Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’lloj personi është Perëndia?

Ç’lloj personi është Perëndia?

Sa më shumë dallojmë cilësitë e dikujt, aq më mirë e njohim dhe, si rezultat, miqësia mund të thellohet. Po njësoj, sa më shumë njohim cilësitë e Jehovait, aq më mirë kuptojmë ç’lloj personi është, e kështu miqësia me të forcohet. Nga të gjitha cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, katër bien më shumë në sy: fuqia, mençuria, drejtësia dhe dashuria.

PERËNDIA ËSHTË I FUQISHËM

«O Zotëri Sovran Jehova! Ja, ti ke bërë qiejt dhe tokën me forcën tënde të madhe.»JEREMIA 32:17.

Krijimi jep dëshmi për fuqinë e Perëndisë. Për shembull, çfarë ndien kur rri jashtë në një ditë të bukur vere? Ngrohtësinë e diellit. Faktikisht po ndien rezultatet e fuqisë krijuese të Jehovait. Sa i fuqishëm është dielli? Mendohet se në bërthamën e tij, temperatura është rreth 15 milionë gradë celsius. Çdo sekondë, dielli lëshon një energji të barabartë me shpërthimin e qindra milionë bombave bërthamore.

Megjithatë, ndër triliona yjet në univers, shumë janë më të mëdhenj se dielli ynë. Shkencëtarët kanë llogaritur se UY Scuti, një nga yjet më të mëdhenj, ka një diametër rreth 1.700 herë më të madh se të diellit. Nëse UY Scuti do të ishte aty ku është dielli, brenda tij do të përfshihej toka, e madje dhe orbita e Jupiterit. Mbase kjo na ndihmon të kuptojmë më plotësisht atë që tha Jeremia se Perëndia Jehova, me fuqinë e tij të madhe, bëri qiejt dhe tokën, pra, universin.

Si nxjerrim dobi nga fuqia e Perëndisë? Jeta jonë varet nga krijimi fizik i Perëndisë, si dielli dhe burimet natyrore të mrekullueshme që ka toka. Për më tepër, Perëndia e përdor fuqinë e tij për të mirën tonë si individë. Si? Në shekullin e parë, Perëndia i dha fuqi Jezuit të kryente mrekulli të jashtëzakonshme. Në Bibël lexojmë: «Të verbrit tani po shohin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen.» (Mateu 11:5) Ç’të themi për sot? Bibla thotë: «Ai u jep forcë të lodhurve.» E pastaj shton: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi.» (Isaia 40:29, 31) Perëndia mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të përballojmë me sukses sfidat e vështirësitë e jetës dhe të qëndrojmë të fortë përballë tyre. (2 Korintasve 4:7) A s’të bën për vete ky Perëndi që, me kaq dashuri, e përdor fuqinë e pakufishme për të na ndihmuar?

PERËNDIA ËSHTË I MENÇUR

«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Të gjitha i ke bërë me mençuri!»PSALMI 104:24.

Sa më shumë mësojmë për veprat krijuese të Perëndisë, aq më tepër na mahnit mençuria e tij. Në fakt ekziston një degë e shkencës që quhet biomimetikë, ku shkencëtarët analizojnë krijimin e Jehovait dhe kopjojnë ide nga natyra për të përmirësuar projektet e tyre. Ato variojnë nga ngjitësit e thjeshtë deri te projektimi i avionëve.

Syri i njeriut është një nga mrekullitë e krijimit

Mençuria e Perëndisë shpaloset në mënyrën më të mrekullueshme te krijimi i trupit të njeriut. Për shembull, shqyrto si zhvillohet një bebe. Procesi fillon me një qelizë të fekonduar, e cila përmban gjithë informacionin gjenetik të nevojshëm. Pastaj, qeliza ndahet në shumë qeliza të tjera të ngjashme. Por, fiks në momentin e duhur, qelizat nisin të specializohen në rreth 200 lloje, si qeliza gjaku, nervore dhe kockore. Shpejt fillojnë të shfaqen e të funksionojnë organet. Dhe, brenda vetëm nëntë muajve, ajo qelizë fillestare bëhet një foshnjë e vockël e përbërë nga miliarda qeliza. Mençuria që spikat në një projekt të tillë, i ka nxitur mjaft veta të bien dakord me një nga shkrimtarët e Biblës, që tha: «Të përlëvdoj se jam krijuar kaq mrekullisht, sa mbetem pa fjalë.»—Psalmi 139:14.

Si nxjerrim dobi nga mençuria e Perëndisë? Krijuesi e di mirë se për çfarë kemi nevojë që të jemi të lumtur. Meqë ka njohuri dhe kuptueshmëri të pakrahasueshme, Ai na siguron këshilla të mençura në Fjalën e tij, në Bibël. Për shembull, ajo na nxit: «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» (Kolosianëve 3:13) A është këshillë e mençur? Patjetër. Mjekët kanë zbuluar se kur i falim të tjerët, ndikon për mirë te gjumi dhe ul tensionin e lartë të gjakut. Gjithashtu mund të ulë rrezikun e depresionit dhe të problemeve të tjera shëndetësore. Perëndia është si një mik i mençur dhe i dashur që është gjithnjë aty të na ndihmojë e të na japë këshilla të dobishme. (2 Timoteut 3:16, 17) A s’ta do zemra një mik të tillë?

PERËNDIA ËSHTË I DREJTË

«Jehovai e do drejtësinë.»PSALMI 37:28.

Perëndia bën gjithmonë atë që është e drejtë. Bibla thotë: «Është e pamendueshme që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi!» (Jobi 34:10) Gjykimet e tij janë të drejta, siç tha psalmisti teksa iu drejtua Jehovait: «Ti do t’i gjykosh popujt me drejtësi.» (Psalmi 67:4) Meqë «Jehovai sheh në zemër», nuk mund të mashtrohet nga hipokrizia, përkundrazi është gjithnjë i aftë të dallojë të vërtetën dhe të gjykojë siç duhet. (1 Samuelit 16:7) Jo vetëm kaq, por Perëndia sheh çdo padrejtësi e korrupsion në tokë dhe ka dhënë fjalën se së shpejti «të ligjtë do të shfarosen nga toka».—Proverbat 2:22.

Megjithatë, Perëndia nuk është gjykatës i ashpër që mezi pret rastin të ndëshkojë. Ai tregon mëshirë kur është e përshtatshme. Bibla thotë se «Jehovai është i mëshirshëm dhe i dhembshur» edhe me të ligjtë nëse pendohen me gjithë zemër. A nuk është drejtësi e vërtetë kjo?—Psalmi 103:8; 2 Pjetrit 3:9.

Si nxjerrim dobi nga drejtësia e Perëndisë? Apostulli Pjetër tha: «Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.» (Veprat 10:34, 35) Meqë Perëndia kurrë nuk mban anë dhe as me hatër, nxjerrim dobi nga drejtësia e tij. Mund të jemi të pranuar nga Ai dhe ta adhurojmë, pavarësisht nga raca, kombësia, arsimimi apo nga pozita shoqërore.

Mund të nxjerrim dobi nga paanshmëria e Perëndisë, pavarësisht nga raca, kombësia ose nga pozita shoqërore

Perëndia dëshiron që ta kuptojmë drejtësinë e tij dhe të nxjerrim dobi prej saj, ja pse na ka dhuruar ndërgjegjen. Shkrimet e përshkruajnë ndërgjegjen si ligj «të shkruar në zemër», që «jep dëshmi» nëse sjellja jonë është e drejtë apo e gabuar. (Romakëve 2:15) Ç’të mirë na sjell kjo? Kur ndërgjegjja stërvitet siç duhet, do të na motivojë të shmangim veprimet e dëmshme dhe të padrejta. Dhe, nëse gabojmë, do të na shtyjë të pendohemi e të ndreqim sjelljen. Vërtet, kur kuptojmë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, kjo na ndihmon dhe na afron më shumë me Të.

PERËNDIA ËSHTË DASHURI

«Perëndia është dashuri.»1 GJONIT 4:8.

Perëndia shfaq fuqi, mençuri, drejtësi, ama Bibla nuk thotë se Ai është fuqi, mençuri ose drejtësi. Ajo tregon se ai është dashuri. Pse? Sepse, ndonëse fuqia i jep mundësi Jehovait të veprojë dhe drejtësia e mençuria udhëheqin mënyrën e tij të të vepruarit, cilësia e dashurisë e motivon të veprojë. Dashuria ndikon në gjithçka që ai bën.

Edhe pse Jehovait nuk i mungonte asgjë, dashuria e nxiti të sillte në ekzistencë krijesa inteligjente në qiell dhe në tokë, të cilat mund të nxjerrin dobi nga dashuria dhe nga kujdesi i tij. Ai e bëri gati tokën që të ishte shtëpi ideale për njerëzit, pa asnjë fije interesi. Madje vazhdon t’u tregojë dashuri të gjithë njerëzve pasi, «falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët».—Mateu 5:45.

Për më tepër, «Jehovai është shumë i dhembshur e i mëshirshëm». (Jakovi 5:11) Ai është shumë i dhembshur me ata që përpiqen sinqerisht ta njohin dhe t’i afrohen. Perëndia vë re çdonjërin prej këtyre individëve. Në fakt, «ai nuk është larg nga secili prej nesh».Veprat 17:27.

Si nxjerrim dobi nga dashuria e Perëndisë? Kënaqemi kur shikojmë një perëndim të bukur, kur dëgjojmë të qeshurën e një foshnje dhe e çmojmë jashtë mase dashurinë e një familjari të ngushtë. Sigurisht mund të bënim edhe pa to, ama na e pasurojnë pa masë jetën.

Mund të nxjerrim dobi edhe nga një shprehje tjetër e dashurisë së Perëndisë: lutja. Bibla na nxit: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» Si Atë i dashur, Jehovai dëshiron t’i kërkojmë ndihmë për shqetësimet tona më të thella. Me dashuri altruiste, premton të na japë ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’.—Filipianëve 4:6, 7.

A të ka ndihmuar ky shqyrtim i shkurtër i cilësive kryesore të Perëndisë—fuqia, mençuria, drejtësia dhe dashuria—ta njohësh më mirë se ç’lloj personi është? Që ta thellosh çmueshmërinë për Të, të ftojmë të mësosh se çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë Zoti për ty.

Ç’LLOJ PERSONI ËSHTË PERËNDIA? Jehovai është më i fuqishëm, më i mençur dhe më i drejtë se kushdo. Ama, cilësia më tërheqëse është dashuria