Çfarë do të bëjë Perëndia?
Po të kishe një hall, s’ka dyshim se do të prisje ndihmën e një miku të ngushtë. Me këtë në mendje, disa thonë se Perëndia nuk është një mik përderisa, sipas tyre, nuk po bën ndonjë gjë për t’i ndihmuar. Mirëpo, e vërteta është se Perëndia jo vetëm ka bërë plot gjëra për të mirën tonë, por edhe do të veprojë për të eliminuar problemet dhe vuajtjet që kalojmë sot. Çfarë do të bëjë Perëndia?
DO T’I JAPË FUND GJITHË LIGËSISË
Perëndia do t’i japë fund gjithë ligësisë, duke shkatërruar burimin e saj. Bibla identifikon se cili është ky burim me këto fjalë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.» (1 Gjonit 5:19) Ky ‘i Lig’ është Satana Djalli, i njëjti person që Jezui e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31) Ndikimi që ushtron Satanai mbi njerëzimin është shkaku kryesor i kushteve të mjerueshme që ekzistojnë sot. Çfarë do të bëjë Perëndia?
Së shpejti, Perëndia Jehova do të veprojë nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, i cili ‘do të asgjësojë atë që ka mundësi të shkaktojë vdekjen, domethënë Djallin’. (Hebrenjve 2:14; 1 Gjonit 3:8) Në fakt, Bibla tregon se edhe vetë Djalli e di se i ka mbetur «një periudhë e shkurtër kohe». (Zbulesa 12:12) Gjithashtu, Perëndia do të shkatërrojë të gjithë ata që bëjnë gjëra të liga.—Psalmi 37:9; Proverbat 2:22.
DO TA BËJË TOKËN PARAJSË
Pasi të eliminojë gjithë ligësinë nga toka, Krijuesi do të bëjë ç’të jetë e nevojshme që të plotësojë qëllimin e tij fillestar për njerëzit dhe për tokën. Çfarë mund të presim?
Paqe dhe siguri të qëndrueshme. «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund.»—Psalmi 37:11.
Ushqim të shëndetshëm me bollëk. «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, e në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:16.
Shtëpi të rehatshme dhe punë të kënaqshme. «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të jetojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. . . . Të zgjedhurit e mi do të kënaqen plotësisht me veprën e duarve të tyre.»—Isaia 65:21, 22.
A nuk ke qejf të jetosh në kushte të tilla? Së shpejti, këto premtime do të jenë një realitet i përditshëm për të gjithë.
DO TË ZHDUKË SËMUNDJET DHE VDEKJEN
Sot askush nuk mund t’u shpëtojë sëmundjeve dhe vdekjes, por kjo s’do të vazhdojë gjatë. Pas pak Perëndia do të bëjë realitet të gjitha gjërat e mira që vijnë falë flijimit shpërblyes të Jezuit, «që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Me çfarë rezultati?
Sëmundjet nuk do të ekzistojnë më. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ Njerëzve që banojnë në vend, do t’u falet faji.»—Isaia 33:24.
Vdekja nuk do ta pllakosë më njerëzimin. «Ai do ta përpijë vdekjen një herë e mirë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.»—Isaia 25:8.
Njerëzit do të jetojnë përgjithmonë. «Dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—Romakëve 6:23.
Të vdekurit do të kthehen sërish në jetë. «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Ata do të nxjerrin dobi nga dhurata e Perëndisë, shpërblesa.
Si do t’i bëjë realitet Perëndia këto premtime?
DO TË THEMELOJË NJË QEVERI TË PËRSOSUR
Perëndia do ta plotësojë qëllimin e tij për njerëzit dhe për tokën me anë të një qeverie qiellore, dhe si Mbret, ka emëruar Jezu Krishtin. (Psalmi 110:1, 2) Është e njëjta qeveri, ose mbretëri, për të cilën Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, . . . ardhtë mbretëria jote!»—Mateu 6:9, 10.
Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë tokën dhe do të çrrënjosë çdo dhembje e vuajtje. Njerëzimi s’mund të ketë qeveri më të mirë se kjo Mbretëri! Ja pse Jezui bëri çmos të shpallte «lajmin e mirë për Mbretërinë» gjatë shërbimit të tij në tokë, e madje i urdhëroi edhe dishepujt të bënin po njësoj.—Mateu 4:23; 24:14.
Dashuria e zjarrtë që ndien Perëndia Jehova për njerëzit, e ka nxitur t’u premtojë gjithë këto gjëra të mrekullueshme. A nuk të shtyn kjo ta njohësh e t’i afrohesh Perëndisë? Çfarë dobie do të kesh nëse vepron kështu? Artikulli tjetër jep përgjigjen.
ÇFARË DO TË BËJË PERËNDIA? Perëndia do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen, do të bashkojë njerëzimin nën qeverisjen e Mbretërisë së tij dhe do ta bëjë tokën parajsë