Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 19

Zbulesa—Çfarë nënkupton për ty sot

Zbulesa—Çfarë nënkupton për ty sot

«Lum ai që i lexon me zë . . . fjalët e kësaj profecie!» —ZBUL. 1:3.

KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Cila është një arsye pse duhet të kemi dëshirë të mësojmë më shumë për librin e Zbulesës?

 IMAGJINO sikur dikush të jep të shohësh një album fotografik. Teksa e shfleton, sheh plot fytyra të panjohura. Por papritur të mbeten sytë te një fotografi. Pse? Sepse aty je edhe ti. Ndërsa e sheh me kureshtje, përpiqesh të kujtosh kur dhe ku është bërë fotografia. Gjithashtu mundohesh të identifikosh çdo person. Ajo fotografi të thotë shumë.

2 Libri i Zbulesës është si ajo fotografi. Pse? Të paktën për dy arsye. Së pari, ky libër i Biblës u shkrua për ne. Që në vargun e parë lexojmë: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet çfarë do të ndodhë së shpejti.» (Zbul. 1:1) Pra, ky libër nuk është shkruar për njerëzit në përgjithësi, por për ne, shërbëtorët e kushtuar të Perëndisë. Prandaj nuk çuditemi kur kuptojmë se po marrim pjesë në përmbushjen e profecive të këtij libri magjepsës. Me fjalë të tjera, ne shohim veten në «fotografi».

3-4. Sipas librit të Zbulesës, kur do të plotësoheshin profecitë e tij, dhe çfarë duhet të na nxitë të bëjmë kjo?

3 Arsyeja e dytë lidhet me kohën kur përmbushen profecitë e Zbulesës. Apostulli i moshuar Gjon e tha qartë në ç’kohë do të përmbusheshin: «Nën frymëzim u gjenda në ditën e Zotërisë.» (Zbul. 1:10) Kur Gjoni shkroi këto fjalë rreth vitit 96 të e.s., ‘dita e Zotërisë’ ishte akoma larg. (Mat. 25:14, 19; Luka 19:12) Sipas profecive të Biblës, ajo ditë nisi në vitin 1914 kur Jezui u bë Mbret në qiell. Që nga ai vit, filluan të përmbusheshin profecitë e Zbulesës, në të cilat përfshihen shërbëtorët e Perëndisë. E pra, ne po jetojmë në «ditën e Zotërisë»!

4 Përderisa jetojmë në këtë kohë emocionuese, duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë këshillës së dashur që jepet te Zbulesa 1:3: «Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie! Lum ata që zbatojnë çfarë është shkruar në të, sepse koha e caktuar është afër!» Pra, duhet ‘t’i lexojmë me zë’, ‘t’i dëgjojmë fjalët e kësaj profecie’ dhe ‘t’i zbatojmë’. Cilat janë disa nga fjalët që duhet të zbatojmë?

SIGUROHU SE JEHOVAI E PRANON ADHURIMIN TËND

5. Si e thekson libri i Zbulesës se duhet të sigurohemi nëse Jehovai e pranon adhurimin tonë?

5në kapitullin e parë të Zbulesës, del në pah se Jezui e di fare mirë çfarë ndodh në kongregacionet e popullit të tij. (Zbul. 1:12-16, 20; 2:1) Kjo duket qartë te mesazhet që u dërgoi shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël. Në ato mesazhe, Jezui dha udhëzime specifike për t’i ndihmuar të krishterët e shekulli të parë që të siguroheshin se Jehovai e pranonte adhurimin e tyre. E ajo që thuhet në këto mesazhe vlen për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sot. Çfarë mësimi nxjerrim? Kreu ynë, Krishti Jezu, e di fare mirë si është marrëdhënia jonë me Jehovain. Jemi nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e Jezuit, e asgjë nuk i shpëton syrit të tij. Ai e di ç’duhet të bëjmë që të vazhdojmë të gëzojmë miratimin e Jehovait. Cilat udhëzime të Jezuit në librin e Zbulesës kemi nevojë të zbatojmë sot?

6. (a) Sipas fjalëve të Jezuit te Zbulesa 2:3, 4, çfarë problemi kishte kongregacioni i Efesit? (b) Çfarë mësimi nxjerrim nga kjo?

6 Lexo Zbulesën 2:3, 4. Nuk duhet ta humbim dashurinë që kishim në fillim për Jehovain. Mesazhi që u drejtoi Jezui pjesëtarëve të kongregacionit të Efesit, nxori në pah se ata kishin treguar qëndrueshmëri dhe nuk ishin dorëzuar në shërbim të Jehovait, ndonëse kishin hequr lloj-lloj vështirësish. Gjithsesi e kishin humbur dashurinë e fillimit. Ishte jetësore ta ndiznin sërish atë dashuri, përndryshe Jehovai nuk do ta pranonte adhurimin e tyre. Edhe sot, nuk mjafton të tregojmë qëndrueshmëri—duhet të tregojmë qëndrueshmëri me motivet e duhura. Për Perëndinë tonë ka vlerë jo vetëm çfarë bëjmë, por edhe pse e bëjmë. Motivet tona janë të rëndësishme për Jehovain, sepse ai dëshiron që adhurimi ynë t’i ketë rrënjët te dashuria dhe mirënjohja e thellë për të.—Prov. 16:2; Mar. 12:29, 30.

7. (a) Siç tregon Zbulesa 3:1-3, çfarë problemi dalloi Jezui te kongregacioni i Sardës? (b) Çfarë kemi nevojë të bëjmë?

7 Lexo Zbulesën 3:1-3. Duhet të vazhdojmë të rrimë zgjuar e të jemi syçelë. Pjesëtarët e kongregacionit të Sardës kishin një problem të ndryshëm. Ndonëse në të kaluarën i kishin shërbyer Perëndisë, tani ishin plogështuar në shërbim. Prandaj Jezui i urdhëroi ‘të zgjoheshin’. Çfarë paralajmërimi përmban kjo për ne? Pa dyshim, Jehovai s’ka për t’i harruar veprat tona. (Hebr. 6:10) Gjithsesi, s’duhet të jemi të vetëkënaqur me ato që kemi bërë në të kaluarën në shërbim të Jehovait. Edhe pse tani mund të kemi më shumë kufizime, duhet të vazhdojmë të zhytemi plotësisht në «veprën e Zotërisë», e kështu të qëndrojmë zgjuar e syçelë deri në fund.—1 Kor. 15:58; Mat. 24:13; Mar. 13:33.

8. Çfarë mësimi nxjerrim nga mesazhi që u drejtoi Jezui vëllezërve në Laodice? (Zbulesa 3:15-17)

8 Lexo Zbulesën 3:15-17. Duhet ta adhurojmë Perëndinë me zell e me gjithë shpirt. Mesazhi që u drejtoi Jezui vëllezërve në Laodice nxori në pah një problem tjetër: ishin ‘të vakët’ në adhurimin e Perëndisë. Ai indiferentizëm, siç tha Jezui, i bënte ‘të mjerë e të shkretë’. Ata duhej të tregonin zell të zjarrtë për Jehovain e për adhurimin e tij. (Zbul. 3:19) Mësimi për ne? Nëse na është fikur disi zelli, duhet ta përtërijmë çmueshmërinë për thesaret nga Jehovai. (Zbul. 3:18) Kurrë të mos lejojmë të shpërqendrohemi duke rendur pas një jete të rehatshme, e kështu t’i lëmë në hije aktivitetet teokratike.

9. Siç tregojnë mesazhet e Jezuit për të krishterët në Pergam e Tiatirë, cilin rrezik duhet të shmangim?

9 Duhet t’i flakim tej mësimet e apostatëve. Jezui i qortoi disa në kongregacionin e Pergamit ngaqë nxitnin përçarje dhe sekte. (Zbul. 2:14-16) Veç kësaj, lavdëroi ata të krishterë në Tiatirë që kishin shmangur «gjërat e thella të Satanait» dhe i nxiti ‘të mbanin fort’ të vërtetën. (Zbul. 2:24-26) Në ato kongregacione kishte edhe të krishterë me besim të dobët, të cilëve ua kishin prishur mendjen mësimet e rreme. Ata duhej të pendoheshin. Cilin rrezik duhet të shmangim edhe ne sot? Duhet të flakim tej çdo mësim që nuk është në harmoni me mënyrën si mendon Jehovai. Ndoshta apostatët «duket sikur janë të përkushtuar ndaj Perëndisë», por «fuqia e këtij përkushtimi nuk ndikon në jetën e tyre». (2 Tim. 3:5) Është më e lehtë t’i dallojmë dhe t’i hedhim poshtë mësimet e rreme nëse e studiojmë me seriozitet Fjalën e Perëndisë.—2 Tim. 3:14-17; Jud. 3, 4.

10. Çfarë mësimi tjetër nxjerrim nga ajo që u tha Jezui kongregacioneve të Pergamit dhe Tiatirës?

10 Nuk duhet të kryejmë ose të tolerojmë asnjë lloj imoraliteti. Në Pergam e Tiatirë kishte edhe një problem tjetër. Jezui i dënoi disa të krishterë në ato kongregacione ngaqë nuk i thoshin jo imoralitetit. (Zbul. 2:14, 20) Mësimi për ne? Nuk mund të presim që Jehovai të mbyllë një sy para një sjelljeje imorale nga ana jonë, edhe sikur t’i kemi shërbyer për shumë vjet e të kemi mjaft privilegje shërbimi. (1 Sam. 15:22; 1 Pjet. 2:16) Ai pret t’u përmbahemi normave të tij të larta morale, sado keq të katandisen normat e botës.—Efes. 6:11-13.

11. Çfarë kemi mësuar deri tani? (Shih edhe kutinë « Mësime për ne sot».)

11 Si mund ta përmbledhim atë që kemi mësuar deri tani? Kemi parë se duhet të sigurohemi nëse Jehovai e pranon adhurimin tonë. Në qoftë se po veprojmë në një mënyrë që mund ta bëjë të papranueshëm adhurimin tonë, duhet t’i ndreqim gjërat në çast që të kemi miratimin e Perëndisë. (Zbul. 2:5, 16; 3:3, 16) Por, në mesazhet që u drejtoi kongregacioneve, Jezui përmendi edhe diçka tjetër. Çfarë?

JI GATI T’I BËSH BALLË PËRNDJEKJES

Si i ka sulmuar Satanai shërbëtorët e Perëndisë pasi u flak nga qielli? (Shih paragrafët 12-16)

12. Çfarë mund të mësojmë nga mesazhet që u drejtoi Jezui vëllezërve në Smirnë dhe Filadelfia? (Zbulesa 2:10)

12 Të ndalemi tani te mesazhet që u drejtoi Jezui kongregacionit të Smirnës dhe atij të Filadelfias. Ai u tha të krishterëve atje të mos i trembeshin përndjekjes, sepse besnikëria e tyre do të shpërblehej. (Lexo Zbulesën 2:10; 3:10) Mësimi për ne sot? Duhet të presim përndjekje dhe të jemi gati t’i bëjmë ballë. (Mat. 24:9, 13; 2 Kor. 12:10) Pse është e rëndësishme ta mbajmë në mendje këtë?

13-14. Si ndikojnë te shërbëtorët e Perëndisë ngjarjet e përshkruara te kapitulli 12 i Zbulesës?

13 Libri i Zbulesës tregon se në kohën tonë—«në ditën e Zotërisë»—populli i Perëndisë do të përndiqej. Kapitulli 12 i Zbulesës flet për luftën që shpërthen në qiell fill pas lindjes së Mbretërisë së Perëndisë. Mikaeli—Jezu Krishti i lartësuar në qiell—dhe ushtria e tij luftojnë kundër Satanait e demonëve. (Zbul. 12:7, 8) Si rezultat, këta armiq të Perëndisë mposhten dhe flaken në afërsi të tokës, e kjo u sjell vuajtje të tmerrshme atyre që jetojnë në tokë. (Zbul. 12:9, 12) Si ndikojnë këto ngjarje te shërbëtorët e Perëndisë?

14 Zbulesa tregon më tej si reagon Satanai. Meqë është dëbuar nga qielli, ai e shfren tërbimin kundër mbetjes së të mirosurve—atyre që janë përfaqësues të Mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe që «janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbul. 12:17; 2 Kor. 5:20; Efes. 6:19, 20) Si është plotësuar kjo profeci?

15. Cilët përfaqësojnë «dy dëshmitarët» e përmendur te kapitulli 11 i Zbulesës, dhe çfarë ndodhi me ta?

15 Satanai nxiti një sulm kundër vëllezërve të mirosur që drejtonin veprën e predikimit për Mbretërinë. Ata ishin «dy dëshmitarët» e figurshëm, për të cilët Zbulesa thoshte se do të vriteshin. * (Zbul. 11:3, 7-11) Në vitin 1918, tetë nga vëllezërit përgjegjës u akuzuan në mënyrë të rreme, u shpallën fajtorë dhe secili u dënua me shumë vite burg. Nga këndvështrimi njerëzor, dukej sikur vepra e atyre të mirosurve ishte «vrarë».

16. Çfarë ndodhi papritur në vitin 1919, por çfarë ka vazhduar të bëjë Satanai që nga ajo kohë?

16 Profecia në kapitullin 11 të Zbulesës thoshte edhe se «dy dëshmitarët» do të ktheheshin në jetë pas një kohe të shkurtër. Në përmbushje të profecisë, më pak se një vit pasi ata vëllezër të mirosur u burgosën, ndodhi diçka e papritur. Nga fillimi i vitit 1919 i liruan nga burgu dhe më vonë akuzat kundër tyre u hoqën. Menjëherë ata vëllezër filluan të merrnin drejtimin në veprën e Mbretërisë. Por sulmet e Satanait kundër popullit të Perëndisë nuk morën fund me aq. Që nga ajo kohë, Satanai ka lëshuar «një lumë» përndjekjeje kundër të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë. (Zbul. 12:15) Kjo kërkon që secili nga ne të tregojë «qëndrueshmëri dhe besim».—Zbul. 13:10.

SHËRBE ME GJITHË SHPIRT NË VEPRËN E JEHOVAIT

17. Çfarë ndihme të papritur ka marrë populli i Perëndisë, ndonëse ka qenë shënjestra e sulmeve të Satanait?

17 Më tej kapitulli 12 i Zbulesës tregon se popullit të Perëndisë do t’i vinte ndihmë nga një drejtim i papritur. Aty thuhet se «toka» do të përpinte «lumin» e përndjekjes. (Zbul. 12:16) Tamam ashtu ka ndodhur. Me raste, disa elementë të botës së Satanait që kanë qenë më stabël, si për shembull disa sisteme gjyqësore, i kanë ardhur në ndihmë popullit të Perëndisë. Shërbëtorët e Jehovait kanë fituar sa e sa çështje gjyqësore, e kjo u ka siguruar njëfarë lirie. Si e kanë përdorur këtë liri? Kanë shfrytëzuar në maksimum çdo mundësi për të kryer veprën që u ka caktuar Jehovai. (1 Kor. 16:9) Çfarë përfshin kjo vepër?

Cilat janë dy mesazhet që vazhdojnë të predikojnë shërbëtorët e Perëndisë? (Shih paragrafët 18-19)

18. Cili është mesazhi kryesor që predikojmë në këto ditë të fundit?

18 Jezui profetizoi se populli i tij do të përhapte ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ e Perëndisë anekënd tokës para se të vinte fundi. (Mat. 24:14) Ndërsa e bëjnë këtë, kanë mbështetjen e një engjëlli, ose një grupi engjëjsh, që ka ‘një lajm të mirë të përhershëm që t’ua shpallë atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli’.—Zbul. 14:6.

19. Cilin mesazh tjetër duhet të predikojnë ata që e duan Jehovain?

19 Lajmi i mirë për Mbretërinë nuk është i vetmi mesazh që duhet të predikojnë shërbëtorët e Perëndisë. Ata duhet edhe të mbështetin veprën e engjëjve që përmenden në kapitujt 8 deri 10 të Zbulesës. Këta engjëj shpallin disa mjerime për ata që hedhin poshtë Mbretërinë e Perëndisë. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait kanë shpallur një mesazh gjykimi, që krahasohet me ‘breshrin e zjarrin’ dhe që flet për gjykimet e Perëndisë kundër elementëve të botës së ligë të Satanait. (Zbul. 8:7, 13) Njerëzit kanë nevojë ta dinë se fundi është afër, në mënyrë që të bëjnë ndryshime rrënjësore në jetë dhe t’i mbijetojnë ditës së zemërimit të Jehovait. (Sof. 2:2, 3) Mirëpo shumë vetave u vret veshin ky mesazh, prandaj na duhet kurajë që ta predikojmë. Gjatë shtrëngimit të madh, mesazhi përfundimtar i gjykimit do të jetë akoma më fshikullues.—Zbul. 16:21.

ZBATOJI FJALËT E PROFECISË

20. Çfarë do të shqyrtojmë në dy artikujt e tjerë të serisë?

20 Është jetësore t’i zbatojmë «fjalët e kësaj profecie», sepse jemi të përfshirë në përmbushjen e asaj që thotë libri i Zbulesës. (Zbul. 1:3) Por si mund t’i bëjmë ballë përndjekjes me besnikëri dhe të vazhdojmë t’i predikojmë me guxim këto mesazhe? Ka dy gjëra që do të na japin forcë: e para, ajo që tregon libri i Zbulesës për armiqtë e Perëndisë dhe e dyta, bekimet që do të gëzojmë në të ardhmen nëse qëndrojmë besnikë. Këto pika do t’i shqyrtojmë në dy artikujt e tjerë të serisë.

KËNGA 32 Merr anën e Jehovait!

^ Po jetojmë në kohë emocionuese! Sot po plotësohen profecitë që gjenden në librin e Zbulesës. Si ndikojnë te ne këto profeci? Në këtë seri me tre artikuj do të shohim një tablo të përgjithshme të librit të Zbulesës. Artikujt do të na ndihmojnë t’i zbatojmë gjërat e shkruara në këtë libër, që të sigurohemi se Perëndia Jehova e pranon adhurimin tonë.

^ Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 2014, f. 30.