Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 16

Gëzo ndërsa i jep Jehovait më të mirën tënde

Gëzo ndërsa i jep Jehovait më të mirën tënde

«Secili të shqyrtojë veprimet e tij.»—GAL. 6:4.

KËNGA 37 E dua Jehovain me gjithë zemër

PËRMBLEDHJE a

1. Kur provojmë një ndjenjë të thellë gëzimi?

 JEHOVAI dëshiron të jemi të lumtur. Jemi të sigurt për këtë, sepse gëzimi është një aspekt i frytit të frymës së tij të shenjtë. (Gal. 5:22) Njeriu ndien më shumë lumturi kur jep sesa kur merr, prandaj provojmë gëzim të thellë kur japim me gjithë shpirt në shërbim dhe kur ndihmojmë vëllezërit në mënyra të ndryshme.—Vep. 20:35.

2-3. (a) Siç tregon Galatasve 6:4, cilat janë dy gjëra që do të na ndihmojnë të ruajmë gëzimin në shërbim të Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Te Galatasve 6:4 apostulli Pavël përmend dy gjëra që do të na ndihmojnë të ruajmë gëzimin. (Lexoje.) Së pari, të kemi si synim t’i japim Jehovait më të mirën tonë. E nëse po i japim më të mirën tonë, duhet të jemi të lumtur. (Mat. 22:36-38) Së dyti, të mos krahasohemi me të tjerët. Çfarëdo të kemi mundësi të bëjmë falë shëndetit, stërvitjes ose aftësive natyrore, duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait. Fundja çdo gjë që kemi, na e ka dhuruar ai. Nga ana tjetër, nëse disa janë më të zotë se ne në ndonjë aspekt të shërbimit, duhet të gëzojmë që po i përdorin talentet për t’i dhënë lavdi Jehovait, e jo për të rënë në sy ose për interesin e vet. Prandaj, në vend që të konkurrojmë me ta, duhet të mësojmë prej tyre.

3 Në këtë artikull do të shohim ç’mund të na ndihmojë kur ndihemi të kufizuar ngaqë nuk bëjmë dot aq sa do të donim në shërbim. Do të shohim edhe si mund ta përdorim sa më mirë një dhunti që kemi dhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i të tjerëve.

KUR NDIHEMI TË KUFIZUAR

Kur japim më të mirën tonë në çdo stinë të jetës, Jehovait i gëzon zemra (Shih paragrafët 4-6) b

4. Pse mund të shkurajohen disa? Jepni një shembull.

4 Disa shërbëtorë të Jehovait e kanë të vështirë të përshtaten me kufizimet që sjell mosha e shkuar ose shëndeti i dobët. Kështu ka ndodhur me Karolën. Ajo pati privilegjin të shërbente atje ku kishte më tepër nevojë. Gjatë asaj periudhe, drejtoi 35 studime dhe ndihmoi disa veta të përparonin drejt kushtimit dhe pagëzimit. Sa fryte të bukura po korrte në shërbim! Pastaj shëndeti i mori për keq, dhe kjo e detyroi të rrinte thuajse tërë kohës në shtëpi. Karola thotë: «E di se kufizimet fizike nuk më lejojnë të bëj aq sa të tjerët në shërbim. Por ndihem sikur nuk jam aq besnike sa ata. Është një luftë mes dëshirës dhe realitetit—një betejë goxha e vështirë.» Karola dëshiron të bëjë gjithë sa mundet për Jehovain, e për këtë meriton lavdërime nga zemra! Jemi të sigurt se Perëndia ynë i dhembshur e vlerëson frymën e saj të shkëlqyer.

5. (a) Çfarë duhet të kujtojmë nëse ndihemi të shkurajuar nga kufizimet tona? (b) Si ka dhënë pareshtur më të mirën në shërbim të Jehovait vëllai në fotografi?

5 Nëse të shkurajon ndonjëherë një kufizim që ke, pyet veten se çfarë kërkon Jehovai nga ti. Përgjigjja është: më të mirën tënde—çfarëdo qoftë ajo tani për tani. Imagjino këtë situatë: një motër në të 80-at është e shkurajuar ngaqë nuk bën dot në shërbim aq sa kur ishte në të 40-at. Edhe pse po jep më të mirën, i duket se ajo që jep nuk e kënaq Jehovain. Por a është e vërtetë kjo? Mendo pak: nëse kjo motër jepte më të mirën në të 40-at dhe po vazhdon të japë më të mirën në të 80-at, nuk ka reshtur kurrë së dhëni më të mirën e saj. Në rast se na duket sikur shërbimi ynë nuk mjafton për ta kënaqur Jehovain, duhet t’i kujtojmë vetes se është ai që e vendos standardin se çfarë e kënaq. Kur bëjmë më të mirën tonë, mund të jemi të sigurt se Jehovai po na thotë: «Të lumtë!»—Krahaso Mateun 25:20-23.

6. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Marisë?

6 Do të jetë më e lehtë të ndihemi të gëzuar po të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë, jo te gjërat që nuk i bëjmë dot. Të mendojmë për shembullin e një motre që quhet Maria, e cila vuan nga një sëmundje që e pengon të bëjë aq sa do të donte në shërbim. Në fillim e lëshoi zemra dhe ndihej e padobishme. Por pastaj mendoi për një motër në kongregacion që ishte e ngujuar në shtrat nga sëmundja dhe vendosi ta ndihmonte. «E rregullova programin që të predikonim bashkë me telefon ose me letra,—thotë Maria.—Çdo herë që isha në shërbim me të, kthehesha në shtëpi duke fluturuar nga gëzimi se kisha ndihmuar motrën time.» Edhe ne mund të provojmë më shumë gëzim po të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë, jo te gjërat që nuk i bëjmë dot. Po në rast se jemi në gjendje të bëjmë më shumë ose jemi goxha të aftë në ndonjë aspekt të shërbimit?

NËSE KE NJË DHUNTI, ‘PËRDORE’!

7. Çfarë këshille praktike na dha apostulli Pjetër?

7 Në letrën e tij të parë të frymëzuar, apostulli Pjetër i nxiti vëllezërit ta përdornin çdo dhunti a talent për të inkurajuar bashkëbesimtarët. Ai shkroi: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i shërbeni njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të mirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (1 Pjet. 4:10) Nuk duhet të ngurrojmë t’i përdorim plotësisht ‘dhuratat’ tona nga meraku se mos të tjerët bëhen xhelozë a shkurajohen. Po të stepeshim nga kjo, nuk do t’i jepnim Jehovait më të mirën tonë.

8. Sipas 1 Korintasve 4:6, 7, pse nuk duhet të mburremi për ‘dhuratat’ që kemi?

8 Ndërkohë që i përdorim plotësisht talentet tona, duhet të bëjmë kujdes të mos mburremi. (Lexo 1 Korintasve 4:6, 7.) Për shembull, ndoshta ti je goxha i zoti për të nisur studime. Mos hezito ta përdorësh aftësinë që ke. Ama ta përdorësh këtë aftësi është një gjë, kurse të krekosesh për të është një gjë krejt tjetër. Ta zëmë se të ndodh diçka e bukur në shërbim dhe nis një studim. Mezi pret t’ia tregosh grupit të shërbimit. Mirëpo kur mblidheni si grup, një motër ju tregon se pati mundësi të linte një revistë në shërbim. Ajo la një revistë; ti nise një studim. Çfarë do të bësh? E di se grupi do të inkurajohet kur të dëgjojë për studimin e ri, por mund të vendosësh të presësh ndonjë moment tjetër të përshtatshëm për t’ua treguar, që të mos ia mpakësh gëzimin motrës që la një revistë. Kjo do të ishte një gjë e dashur nga ana jote. Ama, kur është fjala për të ofruar studime, mos e freno veten. Ti ke një dhunti—përdore!

9. Për çfarë duhet t’i përdorim aftësitë tona?

9 Të mos harrojmë se çdo talent a prirje që kemi, është dhuratë nga Perëndia. Duhet t’i përdorim këto dhurata për të inkurajuar kongregacionin, jo për të rënë në sy vetë. (Filip. 2:3) Kur i përdorim energjinë dhe aftësitë tona për të bërë vullnetin e Perëndisë, kemi arsye të gëzojmë—jo ngaqë po ua kalojmë të tjerëve ose po tregojmë që jemi më të mirë, por ngaqë po i përdorim aftësitë tona për t’i dhënë lavdi Jehovait.

10. Pse nuk është e arsyeshme të krahasohemi me të tjerët?

10 Po të mos bëjmë kujdes, mund të biem në grackën e krahasimit—mund ta krahasojmë një pikë të fortë që kemi me pikën e dobët të një tjetri. Për shembull, një vëlla mund të jetë orator i shkëlqyer. Kjo është një pikë e fortë që ka. Mirëpo ndoshta i duket vetja më i mirë kur krahasohet me një vëlla tjetër që e ka të vështirë të mbajë fjalime. Ama, ai vëlla mund të jetë një shembull fantastik ndërsa tregon mikpritje, stërvit fëmijët ose i shërben me zell Jehovait. Sa bukur që kemi kaq shumë vëllezër e motra të talentuara që i përdorin aftësitë e tyre për t’i shërbyer Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët!

MËSO NGA SHEMBULLI I TË TJERËVE

11. Pse duhet të përpiqemi të ecim në gjurmët e Jezuit?

11 Ndonëse nuk duhet të krahasohemi me të tjerët, mund të nxjerrim dobi duke reflektuar për shembullin e shërbëtorëve të Jehovait me besim të fortë. Të mendojmë si na ndihmon shembulli i Jezuit. Vërtet, ai ishte i përsosur, por prapë mund të mësojmë nga sjellja dhe cilësitë e tij të bukura. (1 Pjet. 2:21) Kur bëjmë çmos t’i ndjekim me kujdes gjurmët e tij, bëhemi shërbëtorë më të mirë të Jehovait dhe aftësohemi më shumë në shërbim.

12-13. Çfarë mund të mësojmë nga mbreti David?

12 Fjala e Perëndisë flet për shumë burra e gra me besim të fortë që, edhe pse të papërsosur, janë shembuj të denjë për t’u imituar. (Hebr. 6:12) Të mendojmë për mbretin David, që Jehovai e quajti «një njeri siç ma do zemra». (Vep. 13:22) Ama, Davidi nuk ishte i përsosur. Në fakt, ai bëri disa gabime të rënda. E prapëseprapë është një shembull i mirë për ne. Pse? Sepse nuk nxori justifikime kur e ndreqi Jehovai. Përkundrazi, i pranoi këshillat e forta dhe u pendua nga zemra për ato që kishte bërë. E si rezultat, Jehovai e fali.—Psal. 51:3, 4, 10-12.

13 Mund të mësojmë nga shembulli i Davidit duke i bërë vetes këto pyetje: «Si reagoj ndaj këshillave? A e pranoj pa e bërë të gjatë se kam gabuar, apo përpiqem të justifikohem? A ua hedh menjëherë fajin të tjerëve? A përpiqem me të gjitha forcat të mos i përsërit gabimet?» Edhe kur lexon për personazhe të tjera të Biblës me besim të fortë, mund t’i bësh vetes pyetje të ngjashme. A përballuan vështirësi si ato që po kalon ti? Çfarë cilësish të bukura shfaqën? Në çdo rast, pyet veten: «Si mund ta imitoj më mirë këtë shërbëtor besnik të Jehovait?»

14. Si mund të nxjerrim dobi duke medituar për shembullin e bashkëbesimtarëve?

14 Mund të nxjerrim dobi edhe duke medituar për shembullin e bashkëbesimtarëve përreth nesh, që nga fëmijët deri te të moshuarit. Për shembull, a të vjen ndër mend ndonjë në kongregacionin tënd që po përballon me besnikëri një sprovë—ndoshta presionin e shoqërisë, kundërshtimin nga familja ose shëndetin e dobët? A sheh te ky vëlla a motër cilësi të bukura që dëshiron t’i zhvillosh më shumë? Duke reflektuar për këtë shembull të mirë, mund të mësosh si t’u bësh ballë në mënyrë praktike sprovave. Sa mirënjohës jemi për këta shembuj të gjallë besimi—vërtet një arsye për të gëzuar!—Hebr. 13:7; Jak. 1:2, 3.

JI I LUMTUR NDËRSA I SHËRBEN JEHOVAIT

15. Cila këshillë e apostullit Pavël mund të na ndihmojë të ruajmë gëzimin ndërsa i shërbejmë Jehovait?

15 Që kongregacioni të jetë një liman paqeje dhe uniteti, secili nga ne duhet të bëjë më të mirën e vet. Të mendojmë për të krishterët e shekullit të parë. Ata kishin talente e caktime nga më të ndryshmet. (1 Kor. 12:4, 7-11) Gjithsesi, ato nuk u bënë shkas për konkurrencë e përçarje mes tyre. Pavli e nxiti secilin të jepte çka nevojitej «për të ndërtuar trupin e Krishtit». Ai u shkroi efesianëve: «Kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet teksa ndërtohet me dashuri.» (Efes. 4:1-3, 11, 12, 16) Ata që ia vunë veshin këshillës së Pavlit, nxitën paqen dhe unitetin—e këto mbizotërojnë edhe sot në kongregacionet tona.

16. Çfarë je i vendosur të bësh? (Hebrenjve 6:10)

16 Ji i vendosur të mos krahasohesh me të tjerët. Në vend të kësaj, mëso nga Jezui dhe përpiqu të imitosh cilësitë e tij. Nxirr dobi prej shembujve të besimit nga kohët e lashta dhe nga ditët tona. Ndërsa vazhdon të japësh më të mirën tënde, të jesh i bindur se Jehovai ‘nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat e tua’. (Lexo Hebrenjve 6:10.) Vazhdo të gëzosh ndërsa i shërben Jehovait, i sigurt se atij i bëhet zemra mal kur sheh përpjekjet e tua me gjithë shpirt për ta kënaqur.

KËNGA 65 Përparo!

a Të gjithë mund të mësojmë nga shembulli i të tjerëve. Mirëpo ka edhe disa gracka që duhet t’i shmangim. Ky artikull do të na ndihmojë të ruajmë gëzimin dhe të mos biem në grackën e krenarisë ose të shkurajimit kur mendojmë për atë që arrijnë të bëjnë të tjerët.

b PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla shërbeu në Bethel kur ishte i ri. Më vonë u martua dhe shërbeu si pionier bashkë me të shoqen. Pasi u bënë prindër, stërviti fëmijët në shërbim. Tani, në moshë të shkuar, vazhdon të bëjë më të mirën e tij duke dhënë dëshmi me letra.