Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 18

Si të vësh e të arrish synime që kënaqin Jehovain

Si të vësh e të arrish synime që kënaqin Jehovain

«Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimin tënd ta shohin qartë të gjithë.»—1 TIM. 4:15.

KËNGA 84 Përherë i gatshëm

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë synimesh teokratike mund të vëmë?

 SI SHËRBËTORË të Jehovait, e duam me gjithë shpirt Perëndinë tonë. Ja pse dëshirojmë që shërbimi ynë të jetë i cilësisë më të shkëlqyer. Por, që ta zhvillojmë plotësisht potencialin tonë, duhet të vëmë synime teokratike, si për shembull të kultivojmë cilësi të krishtere, të zhvillojmë aftësi të dobishme dhe të kërkojmë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve. b

2. Pse kemi nevojë të vëmë synime teokratike dhe të përpiqemi fort t’i arrijmë?

2 Pse duhet të kemi dëshirë të përparojmë në të vërtetën? Së pari, sepse duam të kënaqim Atin tonë të dashur qiellor. Jehovait i gëzon zemra kur sheh se i përdorim plotësisht talentet dhe aftësitë tona në shërbimin e tij. Veç kësaj, duam të përparojmë që t’u shërbejmë më shumë vëllezërve e motrave. (1 Sel. 4:9, 10) Sado kohë të kemi në të vërtetën, të gjithë mund të vazhdojmë të përparojmë. Le të shohim si mund ta bëjmë këtë.

3. Çfarë e nxiti apostulli Pavël Timoteun të bënte? (1 Timoteut 4:12-16)

3 Në kohën kur apostulli Pavël i shkroi letrën e parë Timoteut, ai i ri i shkëlqyer kishte përvojë si plak kongregacioni. E megjithatë, Pavli e nxiti të vazhdonte të bënte përparim. (Lexo 1 Timoteut 4:12-16.) Kur mediton për fjalët e Pavlit, të bie në sy se ai donte që Timoteu të përparonte në dy mënyra: të kultivonte cilësi të krishtere si ‘dashuria, besimi e dëlirësia’ dhe të përmirësonte aftësi të tilla si ‘leximi publik, nxitja e mësimdhënia’. Duke shqyrtuar shembullin e Timoteut, do të shohim si mund të na ndihmojnë synimet e arsyeshme të ecim para në adhurimin e Jehovait. Do të ndalemi edhe te disa mënyra si mund ta zgjerojmë shërbimin.

KULTIVO CILËSI TË KRISHTERE

4. Sipas Filipianëve 2:19-22, çfarë e bënte Timoteun të dobishëm në shërbim të Jehovait?

4 Çfarë e bënte Timoteun të dobishëm në shërbim të Jehovait? Cilësitë e bukura të krishtere. (Lexo Filipianëve 2:19-22.) Nga përshkrimi i Pavlit kuptojmë se Timoteu ishte i përulur, besnik, i papërtuar dhe i besueshëm. Ai ishte i dashur e kujdesej me gjithë zemër për vëllezërit. Prandaj, Pavli e donte Timoteun dhe i besoi pa hezitim caktime të vështira. (1 Kor. 4:17) Po njësoj, kur kultivojmë cilësi që ia kënaqin zemrën Jehovait, ai na do akoma më shumë dhe jemi më të dobishëm në kongregacion.—Psal. 25:9; 138:6.

Zgjidh një cilësi të krishterë që dëshiron ta zhvillosh më shumë (Shih paragrafët 5-6)

5. (a) Si mund të zgjedhësh se çfarë cilësie të zhvillosh? (b) Siç tregon figura, si po përpiqet motra e re të arrijë synimin për të shfaqur më shumë empati?

5 Zgjidh një synim specifik. Lutu dhe medito se cilat aspekte të personalitetit ke nevojë të përmirësosh. Zgjidh një cilësi me të cilën dëshiron të punosh. Për shembull, a mund të zhvillosh më shumë empatinë ose dëshirën për t’iu bërë krah vëllezërve e motrave? Mos ndoshta ke nevojë të jesh më paqësor dhe më i gatshëm të falësh? Një gjë që mund të të ndihmojë është t’i kërkosh një miku të besuar të të sugjerojë si të përmirësohesh.—Prov. 27:6.

6. Si mund ta arrish synimin për të zhvilluar një cilësi të caktuar?

6 Puno për ta arritur synimin. Si mund ta bësh këtë? Një mënyrë është duke studiuar me kujdes cilësinë ku do që të përmirësohesh. Ta zëmë se dëshiron të jesh më i gatshëm të falësh. Mund t’ia nisësh punës duke lexuar e medituar për personazhe të Biblës që falnin bujarisht dhe për të tjerë që nuk falnin. Mendo për shembullin e Jezuit. Ai ishte i gatshëm t’i falte të tjerët. (Luka 7:47, 48) Gjithashtu shihte përtej gabimeve të tyre dhe dallonte potencialin që kishin. Krejt ndryshe, farisenjtë në ditët e Jezuit «i shihnin të tjerët si të pavlerë». (Luka 18:9) Pasi të meditosh për këta shembuj, pyet veten: «Çfarë shoh unë te të tjerët? Te cilat cilësi të tyre zgjedh të përqendrohem?» Nëse e ke të vështirë ta falësh dikë, pse të mos shkruash sa më shumë nga cilësitë e mira që dallon tek ai? Pastaj pyet veten: «Si e sheh Jezui këtë person? A do ta falte?» Ky projekt studimi mund të na ndihmojë të ndryshojmë mënyrën si mendojmë. Në fillim mund të na duhet të përpiqemi fort ta falim dikë që na ka ofenduar. Por nëse vazhdojmë të punojmë në këtë pikë, me kalimin e kohës do të jemi më të gatshëm të falim.

ZHVILLO AFTËSI TË DOBISHME

Tregohu i gatshëm të mësosh si të mirëmbash Sallën e Mbretërisë (Shih paragrafin 7) e

7. Në harmoni me Proverbat 22:29, si po i përdor sot Jehovai punëtorët e zotë?

7 Një synim tjetër mund të jetë të zhvillosh aftësi të dobishme. Mendo sa shumë punëtorë duhen për të ndërtuar godinat e Bethelit, Sallat e Asambleve dhe Sallat e Mbretërisë. Mjaft prej këtyre vullnetarëve kanë fituar aftësi të reja duke punuar krah vëllezërve që janë zanatçinj me përvojë. Siç tregohet në figurë, qoftë vëllezërit, qoftë motrat po zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të mirëmbajtur Sallat e Asambleve dhe Sallat e Mbretërisë. Në këto e në mënyra të tjera, Perëndia Jehova, ‘Mbreti i përjetësisë’, dhe Krishti Jezu, «Mbreti i atyre që mbretërojnë», po realizojnë gjëra madhështore duke përdorur punëtorë të zotë. (1 Tim. 1:17; 6:15; lexo Proverbat 22:29.) Dëshira jonë është të punojmë pa u kursyer dhe t’i përdorim aftësitë për t’i dhënë lavdi Jehovait, jo vetes.—Gjoni 8:54.

8. Si mund të zgjedhësh se çfarë aftësie të zhvillosh?

8 Zgjidh një synim specifik. Çfarë aftësie mund të zhvillosh? Pyet pleqtë e kongregacionit ose mbikëqyrësin qarkor me çfarë aftësie mendojnë se mund të punosh. Nëse të sugjerojnë, për shembull, të përpiqesh të bëhesh më i aftë si orator dhe mësues, kërkoju ndihmë që të veçosh një cilësi oratorike ku ke nevojë të punosh. Pastaj hidh hapa praktikë që të përmirësohesh. Si mund ta bësh këtë?

9. Si mund ta arrish synimin për të zhvilluar një aftësi?

9 Puno për ta arritur synimin. Ta zëmë se dëshiron të bëhesh mësues më i mirë. Për këtë mund të të ndihmojë studimi i kujdesshëm i broshurës Kushtoju leximit dhe mësimdhënies. Kur të caktohet një pjesë në mbledhjen e mesjavës, mund t’i kërkosh një vëllai të kualifikuar ta dëgjojë që më parë pjesën që do të mbash dhe të të sugjerojë ku të përmirësohesh. Bëje zakon të përgatitesh mirë, që të tjerët «ta shohin qartë» jo vetëm se je i aftë, por edhe se je i zellshëm e i besueshëm.—Prov. 21:5; 2 Kor. 8:22.

10. Jepni një shembull që tregon se si mund ta zhvillojmë një aftësi.

10 Po nëse e ke tepër të vështirë të zhvillosh një aftësi të caktuar? Mos u dorëzo! Një vëlla që quhet Geri kishte vështirësi në të lexuar. Ai kujton çfarë sikleti ndiente kur lexonte para të tjerëve në mbledhje. Megjithatë vazhdoi të përpiqej me mish e me shpirt. Tani thotë se, falë stërvitjes që mori, arrin të mbajë fjalime në Salla Mbretërie, në asamble e kongrese.

11. Ashtu si Timoteu, çfarë do të na ndihmojë të mbajmë mbi supe më shumë përgjegjësi?

11 A u bë Timoteu orator fantastik ose mësues i jashtëzakonshëm? Bibla nuk na e thotë. Por pa dyshim, duke ndjekur këshillat e Pavlit, Timoteu u bë gjithnjë e më i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij. (2 Tim. 3:10) Nëse i zhvillojmë aftësitë tona, edhe ne do të jemi të përgatitur të mbajmë mbi supe më shumë përgjegjësi.

KËRKO MËNYRA PËR T’U SHËRBYER TË TJERËVE

12. Në cilat mënyra të kanë ndihmuar vëllezërit e motrat?

12 Të gjithë nxjerrim dobi nga shërbimi i të tjerëve. Nëse jemi në spital, ndihemi mirënjohës kur na vizitojnë pleqtë që shërbejnë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet ose në Grupet e Vizitave te Pacientët. Nëse përballojmë një situatë të vështirë në jetë, e vlerësojmë kur një plak i dashur lë kohë të na dëgjojë dhe të na japë zemër. Nëse na nevojitet ndihmë për një studim, kënaqemi kur një pionier me përvojë pranon të na shoqërojë në studim dhe na jep sugjerime. Të gjithë këta vëllezër e motra janë të lumtur të na bëhen krah. Mund ta përjetosh edhe vetë këtë gëzim nëse tregohesh i gatshëm t’u shërbesh vëllezërve të tu. Siç tha Jezui, «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh». (Veprat 20:35) Nëse ke dëshirë ta zgjerosh shërbimin në këto ose në mënyra të tjera, çfarë do të të ndihmojë t’i arrish synimet?

13. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur vëmë një synim?

13 Bëj kujdes të mos vësh një synim tepër të përgjithshëm. Për shembull, mbase thua me vete: «Do të doja të bëja më shumë në kongregacion.» Por mund të jetë e vështirë të dish si ta arrish një synim të tillë dhe mund të jetë e pamundur të kuptosh nëse e ke arritur. Prandaj zgjidh një synim të qartë, specifik. Madje mund ta shkruash synimin dhe hapat që do të bësh për ta arritur.

14. Pse duhet të jemi elastikë kur vëmë synime?

14 Gjithashtu duhet të jemi elastikë kur vendosim synime. Pse? Sepse nuk i kemi plotësisht nën kontroll rrethanat tona. Ta ilustrojmë: apostulli Pavël ndihmoi që të formohej një kongregacion i ri në qytetin e Selanikut. E pa dyshim që kishte si synim të qëndronte atje dhe të ndihmonte bashkëbesimtarët e rinj. Por kundërshtarët e detyruan Pavlin të largohej nga qyteti. (Vep. 17:1-5, 10) Nëse do të kishte ndenjur, do t’i kishte vënë në rrezik vëllezërit. Ama, Pavli nuk hoqi dorë nga synimi për t’i ndihmuar. Përkundrazi, u përshtat me rrethanat e reja dhe më vonë dërgoi Timoteun që t’i ndihmonte vëllezërit e rinj në Selanik të kishin besim të patundur. (1 Sel. 3:1-3) Sa të lumtur do të jenë ndier selanikasit që Timoteu u tregua i gatshëm të shërbente ku kishte nevojë!

15. Si mund të ndikojnë te synimet tona rrethanat që s’i kemi në dorë? Ilustrojeni.

15 Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Pavlit në Selanik? Mbase synojmë një privilegj shërbimi, por është e pamundur ta arrijmë atë synim për shkak të rrethanave që s’i kemi në dorë. (Ekl. 9:11) Nëse ndodhesh në këtë situatë, mos hezito të zgjedhësh një synim tjetër që mund ta arrish. Kështu veproi një çift, Tedi dhe Hajdi. Për shkak të një problemi shëndetësor, atyre iu desh të largoheshin nga Betheli. Por, dashuria për Jehovain i motivoi të kërkonin mënyra të tjera për të bërë më shumë në shërbim. Në fillim nisën të shërbenin si pionierë të rregullt. Me kalimin e kohës, u caktuan pionierë specialë, dhe Tedi u stërvit si zëvendësmbikëqyrës qarkor. Pastaj, limiti i moshës për mbikëqyrësit qarkorë ndryshoi dhe Tedi e Hajdi nuk mund të shërbenin më në atë caktim. Ndonëse të zhgënjyer, kuptuan se mund t’i shërbenin Jehovait në mënyra të tjera. Tedi thotë: «Kemi mësuar ta zgjerojmë këndvështrimin dhe të mos fiksohemi te një lloj shërbimi.»

16. Çfarë na mëson Galatasve 6:4?

16 Nuk kemi nën kontroll çdo gjë që na ndodh në jetë. Prandaj është e rëndësishme të mos e matim vlerën tonë me privilegjet e shërbimit ose të mos i krahasojmë caktimet tona me ato të të tjerëve. Hajdi shpjegon: «Po ta krahasosh jetën tënde me atë që po ndodh në jetën e të tjerëve, s’do të kesh më paqe në zemër.» (Lexo Galatasve 6:4.) Ajo që ka rëndësi është të kërkojmë mënyra si të ndihmojmë të tjerët dhe si t’i shërbejmë Jehovait. c

17. Çfarë mund të bësh që të kualifikohesh për privilegje të tjera në shërbim?

17 Nëse mban një jetë të thjeshtë dhe nuk hyn kot në borxhe, do të kesh mundësi të bësh më shumë në shërbim të Jehovait. Vër synime më të vogla që do të të ndihmojnë të arrish synimet afatgjata. Për shembull, nëse ke si synim afatgjatë të bëhesh pionier i rregullt, a mund të shërbesh tani si pionier ndihmës në vazhdimësi? Nëse synon të bëhesh shërbëtor kongregacioni, a mund të kalosh më tepër kohë në shërbim dhe t’i vizitosh më shpesh të sëmurët e të moshuarit në kongregacion? Përvoja që fiton tani, mund t’u hapë derën privilegjeve të tjera në shërbim. Ji i vendosur të japësh më të mirën në çdo caktim që të besohet.—Rom. 12:11.

Zgjidh një synim specifik që mund ta arrish (Shih paragrafin 18) f

18. Çfarë mëson nga shembulli i Bevërlit? (Shih edhe figurën.)

18 S’jemi kurrë tepër të moshuar për të vënë dhe për të arritur synime që kënaqin Jehovain. Mendo për shembullin e një motre 75-vjeçare që quhet Bevërli. Ajo kishte një problem të rëndë shëndetësor që ia bënte të vështirë të ecte. Megjithatë, donte nga zemra të përfshihej sa më shumë në fushatën e Përkujtimit. Prandaj vendosi synime specifike. Kur i arriti synimet për fushatën, ishte shumë e lumtur. Përpjekjet e saj i frymëzuan edhe të tjerët që të përpiqeshin me mish e me shpirt në shërbim. Jehovai i çmon përpjekjet e vëllezërve dhe motrave të moshuara, edhe nëse nuk bëjnë dot aq sa do të donin për shkak të rrethanave.—Psal. 71:17, 18.

19. Cilat janë disa synime teokratike që mund të vëmë?

19 Vër synime që mund t’i arrish. Kultivo cilësi që të bëjnë më të bukur në sytë e Jehovait. Zhvillo aftësi që mund të të bëjnë më të dobishëm për Perëndinë tonë dhe për organizatën e tij. Kërko mënyra si t’u shërbesh më plotësisht vëllezërve e motrave. d Ashtu si Timoteu, me bekimin e Jehovait, ‘përparimin tënd mund ta shohin qartë të gjithë’.—1 Tim. 4:15.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

a Timoteu kishte përvojë në predikimin e lajmit të mirë. Gjithsesi, apostulli Pavël e nxiti të vazhdonte të bënte përparim. Duke ndjekur këshillën e Pavlit, Timoteu do të bëhej më i dobishëm për Jehovain dhe për vëllezërit e motrat. A ndihesh edhe ti si Timoteu, i etur për t’i shërbyer më plotësisht Jehovait dhe bashkëbesimtarëve? Pa diskutim që po. Cilat synime do të të ndihmojnë? Si mund t’i vësh e t’i arrish këto synime?

b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Synimet teokratike përfshijnë çdo gjë për të cilën punojmë fort ta arrijmë nga dëshira që t’i shërbejmë më plotësisht Jehovait dhe ta bëjmë të lumtur.

c Shih nëntitullin «Shërbimi ku ka më shumë nevojë» te libri Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, kapitulli 10, p. 6-9.

d Shih mësimin 60, «Vazhdo të forcosh miqësinë me Jehovain», te libri Gëzoje jetën përgjithmonë.

e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla stërvit dy motra për të mirëmbajtur godinat teokratike, dhe ato e vënë në punë aftësinë që kanë fituar.

f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër që është e detyruar të rrijë në shtëpi, fton njerëzit në Përkujtim me anë të telefonit.