JETËSHKRIM
Dobësitë e mia kanë madhëruar fuqinë e Perëndisë
NË VITIN 1985, unë dhe ime shoqe, mbërritëm në Kolumbi. I gjithë shteti ishte i përfshirë në dhunë pa precedent. Qeveria po luftonte me kartele droge të fuqishme në qytete dhe me guerilas nëpër male. Në zonën e Medelinës, ku shërbyem më vonë, adoleshentë gangsterë patrullonin rrugët. Shisnin drogë, zhvatnin pará në këmbim të mbrojtjes dhe vritnin njerëz me pagesë. Të gjithë ishin jetëshkurtër. Na dukej sikur po jetonim në një botë tjetër.
Por, si përfunduan në Amerikën e Jugut dy njerëz të thjeshtë nga Finlanda, një nga shtetet më në veri të globit? Dhe çfarë mësimesh kam nxjerrë gjatë viteve?
FËMIJËRIA E RINIA NË FINLANDË
Linda në 1955-ën. Ishim tre vëllezër, dhe unë isha më i vogli. U rrita në bregun jugor të Finlandës, në një zonë që sot njihet si qyteti i Vantës.
Nëna ishte pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait ca vite para se të lindja unë. Por, im atë ishte kundër së vërtetës dhe nuk e lejonte nënën të studionte me ne e as të na merrte në mbledhjet e kongregacionit. Prandaj, ajo na i mësonte të vërtetat themelore të Biblës kur babai nuk ishte aty.
Që nga fëmijëria mora anën e Jehovait. Për shembull, kur isha shtatë vjeç, një herë mësuesja u tërbua ngaqë nuk haja veriletija (petulla finlandeze që bëheshin me gjak). Me njërën dorë ajo më shtrydhte faqet që të më hapte gojën, kurse me dorën tjetër përpiqej të më fuste me forcë në gojë një copë petulle. Në fund arrita t’ia hiqja pirunin nga dora.
Kur isha 12 vjeç, im atë vdiq. Pas kësaj mund të ndiqja mbledhjet. Vëllezërit e kongregacionit më qëndruan pranë dhe kjo më motivoi të afrohesha më shumë me Jehovain. Nisa ta lexoja Biblën çdo ditë dhe t’i studioja me kujdes botimet. Këto zakone të mira studimi u bënë shtysa që të pagëzohesha kur isha 14 vjeç, më 8 gusht 1969.
Sapo mbarova shkollën, fillova shërbimin si pionier i rregullt. Brenda disa javësh u transferova në Pielavesi, diku në qendër të Finlandës, meqë atje kishte nevojë për ndihmë në predikim.
Në Pielavesi takova Sirkën, vajzën që do të bëhej gruaja ime e dashur. Më tërhoqën shumë përulësia dhe marrëdhënia e fortë që kishte me Jehovain. Nuk donte të binte në sy e as kërkonte rehati materiale. Të dy donim shumë t’i shërbenim Jehovait sa më plotësisht, pavarësisht se çfarë caktimi kishim. U martuam më 23 mars 1974. Në vend që të shkonim në muaj mjalti, shkuam të shërbenim në Kartulë, ku kishte edhe më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.
JEHOVAI U KUJDES PËR NE
Që në fillim të martesës, Jehovai na tregoi se do të na i plotësonte nevojat materiale nëse vinim në vend të parë Mbretërinë. (Mat. 6:33) Për shembull, në Kartulë nuk kishim makinë dhe fillimisht lëviznim me biçikletë. Por, në dimër temperaturat zbritnin nën zero, ndaj na duhej një makinë për të predikuar territorin e paanë. E pará për ta blerë nuk kishim.
Papritur na erdhi për vizitë vëllai im i madh, i cili na ofroi me bujari makinën e tij. Siguracioni ishte i paguar. Duhej vetëm t’i hidhnim karburant. Kështu u bëmë me makinë.
Jehovai na tregoi se përgjegjësinë që të na plotësonte nevojat materiale e kishte marrë ai përsipër. Puna jonë ishte të vinim në vend të parë Mbretërinë.
SHKOLLA E GALADIT
Në vitin 1978, kur po ndiqnim Shkollën e Shërbimit për Pionierë, një nga instruktorët, Rimo Kuokanen, a na inkurajoi të plotësonim një kërkesë për shkollën e Galadit. Filluam të mësonim anglisht, që të kualifikoheshim për atë shkollë. Por nuk e bëmë dot kërkesën, sepse në vitin 1980 na ftuan të shërbenim në zyrën e degës të Finlandës. Në atë kohë bethelitët nuk mund të bënin kërkesë për Galadin. Sidoqoftë, donim të shërbenim atje ku mendonte Jehovai se ishte më mirë, jo ku mendonim ne. Prandaj, e pranuam ftesën. Ama vazhduam edhe të mësonim anglisht, sa për të qenë gati nëse do të na jepej mundësia të bënim kërkesën për Galad.
Ca vite më vonë, Trupi Udhëheqës u dha mundësinë bethelitëve që të bënin kërkesë për Galadin. E plotësuam menjëherë kërkesën, por jo ngaqë nuk na pëlqente Betheli. Përkundrazi! Thjesht donim të ishim në dispozicion për të ndihmuar ku kishte më shumë nevojë, nëse kualifikoheshim. Na ftuan në Galad dhe u diplomuam në klasën e 79-të, në shtator 1985. U caktuam në Kolumbi.
CAKTIMI I PARË SI MISIONARË
Në Kolumbi fillimisht u caktuam në zyrën e degës. U përpoqa të jepja maksimumin në caktimin tim, por pas një viti në Bethel, ndieja nevojën për një ndryshim. Ishte hera e parë dhe e vetme në jetë që kërkova një caktim tjetër. Si rrjedhojë, u caktuam misionarë në fushë në Neivë, një qytet në rajonin e Huilas.
Gjithnjë më ka pëlqyer predikimi. Kur isha beqar dhe pionier në Finlandë, kishte raste që e nisja predikimin herët në mëngjes dhe e mbyllja në mbrëmje vonë. Edhe si të sapomartuar, unë dhe Sirka e kishim zakon të predikonim gjithë ditën. Kur predikonim në territore të largëta, ndonjëherë flinim në makinë. Kjo shkurtonte kohën e udhëtimit dhe na jepte mundësi që të nesërmen ta nisnim herët predikimin.
Si misionarë, ndiem sërish entuziazmin që kishim provuar në të kaluarën në predikim. Kongregacioni ynë u rrit, dhe vëllezërit e motrat kolumbianë ishin të respektueshëm, të dashur e mirënjohës.
FUQIA E LUTJES
Jo shumë larg Neivës, qytetit ku ishim caktuar, kishte qyteza pa asnjë Dëshmitar. Isha në merak se si do të predikohej lajmi i mirë atje. Megjithatë, për shkak të përleshjeve guerile, ato nuk ishin të sigurta për të ardhurit. Prandaj, u luta që dikush nga këto qyteza të bëhej Dëshmitar. Mendoja se ky dikushi duhej të jetonte në Neivë që të mësonte të vërtetën. Ja pse u luta që pas pagëzimit të përparonte në të vërtetën e të kthehej në qytezën e tij për të predikuar. Duhej të më kishte shkuar mendja se Jehovai kishte një zgjidhje shumë më të mirë se imja.
Pas pak, nisa të studioja Biblën me një të ri që quhej Fernando Gonzales. Ai jetonte në Alhesiras, një nga qytezat ku nuk kishte Dëshmitarë. Fernandoja udhëtonte më shumë se 50 kilometra deri në Neivë për të punuar. Gjithmonë përgatitej shumë mirë për studimin dhe nisi të ndiqte menjëherë të gjitha mbledhjet. Që në javën e parë të studimit, Fernandoja mblidhte të tjerë në qytezën e tij dhe u tregonte gjërat që kishte mësuar nga Bibla.
Fernandoja u pagëzua në janar të vitit 1990, gjashtë muaj pasi kishte filluar studimin. Pastaj nisi shërbimin si pionier i rregullt. Tani që në Alhesiras kishte një Dëshmitar vendas, nuk ishte më aq e rrezikshme që zyra e degës të caktonte pionierë specialë në atë zonë. Në shkurt
1992, në atë qytezë u formua një kongregacion.A predikoi vetëm në qytezën e tij Fernandoja? Jo! Pasi u martua, u transferua bashkë me të shoqen në San-Visente-del-Kahuan, një qytezë tjetër pa Dëshmitarë. Aty ndihmuan që të formohej një kongregacion. Më 2002, Fernandoja u emërua mbikëqyrës qarkor dhe bashkë me gruan e tij, Olgën, vazhdon ende në veprën udhëtuese.
Nga kjo histori, mësova sa e rëndësishme është të lutemi për çështje specifike që lidhen me caktimet tona teokratike. Jehovai bën atë që ne s’e bëjmë dot. Tekefundit, të korrat janë të tijat, jo tonat.—Mat. 9:38.
JEHOVAI NA JEP ‘DËSHIRËN DHE FUQINË QË TË VEPROJMË’
Më 1990 u caktuam në veprën udhëtuese. Qarku ynë i parë ishte në kryeqytet, në Bogota. Ky caktim na frikësoi. Gruaja ime dhe unë jemi njerëz të zakonshëm, pa ndonjë talent të veçantë. Nuk ishim mësuar të jetonim në një metropol të zhurmshëm. Por, Jehovai e mbajti premtimin që gjejmë te Filipianëve 2:13: «Sipas pëlqimit të tij, vetë Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë si dëshirën, edhe fuqinë që të veproni.»
Më vonë u caktova mbikëqyrës qarkor në zonën e Medelinit, qyteti që përmenda në fillim. Njerëzit atje ishin mësuar kaq shumë me dhunën nëpër rrugë, saqë s’u bënte më përshtypje. Për shembull, një herë, teksa po drejtoja një studim, jashtë shtëpisë së studentit plasën të shtënat. Unë isha gati të shtrihesha përtokë, por studenti i Biblës vazhdoi të lexonte paragrafin si të mos kishte ndodhur gjë. Kur mbaroi leximin, kërkoi ndjesë me mirësjellje që të dilte pak. S’kaloi shumë e u kthye me dy fëmijët e tij të vegjël dhe tha me qetësi: «Më fal, por duhej të merrja fëmijët.»
Kishte edhe raste të tjera të rrezikshme. Një ditë kur po predikonim shtëpi më shtëpi, gruaja ime erdhi me vrap dhe ishte pak e zbehtë në fytyrë. Më tha se dikush kishte shtënë kundër saj. U tremba. Sidoqoftë, më vonë morëm vesh se ai që kishte qëlluar nuk e kishte me Sirkën, por me një burrë që po kalonte aty pranë.
Me kalimin e kohës u mësuam me dhunën nëpër rrugë. Na inkurajonte qëndrueshmëria e Dëshmitarëve vendas që kishin kaluar situata si këto e të tjera më të rënda. Arritëm në përfundimin se përderisa po ndihmonte ata, Jehovai do të na ndihmonte edhe ne. Ua vinim veshin gjithmonë këshillave të pleqve vendas, tregoheshim të kujdesshëm dhe gjithçka tjetër e lamë në duart e Jehovait.
Sigurisht, disa situata nuk ishin aq të rrezikshme sa ç’na dukeshin ne. Në një rast, te një shtëpi ku do të predikoja, m’u duk sikur dëgjova dy gra që po shanin njëra-tjetrën me zë të lartë. Nuk më interesonte të dëgjoja atë debat, por e zonja e shtëpisë më thirri të hyja në oborr. Doli që «debatin» po e bënin dy papagaj që po imitonin komshinjtë.
PRIVILEGJE DHE VËSHTIRËSI TË TJERA
Në vitin 1997, u caktova instruktor i Shkollës së Stërvitjes për Shërbim. b Gjithnjë e kam vlerësuar pjesëmarrjen në shkolla teokratike, por kurrë s’e imagjinoja të kisha privilegjin e bukur të isha instruktor i një shkolle.
Më vonë shërbeva si mbikëqyrës krahinor. Kur ai caktim nuk ekzistonte më, u ktheva në veprën qarkore. Kështu për më shumë se 30 vjet jam kënaqur me shërbimin si instruktor dhe si mbikëqyrës udhëtues. Këto caktime kanë qenë burim i shumë bekimeve. Megjithatë, nuk ishte çdo gjë fushë me lule. Ja t’jua shpjegoj.
Kam personalitet të fortë. Kjo më ka ndihmuar të përballoj situata të vështira. Mirëpo, në disa raste kam qenë më i zellshëm se ç’duhej për të ndrequr disa gjëra nëpër kongregacione. Me raste, i kam nxitur me shumë forcë disa të ishin të dashur e të arsyeshëm me të tjerët. Por, si për ironi, në ato momente unë vetë nuk po i shfaqja ato cilësi.—Rom. 7:21-23.
Nganjëherë shkurajohesha shumë për shkak të të metave të mia. (Rom. 7:24) Një herë i thashë Jehovait në lutje se do të ishte më mirë ta lija shërbimin si misionar e të kthehesha në Finlandë. Atë mbrëmje ndoqa një mbledhje kongregacioni. Inkurajimi që mora në mbledhje më bindi se duhej të qëndroja në caktim e të vazhdoja të ndreqja të metat e mia. Sot e kësaj dite më prek mënyra e qartë si iu përgjigj Jehovai asaj lutjeje. Veç kësaj, e çmoj thellësisht ndihmën e dashur që më ka dhënë për të mposhtur dobësitë e mia.
I MBAJMË SYTË PLOT SHPRESË TEK E ARDHMJA
Sirka dhe unë i jemi shumë borxhlinj Jehovait që na dha privilegjin t’i shërbenim thuajse gjithë jetën në kohë të plotë. I jam shumë mirënjohës Jehovait edhe që më dha një grua kaq të dashur dhe besnike në tërë këto vite.
Së shpejti do të mbush 70 vjeç dhe nuk do të shërbej dot më si instruktor në fushë dhe si mbikëqyrës udhëtues. Por kjo nuk më trishton. Pse? Sepse jam plotësisht i bindur se Jehovain e nderon mbi gjithçka shërbimi ynë me modesti dhe lavdia që i japim nga një zemër e tejmbushur me dashuri e mirënjohje. (Mik. 6:8; Mar. 12:32-34) Nuk ka nevojë të jemi në qendër të vëmendjes për të nderuar Jehovain.
Kur mendoj për caktimet që kam pasur, e kuptoj se nuk i kam marrë ngaqë kam qenë më i denjë se të tjerët a ngaqë kam pasur ndonjë aftësi të jashtëzakonshme. S’bëhet fjalë! Përkundrazi, Jehovai m’i ka dhënë këto privilegje për shkak të mirësisë së tij të pamerituar. M’i besoi këto caktime pavarësisht nga dobësitë e mia. Pa ndihmën e Jehovait nuk do t’i kisha kryer dot. Ja pse dobësitë e mia kanë madhëruar fuqinë e Perëndisë.—2 Kor. 12:9.
a Jetëshkrimi i Rimo Kuokanenit «Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait» është botuar në Kullën e Rojës të 1 prillit 2006.
b Kjo shkollë është zëvendësuar nga Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.