipërme në Jerusalem, ndërsa ata pritnin të merrnin frymën e shenjtë që kishte premtuar Jezui. (Vep. 1:13, 14) Më pas, pati privilegjin të shërbente si anëtar i trupit udhëheqës të shekullit të parë. (Vep. 15:6, 13-22; Gal. 2:9) Gjithashtu, para vitit 62 të e.s., Perëndia e frymëzoi t’u shkruante një letër të krishterëve të mirosur. Nga kjo letër nxjerrim dobi edhe ne sot, pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore apo tokësore. (Jak. 1:1) Sipas një historiani të shekullit të parë, Jozef Flavit, Jakovin e ekzekutuan me urdhër të kryepriftit jude Anania, birit të Hanait. Jakovi i qëndroi besnik Jehovait derisa përfundoi jetën e tij në tokë.

6. Cili ishte ndryshimi mes Jakovit dhe krerëve fetarë të kohës së tij?

6 Jakovi ishte i përulur. Nga e dimë këtë? Mendo pak për kontrastin midis mënyrës si reagoi Jakovi ndaj Jezuit me kalimin e kohës dhe mënyrës si reaguan shumë krerë fetarë. Kur u gjend para dëshmive të pakundërshtueshme se Jezui është Biri i Perëndisë, Jakovi i pranoi me përulësi. Krejt ndryshe vepruan krerët e priftërinjve në Jerusalem. Për shembull, ata nuk e mohonin dot se Jezui e kishte kthyer në jetë Lazarin. Mirëpo, në vend që ta pranonin se Jezui ishte përfaqësues i Jehovait, u përpoqën t’i vritnin edhe Jezuin, edhe Lazarin. (Gjoni 11:53; 12:9-11) Pastaj, kur vetë Jezui u ringjall, bënë intriga për t’ua fshehur këtë njerëzve. (Mat. 28:11-15) Të shtyrë nga krenaria, ata krerë fetarë e hodhën poshtë Mesinë.

7. Pse duhet ta shmangim krenarinë?

7 Mësimi: Shmang krenarinë dhe ji i gatshëm të mësosh nga Jehovai. Ashtu si një sëmundje që mund t’i ngurtësojë arteriet dhe mund t’ia bëjë të vështirë zemrës të punojë, krenaria mund ta ngurtësojë zemrën e figurshme e mund të na e bëjë të vështirë t’i bindemi drejtimit të Jehovait. Farisenjtë lejuan t’u ngurtësohej aq shumë zemra, sa i hodhën poshtë provat e qarta se Jezui kishte frymën e shenjtë dhe ishte Biri i Perëndisë. (Gjoni 12:37-40) Kështu u futën në një rrugë të rrezikshme që ndikoi tek e ardhmja e tyre e përhershme. (Mat. 23:13, 33) Sa e rëndësishme është të vazhdojmë të lejojmë që Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij të na modelojnë personalitetin dhe të ndikojnë te mënyra si mendojmë e si i marrim vendimet! (Jak. 3:17) Ngaqë ishte i përulur, Jakovi e lejoi Jehovain ta mësonte. E siç do ta shohim, pikërisht përulësia e ndihmoi të bëhej një mësues i zoti.

BËHU MËSUES I AFTË SI JAKOVI

8. Ç’do të na ndihmojë të bëhemi mësues të zotë?

8 Jakovi nuk ishte shumë i arsimuar, e pa dyshim që krerët fetarë e shihnin si apostujt Pjetër e Gjon—si «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) Por Jakovi mësoi të ishte mësues i zoti. Kjo duket qartë kur lexon librin që mban emrin e tij. Ashtu si Jakovi, mund të mos kemi shumë arsimim. Megjithatë, falë frymës së Jehovait dhe stërvitjes praktike nga organizata e tij, edhe ne mund të bëhemi mësues të zotë. Le të shohim çfarë shembulli na ka lënë Jakovi si mësues dhe si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tij.

9. Në ç’mënyrë i mësonte Jakovi të tjerët?

9 Jakovi nuk përdorte fjalë të mëdha ose arsyetime të ndërlikuara. Si rezultat, dëgjuesit e tij e dinin çfarë duhej të bënin dhe si ta bënin. Për shembull, mendo sa thjesht na mëson Jakovi se adhuruesit e Perëndisë që vuajnë nga padrejtësitë, nuk duhet të ushqejnë mëri. Ai shkroi: «Ne i konsiderojmë të lumtur ata që treguan qëndrueshmëri. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë si e shpërbleu Jehovai, se Jehovai është shumë i dhembshur e i mëshirshëm.» (Jak. 5:11) Vër re se Jakovi e bazoi mësimin e tij te Shkrimet. Ai përdori Fjalën e Perëndisë për ta ndihmuar auditorin të kuptonte se Jehovai i shpërblen gjithnjë ata që, ashtu si Jobi, i qëndrojnë besnikë. Jakovi e përcolli këtë mësim me fjalë dhe logjikë të thjeshtë. Kështu e drejtoi vëmendjen te Jehovai, jo te vetja.

10. Cila është një mënyrë si mund të imitojmë Jakovin kur mësojmë të tjerët?

10 Mësimi: Përcille thjesht mesazhin dhe mësoji të tjerët nga Fjala e Perëndisë. Synimi ynë nuk duhet të jetë që të tjerëve t’u lërë mbresë njohuria jonë, por t’u lërë mbresë njohuria e pakufi e Jehovait dhe dashuria e thellë që ka për ta. (Rom. 11:33) Mund ta arrijmë këtë synim duke e bazuar gjithmonë te Shkrimet atë që themi. Për shembull, nuk duam t’u themi studentëve të Biblës ç’do të bënim ne në vend të tyre, por duam t’i ndihmojmë që të arsyetojnë vetë për shembujt nga Shkrimet dhe të kuptojnë si mendon e si ndihet Jehovai. Kështu do ta zbatojnë atë që mësojnë nga dëshira për të kënaqur Jehovain, jo neve.

11. Çfarë problemesh kishin disa të krishterë në ditët e Jakovit, dhe cilat këshilla u dha ai? (Jakovi 5:13-15)

11 Jakovi ishte realist. Nga letra e tij, kuptojmë se Jakovi e dinte çfarë problemesh kishin bashkëbesimtarët, e u dha drejtim të qartë se si t’i kapërcenin. Për shembull, disa ngurronin të zbatonin gjërat që kërkonte Perëndia prej tyre. (Jak. 1:22) Të tjerë mbanin me hatër të pasurit. (Jak. 2:1-3) Kurse disa të tjerë e kishin të vështirë t’i vinin fre gjuhës. (Jak. 3:8-10) Ata të krishterë kishin probleme serioze, ama Jakovi kishte besim se mund të ndryshonin. Ai u dha këshilla të dashura, por të drejtpërdrejta, kurse ata që kishin një luftë më të vështirë i inkurajoi të kërkonin ndihmë nga pleqtë.—Lexo Jakovin 5:13-15.

12. Si mund të mbajmë një pikëpamje pozitive ndërsa ndihmojmë studentët e Biblës?

12 Mësimi: Ji realist, por mbaj një pikëpamje pozitive për të tjerët. Shumë nga ata me të cilët studiojmë Biblën, mund ta kenë të vështirë t’i zbatojnë mësimet e saj. (Jak. 4:1-4) Mund t’u duhet kohë të çrrënjosin cilësitë e këqija e t’i zëvendësojnë me cilësi të krishtere. Ashtu si Jakovi, duhet të kemi kurajën t’ua themi studentëve tanë se ku duhet të përmirësohen. Gjithashtu duhet të mbajmë një pikëpamje pozitive për ta, duke pasur besim se Jehovai do t’i tërheqë drejt vetes njerëzit e përulur e do t’u japë forcën të bëjnë ndryshime në jetë.—Jak. 4:10.

13. Sipas Jakovit 3:2, çfarë pranonte Jakovi për veten?

13 Jakovi mbajti pikëpamjen e duhur për veten. Jakovi nuk mendonte se familja nga vinte ose caktimet e rëndësishme që kishte, e bënin të veçantë ose më të mirë se vëllezërit dhe motrat. Ai i quante bashkëbesimtarët «vëllezërit e mi të dashur». (Jak. 1:16, 19; 2:5) Nuk përpiqej të linte përshtypjen se ishte i përsosur. Përkundrazi, përfshiu edhe veten kur tha: «Të gjithë ne gabojmë shumë herë.»—Lexo Jakovin 3:2.

14. Pse duhet të jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona?

14 Mësimi: Mos harro se të gjithë jemi mëkatarë. Nuk duhet të mendojmë se qëndrojmë më lart nga studentët tanë. Pse? Sepse po t’i lëmë një studenti përshtypjen që nuk bëjmë gabime, ai mund të nxjerrë përfundimin se nuk do të arrijë kurrë t’u bindet plotësisht kërkesave të Perëndisë. Por kur e pranojmë hapur se nuk e kemi pasur gjithnjë të lehtë të zbatojmë parimet e Biblës dhe i tregojmë si na ka ndihmuar Jehovai të përballojmë vështirësitë, do ta ndihmojmë të kuptojë se edhe ai mund t’i shërbejë Jehovait.

Ilustrimet e Jakovit ishin të thjeshta, të qarta dhe të efektshme (Shih paragrafët 15-16) *

15. Si ishin ilustrimet që përdorte Jakovi? (Jakovi 3:2-6, 10-12)

15 Jakovi përdori ilustrime që preknin zemrën. Pa diskutim, Jakovin e ndihmoi në mësimdhënie fryma e shenjtë. Por duhet të ketë mësuar goxha edhe duke shqyrtuar ilustrimet që kishte bërë vëllai i tij i madh, Jezui. Ilustrimet që përdor Jakovi në letrën e tij janë të thjeshta, dhe zbatimi i tyre është i qartë.—Lexo Jakovin 3:2-6, 10-12.

16. Pse duhet të përdorim ilustrime të efektshme?

16 Mësimi: Përdor ilustrime të efektshme. Kur përdor ilustrime të përshtatshme, i ndihmon të tjerët ta shohin atë që po dëgjojnë. Pikturon tablo të gjalla në mendjen e tyre. Këto tablo të gjalla i ndihmojnë të ngulitin në mendje të vërteta të rëndësishme të Biblës. Jezui ishte mjeshtër në përdorimin e ilustrimeve të efektshme dhe i vëllai, Jakovi, ndoqi shembullin e tij. Le të ndalemi te një nga ilustrimet e Jakovit dhe të shohim pse është kaq i efektshëm.

17. Pse është i suksesshëm ilustrimi që gjendet te Jakovi 1:22-25?

17 Lexo Jakovin 1:22-25. Ilustrimi i Jakovit për pasqyrën është i suksesshëm për disa arsye. Ai kishte në mendje një mësim specifik, dhe konkretisht këtë: që të nxjerrim dobi nga Fjala e Perëndisë, nuk mjafton ta lexojmë; duhet edhe ta zbatojmë. Jakovi zgjodhi një ilustrim që dëgjuesit mund ta kuptonin kollaj—një njeri që shihet në pasqyrë. Mësimi? Është marrëzi që, pasi shihemi në pasqyrë dhe vërejmë një problem që mund ta ndreqim, të mos bëjmë asgjë. Po njëlloj, është marrëzi që, pasi lexojmë Fjalën e Perëndisë dhe vërejmë se kemi nevojë të ndryshojmë diçka në personalitetin tonë, të mos bëjmë asgjë.

18. Cilat janë tri gjëra që duhet të mbajmë parasysh kur përdorim një ilustrim?

18 Kur përdor një ilustrim, mund të imitosh shembullin e Jakovit duke bërë tri gjëra: (1) Sigurohu që ilustrimi të lidhet mirë me pikën që po shqyrton. (2) Përdor një ilustrim që të tjerët mund ta kuptojnë kollaj. (3) Bëje të qartë si zbatohet ilustrimi. Nëse e ke të vështirë të gjesh ilustrime të efektshme, kërko te Treguesi i botimeve Watch Tower. Poshtë titullit «Ilustrimet» do të gjesh plot shembuj që mund të të hyjnë në punë. Por mos harro: ilustrimet janë si një mikrofon—e përforcojnë pikën që po mëson. Prandaj bëj kujdes të ilustrosh vetëm pikat kryesore që dëshiron të mësosh. Patjetër, arsyeja më e rëndësishme pse duam të bëhemi mësues më të zotë nuk është që të tërheqim vëmendjen te vetja, por që të ndihmojmë sa më shumë njerëz të bëhen pjesë e familjes së lumtur të Jehovait.

19. Si e tregojmë se i duam vëllezërit e motrat?

19 Vërtet, nuk e kemi pasur privilegjin të rriteshim me një vëlla të madh të përsosur. Megjithatë kemi privilegjin t’i shërbejmë Jehovait me një familje të madhe vëllezërish e motrash. Tregojmë se i duam kur shoqërohemi me ta, kur mësojmë prej tyre dhe kur shërbejmë besnikërisht krah për krah në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Ndërsa përpiqemi të imitojmë shembullin e Jakovit me qëndrimin, sjelljen dhe mënyrën si i mësojmë të tjerët, i japim lavdi Jehovait dhe i ndihmojmë njerëzit me zemër të sinqertë të afrohen me Atin tonë të dashur.

KËNGA 114 ‘Të presim me durim’

^ Jakovi u rrit në të njëjtën familje me Jezuin. Ai e njihte Birin e përsosur të Perëndisë më mirë se shumica e njerëzve në atë kohë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë mund të mësojmë nga jeta dhe nga mësimet e vëllait të vogël të Jezuit, që u bë shtyllë e kongregacionit në shekullin e parë.

^ Për thjeshtësi, në këtë artikull Jakovin do ta quajmë vëllai i Jezuit. Në fakt, ai ishte gjysmëvëllai i Jezuit dhe, me sa duket, shkrimtari i letrës që mban emrin e tij.

^ Nejthën Nori ishte anëtar i Trupit Udhëheqës. Ai e përfundoi jetën e tij në tokë në vitin 1977.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jakovi mori si shembull një zjarr të vogël​—diçka që njerëzit e kuptonin kollaj—​për të ilustruar sa e rrezikshme është të mos i vëmë fre gjuhës.