Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

Zbulesa—Çfarë nënkupton për të ardhmen tënde

Zbulesa—Çfarë nënkupton për të ardhmen tënde

«Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»—ZBUL. 22:20.

KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë vendimi të rëndësishëm duhet të marrë çdo njeri?

 ÇDO njeri sot duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. A do të qëndrojë në anën e Perëndisë Jehova, i cili ka të drejtën të jetë Sovrani i universit, apo do të përkrahë armikun e tij mizor, Satana Djallin? Rrugë të mesme nuk ka. Vendimi që marrin, do të ndikojë në të ardhmen e tyre të përhershme. (Mat. 25:31-33, 46) Gjatë ‘shtrëngimit të madh’, njerëzit do të marrin ose shenjën e shpëtimit, ose shenjën e shkatërrimit.—Zbul. 7:14; 14:9-11; Ezek. 9:4, 6.

2. (a) Çfarë na inkurajon të bëjmë Hebrenjve 10:35-39? (b) Si mund të na ndihmojë libri i Zbulesës?

2 Lexo Hebrenjve 10:35-39. Nëse ke zgjedhur të përkrahësh sovranitetin e Jehovait, ke marrë një vendim të mençur. Tani patjetër dëshiron me gjithë zemër të ndihmosh të tjerët të bëjnë zgjedhjen e duhur. Për t’i ndihmuar, mund të përdorësh informacionin e librit të Zbulesës. Ky libër mbresëlënës zbulon ç’do të ndodhë me ata që i kundërvihen Jehovait, por tregon edhe çfarë bekimesh do të derdhen mbi ata që përkrahin me besnikëri sovranitetin e tij. Bëjmë mirë të ndalemi e të mendojmë për këto të vërteta jetësore. Kjo do të na forcojë vendosmërinë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait. Veç kësaj, mund ta përdorim atë që mësojmë për të ndihmuar edhe të tjerët të marrin vendimin e duhur e të mos luajnë nga ai vendim.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë këto pyetje: Ç’e ardhme i pret ata që përkrahin sovranitetin e Perëndisë? Çfarë do të ndodhë me ata që zgjedhin të përkrahin bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, që përshkruan libri i Zbulesës?

E ARDHMJA E BESNIKËVE

4. Cilin grup sheh apostulli Gjon të qëndrojë me Jezuin në qiell?

4 Në një vegim, apostulli Gjon sheh dy grupe që përkrahin sovranitetin e Jehovait dhe shijojnë bekimet e jetës së përhershme. Grupi i parë përbëhet nga 144.000 veta. (Zbul. 7:4) Ata janë zgjedhur nga toka për të formuar në qiell me Jezuin një qeveri, ose Mbretëri. Bashkë me të, mbretërojnë mbi tokën. (Zbul. 5:9, 10; 14:3, 4) Në vegim, Gjoni i sheh të qëndrojnë në malin qiellor të Sionit me Jezuin.—Zbul. 14:1.

5. Çfarë do të ndodhë së shpejti me mbetjen e 144.000-ve?

5 Ndër shekuj, mijëra veta janë zgjedhur si pjesë e 144.000-ve. (Luka 12:32; Rom. 8:17) Megjithatë, Gjonit iu tha se vetëm një mbetje, pra një numër i vogël i tyre, do të ishte gjallë në tokë gjatë ditëve të fundit. Kjo ‘mbetje’ do ta marrë ‘vulosjen’ përfundimtare, ose miratimin përfundimtar të Jehovait, para se të shpërthejë shtrëngimi i madh. (Zbul. 7:2, 3; 12:17) Pastaj, gjatë shtrëngimit të madh, mbetja do të bashkohet në qiell me pjesën tjetër të 144.000-ve, që kanë vdekur besnikë. Ata do të qeverisin bashkë me Jezuin në Mbretërinë e Perëndisë.—Mat. 24:31; Zbul. 5:9, 10.

6-7. (a) Cilin grup sheh më pas Gjoni, dhe çfarë mësojmë për ta? (b) Pse edhe mbetja, edhe shumica e madhe e presin me zjarr plotësimin e kapitullit 7 të Zbulesës?

6 Pas grupit qiellor, Gjoni sheh «një shumicë të madhe». Ndryshe nga 144.000-t, ky grup është i panumërt. (Zbul. 7:9, 10) Çfarë mësojmë për ta? Gjonit i thuhet: «Janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë rrobat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» (Zbul. 7:14) Pasi t’i mbijetojë shtrëngimit të madh, kjo ‘shumicë e madhe’ do të jetojë këtu në tokë dhe do të gëzojë bekime fantastike.—Psal. 37:9-11, 27-29; Prov. 2:21, 22; Zbul. 7:16, 17.

7 Qoftë nëse jemi zgjedhur të shkojmë në qiell, qoftë nëse do të vazhdojmë të jetojmë në tokë, a e shohim veten brenda tablosë që përshkruan kapitulli 7 i Zbulesës? Duhet ta shohim! Çfarë kohe e mahnitshme do të jetë ajo për të dyja grupet e shërbëtorëve të Perëndisë! Do të ndiejmë një gëzim të papërshkrueshëm që zgjodhëm të përkrahnim sovranitetin e Jehovait. Çfarë na tregon tjetër libri i Zbulesës për shtrëngimin e madh?—Mat. 24:21.

ÇFARË I PRET KUNDËRSHTARËT E PERËNDISË

8. Si do të fillojë shtrëngimi i madh, dhe si do të reagojë shumica e njerëzve?

8 Siç u përmend në artikullin e kaluar, elementët politikë të botës së shpejti do t’i vërsulen Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbul. 17:16, 17) Kjo do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh. A do të ketë si rezultat një vërshim njerëzish drejt adhurimit të Jehovait? Jo. Përkundrazi, kapitulli 6 i Zbulesës tregon se në atë kohë kritike, ata që nuk i shërbejnë Jehovait do të kërkojnë mbrojtje te sistemi politik dhe ai tregtar i botës, që krahasohen me malet. Meqë nuk do ta mbështetin Mbretërinë e Perëndisë, Jehovai do t’i konsiderojë kundërshtarë.—Luka 11:23; Zbul. 6:15-17.

9. Pse shërbëtorët e Jehovait do të spikatin gjatë shtrëngimit të madh, dhe cila do të jetë pasoja?

9 Kështu, gjatë asaj kohe të zymtë, shtrëngimit të madh, shërbëtorët besnikë të Jehovait do të spikatin si të ndryshëm. Ata do të vazhdojnë të jenë i vetmi grup njerëzish në tokë që i shërbejnë Perëndisë Jehova dhe që nuk pranojnë të mbështetin ‘bishën’. (Zbul. 13:14-17) Qëndrimi i tyre i palëkundur do të ndezë tërbimin e kundërshtarëve të Jehovait. Si pasojë, një koalicion kombesh do të sulmojë shërbëtorët e Perëndisë në mbarë tokën. Ky agresion i tërbuar përshkruhet në profeci si sulmi i Gogut të Magogut.—Ezek. 38:14-16.

10. Si do të reagojë Jehovai ndaj sulmit kundër popullit të tij? (Zbulesa 19:19-21)

10 Si do të reagojë Jehovai ndaj këtij sulmi të egër? Ai vetë thotë: «Mua do të më ndizet një tërbim i madh.» (Ezek. 38:18, 21-23) Kapitulli 19 i Zbulesës tregon çfarë ndodh më pas. Jehovai dërgon Birin e vet që të mbrojë popullin e Tij dhe të mundë armiqtë e tyre. Në atë kundërsulm, Jezui u prin ‘ushtrive qiellore’—engjëjve besnikë dhe 144.000-ve. (Zbul. 17:14; 19:11-15) Si përfundon kjo luftë? Me asgjësimin e plotë të gjithë njerëzve dhe organizatave që i kundërvihen Jehovait!—Lexo Zbulesën 19:19-21.

PAS LUFTËS, NJË DASMË

11. Me cilën ngjarje speciale kurorëzohet libri i Zbulesës?

11 Përfytyro si do të ndihen besnikët në tokë pasi t’i kenë mbijetuar shkatërrimit të plotë të armiqve të Perëndisë! Çfarë kohësh të hareshme do të jenë! Vërtet, edhe pse shkatërrimi i Babilonisë së Madhe do të shkaktojë brohoritje të gëzuara në qiell, diçka tjetër do të ngjallë akoma më shumë gëzim. (Zbul. 19:1-3) Është «martesa e Qengjit»—ngjarja që kurorëzon librin e Zbulesës.—Zbul. 19:6-9.

12. Siç tregon Zbulesa 21:1, 2, kur do të ndodhë martesa e Qengjit?

12 Kur ndodh kjo martesë? Të 144.000-t do të jenë të gjithë në qiell pak para se të fillojë lufta e Armagedonit. Megjithatë nuk do të jetë ai momenti kur do të bëhet martesa e Qengjit. (Lexo Zbulesën 21:1, 2.) Martesa e Qengjit ndodh pasi përfundon lufta e Armagedonit dhe shfarosen të gjithë armiqtë e Perëndisë.—Psal. 45:3, 4, 13-17.

13. Çfarë nënkupton martesa e Qengjit për ata që janë të përfshirë?

13 Çfarë nënkupton martesa e Qengjit për ata që përfshihen në të? Ashtu si një martesë që bashkon një burrë e një grua, kjo martesë simbolike bashkon Mbretin, Jezu Krishtin, me ‘nusen’ e tij, 144.000-t. Kjo ngjarje vendimtare shënon krijimin e qeverisë së re që do të mbretërojë mbi tokën për 1.000 vjet.—Zbul. 20:6.

NJË QYTET I LAVDISHËM DHE E ARDHMJA JOTE

Në kapitullin 21 të Zbulesës thuhet se qyteti simbolik i Jerusalemit të Ri ‘zbret nga qielli, nga Perëndia’. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, ai qytet do të derdhë bekime pa fund mbi njerëzit e bindur (Shih paragrafët 14-16)

14-15. Me çfarë i krahason kapitulli 21 i Zbulesës 144.000-t? (Shih figurën e kopertinës.)

14 Më tej, kapitulli 21 i Zbulesës i krahason 144.000-t me një qytet me bukuri përrallore që quhet ‘Jerusalemi i Ri’. (Zbul. 21:2, 9) Ky qytet është ngritur mbi 12 gurë themeli që kanë të mbishkruar «12 emrat e 12 apostujve të Qengjit». Pse i ngjalli kureshtje Gjonit ky fakt? Sepse në një nga ata gurë pa të shkruar emrin e vet. Çfarë privilegji i çmuar!—Zbul. 21:10-14; Efes. 2:20.

15 Ky qytet simbolik s’ka të dytë. Rruga kryesore është prej ari të kulluar, 12 portat e tij janë margaritarë, muret e themelet i ka të stolisura me gurë të çmuar dhe përmasat e qytetit janë të barabarta, në ekuilibër të përsosur me njëra-tjetrën. (Zbul. 21:15-21) E megjithatë duket se mungon diçka. Ja ç’thotë Gjoni më pas: «Në të nuk pashë asnjë tempull, sepse Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi, është tempulli i tij, e po kështu edhe Qengji. Qyteti nuk ka nevojë as për diellin, as për hënën që të ndriçojnë mbi të, sepse e ndriçon lavdia e Perëndisë, dhe llamba e tij është Qengji.» (Zbul. 21:22, 23) Ata që përbëjnë Jerusalemin e Ri do të jenë në praninë e Jehovait. (Hebr. 7:27; Zbul. 22:3, 4) Pra, tempulli i këtij qyteti janë Jehovai dhe Jezui.

Cilët do të nxjerrin dobi prej masave të paraqitura nga ‘një lumë’ dhe nga ‘pemët’? (Shih paragrafët 16-17)

16. Çfarë do të provojë njerëzimi gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Mbretërisë së Perëndisë?

16 Të mirosurve u gufon zemra kur meditojnë për këtë qytet. Por edhe ata me shpresë tokësore kanë arsye të dëshirojnë të dinë më shumë për të. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Mbretërisë së Perëndisë, Jerusalemi i Ri do të sjellë bekime pa fund. Gjoni i sheh këto bekime të rrjedhin si një lumë, ‘lumi i ujit të jetës’. E në të dyja anët e lumit janë «pemët e jetës» me gjethe që shërbejnë «për shërimin e kombeve». (Zbul. 22:1, 2) Në atë kohë, tërë banorët e tokës do të kenë mundësi të nxjerrin dobi nga këto masa. Të gjithë njerëzit që i binden Jehovait, do të shkojnë dalëngadalë drejt përsosmërisë. Nuk do të ketë më as sëmundje, as dhembje e as lot të hidhur.—Zbul. 21:3-5.

17. Siç tregon Zbulesa 20:11-13, cilët do të nxjerrin dobi nga Mbretërimi Mijëvjeçar?

17 Kush do të nxjerrë dobi nga këto masa të mrekullueshme? Në radhë të parë, shumica e madhe që do t’i mbijetojë Armagedonit, si edhe fëmijët që mund të lindin në botën e re. Por kapitulli 20 i Zbulesës premton edhe se do të ringjallen të vdekurit. (Lexo Zbulesën 20:11-13.) «Të drejtët» besnikë që vdiqën në të kaluarën dhe «të padrejtët»—ata që nuk patën mjaft mundësi të mësonin për Jehovain—do të kthehen në jetë këtu në tokë. (Vep. 24:15; Gjoni 5:28, 29) A do të thotë kjo se gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar do të ringjallet për të jetuar në tokë çdo njeri? Jo. Ata që, para se të vdisnin, e hodhën poshtë me vetëdije mundësinë për t’i shërbyer Jehovait nuk do të kthehen në jetë. Kur iu dha kjo mundësi, ata treguan se nuk ishin të denjë të jetonin në tokën parajsore.—Mat. 25:46; 2 Sel. 1:9; Zbul. 17:8; 20:15.

FINALJA E MADHE

18. Si do të jetë situata në tokë në fund të 1.000 vjetëve?

18 Në fund të 1.000 vjetëve, të gjithë ata që jetojnë në tokë do të jenë bërë të përsosur. Askush s’do të jetë më skllav i mëkatit që trashëguam nga Adami. (Rom. 5:12) Mallkimi i mëkatit adamik do të jetë zhdukur një herë e mirë. Kështu, në fund të 1.000 vjetëve, banorët e tokës ‘do të kthehen në jetë’ si njerëz të përsosur.—Zbul. 20:5.

19. Pse është e nevojshme një sprovë përfundimtare?

19 E dimë se Jezui nuk u dorëzua para orvatjeve të Satanait për ta shtyrë të bënte kompromis. Ai e mbajti të patundur integritetin në sprova. Por a do të veprojnë si ai të gjithë njerëzit e përsosur kur Satanait t’i jepet mundësia t’i sprovojë? Secili do t’i përgjigjet vetë kësaj pyetjeje kur Satanai të lirohet nga humnera në fund të 1.000 vjetëve. (Zbul. 20:7) Ata që qëndrojnë besnikë në atë sprovë përfundimtare do të marrin jetën e përhershme dhe do të shijojnë më në fund lirinë e vërtetë. (Rom. 8:21) Ata që rebelohen, do të shkatërrohen përgjithmonë me Djallin dhe demonët e tij.—Zbul. 20:8-10.

20. Si ndihesh për profecitë drithëruese që përmban libri i Zbulesës?

20 Si ndihesh pasi ke parë këtë tablo të përgjithshme të librit të Zbulesës? A nuk është emocionuese ta shohësh veten brenda këtyre profecive drithëruese? A nuk vlon nga dëshira që të ftosh edhe të tjerë të bashkohen me ne në adhurimin e pastër të Perëndisë? (Zbul. 22:17) Ndërsa i shohim me sytë e mendjes e të zemrës këto ngjarje mahnitëse të së ardhmes, na vjen të themi me gjithë shpirt si apostulli Gjon: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»—Zbul. 22:20.

KËNGA 27 Tregohet qartë lavdia e bijve të Perëndisë

^ Ky është artikulli i fundit i serisë për librin e Zbulesës. Siç do ta shohim në këtë artikull, ata që i qëndrojnë besnikë Jehovait do të kenë një të ardhme të ndritur, kurse ata që i kundërvihen sovranitetit të Perëndisë do të kenë një fund të turpshëm.