Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballosh ankthin

Si ta përballosh ankthin

ANKTHI mund t’ia rëndojë zemrën njeriut. (Prov. 12:25) A e ke përjetuar peshën e rëndë të ankthit në jetën tënde? A ndihesh ndonjëherë sikur nuk mban dot më? Nëse po, nuk je vetëm. Shumë prej nesh janë ndier të sfilitur, në ankth e të dëshpëruar për arsye të ndryshme. Për shembull, disa janë kujdesur për një pjesëtar të sëmurë të familjes, disave u ka vdekur një njeri i dashur, të tjerë kanë vuajtur pasojat e një katastrofe natyrore. Çfarë mund të na ndihmojë ta përballojmë ankthin? a

Mund të mësojmë shumë për përballimin e ankthit nga shembulli i mbretit David. Ai kaloi shumë situata të vështira në jetë, e madje në disa raste u gjend në buzë të vdekjes. (1 Sam. 17:34, 35; 18:10, 11) Çfarë e ndihmoi Davidin ta përballonte ankthin? Si ta imitojmë shembullin e tij?

ÇFARË E NDIHMOI DAVIDIN TA PËRBALLONTE ANKTHIN

Davidit i ranë disa sprova njëherësh. Për shembull, shqyrto atë që i ndodhi në kohën kur po i fshihej mbretit Saul, që po kërkonte ta vriste. Kur Davidi me luftëtarët e tij u kthyen në shtëpi, në Ziklag, morën vesh se armiqtë i kishin plaçkitur, u kishin djegur shtëpitë dhe familjet ua kishin marrë rob. Si reagoi Davidi? «Davidi dhe burrat që ishin me të, ia plasën të qarit derisa s’patën më fuqi.» Davidi u shqetësua edhe më shumë sepse burrat e tij të besuar «thoshin që ta vritnin me gurë». (1 Sam. 30:1-6) E kështu Davidi u përball me tri probleme të mëdha njëherësh: familjen e kishte në rrezik, vetë ishte i frikësuar se mos e vritnin shokët dhe mbreti Saul vazhdonte ta ndiqte këmba-këmbës. Mund ta marrësh me mend sa shumë ankth do të ketë ndier!

Çfarë bëri Davidi? Menjëherë «mori forcë falë Jehovait, Perëndisë së tij». Si mund ta ketë bërë këtë? E dimë se Davidi e kishte zakon t’i lutej Jehovait për ndihmë e të reflektonte për mënyrën si e kishte ndihmuar ai në të kaluarën. (1 Sam. 17:37; Psal. 18:2, 6) Davidi e kuptoi se kishte nevojë për udhëheqjen e Jehovait, ndaj pyeti Jehovain se ç’duhej të bënte. Pasi mori udhëzime nga Jehovai, Davidi veproi menjëherë. Si rezultat, ai dhe burrat e tjerë u bekuan nga Jehovai dhe i rimorën familjet e plaçkën. (1 Sam. 30:7-9, 18, 19) A i dallove tri gjërat që bëri Davidi? Ai u lut për ndihmën e Jehovait, reflektoi për mënyrat si e kishte ndihmuar Jehovai në të kaluarën, dhe veproi sipas udhëzimit të Jehovait. Si mund ta imitojmë Davidin? Të shqyrtojmë tri mënyra.

IMITO DAVIDIN KUR JE NË ANKTH

1. Lutu. Sa herë që na kap ankthi, mund t’i lutemi Jehovait për ndihmë e mençuri. Lehtësohemi kur ia zbrazim atij plotësisht zemrën për gjërat që na shqetësojnë. Ose mund të bëjmë një lutje të shkurtër në heshtje, nëse aq na lejojnë rrethanat. Sa herë që i drejtohemi Jehovait për ndihmë, tregojmë se kemi të njëjtën siguri që kishte Davidi kur tha: «Jehovai është shkrepi im, kalaja ime, çlirimtari im; Perëndia është shkëmbi im, tek ai gjej strehë.» (Psal. 18:2) A ndihmon vërtet lutja? Një pioniere që quhet Kalia thotë: «Pasi lutem, më pushton paqja. Lutja më ndihmon t’i shoh gjërat nga pikëpamja e Jehovait, dhe siguria ime tek ai bëhet më e fortë.» Vërtet, lutja është një dhuratë e shkëlqyer nga Jehovai! Prej saj marrim fuqi që ta përballojmë ankthin.

2. Reflekto. Kur kthen kokën pas, a të vijnë ndër mend sprova që i përballove vetëm me ndihmën e Jehovait? Kur reflektojmë për mënyrën si na ka ndihmuar Jehovai ne, si edhe gjithë shërbëtorët e tij në të kaluarën, na qetësohet zemra dhe na forcohet siguria tek ai. (Psal. 18:17-19) Një plak kongregacioni që quhet Xhoshua, thotë: «Kam një listë me lutje që kanë marrë përgjigje. Kjo më ka ndihmuar të kujtoj rastet kur i kam kërkuar Jehovait diçka konkrete dhe ai më dha fiks atë që më duhej.» Po, kur mendojmë thellë se çfarë ka bërë Jehovai për ne, mund të na përtërihen forcat e të vazhdojmë ta luftojmë ankthin.

3. Vepro. Para se të vendosim si të veprojmë në një rrethanë, mund të bëjmë kërkime në Fjalën e Perëndisë për udhëheqjen më të besueshme. (Psal. 19:7, 11) Shumë vëllezër e motra thonë se kur bëjnë kërkime për një shkrim të caktuar, janë më në gjendje të kuptojnë si zbatohet shkrimi në jetën e tyre. Një plak që quhet Xhared, shpjegon: «Kërkimet më ndihmojnë ta kuptoj mirë vargun dhe të dalloj këshillën e Jehovait. Kështu, shkrimi shkon drejt e në zemër dhe më shtyn të veproj sipas asaj që më thotë Jehovai.» Kur kërkojmë ndihmën e Jehovait me anë të Shkrimeve dhe veprojmë në harmoni me udhëheqjen e tij, do ta kemi më të lehtë ta përballojmë ankthin.

JEHOVAI DO TË TË NDIHMOJË T’IA DALËSH

Davidi e kuptoi se kishte nevojë për ndihmën e Jehovait që ta përballonte ankthin. Kaq mirënjohës ishte për ndihmën e Jehovait, saqë u shpreh: «Falë fuqisë së Perëndisë, mure mund të kaloj. Perëndia i vërtetë më vesh me fuqi.» (Psal. 18:29, 32) Sprovat mund të na duken si mure të pakapërcyeshme. Por, me ndihmën e Jehovait, mund të kapërcejmë çdo sprovë, sado e madhe të duket! Po, kur i lutemi Jehovait për ndihmë, kur reflektojmë për gjithë gjërat që ka bërë për ne dhe kur veprojmë sipas udhëzimit të tij, mund të jemi të sigurt se ai do të na japë fuqinë dhe mençurinë që na nevojitet për të përballuar ankthet tona!

a Dikush që përjeton ankth të rëndë mund të ketë nevojë të kërkojë ndihmën e një mjeku.