Të jesh njeri i mirë—Garanci për të ardhmen?
Për shekuj, shumë kanë qenë të mendimit se, po të jesh njeri i mirë dhe i moralshëm, e ke të ardhmen të sigurt. Për shembull, në Lindje respektohen sot e kësaj dite fjalët e Konfucit (551-479 p.e.s.), mësues dhe filozof, që thoshte: «Atë që nuk do që të ta bëjnë ty, mos ua bëj të tjerëve.» *
UDHA QË NDJEK SHUMICA
Shumë ende mendojnë se mirësjellja është çelësi i një të ardhmeje të sigurt. Prandaj përpiqen të jenë njerëz të respektuar, të sjellshëm, të pranojnë vendin e tyre në shoqëri dhe të mbajnë një ndërgjegje të pastër. Një grua në Vietnam me emrin Lin, thotë: «Gjithnjë kam menduar se po të isha e ndershme dhe e sinqertë, do të merrja si rezultat bekime.»
Disa përpiqen të bëjnë mirë të motivuar nga bindjet fetare. Një burrë me emrin Shu Jun, që jeton në Tajvan, thotë: «Më kishin mësuar se veprimet e një personi kur është gjallë, përcaktojnë nëse do të shijojë lumturi të përjetshme apo do të torturohet pas vdekjes.»
REZULTATET?
Është e vërtetë që nxjerrim shumë dobi kur u bëjmë mirë të tjerëve. Mirëpo, shumë veta që përpiqen sinqerisht të bëjnë mirë, kanë kuptuar se kjo nuk sjell gjithnjë rezultatet e dëshiruara. «E mësova në kurriz se mirësia nuk shpërblehet gjithnjë me bekime,—thotë një grua me emrin Shiu Ping, që jeton në Hong-Kong.—U përpoqa me mish e me shpirt të kujdesesha për familjen dhe të bëja mirë në jetë. E prapëseprapë martesa m’u shkatërrua dhe burri na braktisi mua dhe djalin.»
Shumë kanë vënë re se jo të gjithë njerëzit fetarë janë njerëz të mirë. «Iu bashkova një organizate fetare dhe u bëra lidere e aktiviteteve rinore,—thotë Etsuko, një grua që jeton në Japoni.—U shokova kur pashë se disa prej tyre kishin moral të degjeneruar, luftonin për pushtet dhe zhvatnin fondet.»
«U përpoqa me mish e me shpirt të kujdesesha për familjen dhe të bëja mirë në jetë. E prapëseprapë martesa m’u shkatërrua dhe burri na braktisi mua dhe djalin.»—SHIU PING, HONG-KONG
Disa njerëz të devotshëm ndihen të zhgënjyer kur veprat e tyre të mira nuk shpërblehen. Kështu u ndie Uana, një grua nga Vietnami. «Çdo ditë blija fruta, lule, ushqime dhe i ofroja në altarët e paraardhësve të mi të vdekur, me shpresën se në të ardhmen do të merrja bekime,—thotë ajo.—Pavarësisht gjithë veprave të mira dhe ritualeve që ndoqa për vite e vite, bashkëshorti m’u sëmur rëndë. Pastaj, në moshë fare të re, më vdiq vajza ndërsa ndiqte studimet jashtë shtetit.»
Nëse të jesh njeri i mirë, nuk garanton një të ardhme të sigurt, atëherë çfarë e garanton? Na duhet një udhëzues i besueshëm—një burim i besueshëm informacioni që mund t’u përgjigjet pyetjeve tona. Ku mund ta gjejmë?
^ par. 2 Për më shumë informacion rreth mësimeve të Konfucit, shih kapitullin 7, paragrafët 31-35, të librit Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, që disponohet online në www.pr418.com.