Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 22

Një mençuri që na udhëheq në jetë

Një mençuri që na udhëheq në jetë

«Vetë Jehovai jep mençuri.»—PROV. 2:6.

KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi

PËRMBLEDHJE *

1. Pse të gjithë kemi nevojë për më shumë mençuri nga Perëndia? (Proverbat 4:7)

 NËSE të është dashur ndonjëherë të marrësh një vendim të rëndësishëm, pa dyshim që je lutur për mençuri, se e dije që kishe nevojë për të. (Jak. 1:5) Mbreti Solomon shkroi: «Mençuria është gjëja më e rëndësishme.» (Lexo Proverbat 4:7.) Sigurisht, Solomoni nuk po fliste për çfarëdolloj mençurie. Po fliste për mençurinë që vjen nga Perëndia Jehova. (Prov. 2:6) Por, a mund të na ndihmojë mençuria hyjnore të përballojmë problemet që hasim sot? Patjetër që po, siç do ta shohim në këtë artikull.

2. Cila është një mënyrë si mund të bëhemi vërtet të mençur?

2 Një mënyrë si mund të bëhemi vërtet të mençur është të studiojmë dhe të zbatojmë mësimet e dy burrave të mirënjohur për mençurinë e tyre. Së pari, do të ndalemi te Solomoni. Bibla thotë se «Perëndia i dha Solomonit shumë mençuri e aftësi dalluese». (1 Mbret. 4:29) Së dyti, do të ndalemi te Jezui, që kishte mençuri të pakrahasueshme. (Mat. 12:42) Për Jezuin ishte profetizuar: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e aftësisë për të kuptuar.»—Isa. 11:2.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Me mençurinë që u kishte dhënë Perëndia, Solomoni dhe Jezui dhanë këshilla praktike për çështje që na interesojnë të gjithëve. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri prej tyre: si të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paratë, për punën dhe për veten.

NJË PIKËPAMJE E EKUILIBRUAR PËR PARATË

4. Si ndryshonte gjendja ekonomike e Solomonit nga ajo e Jezuit?

4 Solomoni kishte pasuri përrallore dhe jetonte mes luksit. (1 Mbret. 10:7, 14, 15) Ndërsa Jezui zotëronte pak gjëra e nuk kishte një shtëpi të veten. (Mat. 8:20) Prapëseprapë, të dy kishin një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale, sepse mençuria e tyre vinte nga i njëjti Burim—Perëndia Jehova.

5. Cilën pikëpamje të ekuilibruar për paratë kishte Solomoni?

5 Solomoni e pranonte që paratë shërbejnë si «mbrojtje». (Ekl. 7:12) Me pará mund të blejmë gjërat e nevojshme, e ndoshta edhe ca gjëra që na pëlqejnë. Por, edhe pse goxha i pasur, Solomoni kuptoi se ka gjëra më të rëndësishme se paratë. Për shembull, ai shkroi: «Më mirë të bësh emër të mirë [ose «të kesh reputacion të mirë», shën.], se pasuri të madhe.» (Prov. 22:1) Solomoni vuri re edhe se njerëzit që i duan paratë rrallëherë ndihen të lumtur me ato që kanë. (Ekl. 5:10, 12) Gjithashtu na paralajmëroi të mos i varim shpresat te paraja, sepse sado para të kemi, ato mund të zhduken sa hap e mbyll sytë.—Prov. 23:4, 5.

A na pengon pikëpamja për gjërat materiale që të vëmë në vend të parë në jetë Mbretërinë? (Shih paragrafët 6-7) *

6. Cilën pikëpamje të ekuilibruar kishte Jezui për gjërat materiale? (Mateu 6:31-33)

6 Edhe Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. Ai kënaqej me ushqimet dhe pijet e mira. (Luka 19:2, 6, 7) Në një rast, Jezui bëri verë të cilësisë më të lartë, e kjo ishte mrekullia e tij të parë. (Gjoni 2:10, 11) Veç kësaj, ditën kur vdiq, kishte veshur një rrobë të shtrenjtë. (Gjoni 19:23, 24) Por Jezui nuk lejoi që gjërat materiale të bëheshin boshti i jetës së tij. Ai u tha dishepujve: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve . . . Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mat. 6:24) Jezui mësoi se po të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë, Jehovai do të sigurohet të kemi çdo gjë të nevojshme.—Lexo Mateun 6:31-33.

7. Si ka nxjerrë dobi një vëlla ngaqë ka pikëpamje të ekuilibruar për paratë?

7 Plot vëllezër e motra kanë nxjerrë dobi kur kanë zbatuar këshillat e mençura të Jehovait për paratë. Të shohim shembullin e një vëllai beqar që quhet Daniel. Ai thotë: «Kur isha adoleshent, vendosa që shërbimi i Jehovait do të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën time.» Ngaqë ka mbajtur një jetë të thjeshtë, Danieli ka mundur t’i përdorë kohën dhe aftësitë e tij në shumë projekte teokratike. Ai shton: «E them me gjithë zemër se nuk jam bërë kurrë pishman për rrugën që zgjodha. Vërtet, mund të kisha fituar shumë para nëse ato do të ishin gjëja më e rëndësishme në jetën time. Por, a mund t’i zëvendësojnë paratë miqësitë që kam krijuar?! A mund ta zëvendësojnë paratë kënaqësinë që ndiej ngaqë po vë Mbretërinë në radhë të parë?! Asnjë shumë parash nuk mund të barazohet me bekimet që më ka derdhur Jehovai.» Pa diskutim, ne nxjerrim dobi kur qendra e jetës sonë nuk janë paratë, por adhurimi i Jehovait.

NJË PIKËPAMJE E EKUILIBRUAR PËR PUNËN

8. Nga e dimë se Solomoni kishte një pikëpamje të ekuilibruar për punën? (Eklisiastiu 5:18, 19)

8 Kur foli për kënaqësinë që sjell puna e palodhur, Solomoni e quajti «dhuratë nga Perëndia». (Lexo Eklisiastiun 5:18, 19.) Ai shkroi: «Çdo punë e palodhur sjell dobi.» (Prov. 14:23) Solomoni e dinte këtë nga përvoja. Ai ishte punëtor i papërtuar! Ndërtoi shtëpi, mbolli vreshta dhe bëri kopshte e rezervuarë. Ndërtoi edhe qytete. (1 Mbret. 9:19; Ekl. 2:4-6) Pra punoi fort, e pa dyshim që kjo i dha kënaqësi. Ama e dinte se lumturia nuk varej vetëm nga aktivitete të tilla. Ai bëri edhe shumë gjëra për Jehovain. Për shembull, Solomoni mbikëqyri ndërtimin e tempullit të lavdishëm për të adhuruar Jehovain—një projekt ndërtimi shtatëvjeçar! (1 Mbret. 6:38; 9:1) Pasi kishte marrë pjesë në një larmi aktivitetesh, ai e kuptoi se aktivitetet që lidhen me adhurimin e Jehovait janë ku e ku më të rëndësishme. Ai shkroi: «Pas gjithë gjërave që u thanë, ky është përfundimi: ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë dhe zbatoji urdhërimet e tij.»—Ekl. 12:13.

9. Si e mbajti Jezui punën në vendin e duhur?

9 Edhe Jezui ishte punëtor i palodhur. Në moshë të re, punonte si zdrukthëtar. (Mar. 6:3) Pa diskutim që prindërit e tij e çmonin ndihmën që u jepte ndërsa përpiqeshin fort të siguronin gjërat e nevojshme për familjen e tyre të madhe. E meqë ishte i përsosur, Jezui duhet të ketë qenë zdrukthëtar tepër i kërkuar. Ka shumë të ngjarë që Jezui kënaqej me punën e duarve të tij. Por, edhe pse punonte me gjithë shpirt, ai linte kohë për të adhuruar Jehovain. (Gjoni 7:15) Më vonë, kur shërbente në kohë të plotë, i këshilloi dëgjuesit e tij: «Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që nuk prishet dhe të çon në jetë të përhershme.» (Gjoni 6:27) Gjithashtu, në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Grumbulloni thesare në qiell.»—Mat. 6:20.

Si mund të mbajmë ekuilibrin midis punës dhe aktiviteteve teokratike? (Shih paragrafët 10-11) *

10. Cilën sfidë mund të hasin disa në punë?

10 Këshillat e mençura të Jehovait na ndihmojnë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për punën. Ai na mëson ‘të punojmë pa u lodhur e të bëjmë . . . një punë të mirë’. (Efes. 4:28) Punëdhënësit shpesh e vërejnë sa të ndershëm e të papërtuar jemi dhe mund të na thonë se e vlerësojnë jashtë mase etikën tonë të punës. Të nisur nga motive të mira, mund të fillojmë të punojmë me orar të zgjatur, se duam që punëdhënësi ynë të ketë një opinion edhe më të mirë për Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, s’i pa kuptuar, mund të fillojmë të neglizhojmë përgjegjësitë familjare dhe aktivitetet teokratike, prandaj duhet të bëjmë ndryshime për të gjetur ekuilibrin.

11. Si e pa një vëlla sa dobi ka pikëpamja e ekuilibruar për punën?

11 Një vëlla i ri që quhet Uilliam e ka parë vetë sa dobi mund të nxjerrë dikush kur e mban punën në vendin e duhur. Ai thotë për një plak që kishte qenë punëdhënësi i tij: «[Ai] është shembull fantastik i dikujt që ka një etikë pune të ekuilibruar. Ai punon fort dhe klientët janë të kënaqur me cilësinë e punës së tij. Ama në fund të ditës, kur puna mbaron, ai s’e mban më mendjen atje dhe përqendrohet te familja e te besimi. Dhe, e dini çfarë? Është një nga njerëzit më të lumtur që njoh.» *

NJË PIKËPAMJE E EKUILIBRUAR PËR VETEN

12. Si e tregoi Solomoni se kishte një pikëpamje të ekuilibruar për veten, por si e humbi ekuilibrin?

12 Kur ishte adhurues besnik i Jehovait, Solomoni kishte një pikëpamje të ekuilibruar për veten. Në moshë të re, i pranoi me modesti kufizimet e tij dhe i kërkoi Jehovait ta udhëhiqte. (1 Mbret. 3:7-9) Gjithashtu, nga fillimi i mbretërimit të tij, Solomoni e dinte sa e rrezikshme është gracka e krenarisë. Ai shkroi: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma fodulle para pengimit.» (Prov. 16:18) Mjerisht, më vonë ai nuk e zbatoi këshillën e vet. Pasi kishte mbretëruar për njëfarë kohe, u bë krenar e filloi t’i shpërfillte urdhërimet e Perëndisë. Për shembull, në një nga ligjet thuhej se një mbret hebre ‘nuk duhej të merrte shumë gra, që zemra të mos i largohej nga rruga e drejtë’. (Ligj. 17:17) Solomoni nuk iu bind këtij ligji dhe mori 700 gra e 300 konkubina, shumë prej të cilave ishin pagane. (1 Mbret. 11:1-3) Ndoshta mendonte se kishte çdo gjë nën kontroll. Sido të ketë qenë, me kalimin e kohës Solomoni u largua nga Jehovai dhe vuajti pasoja të hidhura.—1 Mbret. 11:9-13.

13. Çfarë mësojmë kur meditojmë për qëndrimin e përulur të Jezuit?

13 Jezui mbajti një pikëpamje të ekuilibruar dhe të përulur për veten. Kur ishte në qiell, ai bëri sa e sa gjëra të mrekullueshme në shërbim të Jehovait. Me anë të Jezuit, «u krijua gjithçka tjetër në qiej e në tokë». (Kolos. 1:16) Fill pas pagëzimit, duket se Jezuit iu kujtuan gjërat që kishte realizuar kur ishte me Atin e tij. (Mat. 3:16; Gjoni 17:5) Por kjo nuk e bëri fodull dhe Jezui asnjëherë nuk e mbajti veten si më të mirë nga të tjerët. Përkundrazi, u tha dishepujve se nuk kishte ardhur në tokë ‘që t’i shërbenin, por që të shërbente dhe të jepte jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mat. 20:28) Gjithashtu pranoi me modesti se nuk mund të bënte as edhe një gjë me nismën e vet. (Gjoni 5:19) Çfarë përulësie! Jezui na la një shembull të shkëlqyer për ta imituar.

14. Si na ndihmon Jezui që të kemi pikëpamjen e duhur për veten?

14 Jezui i mësoi dishepujt të kishin pikëpamjen e duhur për veten. Në një rast, Jezui i siguroi: «Fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara.» (Mat. 10:30) Sa na e ngrohin zemrën këto fjalë, sidomos nëse luftojmë shpesh me mendimet negative për veten. Fjalët e Jezuit na tregojnë se Ati ynë qiellor ka merak të thellë për ne dhe jemi të çmuar në sytë e tij. Nuk duam të dyshojmë kurrë për gjykimin e Jehovait, duke e parë veten si të padenjë për të qenë adhuruesit e tij dhe për të jetuar në botën e re.

Çfarë mundësish dhe bekimesh mund të humbim nëse nuk kemi pikëpamje të ekuilibruar për veten? (Shih paragrafin 15) *

15. (a) Si na nxiste Kulla e Rojës të zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten? (b) Siç tregon figura në faqen 24, cilat bekime mund të humbasim nëse jemi tepër të përqendruar te vetja?

15 Rreth 15 vite më parë, Kulla e Rojës na nxiste të zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten: «Sigurisht, as nuk duhet të mbahemi me të madh aq sa të bëhemi kryelartë, e as të kalojmë në ekstremin tjetër dhe të mendojmë që nuk vlejmë fare. Përkundrazi, duhet të synojmë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten, pikëpamje që merr parasysh si aftësitë, ashtu edhe kufizimet tona. Në lidhje me këtë, një e krishterë u shpreh: ‘Mishërimi i ligësisë nuk jam, por as vetë mirësia. Ashtu si gjithë të tjerët, kam edhe cilësi të mira, edhe të këqija.’» * Është e qartë se kur zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten nxjerrim dobi.

16. Pse na jep udhëheqje të mençur Jehovai?

16 Nëpërmjet Fjalës së tij, Jehovai na jep udhëheqje të mençur. Ai na do dhe dëshiron të jemi të lumtur. (Isa. 48:17, 18) Zgjedhja më e mençur që na sjell lumturi të vërtetë, është të vazhdojmë të bëjmë ato gjëra që ia gëzojnë zemrën Jehovait. Kështu do të shmangim shumë nga problemet që hasin njerëzit e përqendruar tepër te paratë, te puna ose te vetja. Qofshim të vendosur të bëhemi të mençur dhe t’ia gëzojmë zemrën Jehovait!—Prov. 23:15.

KËNGA 94 Thellësisht mirënjohës për Fjalën tënde

^ Solomoni dhe Jezui kishin mençuri të jashtëzakonshme. Burimi i mençurisë së tyre ishte Perëndia Jehova. Në këtë artikull do të shohim si mund të na ndihmojnë këshillat e frymëzuara të Solomonit dhe të Jezuit që të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paratë, për punën dhe për veten. Do të shohim edhe si kanë nxjerrë dobi disa vëllezër e motra kur kanë zbatuar me mençuri këshillat e bazuara në Bibël në këto aspekte.

^ Shih artikullin «Si të kënaqesh kur punon fort», në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2015.

^ Shih artikullin «Bibla të ndihmon të gjesh gëzim», në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2005.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Xhulio dhe Tomi janë dy vëllezër të rinj në të njëjtin kongregacion. Xhulio shpenzon shumë kohë duke u kujdesur për makinën e tij. Tomi e përdor makinën për të shoqëruar të tjerët në shërbim dhe për mbledhjet e kongregacionit.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Xhulio po punon jashtë orarit. Nuk do që ta zhgënjejë shefin. Prandaj, sa herë që shefi i kërkon të punojë jashtë orarit, ai pranon. Po atë mbrëmje, Tomi, që është shërbëtor kongregacioni, shoqëron një plak në një vizitë baritore. Tomi i ka shpjeguar që më parë shefit se disa mbrëmje gjatë javës i ka rezervuar për aktivitete që lidhen me adhurimin e Jehovait.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Xhulio është i përqendruar te vetja. Për Tomin, Jehovai është personi më i rëndësishëm në jetë. Ai zgjeron rrethin e miqve ndërsa ndihmon në rinovimin e një Salle Asamblesh.