Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur të mos ketë më urrejtje!

Kur të mos ketë më urrejtje!

Edhe sikur ta çrrënjosim urrejtjen nga zemra jonë, prapëseprapë nuk i kemi në dorë veprimet dhe qëndrimet e të tjerëve. Njerëzit e pafajshëm ende janë viktima të urrejtjes. Prandaj, cila është zgjidhja përfundimtare e këtij problemi?

Vetëm Perëndia Jehova mund t’i japë fund një herë e mirë rrethit vicioz të urrejtjes që ekziston sot. Kjo është pikërisht ajo që na ka premtuar në Bibël.—Proverbat 20:22.

PERËNDIA DO TË ZHDUKË RRËNJËT E URREJTJES

  1. 1. SATANA DJALLIN. Pa dyshim që pas urrejtjes që shohim sot, fshihet Satanai, engjëlli rebel. Perëndia do ta shkatërrojë Satanain dhe këdo që i urren të tjerët si ai.—Psalmi 37:38; Romakëve 16:20.

  2. 2. BOTËN PLOT URREJTJE TË SATANAIT. Perëndia do t’i shkulë me rrënjë elementët e ligj të kësaj bote, përfshirë politikanët e korruptuar dhe udhëheqësit fetarë që nxitin urrejtje. Ai do të eliminojë edhe sistemin tregtar lakmitar, bashkë me korrupsionin dhe zhvatjen.—2 Pjetrit 3:13.

  3. 3. PAPËRSOSMËRINË NJERËZORE. Bibla shpjegon se të gjithë njerëzit kanë trashëguar papërsosmërinë—prirjen për të menduar, për të ndier dhe për të bërë të keqen. (Romakëve 5:12) Një nga këto prirje mëkatare, është të ushqejmë dhe të manifestojmë urrejtje për të tjerët. Perëndia do ta ndihmojë njerëzimin t’i mposhtë të gjitha këto prirje të papërsosura, e kështu çdo gjurmë urrejtjeje do të zhduket një herë e mirë.—Isaia 54:13.

BIBLA PREMTON NJË BOTË PA URREJTJE

  1. 1. ASKUSH NUK DO TË PROVOJË PADREJTËSI. Bota do të jetë nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë, një qeveri e drejtë dhe e përjetshme në qiell. (Danieli 2:44) Paragjykimet dhe intoleranca nuk do të ekzistojnë më. Perëndia do të ndreqë të gjitha padrejtësitë që hasim sot.—Luka 18:7.

  2. 2. KUSHDO DO TË PROVOJË PAQE. Askush nuk do të vuajë si pasojë e dhunës ose luftërave. (Psalmi 46:9) Toka do të jetë një vend i sigurt, ku do të jetojnë vetëm njerëz që e duan paqen.—Psalmi 72:7.

  3. 3. KUSHDO DO TË JETOJË PËRGJITHMONË NË KUSHTE IDEALE. Të gjithë banorët e tokës do të tregojnë dashuri të vërtetë për të tjerët. (Mateu 22:39) Askush nuk do të vuajë më, madje as nga mendimet a kujtimet e hidhura. (Isaia 65:17) Në atë kohë, kur urrejtja të mos ekzistojë më, njerëzve «do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund».—Psalmi 37:11.

A ta do zemra të jetosh në një botë si kjo? Që sot, shumë njerëz po mësojnë të çrrënjosin urrejtjen duke zbatuar parimet e Biblës. (Psalmi 37:8) Këtë po bëjnë miliona Dëshmitarë të Jehovait anembanë botës. Ndonëse u përkasin kulturave dhe formimeve të ndryshme, ata janë si një familje e dashur në unitet.—Isaia 2:2-4.

Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të tregojnë çfarë i ka ndihmuar t’i përballojnë padrejtësitë dhe diskriminim. Ajo që do të mësosh, do të të ndihmojë që pak nga pak ta zëvendësosh çdo gjurmë urrejtjeje me dashurinë. Gjithashtu do të mësosh si të jesh zemërmirë me të gjithë njerëzit—edhe me ata që duken mosmirënjohës ose që shfaqin urrejtje. Si rezultat, do të jesh më i lumtur qysh tani dhe do të përmirësosh gjithnjë e më shumë raportet më të tjerët. Mbi të gjitha, do të mësosh ç’mund të bësh që të jetosh nën Mbretërinë e Perëndisë, kur të mos ketë më urrejtje.—Psalmi 37:29.

^ par. 15 Disponohet në disa gjuhë.