Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 20

Zbulesa—Çfarë nënkupton për armiqtë e Perëndisë

Zbulesa—Çfarë nënkupton për armiqtë e Perëndisë

«Ato i mblodhën mbretërit së bashku në vendin që në hebraisht quhet Armagedon.»—ZBUL. 16:16.

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë tregon libri i Zbulesës në lidhje me popullin e Perëndisë?

 LIBRI i Zbulesës tregon se Mbretëria qiellore e Perëndisë ka filluar të qeverisë dhe se Satanai është dëbuar nga qielli. (Zbul. 12:1-9) Dëbimi i tij ka sjellë paqe në qiell, por telashe për ne. Pse? Sepse Satanai e shfren zemërimin ndaj atyre që i shërbejnë besnikërisht Jehovait në tokë.—Zbul. 12:12, 15, 17.

2. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të palëkundur?

2 Si mund të qëndrojmë të palëkundur përballë sulmeve të Satanait? (Zbul. 13:10) Një gjë që do të na ndihmojë është të dimë çfarë do të sjellë e ardhmja. Për shembull, te Zbulesa, apostulli Gjon flet për disa bekime që do të gëzojmë së shpejti. Ndër këto bekime do të jetë edhe asgjësimi i armiqve të Perëndisë. Le të shohim si i përshkruan Zbulesa këta armiq me anë të shenjave dhe ç’do të ndodhë me ta.

ARMIQTË E PERËNDISË PËRSHKRUHEN «ME ANË TË SHENJAVE»

3. Cilat janë disa nga shenjat që përdoren te Zbulesa?

3 Që në vargun e parë, Zbulesa na sqaron se informacionet që do të lexojmë, paraqiten «me anë të shenjave», domethënë me gjuhë simbolike. (Zbul. 1:1) Pra, edhe për të përshkruar armiqtë e Perëndisë përdoren simbole ose disa bisha. Për shembull, shohim ‘një bishë që del nga deti’. Ajo ka «dhjetë brirë dhe shtatë kokë». (Zbul. 13:1) Pas saj, ‘një bishë tjetër del nga toka’. Ajo flet si dragua dhe ‘bën të zbresë zjarr nga qielli’. (Zbul. 13:11-13) Pastaj shohim «një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur», mbi të cilën rri ulur një prostitutë. Këto tri bisha paraqesin armiq të betuar të Perëndisë Jehova dhe të Mbretërisë së tij, prandaj është e rëndësishme të dimë cilët janë.—Zbul. 17:1, 3.

KATËR BISHA TË STËRMËDHA

Ato dalin «nga deti». (Dan. 7:1-8, 15-17) Simbolizojnë fuqitë botërore që ndikuan në mënyrë të rëndësishme te populli i Perëndisë, duke filluar nga koha e Danielit (Shih paragrafët 4, 7)

4-5. Si na ndihmon ajo që thuhet te Danieli 7:15-17 të kuptojmë se ç’do të thonë shenjat e Zbulesës?

4 Për të identifikuar armiqtë e Perëndisë, duhet të kuptojmë çfarë do të thonë këto simbole. Mënyra më e mirë për ta kuptuar është të lejojmë të na e shpjegojë vetë Bibla. Shumë nga simbolet që gjejmë te Zbulesa janë shpjeguar në libra të tjerë të Biblës. Për shembull, profeti Daniel pa një ëndërr me ‘katër bisha të stërmëdha që dolën nga deti’. (Dan. 7:1-3) Libri i Danielit sqaron edhe çfarë paraqesin ato. Këto bisha të stërmëdha paraqesin katër «mbretër», ose qeveri. (Lexo Danielin 7:15-17.) Ky shpjegim i qartë na ndihmon të kuptojmë se edhe bishat e përshkruara te Zbulesa duhet të paraqesin fuqi politike.

5 Le të ndalemi te disa nga shenjat e përdorura te Zbulesa dhe të shohim si na ndihmon Bibla të kuptojmë domethënien e tyre. Do të nisim me bishat e përmendura më sipër. Në fillim do të zbulojmë çfarë paraqesin ato. Pastaj do të shqyrtojmë çfarë ndodh me këto bisha. Në fund do të shohim çfarë nënkuptojnë për ne këto ngjarje.

ZBULOHET IDENTITETI I ARMIQVE TË PERËNDISË

BISHA ME SHTATË KOKË

Ajo del «nga deti» dhe ka shtatë kokë, dhjetë brirë e dhjetë diadema. (Zbul. 13:1-4) Simbolizon të gjitha fuqitë politike që kanë sunduar mbi njerëzimin në rrjedhën e historisë. Shtatë kokat simbolizojnë shtatë fuqi botërore që kanë ndikuar drejtpërdrejt te populli i Perëndisë (Shih paragrafët 6-8)

6. Çfarë paraqet bisha me shtatë kokë e përmendur te Zbulesa 13:1-4?

6 Çfarë është bisha me shtatë kokë? (Lexo Zbulesën 13:1-4.) Në pamje të parë kjo bishë duket si leopard, por këmbët i ka si të ariut dhe gojën si të luanit, e ka dhjetë brirë. Të gjitha këto janë edhe tiparet e katër bishave të përmendura në kapitullin 7 të Danielit. Mirëpo në librin e Zbulesës, këto tipare nuk i shohim te katër bisha të ndryshme, por të bashkuara te një bishë e vetme. Kjo bishë nuk paraqet vetëm një qeveri ose perandori botërore. Për të thuhet se qeveris «mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb». Kështu, duhet të jetë diçka më e madhe se qeveria e një shteti të vetëm. (Zbul. 13:7) Kjo bishë, pra, duhet të paraqesë të gjitha fuqitë politike që kanë sunduar mbi njerëzimin në rrjedhën e historisë. *Ekl. 8:9.

7. Çfarë paraqet secila nga shtatë kokat e bishës?

7 Çfarë paraqet secila nga shtatë kokat? Një e dhënë na jepet në kapitullin 17 të Zbulesës, ku përshkruhet një shëmbëlltyrë e bishës së përmendur në kapitullin 13. Te Zbulesa 17:10 lexojmë: «Janë shtatë mbretër: pesë kanë rënë, njëri është, e tjetri nuk ka ardhur ende, por kur të vijë, do të mbetet për pak kohë.» Ndër gjithë fuqitë politike që ka përdorur Satanai, shtatë kanë spikatur mbi të tjerat si ‘koka’. Këto janë perandoritë botërore që kanë ndikuar drejtpërdrejt te populli i Perëndisë. Në kohën e apostullit Gjon, pesë prej tyre kishin hyrë e kishin dalë nga skena botërore: Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia dhe Greqia. Fuqia e gjashtë botërore, Roma, po qeveriste ende kur Gjonit iu dha zbulesa. Po cila do të ishte koka, ose fuqia botërore, e shtatë dhe e fundit?

8. Çfarë paraqet koka e shtatë e bishës?

8 Siç do ta shohim, profecitë në librin e Danielit na ndihmojnë të kuptojmë kush është koka e shtatë dhe e fundit e bishës. Cila fuqi botërore ka qeverisur në «ditën e Zotërisë», pra gjatë ditëve të fundit? (Zbul. 1:10) Ka qeverisur një aleancë e Mbretërisë së Bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës—fuqia botërore anglo-amerikane. Prandaj mund të nxjerrim përfundimin se kjo është koka e shtatë e bishës së përmendur te Zbulesa 13:1-4.

NJË BISHË ME DY BRIRË SI BRIRË QENGJI

Ajo del «nga toka» dhe flet «si dragua». Bën ‘të zbresë zjarr nga qielli’ dhe kryen shenja si ‘profeti i rremë’. (Zbul. 13:11-15; 16:13; 19:20) Si bisha me dy brirë dhe profeti i rremë, Anglo-Amerika mashtron banorët e tokës dhe u thotë «t’i bëjnë një shëmbëlltyrë bishës» që ka shtatë kokë e dhjetë brirë (Shih paragrafin 9)

9. Çfarë paraqet bisha me «dy brirë si brirë qengji»?

9 Më tej në kapitullin 13 të Zbulesës, koka e shtatë, fuqia botërore anglo-amerikane, paraqitet si një bishë me «dy brirë si brirë qengji», mirëpo që flet «si dragua». Kjo bishë «kryen shenja të mëdha, aq sa bën të zbresë edhe zjarr nga qielli në tokë, në sy të njerëzve». (Zbul. 13:11-15) Kapitujt 16 dhe 19 të Zbulesës e quajnë këtë bishë «profeti i rremë». (Zbul. 16:13; 19:20) Danieli përmendi diçka të ngjashme për fuqinë botërore anglo-amerikane kur tha se ajo ‘do të sillte shkatërrim të tmerrshëm’. (Dan. 8:19, 23, 24, shën.) Pikërisht kështu ndodhi gjatë Luftës II Botërore. Dy bombat atomike që luajtën rol vendimtar në përfundimin e asaj lufte në Paqësor, ishin rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të shkencëtarëve britanikë dhe amerikanë. Me fjalë të tjera, fuqia botërore anglo-amerikane ‘bëri të zbriste zjarr nga qielli në tokë’.

NJË BISHË ME NGJYRË TË KUQE TË NDEZUR

Mbi të rri ulur një prostitutë, Babilonia e Madhe. Për këtë bishë thuhet se është një mbret i tetë. (Zbul. 17:3-6, 8, 11) Në fillim prostituta e ka nën kontroll bishën, por më vonë bisha e asgjëson. Prostituta paraqet perandorinë botërore të fesë së rreme. Bisha sot paraqet Kombet e Bashkuara, që përkrahin interesat e sistemit politik botëror (Shih paragrafët 10, 14-17)

10. Çfarë paraqet ‘shëmbëlltyra e bishës’? (Zbulesa 13:14, 15; 17:3, 8, 11)

10 Më pas shohim një bishë tjetër. Ajo duket thuajse njësoj si bisha me shtatë kokë, përveç faktit që ka ngjyrë të kuqe të ndezur. Shkrimet e quajnë ‘shëmbëlltyra e bishës’ dhe thonë se është një ‘mbret i tetë’. * (Lexo Zbulesën 13:14, 15; 17:3, 8, 11.) Gjithashtu thonë se ky ‘mbret’ shfaqet, pastaj zhduket, e më vonë shfaqet sërish. Çfarë përshkrimi i goditur për Organizatën e Kombeve të Bashkuara që përkrah interesat e sistemit politik botëror! Ajo erdhi në ekzistencë si Lidhja e Kombeve. Pastaj, gjatë Luftës II Botërore, u zhduk. Më vonë u rishfaq si Organizata e Kombeve të Bashkuara.

11. Për çfarë i nxitin bishat njerëzit, dhe pse nuk kemi asnjë arsye për t’u frikësuar?

11 Me anë të propagandës së tyre, bishat, pra fuqitë politike, i nxitin njerëzit t’i kundërvihen Jehovait dhe popullit të tij. Në kuptimin e figurshëm, ato i mbledhin «mbretërit e mbarë tokës së banuar» për luftën e Armagedonit, që është ‘dita e madhe e Perëndisë së Plotfuqishëm’. (Zbul. 16:13, 14, 16) Megjithatë nuk kemi asnjë arsye për t’u frikësuar. Perëndia ynë madhështor, Jehovai, do të hidhet menjëherë në veprim për t’i shpëtuar të gjithë ata që përkrahin sovranitetin e tij.—Ezek. 38:21-23.

12. Çfarë do të ndodhë me të gjitha bishat?

12 Çfarë ndodh me të gjitha bishat? Zbulesa 19:20 përgjigjet: «Bisha u kap e bashkë me të edhe profeti i rremë, që kreu para saj shenjat me të cilat mashtroi ata që morën damkën e bishës dhe ata që adhurojnë shëmbëlltyrën e saj. Ata i hodhën që të dy të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur.» Pra, ndërsa do të jenë duke qeverisur, këta armiq të Perëndisë—fuqitë politike—do të shkatërrohen një herë e mirë.

13. Çfarë presioni u bëjnë qeveritë e botës shërbëtorëve të Jehovait?

13 Çfarë nënkupton kjo për ne? Si adhurues të Jehovait, duhet të jemi besnikë ndaj Perëndisë tonë dhe ndaj Mbretërisë së tij. (Gjoni 18:36) E që të mbetemi besnikë, duhet të qëndrojmë asnjanës në çështjet politike të botës. Por kjo mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë, sepse qeveritë e botës kërkojnë me çdo kusht mbështetjen tonë të plotë, me fjalë e me vepra. Ata që bien para këtij presioni, marrin damkën e bishës. (Zbul. 13:16, 17) Mirëpo kushdo që merr këtë damkë, merr mbi vete edhe mosmiratimin e Jehovait dhe humb mundësinë që të jetojë përgjithmonë. (Zbul. 14:9, 10; 20:4) Sa e rëndësishme është, pra, që secili nga ne të qëndrojë plotësisht asnjanës, çfarëdo presioni të na bëjnë qeveritë për të marrë anën e tyre!

FUNDI I TURPSHËM I PROSTITUTËS SË MADHE

14. Çfarë gjëje të çuditshme sheh më pas apostulli Gjon, siç tregon Zbulesa 17:3-5?

14 Apostulli Gjon tha se ‘u çudit shumë’ nga diçka që pa. Çfarë pa? Një grua që rrinte ulur mbi një nga bishat grabitqare. (Zbul. 17:1, 2, 6) Gruaja përshkruhet si një ‘prostitutë e madhe’ dhe quhet «Babilonia e Madhe». Ajo kryen «imoralitet seksual» me «mbretërit e tokës».—Lexo Zbulesën 17:3-5.

15-16. Çfarë paraqet «Babilonia e Madhe», dhe nga e dimë këtë?

15 Çfarë paraqet «Babilonia e Madhe»? Kjo grua nuk mund të paraqesë një organizatë politike, përderisa thuhet se kryen imoralitet me udhëheqësit politikë të botës. (Zbul. 18:9) Në fakt, ajo qëndron ulur mbi këta qeveritarë, çka tregon se bën çmos t’i ketë nën kontroll. Kjo grua nuk mund të paraqesë as elementët tregtarë lakmitarë të botës së Satanait. Zbulesa përdor një shprehje tjetër për ta dhe i quan «tregtarët e tokës».—Zbul. 18:11, 15, 16.

16 Në Shkrime, fjala «prostitutë» mund të përdoret për ata që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, por që merren me idhujtari ose bëhen miq të botës në ndonjë mënyrë tjetër. (1 Kron. 5:25; Jak. 4:4) Në kontrast me këtë, ata që e adhurojnë besnikërisht Perëndinë quhen «të dëlirë» ose «të virgjër». (2 Kor. 11:2; Zbul. 14:4) Babilonia e lashtë ishte qendër e adhurimit të rreme. Babilonia e Madhe, pra, duhet të paraqesë të gjitha format e adhurimit të rremë. Në fakt, ajo është perandoria botërore e fesë së rreme.—Zbul. 17:5, 18; shih artikullin «Çfarë është Babilonia e Madhe?» në jw.org.

17. Ç’do të ndodhë me Babiloninë e Madhe?

17 Çfarë do të ndodhë me Babiloninë e Madhe? Ja përgjigjja që jep Zbulesa 17:16, 17: «Dhjetë brirët që pe dhe bisha, do ta urrejnë prostitutën; do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq; do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr. Në fakt Perëndia u shtiu në zemër që ata të përmbushin mendimin e tij.» Pra, Jehovai do t’i shtyjë kombet të përdorin bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, domethënë Kombet e Bashkuara, që ta sulmojnë perandorinë botërore të fesë së rreme e ta shfarosin krejt.—Zbul. 18:21-24.

18. Si mund të sigurohemi se nuk kemi kurrfarë lidhjeje me Babiloninë e Madhe?

18 Çfarë nënkupton kjo për ne? Duhet të bëjmë kujdes që adhurimi ynë të jetë përherë «i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë». (Jak. 1:27) Kurrë të mos lejojmë të ndikohemi nga mësimet e rreme, festimet pagane, normat e ulëta morale dhe zakonet spiritiste të Babilonisë së Madhe! Gjithashtu duhet të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje njerëzve ‘të dalin prej saj’, që të mos jenë fajtorë bashkë me të në sy të Perëndisë.—Zbul. 18:4.

GJYKIMI KUNDËR ARMIKUT MË TË MADH TË PERËNDISË

DRAGOI ME NGJYRË TË KUQE ZJARR

Satanai i jep autoritet bishës. (Zbul. 12:3, 9, 13; 13:4; 20:2, 10) Si armiku më i madh i Jehovait, Satanai do të mbyllet në humnerë për 1.000 vjet. Pas kësaj do të hidhet në «liqenin e zjarrit e të squfurit» (Shih paragrafët 19-20)

19. Kush është ‘dragoi i madh me ngjyrë të kuqe zjarr’?

19 Libri i Zbulesës flet edhe për ‘një dragua të madh me ngjyrë të kuqe zjarr’. (Zbul. 12:3) Dragoi lufton kundër Jezuit dhe engjëjve të tij. (Zbul. 12:7-9) Ai sulmon popullin e Perëndisë dhe u jep pushtet bishave, qeverive njerëzore. (Zbul. 12:17; 13:4) Kush është ky dragua? Është «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana». (Zbul. 12:9; 20:2) Pikërisht ai komandon gjithë armiqtë e tjerë të Jehovait.

20. Çfarë do të ndodhë me dragoin?

20 Çfarë ndodh me dragoin? Zbulesa 20:1-3 tregon se një engjëll do ta vërvitë Satanain në një humnerë, ku do të jetë i izoluar si në burg. Gjatë atij izolimi, Satanai ‘nuk do t’i mashtrojë më kombet, derisa të mbarojnë 1.000 vjetët’. Në fund, Satanai dhe demonët e tij do të hidhen në «liqenin e zjarrit e të squfurit», domethënë do të shfarosen një herë e mirë. (Zbul. 20:10) Imagjino: një botë pa Satanain dhe demonët e tij! Çfarë kohe e mrekullueshme do të jetë!

21. Pse na bën të lumtur ajo që kemi kuptuar nga libri i Zbulesës?

21 Sa zemërdhënëse është të kuptosh domethënien e shenjave të përdorura në librin e Zbulesës! Jo vetëm kemi identifikuar cilët janë armiqtë e Jehovait, por edhe kemi parë ç’do të ndodhë me ta. Po, «lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie»! (Zbul. 1:3) Por, pasi të jenë asgjësuar armiqtë e Perëndisë, çfarë bekimesh do të shijojnë njerëzit besnikë? Për këtë do të flasë artikulli i fundit i serisë.

KËNGA 23 Jehovai po mbretëron

^ Libri i Zbulesës përdor shenja ose simbole kur flet për armiqtë e Perëndisë. Libri i Danielit na ndihmon të kuptojmë domethënien e këtyre shenjave. Në këtë artikull do të krahasojmë disa nga profecitë e Danielit me profeci të ngjashme të Zbulesës. Kjo do të na ndihmojë të identifikojmë armiqtë e Perëndisë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë me ta.

^ Diçka tjetër që tregon se bisha me shtatë kokë paraqet të gjitha fuqitë politike është fakti që ajo ka «dhjetë brirë». Numri dhjetë në Bibël, shpesh përdoret për të treguar diçka që është e plotë.

^ Ndryshe nga bisha e parë, shëmbëlltyra e bishës nuk ka në brirët e saj kurora mbretërore, ose «diadema». (Zbul. 13:1) Kjo sepse ‘vjen nga shtatë’ mbretër të tjerë dhe e merr autoritetin prej tyre.—Shih artikullin «Çfarë është bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur te kapitulli 17 i Zbulesës?» në jw.org.