ARTIKULLI I STUDIMIT 23
Prindër, ndihmojini fëmijët ta duan Jehovain
«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»—MAT. 22:37.
KËNGA 134 Fëmijët—dhuratë e çmuar nga Jehovai!
PËRMBLEDHJE *
1-2. Shpjegoni pse disa parime nga Bibla mund të bëhen më domethënëse për ne kur na ndryshojnë rrethanat.
DITËN e dasmës, dhëndri dhe nusja e bukur dëgjojnë me vëmendje një fjalim të bazuar në Bibël për martesën. Parimet që shqyrtohen gjatë fjalimit, i kanë dëgjuar edhe më parë. Ama tani e tutje, këto parime do të jenë më domethënëse për ta. Pse? Sepse që nga ky moment do t’i zbatojnë si çift i martuar.
2 Diçka e ngjashme ndodh edhe kur një çift Dëshmitarësh bëhen prindër. Gjatë viteve mund të kenë dëgjuar plot fjalime për rritjen e fëmijëve. Por tani parimet e shqyrtuara në ato fjalime do të bëhen më domethënëse. Ata do të bëhen me fëmijë. Çfarë përgjegjësie kolosale është të rritësh një fëmijë! Pra, në rrethana të reja, disa parime të njohura nga Bibla mund të marrin më shumë kuptim për ne. Kjo është një arsye pse adhuruesit e Jehovait lexojnë Shkrimet dhe, njësoj siç ishin urdhëruar mbretërit e Izraelit, meditojnë rreth tyre ‘për sa ditë të kenë jetë’.—Ligj. 17:19.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Prindër, ju keni një nga privilegjet më të mëdha që mund të ketë një shërbëtor i Perëndisë—t’i mësoni fëmijët për Jehovain. Ama nuk mjafton thjesht t’u mësoni ca fakte për Perëndinë. Duhet t’i ndihmoni ta duan me gjithë zemër Jehovain. Çfarë mund të bëni që t’u rrënjosni fëmijëve dashurinë për të? Në këtë artikull, do të ndalemi te katër parime që mund t’ju ndihmojnë si prindër. (2 Tim. 3:16) Gjithashtu do të shohim si kanë nxjerrë dobi disa prindër Dëshmitarë ngaqë kanë zbatuar këshillat e Biblës.
KATËR PARIME QË MUND T’I NDIHMOJNË PRINDËRIT
4. Cili është një parim që mund t’i ndihmojë prindërit t’u rrënjosin në zemër fëmijëve dashurinë për Jehovain? (Jakovi 1:5)
4 Parimi 1: Kërkoni drejtimin e Jehovait. Lutjuni Jehovait t’ju japë mençurinë e nevojshme për t’i ndihmuar fëmijët të kultivojnë dashuri për të. (Lexo Jakovin 1:5.) Ai është Personi më i shkëlqyer për të dhënë këshilla, e ka disa arsye pse e themi këtë. Të shohim vetëm dy prej tyre. Së pari, Jehovai ka më shumë përvojë nga të gjithë si prind. (Psal. 36:9) Dhe së dyti, këshillat e tij të mençura sjellin dobi gjithmonë.—Isa. 48:17.
5. (a) Si i ndihmon prindërit organizata e Jehovait? (b) Siç tregohet në video, çfarë mësuat nga mënyra si i rriti fëmijët çifti Amorim?
5 Nëpërmjet Shkrimeve dhe organizatës së tij, Jehovai siguron një bollëk materialesh të bazuara në Bibël që mund t’ju ndihmojnë si prindër t’u ushqeni fëmijëve dashurinë për Jehovain. (Mat. 24:45) Për shembull, mund të gjeni plot këshilla praktike në serinë «Ndihmë për familjen», e cila ka dalë për disa vite në revistën Zgjohuni! dhe tani gjendet në sitin jw.org. Në këtë sit dalin edhe shumë video me intervista dhe me dramatizime që mund t’i ndihmojnë prindërit të zbatojnë këshillat e Jehovait ndërsa rritin fëmijët. *—Prov. 2:4-6.
6. Si ndihet një baba për udhëheqjen që u jep Jehovai prindërve nëpërmjet organizatës së Tij?
6 Mjaft prindër kanë shprehur vlerësimin për ndihmën që siguron Jehovai nëpërmjet organizatës së tij. Një baba që quhet Xho, pranon: «Të rritësh tre fëmijë në të vërtetën s’është fare e lehtë. Unë dhe gruaja i lutemi gjithmonë Jehovait për ndihmë. Shpesh, kur po hasnim ndonjë problem me fëmijët, dilte një artikull ose një video fiks në kohën e duhur që na ndihmonte. Për ne ka qenë jetësore të kërkojmë udhëheqjen e Jehovait.» Xho dhe e shoqja kanë vërejtur se këto mjete po i ndihmojnë fëmijët të afrohen me Jehovain.
7. Pse është e rëndësishme që prindërit të bëjnë çmos të lënë një shembull të mirë? (Romakëve 2:21)
7 Parimi 2: Mësoni me anë të shembullit. Fëmijët i vëzhgojnë me kujdes prindërit dhe shpesh i imitojnë. Natyrisht, prindër të përkryer s’ka. (Rom. 3:23) Gjithsesi, prindërit e mençur përpiqen fort t’u lënë një shembull të mirë fëmijëve. (Lexo Romakëve 2:21.) Një baba thotë: «Fëmijët janë si sfungjerë që thithin çdo fjalë a veprim tonin.» Pastaj shton: «Nëse nuk i bëjmë vetë gjërat që përpiqemi t’u mësojmë, do të na i thonë.» Prandaj, nëse dëshirojmë që fëmijët tanë ta duan Jehovain, duhet të shihet qartë se ne vetë kemi një dashuri të thellë për të.
8-9. Çfarë mësove nga komentet e Andreas dhe të Emës?
8 Ka plot mënyra se si prindërit mund t’i mësojnë fëmijët ta duan Jehovain. Ja çfarë thotë një vëlla 17-vjeçar që quhet Andrea: «Prindërit e mi e theksonin gjithmonë rëndësinë e lutjes. Çdo mbrëmje, babi lutej me mua edhe nëse tashmë isha lutur vetëm. Shpesh prindërit na thoshin: ‘Me Jehovain mund të flisni sa herë të dëshironi.’ Kjo ndikoi thellë tek unë dhe tani e kam kollaj t’i lutem Jehovait e ta shoh si një Atë të dashur.» Prindër, mos e nënvlerësoni kurrë ndikimin e madh që mund të ketë te fëmijët dashuria juaj për Jehovain.
9 Të mendojmë edhe për shembullin e Emës. Babai i saj braktisi familjen dhe e la mamanë të mbytur në borxhe. Ema thotë: «Shpesh mami ishte ngushtë ekonomikisht, por gjithmonë tregonte si kujdeset Jehovai për shërbëtorët e tij duke u siguruar gjërat e nevojshme. Jeta e saj ishte një provë e gjallë se e besonte vërtet këtë. Ajo e zbatonte vetë atë që na mësonte.» Mësimi? Edhe në situata të vështira, prindërit mund të mësojnë me anë të shembullit.—Gal. 6:9.
10. Cilat mundësi mund të shfrytëzonin mjaft prindër izraelitë për të biseduar me fëmijët? (Ligji i përtërirë 6:6, 7)
10 Parimi 3: Flitni rregullisht me fëmijët. Jehovai i udhëzoi izraelitët e lashtë t’u mësonin rregullisht fëmijëve për të. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:6, 7.) Ata prindër kishin plot mundësi gjatë ditës që të bisedonin me fëmijët dhe t’u rrënjosnin në zemër dashurinë për Jehovain. Për shembull, një djalë i vogël izraelit mund të kalonte orë të tëra duke ndihmuar të atin për të mbjellë ose për të mbledhur të korrat. Motra e tij mund të ndihmonte thuajse tërë ditën mamanë ndërsa qepte, endte ose bënte punë të tjera shtëpie. Kështu prindërit dhe fëmijët mund të flisnin për shumë tema të rëndësishme ndërsa punonin bashkë. Për shembull, mund të bisedonin për mirësinë e Jehovait dhe se si po kujdesej për familjen e tyre.
11. Cila është një mundësi që kanë prindërit Dëshmitarë për të biseduar me fëmijët e tyre?
11 Kohët kanë ndryshuar. Në shumë vende, prindërit dhe fëmijët nuk mund të kalojnë shumë kohë me njëri-tjetrin gjatë ditës. Prindërit mund të jenë në punë, ndërsa fëmijët në shkollë. Prandaj, prindërit duhet të shfrytëzojnë rastet për të biseduar me fëmijët e tyre. (Efes. 5: 15, 16; Filip. 1:10) Një rast i tillë është adhurimi familjar. Një vëlla i ri që quhet Aleksandër thotë: «Babi im e programon gjithmonë mirë adhurimin familjar dhe s’lejon asgjë të na e vjedhë këtë kohë që kalojmë bashkë. Pas studimit, thjesht bëjmë muhabet.»
12. Çfarë duhet të mbajë parasysh një kryefamiljar gjatë adhurimit familjar?
12 Nëse je kryefamiljar, si mund ta bësh të këndshëm për fëmijët adhurimin familjar? Pse të mos studiosh me ta botimin e ri fantastik Gëzoje jetën përgjithmonë. Kështu do të kesh mundësi të shkëlqyera të bësh biseda të bukura me fëmijët. Ti dëshiron që ata të të flasin hapur për ndjenjat dhe shqetësimet që kanë, prandaj mos e përdor adhurimin familjar për t’u bërë moral ose për t’i kritikuar. Përpiqu të mos reagosh në mënyrë të ekzagjeruar nëse fëmijët shprehin ndonjë mendim që nuk është në harmoni me parimet e Biblës. Përkundrazi, vlerësoje faktin që po shprehen lirshëm si ndihen dhe bëjua të lehtë që të vazhdojnë të flasin hapur. Vetëm kur e di si ndihen vërtet, mund të gjesh mënyrën më të mirë për t’i ndihmuar fëmijët e tu.
13. Cilat mundësi të tjera kanë prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët të lidhen ngushtë me Jehovain?
13 Prindër, kërkoni mundësi gjatë ditës për t’i ndihmuar fëmijët të lidhen ngushtë me Jehovain. S’keni pse të prisni momentin kur studioni Biblën së bashku që t’i mësoni për Perëndinë tonë të dashur. Ja çfarë thotë një nënë që quhet Liza: «Me anë të krijimit, i ndihmonin fëmijët të mësonin për Jehovain. Për shembull, kur fëmijët shkriheshin me gjërat e lezetshme që bënte qeni ynë, u thoshim se kjo tregon që Krijuesi ka ndjenjë humori dhe e do jetën, njësoj si ne.»
14. Pse është e rëndësishme që prindërit t’i ndihmojnë fëmijët t’i zgjedhin me mençuri miqtë? (Proverbat 13:20)
14 Parimi 4: Ndihmojini fëmijët të zënë miqësi të mira. Fjala e Perëndisë e tregon qartë se miqtë ndikojnë te ne—qoftë për mirë, qoftë për keq. (Lexo Proverbat 13:20.) Prindër, a i njihni shokët e fëmijëve tuaj? A i keni takuar dhe a keni kaluar kohë me ta? Si mund t’i ndihmoni fëmijët të zënë miqësi me ata që e duan Jehovain? (1 Kor. 15:33) Mund t’i ndihmoni të bëjnë zgjedhje të mençura duke ftuar në aktivitetet e familjes suaj vëllezër e motra që kanë marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.—Psal. 119:63.
15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të zënë shoqëri të mira?
15 Të mendojmë për shembullin e një prindi që quhet Toni. Ai tregon si i kanë ndihmuar fëmijët ai dhe e shoqja që të gjejnë miq të mirë: «Gjatë viteve, unë dhe gruaja kemi ftuar në shtëpi vëllezër e motra të moshave e prejardhjeve të ndryshme. Hamë ndonjë vakt së bashku dhe bëjmë adhurimin familjar. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të njohur ata që e duan dhe i shërbejnë me gëzim Jehovait. Kemi pasur privilegjin që në shtëpinë tonë të qëndronin mbikëqyrës qarkorë, misionarë dhe vëllezër e motra të tjerë. Përvojat e tyre, zelli dhe shpirti vetësakrifikues kanë lënë gjurmë të pashlyeshme te fëmijët tanë dhe i kanë ndihmuar të afrohen me Jehovain.» Prindër, bëni çmos t’i ndihmoni fëmijët të zënë shoqëri të mira.
MOS E HUMB SHPRESËN!
16. Çfarë mund të bësh nëse fëmija thotë se nuk dëshiron t’i shërbejë Jehovait?
16 Po nëse, pavarësisht nga përpjekjet e tua të palodhura, një nga fëmijët e tu thotë se nuk dëshiron t’i shërbejë Jehovait? Mos dil në përfundimin se ke dështuar si prind. Jehovai na ka dhënë të gjithëve dhuratën e vullnetit të lirë—aftësinë për të zgjedhur nëse do t’i shërbejmë Perëndisë—e këtu përfshihet edhe fëmija yt. Nëse ai ka vendosur të largohet nga Jehovai, mos e humb shpresën se do të kthehet një ditë. Kujto ilustrimin e djalit të humbur. (Luka 15:11-19, 22-24) Ai djalë i ri devijoi shumë nga rruga e drejtë, por si përfundim u kthye. Mirëpo, disa mund të thonë: «Ky është veçse një ilustrim. A është e mundur të ndodhë realisht?» Patjetër që po! Në fakt, kështu ndodhi me një të ri që quhet Ili.
17. Pse të jep zemër shembulli i Ilit?
17 Ili thotë për prindërit e tij: «U përpoqën fort të më ngulitnin dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e tij, Biblën. Megjithatë, gjatë adoleshencës, nisa të rebelohesha.» Ili filloi të bënte një jetë të dyfishtë dhe nuk ua vuri veshin prindërve që përpiqeshin ta ndihmonin të qëndronte afër Jehovait. Pasi u largua nga shtëpia, ai u përfshi në sjellje të gabuara. Gjithsesi, me raste bisedonte për Biblën me një shokun e tij. Ili kujton: «Sa më shumë i flitja shokut për Jehovain, aq më shumë mendoja për Jehovain. Dalëngadalë, farërat e së vërtetës biblike të fjetura në zemrën time—fara që prindërit ishin përpjekur shumë t’i mbillnin—nisën të rriteshin.» Me kalimin e kohës, Ili u kthye në të vërtetën. * Imagjino sa të lumtur ndiheshin prindërit e tij që ishin përpjekur t’i rrënjosnin që në vogëli dashurinë për Jehovain!—2 Tim. 3:14, 15.
18. Si ndihesh për prindërit që përpiqen fort t’u rrënjosin në zemër fëmijëve dashurinë për Jehovain?
18 Prindër, Perëndia ju ka dhënë një privilegj të mrekullueshëm—të rritni brezin e ri me adhurues të Jehovait. (Psal. 78:4-6) Kjo nuk është detyrë e lehtë, ndaj ju lavdërojmë nga zemra që përpiqeni pa u kursyer të ndihmoni fëmijët tuaj. Nëse vazhdoni të bëni më të mirën që t’u rrënjosni fëmijëve dashurinë për Jehovain dhe t’i rritni me disiplinën e këshillat e tij, të jeni të sigurt se Atit tonë të dashur do t’i gëzojë zemra.—Efes. 6:4.
KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»
^ Prindërit Dëshmitarë i duan shumë fëmijët e tyre. Ata punojnë fort që fëmijët të kenë gjërat e nevojshme dhe të jenë të lumtur. Ç’është më e rëndësishmja, bëjnë çmos t’u rrënjosin në zemër një dashuri të thellë për Jehovain. Në këtë artikull do të shohim katër parime nga Bibla që mund t’i ndihmojnë prindërit ta arrijnë këtë synim.
^ Shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën» në Kullën e Rojës të 1 prillit 2012.
^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Që të njohë më mirë shokët e djalit, një baba luan basketboll me të birin dhe shokun e tij.