Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arsimimi dhe paratë—Garanci për të ardhmen?

Arsimimi dhe paratë—Garanci për të ardhmen?

Shumë njerëz mendojnë se ata që janë të arsimuar dhe të pasur, e kanë të ardhmen të sigurt. Ata besojnë se është në të mirë të kompanive, të familjes dhe të komunitetit që njerëzit të ndjekin arsimin universitar. Gjithashtu, mund të jenë të mendimit se arsimimi i mirë siguron një punë me pagë më të lartë, dhe se njerëzit që fitojnë shumë pará, janë të lumtur.

ZGJEDHJA E SHUMICËS

Të shohim çfarë thotë Zhang Çen nga Kina: «Mendoja se më duhej një diplomë universitare që të mos isha më i varfër, dhe se një punë me pagë të lartë, do të më garantonte një jetë të lumtur e të kënaqshme.»

Që t’i shtojnë shanset për një të ardhme të sigurt, shumë duan të studiojnë në universitete me emër, ndoshta edhe jashtë vendit. Kjo ishte më se e zakonshme derisa udhëtimet ndërkombëtare u kufizuan si pasojë e COVID-19. Në raportin e vitit 2012 të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, thuhet: «Aziatikët përbëjnë 52% të studentëve që ndjekin studimet jashtë shtetit.»

Prindërit shpesh bëjnë sakrifica të mëdha që fëmijët të ndjekin universitetin jashtë shtetit. Kuan Lin, nga Tajvani, kujton: «Prindërit nuk ishin të pasur, por prapë na dërguan të katër fëmijët në universitet në Shtetet e Bashkuara.» Për të paguar tarifat arsimore, familjes së tij, si shumë të tjerave, iu desh të zhytej në borxhe të mëdha.

REZULTATET?

Shumë nga ata që kanë rendur pas arsimit universitar dhe pasurisë, janë ndier të sfilitur

Arsimimi mund ta përmirësojë jetën deri diku, por nuk sjell gjithnjë rezultatet që presin studentët. Për shembull, pas vitesh të tëra sakrificash dhe borxhesh kolosale për shkollimin, shumë nuk gjejnë dot punën që dëshironin. Në një raport nga Rejçëll Mui në gazetën Business Times të Singaporit, thuhet: «Të diplomuarit e papunë po shtohen dita-ditës.» Huan, që ka mbrojtur doktoraturën dhe jeton në Tajvan, thotë: «Pjesa më e madhe i kanë duart e lidhura dhe duhet të pranojnë një punë që s’ka lidhje fare me degën për të cilën janë diplomuar.»

Edhe ata që gjejnë punë në profesionin e tyre, kuptojnë se jeta nuk u del siç kishin shpresuar. Pasi u kthye nga universiteti që bëri në Mbretërinë e Bashkuar, Na Rin, nga Tajlanda, gjeti punë në fushën e tij. «Siç e prisja, diploma më ndihmoi të gjeja një punë me rrogë më të lartë. Mirëpo, sa më e lartë rroga, aq më kërkuese puna e aq më të gjata orët. Me kalimin e kohës, kompania pushoi nga puna shumicën e të punësuarve, përfshirë mua. Kuptova se asnjë punë nuk ofron siguri.»

Problemet janë pjesë e pandarë edhe e jetës së të pasurve ose të atyre që bëjnë «një jetë të mirë», të cilët nuk janë të imunizuar nga problemet në familje, sëmundjet terminale dhe pasiguria ekonomike. Katsutoshi, nga Japonia, pranon: «I kisha xhepat plot, por isha i rraskapitur nga konkurrenca, xhelozia dhe bullizmi.» Hajo, një grua që jeton në Vietnam, thotë: «Shoh shumë njerëz të robtohen për një punë me rrogë të mirë, që të kenë siguri financiare, por në të vërtetë u ndodh krejt e kundërta: provojnë pasiguri, probleme me shëndetin, ezaurim emocional dhe depresion.»

Ashtu si Çuan Li, shumë kanë arritur në përfundimin se jeta nuk është vetëm arsimim dhe punë me rrogë të mirë. Prandaj, në vend që të fokusohen te mirëqenia materiale, disa kërkojnë një të ardhme më premtuese duke bërë çmos të jenë njerëz të virtytshëm dhe të bëjnë mirë në jetë. A garanton kjo një të ardhme të sigurt? Përgjigjen na e jep artikulli tjetër.