Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 17

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

Mos u largo kurrë nga parajsa që gëzojmë sot!

Mos u largo kurrë nga parajsa që gëzojmë sot!

«Ngazëlloni e jini të gëzuar përjetë për atë që po krijoj.»ISA. 65:18.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të mësojmë si nxjerrim dobi ngaqë bëjmë pjesë në parajsën e figurshme dhe si t’i tërheqim të tjerët drejt saj.

1. Çfarë është parajsa e figurshme, dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

 SOT në tokë ekziston një parajsë ku gëlon jeta dhe aktiviteti. Në të ka miliona njerëz që gëzojnë paqe të vërtetë. Ata që jetojnë në këtë parajsë janë të vendosur të mos largohen kurrë prej saj. Veç kësaj, dëshirojnë që sa më shumë njerëz t’u bashkohen në këtë ambient unik. Për çfarë e kemi fjalën? Për parajsën e figurshme. a

2. Pse është kaq mbresëlënëse parajsa e figurshme?

2 Është mbresëlënëse që Jehovai ka krijuar një ambient paqësor mes kësaj bote që Satanai e ka shndërruar në një vend të lig, të rrezikshëm e që vlon nga urrejtja. (1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:12) Perëndia ynë i dashur e vëren sa dhembje u shkakton njerëzve ky sistem dhe na ka siguruar një ambient ku të ndihemi të mbrojtur që t’i shërbejmë plot gëzim. Në Fjalën e tij, parajsa e figurshme përshkruhet edhe si «strehë» e sigurt, edhe si «kopsht i ujitur mirë». (Isa. 4:6; 58:11) Falë bekimit të Jehovait, ata që jetojnë në këtë parajsë ndihen të lumtur e të sigurt gjatë këtyre ditëve të fundit aspak të lehta.—Isa. 54:14; 2 Tim. 3:1.

3. Si u përmbush për herë të parë profecia e Isaisë 65?

3 Jehovai e frymëzoi profetin Isaia të përshkruante si do të ishte jeta e banorëve të parajsës së figurshme. Këtë përshkrim mund ta lexosh te kapitulli 65 i Isaisë. Ai u përmbush për herë të parë në vitin 537 p.e.s. Në atë kohë, judenjtë e penduar u liruan nga robëria babilonase dhe u kthyen në atdhe. Jehovai e bekoi popullin e tij dhe i ndihmoi që ta zbukuronin sërish qytetin e shkatërruar të Jerusalemit, si edhe ta bënin prapë tempullin qendër të adhurimit të pastër në Izrael.—Isa. 51:11; Zak. 8:3.

4. Si po përmbushet në ditët tona profecia e Isaisë 65?

4 Në vitin 1919 të e.s. filloi përmbushja e dytë e profecisë së Isaisë, kur adhuruesit e Jehovait u çliruan nga robëria e Babilonisë së Madhe. Pas kësaj, parajsa e figurshme nisi të shtrihej në mbarë botën. Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë formuan shumë kongregacione dhe dhanë fryt duke zhvilluar cilësi të krishtere. Gra e burra dikur të dhunshëm e imoralë ‘veshën personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë’. (Efes. 4:24) Patjetër që shumë nga bekimet që përshkroi Isaia do të përmbushen në kuptimin e mirëfilltë në të ardhmen, në botën e re. Megjithatë po shijojmë plot bekime që sot. Le të shohim cilat janë dhe pse s’duhet të largohemi kurrë nga parajsa e figurshme.

SI NDIHEN ATA QË JETOJNË NË PARAJSËN E FIGURSHME

5. Sipas premtimit tek Isaia 65:13, cilat bekime gëzojmë në parajsën e figurshme?

5 Të shëndetshëm dhe të freskuar. Profecia e Isaisë nxjerr në pah kontrastin e thellë mes atyre që jetojnë në parajsën e figurshme dhe atyre që janë jashtë saj. (Lexo Isainë 65:13.) Jehovai u siguron dorëhapur adhuruesve të tij gjithçka që u duhet për të qëndruar të lidhur ngushtë me të. Kemi frymën e tij të shenjtë, Fjalën e shkruar dhe një bollëk ushqimi besimforcues që ‘të hamë, të pimë dhe të gëzojmë’. (Krahaso Zbulesën 22:17.) Krejt ndryshe, ata që janë jashtë parajsës së figurshme ‘kanë uri, etje dhe u vjen turp’. Nevoja e tyre për ta njohur e për ta adhuruar Perëndinë mbetet e paplotësuar.—Amo. 8:11.

6. Si përshkruhen te Joeli 2:21-24 disa nga dhuratat e Jehovait, dhe si mund të nxjerrim dobi prej tyre?

6 Në profecinë e tij, Joeli përdori gjëra bazë, si drithë, verë dhe vaj ulliri, për të treguar se Jehovai na jep me bujari gjithçka që na duhet për ta mbajtur besimin të fortë. (Joe. 2:21-24) Këtu përfshihen Bibla dhe botimet e bazuara tek ajo, siti ynë, si edhe mbledhjet, asambletë e kongreset. Ndërsa nxjerrim dobi përditë nga dhuratat e Jehovait, jemi më të shëndetshëm e më të freskuar.

7. Pse kemi ‘gëzim në zemër’? (Isaia 65:14)

7 Të lumtur e të kënaqur. Adhuruesit e Perëndisë «lëshojnë britma të hareshme» ngaqë u gufon zemra nga mirënjohja për të. (Lexo Isainë 65:14.) Të vërtetat besimforcuese, premtimet zemërdhënëse të Fjalës së Perëndisë dhe shpresa e sigurt që kemi falë flijimit shpërblyes të Krishtit na sjellin ‘gëzim në zemër’. E kur bisedojmë për këto gjëra me vëllezërit e motrat, jemi vërtet të gëzuar.—Psal. 34:8; 133:1-3.

8. Cilat janë dy veçori kryesore të parajsës së figurshme?

8 Dashuria dhe uniteti mes popullit të Jehovait janë dy veçori kryesore të parajsës së figurshme. Kjo ‘lidhje bashkimi’ na ndihmon të përfytyrojmë jetën në botën e re, ku shërbëtorët e Jehovait do të gëzojnë dashuri e unitet në një masë shumë më të madhe se sot. (Kolos. 3:14) Një motër tregon se çfarë i ra në sy te Dëshmitarët e Jehovait kur i takoi për herë të parë: «Nuk isha e lumtur, madje as në familjen time. Herën e parë që pashë dashuri me vepra ishte midis Dëshmitarëve të Jehovait.» Të gjithë ata që duan të ndihen vërtet të lumtur dhe të kënaqur duhet të jenë në parajsën e figurshme. Pavarësisht se çfarë opinioni ka bota për shërbëtorët e Jehovait, ne gëzojmë një emër të nderuar në sytë e tij dhe të familjes universale me adhurues të tij.—Isa. 65:15.

9. Çfarë premton Isaia 65:16, 17 për vuajtjet tona?

9 Të relaksuar dhe të qetë. Isaia 65:14 thotë se ata që zgjedhin të qëndrojnë jashtë parajsës së figurshme, ‘bërtasin nga dhembjet e zemrës e ulërijnë nga vuajtjet e shpirtit’. Por ç’të themi për gjërat që u kanë shkaktuar dhembje e vuajtje shërbëtorëve të Perëndisë? Në fund të gjitha «do të harrohen [dhe] do të fshihen nga sytë» e Perëndisë. (Lexo Isainë 65:16, 17.) Jehovai do t’i zhdukë telashet tona dhe, me kohë, vragat që kanë lënë në mendje e në zemër do të fshihen krejt.

10. Pse je mirënjohës për shoqërinë e vëllezërve e të motrave? (Shihni edhe figurën.)

10 Edhe sot jemi më të qetë kur shkojmë në mbledhjet tona, ku mund të relaksohemi e të harrojmë streset që na shkakton kjo botë e ligë. E kur shfaqim dashuri, gëzim, paqe, zemërmirësi, butësi dhe cilësi të tjera të frytit të frymës së Perëndisë, ndihmojmë që vëllezërit e motrat të ndihen të qetë. (Gal. 5:22, 23) Sa mirënjohës jemi që bëjmë pjesë në organizatën e Perëndisë! Ata që qëndrojnë në parajsën e figurshme, do të shohin si do ta përmbushë plotësisht Perëndia premtimin për të krijuar «qiej të rinj dhe një tokë të re».

Është bekim të shijosh parajsën e figurshme si pjesë e familjes së Perëndisë (Shih paragrafin 10) c


11. Sipas Isaisë 65:18, 19, si ndihemi ngaqë jetojmë në parajsën e figurshme?

11 Mirënjohës dhe entuziastë. Më tej Isaia shpjegon pse kemi çdo arsye që ‘të ngazëllojmë e të jemi të gëzuar’ në parajsën e figurshme. Këtë parajsë e ka krijuar vetë Jehovai. (Lexo Isainë 65:18, 19.) Prandaj, ai po na përdor për t’i ndihmuar njerëzit të largohen nga organizatat që nuk mësojnë të vërtetën për të dhe të bëhen pjesë e parajsës sonë të bukur. Bekimet që gëzojmë ngaqë jemi në të vërtetën na mbushin me entuziazëm, e zemra na nxit që t’u flasim edhe të tjerëve për to.—Jer. 31:12.

12. Si ndihesh kur lexon premtimet tek Isaia 65:20-24, dhe pse?

12 Jemi mirënjohës dhe entuziastë edhe për shpresën që kemi falë marrëdhënies paqësore me Jehovain. Përfytyro pak gjithë gjërat që do të shohim e do të bëjmë në botën e re të Perëndisë! Bibla premton: «Nuk do të ketë më asnjë foshnjë që të jetojë vetëm pak ditë, asnjë të moshuar që nuk i mbush ditët e tij.» Ne ‘do të ndërtojmë shtëpi e do të jetojmë në to, do të mbjellim vreshta e do të hamë frytin e tyre’. Gjithashtu ‘nuk do të robtohemi më kot’, sepse do të jemi «të bekuar nga Jehovai». Ai na premton një të ardhme të sigurt e të bukur dhe një jetë me qëllim të vërtetë. Jehovai do ta dijë çfarë i nevojitet secilit prej nesh, ‘madje para se ta thërrasim’, dhe ‘do të plotësojë dëshirën e çdo krijese’.—Isa. 65:20-24; Psal. 145:16.

13. Si i përshkruan Isaia 65:25 ndryshimet që bëjnë njerëzit kur fillojnë t’i shërbejnë Jehovait?

13 Në paqe dhe të mbrojtur. Me ndihmën e frymës së Perëndisë, shumë prej atyre që dikur ishin të dhunshëm, agresivë e të pandershëm, kanë bërë ndryshime mbresëlënëse në personalitet. (Lexo Isainë 65:25.) Ata janë përpjekur fort t’i çrrënjosin cilësitë e padëshirueshme. (Rom. 12:2; Efes. 4:22-24) Natyrisht, shërbëtorët e Perëndisë janë akoma të papërsosur, ndaj vazhdojnë të bëjnë gabime. Megjithatë, Jehovai ka bashkuar njerëz ‘të çdo lloji’ në një lidhje të pathyeshme dashurie dhe paqeje. (Titit 2:11) Kjo është një mrekulli që mund ta bëjë vetëm Perëndia i plotfuqishëm!

14. Si është bërë realitet Isaia 65:25 në rastin e një vëllai?

14 A mund ta ndryshojë vërtet dikush personalitetin? Të shohim rastin e një të riu që, deri kur ishte 20 vjeç, kishte përfunduar mjaft herë në burg dhe ishte zhytur në një jetë imorale e të dhunshme. Atë e kishin burgosur për vjedhje makinash, shtëpish dhe për krime të tjera të rënda. Veç kësaj, ishte tip gjaknxehtë, gati të bënte sherr me këdo. Por, kur mësoi të vërtetën nga Bibla dhe filloi të ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, u bind se kishte gjetur një qëllim në jetë—të adhuronte Jehovain në parajsën e figurshme. Pas pagëzimit mendonte shpesh si zbatoheshin për të fjalët e Isaisë 65:25. Ai kishte ndryshuar nga një person i dhunshëm ngjashëm një luani në një person paqësor ngjashëm një qengji.

15. Pse duam të ftojmë edhe të tjerë në parajsën e figurshme, dhe si mund ta bëjmë këtë?

15 Isaia 65:13 fillon me deklaratën: «Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova.» Vargu 25 mbyllet me fjalët «thotë Jehovai». Premtimet e Jehovait përmbushen gjithmonë. (Isa. 55:10, 11) Parajsa e figurshme është tashmë një realitet. Jehovai ka krijuar një familje vërtet unike me adhurues të tij. Në këtë familje gëzojmë paqen më të madhe që është e mundur sot për sot dhe jemi në një oazë të mbrojtur mes kësaj bote të dhunshme. (Psal. 72:7) Ja pse duam të ndihmojmë sa më shumë njerëz që t’i bashkohen familjes sonë. E bëjmë këtë kur përqendrohemi te vepra e bërjes së dishepujve.—Mat. 28:19, 20.

SI T’I TËRHEQIM TË TJERËT NË PARAJSËN E FIGURSHME

16. Çfarë i tërheq njerëzit drejt parajsës së figurshme?

16 Secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për ta bërë më tërheqëse parajsën e figurshme. Që ta përmbushim këtë rol, duhet të imitojmë Jehovain. Ai nuk i tërheq me zor njerëzit në organizatën e tij. Përkundrazi ‘i tërheq’ me ëmbëlsi drejt vetes. (Gjoni 6:44; Jer. 31:3) Kur mësojnë për dashurinë e Jehovait dhe për personalitetin e tij të mrekullueshëm, njerëzit me zemër të mirë tërhiqen natyrshëm drejt tij. Po ne si mund t’i tërheqim njerëzit drejt parajsës së figurshme me anë të cilësive e sjelljes sonë të mirë?

17. Si mund t’i tërheqim të tjerët drejt parajsës së figurshme?

17 Një mënyrë si i tërheqim të tjerët drejt parajsës së figurshme është duke trajtuar me dashuri e zemërmirësi vëllezërit e motrat. Kur të interesuarit ndjekin mbledhjet në kongregacionin tonë, duam të arrijnë në të njëjtin përfundim si jobesimtarët që mund të kenë ndjekur mbledhjet në Korintin e lashtë. Ata pranonin: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Kor. 14:24, 25; Zak. 8:23) Ja pse duhet të vazhdojmë t’i vëmë veshin këshillës që ‘të jemi paqësorë me njëri-tjetrin’.—1 Sel. 5:13.

18. Çfarë mund t’i tërheqë njerëzit drejt organizatës sonë?

18 Duhet të përpiqemi pareshtur t’i shohim vëllezërit e motrat siç i sheh Jehovai. E bëjmë këtë duke u përqendruar te cilësitë e tyre pozitive, jo te papërsosmëritë që si përfundim do të zhduken. Mund t’i zgjidhim mosmarrëveshjet me dashuri, duke qenë gjithmonë ‘zemërmirë me njëri-tjetrin, zemërdhembshur dhe duke e falur bujarisht njëri-tjetrin’. (Efes. 4:32) Atëherë njerëzit që dëshirojnë të trajtohen në këtë mënyrë, do të duan të jenë pjesë e parajsës së figurshme. b

QËNDRO NË PARAJSËN E FIGURSHME

19. (a) Si u shprehën disa pasi u kthyen në parajsën e figurshme, siç tregon kutia « U larguan, por u kthyen»? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur? (Shihni edhe figurën.)

19 Sa mirënjohës jemi për parajsën tonë! Ajo është më e bukur se asnjëherë dhe ka më tepër adhurues të Jehovait se kurrë më parë. Qofshim përjetë mirënjohës për parajsën që ka krijuar Jehovai për ne! Kush dëshiron të ndihet i freskuar, i kënaqur, i qetë dhe i mbrojtur duhet të hyjë në parajsën e figurshme e të mos largohet kurrë. Por duhet të kemi kujdes, sepse Satanai s’po lë gur pa lëvizur për të na joshur që të largohemi prej saj. (1 Pjet. 5:8; Zbul. 12:9) Të mos ia japim këtë kënaqësi! Le të përpiqemi me mish e me shpirt që të mbrojmë bukurinë, pastërtinë dhe paqen e parajsës së figurshme.

Ata që qëndrojnë në parajsën e figurshme, do të gëzojnë edhe parajsën fizike në të ardhmen (Shih paragrafin 19)


SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë është parajsa e figurshme?

  • Çfarë bekimesh gëzojmë në parajsën e figurshme?

  • Si mund t’i tërheqim të tjerët në këtë parajsë?

KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!

a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shprehja «parajsë e figurshme» nënkupton ambientin, ose kushtet, në të cilat adhurojmë Jehovain. Në këtë parajsë gëzojmë një marrëdhënie paqësore me Jehovain dhe me njëri-tjetrin.

b Shih në jw.org videon Vite më vonë . . . Alena Zhitnikova: Ëndrra ime: Ja si u plotësua!, dhe vër re bekimet që shijon kjo motër ngaqë është në parajsën e figurshme.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërkohë që shumë vëllezër e motra po shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit në mbledhje, një vëlla rri i veçuar nga të tjerët.