Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 26

Si na ndihmon dashuria e Jehovait ta mposhtim frikën

Si na ndihmon dashuria e Jehovait ta mposhtim frikën

«Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë.»—PSAL. 118:6.

KËNGA 105 «Perëndia është dashuri»

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat janë disa gjëra që shpesh ngjallin frikë?

 MENDO pak për disa situata reale. Nestori dhe e shoqja, Maria, dëshironin të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë. * Ama për ta bërë këtë, duhej të ndryshonin standardin e jetesës. Mirëpo kishin frikë se mos nuk do të ishin vërtet të lumtur po të jetonin me më pak të ardhura. Biniami u bë Dëshmitar në një vend ku vepra e predikimit has kundërshtime, prandaj e dinte se, si shërbëtor i Jehovait, mund ta përndiqnin. Kjo e frikësonte shumë. Por e frikësonte akoma më shumë mendimi se si do të reagonte familja kur të merrte vesh për fenë e tij të re. Valerinë e diagnostikuan me një lloj kanceri agresiv. Ndërkohë nuk po arrinte të gjente një kirurg që të respektonte bindjet e saj të bazuara në Bibël për gjakun, e si pasojë kishte frikë se mos vdiste.

2. Pse duhet të mësojmë ta mposhtim frikën?

2 A ke ndier ndonjëherë frikë për arsye të tilla? Shumë prej nesh po. Nëse nuk mësojmë ta mbajmë nën kontroll frikën, ka shumë të ngjarë të marrim vendime të gabuara, të cilat mund të ndikojnë për keq edhe te marrëdhënia jonë me Jehovain. Tamam këtë do Satanai. Veç kësaj, ai përpiqet ta shfrytëzojë frikën tonë për të na shtyrë të mos u bindemi ligjeve të Jehovait, ku përfshihet urdhri që të predikojmë lajmin e mirë. (Zbul. 12:17) Satanai është i lig, i pamëshirshëm dhe i fuqishëm. Megjithatë është e mundur të mbrohesh prej tij. Si?

3. Çfarë do të na ndihmojë të mposhtim frikën?

3 Kur jemi të bindur se Jehovai na do dhe se është përherë në krahun tonë, përpjekjet e Satanait do të shkojnë kot. (Psal. 118:6) Për shembull, shkrimtari i Psalmit 118 u gjend në disa situata goxha stresuese. Ai kishte shumë armiq, e disa madje ishin njerëz me pushtet (vargjet 9, 10). Hera-herës ishte nën një presion të tmerrshëm (vargu 13). Veç kësaj kishte marrë disiplinë të fortë nga Jehovai (vargu 18). Prapëseprapë, psalmistit i dolën nga zemra këto fjalë: «Nuk do të kem frikë.» Pse ndihej kaq i mbrojtur e i sigurt? Ai e dinte mirë se, ndonëse e kishte disiplinuar, Ati i tij qiellor e donte jashtë mase. Gjithashtu ishte i bindur se çfarëdolloj problemi të haste, Perëndia i tij i dashur do të ishte gjithmonë gati ta ndihmonte.—Psal. 118:29.

4. Cilat frikëra arrijmë të mposhtim kur jemi të bindur se Perëndia na do?

4 Duhet të jemi të bindur se Jehovai na do si individë. Kjo bindje do të na ndihmojë të mposhtim frikën që mund të ndiejmë për një nga këto arsye: (1) frika se mos nuk i sigurojmë dot familjes gjërat e nevojshme, (2) frika nga njeriu dhe (3) frika e vdekjes. Vëllezërit dhe motrat e përmendur në paragrafin e parë arritën të fitonin mbi frikën ngaqë ishin të bindur se Perëndia i do.

FRIKA SE MOS NUK I SIGUROJMË DOT FAMILJES GJËRAT E NEVOJSHME

Një vëlla që ka pranë të birin, po nxjerr bukën e gojës për familjen duke punuar si peshkatar (Shih paragrafin 5)

5. Cilat rrethana mund t’i fusin ankth një kryefamiljari? (Shih figurën e kopertinës.)

5 Një kryefamiljar që është adhurues i Jehovait e merr seriozisht përgjegjësinë që të sigurojë gjërat e nevojshme materiale për familjen. (1 Tim. 5:8) Nëse je kryefamiljar, ndoshta ekzistonte rreziku të humbje punën gjatë pandemisë së kohëve të fundit. Mbase ishe në merak se nuk do t’ia dilje të mbaje familjen dhe të paguaje qiranë ose kredinë për shtëpinë. Ndoshta kishe frikë edhe se, po të humbje punën, nuk do të gjeje dot punë tjetër. Ose, si Nestori dhe Maria të përmendur më sipër, mbase ngurroje të bëje një punë me rrogë më të vogël, pasi kjo do të ndikonte te mënyra si jetonit. Satanai e ka shfrytëzuar me sukses në shumë raste frikën për gjëra të tilla.

6. Për çfarë përpiqet të na e mbushë mendjen Satanai?

6 Satanai përpiqet të na e mbushë mendjen se Jehovai s’na do dhe nuk do të na vijë në ndihmë që t’i sigurojmë gjërat e nevojshme familjes. Si pasojë, mund të mendojmë se duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të mos humbur punën, edhe nëse kjo do të thotë të shkelim ndonjë parim nga Shkrimet.

7. Për çfarë na siguron Jezui?

7 Jezui, ai që e njeh Atin më mirë se kushdo, na siguron se Perëndia ynë ‘e di për çfarë kemi nevojë, madje përpara se t’ia kërkojmë’. (Mat. 6:8) Gjithashtu, Jezui e di se Jehovai është i gatshëm të na sigurojë gjërat e nevojshme. Si adhurues të Jehovait, jemi pjesëtarë të familjes së Tij. Mund të jemi të sigurt se Kryefamiljari ynë, Jehovai, do të veprojë sipas parimit që ka dhënë për të gjithë kryefamiljarët te 1 Timoteut 5:8.

Jehovai do të sigurohet që të kemi ç’na nevojitet. Ai mund të përdorë vëllezërit tanë për të na ndihmuar (Shih paragrafin 8) *

8. (a) Çfarë do të na ndihmojë ta mposhtim frikën se mos nuk ia dalim të mbajmë familjen? (Mateu 6:31-33) (b) Si mund ta imitojmë shembullin e çiftit që ka përgatitur një vakt për ta shijuar bashkë me një motër? (Shih figurën.)

8 Kur jemi të bindur se Jehovai na do ne dhe familjen tonë, kemi besim absolut se nuk do të na mungojnë gjërat e nevojshme. (Lexo Mateun 6:31-33.) Jehovai dëshiron të na sigurojë ç’na nevojitet. E çfarë Siguruesi bujar dhe i dashur është ai! Kur krijoi tokën, Jehovai nuk na dha vetëm gjërat bazë për të jetuar. Plot dashuri, e mbushi planetin tonë me gjëra që na kënaqin shpirtin. (Zan. 2:9) Edhe nëse ndonjëherë kemi vetëm gjërat bazë për të jetuar, bëjmë mirë të përqendrohemi te fakti që po jetojmë. E pra, Jehovai na i ka siguruar me besnikëri gjërat e nevojshme. (Mat. 6:11) Duhet të mbajmë parasysh se çdo sakrificë që bëjmë tani nga ana materiale, është hiçgjë në krahasim me ato që do të na japë Perëndia ynë i dashur, qoftë sot, qoftë në të ardhmen. Pikërisht këtë kuptuan edhe Nestori e Maria.—Isa. 65:21, 22.

9. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i Nestorit dhe Marisë?

9 Nestori dhe Maria gëzonin mjaft rehati kur jetonin në Kolumbi. Ata thonë: «Po mendonim ta thjeshtonim jetën e të zgjeronim shërbimin, por kishim frikë se mos nuk do të ishim të lumtur nëse do të jetonim me më pak para.» Çfarë i ndihmoi ta mposhtnin frikën? Medituan për mënyrat e shumta si u kishte treguar dashuri Jehovai. Kështu, të bindur se ai do të kujdesej gjithmonë për ta, lanë punët me rrogë të mirë, shitën shtëpinë dhe u transferuan në një zonë ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Si ndihen për vendimin që morën? Nestori thotë: «Kemi parë sa të vërteta janë fjalët e Mateut 6:33. S’na ka munguar kurrë asgjë nga ana materiale. E tani jeta jonë është më e lumtur.»

FRIKA NGA NJERIU

10. Pse nuk është çudi që njerëzit kanë frikë nga njëri-tjetri?

10 Gjatë gjithë historisë, njerëzit e kanë dëmtuar njëri-tjetrin. (Ekl. 8:9) Për shembull, shumë njerëz abuzojnë me autoritetin, kriminelët kryejnë akte të dhunshme, bullistët në shkollë ofendojnë dhe kërcënojnë shokët e klasës dhe disa veta madje i trajtojnë në mënyrë brutale familjarët. Nuk është çudi që njerëzit kanë frikë nga njëri-tjetri! Si përpiqet Satanai ta shfrytëzojë frikën nga njeriu?

11-12. Në ç’mënyrë e përdor Satanai si armë frikën nga njeriu?

11 Satanai e përdor frikën nga njeriu për të na shtyrë të bëjmë kompromis dhe të mos predikojmë më. Nën ndikimin e Satanait, disa qeveri kanë ndaluar veprën tonë dhe na kanë përndjekur. (Luka 21:12; Zbul. 2:10) Elementë të botës së Satanait përhapin informacione mashtruese dhe gënjeshtra keqdashëse për Dëshmitarët e Jehovait. Njerëzit që i besojnë këto gënjeshtra mund të na tallin ose edhe mund të na keqtrajtojnë fizikisht. (Mat. 10:36) A na habitin taktikat e Satanait? Aspak. Ai i përdori këto taktika edhe në shekullin e parë.—Vep. 5:27, 28, 40.

Edhe nëse familjarët na kundërvihen, mund të jemi të sigurt se Jehovai na do (Shih paragrafët 12-14) *

12 Frika se mos na përndjekin qeveritë nuk është arma e vetme e Satanait. Disa kanë më shumë frikë si do të reagojnë familjarët ndaj së vërtetës sesa nga ndonjë keqtrajtim fizik. I duan jashtë mase të afërmit dhe dëshirojnë që edhe ata ta njohin e ta duan Jehovain. Lëndohen shumë kur të afërmit flasin pa respekt për Perëndinë e vërtetë dhe për adhuruesit e tij. Gjithsesi, në disa raste, të afërmit që në fillim ishin kundërshtarë, më vonë e përqafuan të vërtetën. Po nëse ndodh që familjarët të shkëputin çdo lidhje me ne për shkak të bindjeve tona të reja? Si do të reagojmë?

13. Si na ndihmon siguria se Perëndia na do në rast se na braktisin familjarët? (Psalmi 27:10)

13 Na e ngroh zemrën kjo e vërtetë kaq e bukur që përmban Psalmi 27:10. (Lexoje.) Kur mbajmë parasysh sa e thellë është dashuria e Jehovait për ne, ndihemi të sigurt përballë kundërshtimit. Gjithashtu jemi të bindur se do të na shpërblejë për qëndrueshmërinë tonë. Jehovai do të kujdeset më mirë se kushdo që të kemi ç’na nevojitet për të jetuar, për të pasur paqe e gëzim në zemër dhe për të mbajtur të fortë miqësinë me të. Biniami, i përmendur më sipër, e provoi vetë këtë.

14. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Biniamit?

14 Biniami u bë Dëshmitar i Jehovait, ndonëse e dinte që mund të haste përndjekje të egra. Të shohim si e ndihmoi siguria se Jehovai e do që ta mposhtte frikën nga njeriu. «Përndjekja ishte më e rëndë nga ç’e mendoja,—thotë ai.—Mirëpo kishte diçka që i trembesha më shumë sesa përndjekjes nga qeveria: kundërshtimi nga familja. Kisha frikë se vendimi që të bëhesha Dëshmitar i Jehovait do ta zhgënjente babanë tim që nuk ishte në të vërtetën, dhe familja do të më shihte si një hiç.» Megjithatë, Biniami ishte i bindur se Jehovai kujdeset gjithmonë për ata që i do. Ai shpjegon: «Meditova si kishte ndihmuar Jehovai mjaft të tjerë përballë vështirësive ekonomike, paragjykimeve dhe turmave të dhunshme. E dija se po të qëndroja i lidhur ngushtë me Jehovain, ai do të më bekonte. Më arrestuan sa e sa herë e madje më torturuan dhe atëherë e provova vetë sa shumë na ndihmon Jehovai në kohë sprovash kur i qëndrojmë besnikë.» Jehovai u bë vërtet një Atë për Biniamin, dhe populli i Jehovait u bë vërtet familja e tij.

FRIKA E VDEKJES

15. Pse është normale të kemi frikë nga vdekja?

15 Bibla e thotë qartë se vdekja është një armik. (1 Kor. 15:25, 26) Mendimi i vdekjes mund të na futë ankthin, sidomos kur ne vetë ose njerëzit tanë të dashur sëmuremi rëndë. Pse e kemi frikë vdekjen? Sepse Jehovai na krijoi me dëshirën që ta gëzojmë jetën përgjithmonë. (Ekl. 3:11) Gjithsesi, një frikë e ekuilibruar nga vdekja mund të na ndihmojë ta ruajmë jetën. Për shembull, mund të na nxitë të marrim vendime të mira që të hamë shëndetshëm e të bëjmë ushtrime rregullisht, të kërkojmë ndihmën e mjekëve e të marrim ilaçe kur është e nevojshme dhe të mos e rrezikojmë më kot jetën.

16. Si përpiqet ta shfrytëzojë Satanai frikën tonë të natyrshme nga vdekja?

16 Satanai e di se për ne jeta është e shtrenjtë. E ai thotë se për të shpëtuar jetën, do të sakrifikonim çdo gjë—madje edhe miqësinë me Jehovain. (Jobi 2:4, 5) Sa gabim e ka! Gjithsesi, meqë «ka mundësi të shkaktojë vdekjen», Satanai përpiqet të shfrytëzojë frikën tonë të natyrshme nga vdekja që të na shtyjë t’i kthejmë shpinën Jehovait. (Hebr. 2:14, 15) Në disa raste, ata që janë vegla në duart e Satanait i kërcënojnë adhuruesit e Jehovait se do t’i vrasin po të mos heqin dorë nga besimi. Në raste të tjera, Satanai mund të shfrytëzojë një problem shëndetësor vdekjeprurës për të na shtyrë të bëjmë kompromis. Mjekët ose familjarët që nuk janë Dëshmitarë mund të na bëjnë presion të pranojmë një transfuzion gjaku, gjë që do të shkelte ligjin e Perëndisë. Ose dikush mund të përpiqet të na e mbushë mendjen të pranojmë ndonjë trajtim që bie ndesh me parimet e Shkrimeve.

17. Në harmoni me Romakëve 8:37-39, pse nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga vdekja?

17 Ndonëse nuk duam të vdesim, jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë të na dojë edhe nëse jeta jonë merr fund. (Lexo Romakëve 8:37-39.) Kur miqtë e tij vdesin, Jehovai i ruan në kujtesë si të ishin gjallë. (Luka 20:37, 38) Mezi pret t’i kthejë sërish në jetë. (Jobi 14:15) Jehovai ka paguar një çmim të lartë që ‘të kemi jetë të përhershme’. (Gjoni 3:16) E dimë sa e thellë është dashuria dhe meraku i Jehovait për ne. Prandaj, në vend që të largohemi nga Jehovai kur jemi të sëmurë ose nën kërcënimin e vdekjes, mbështetemi tek ai për ngushëllim, mençuri dhe fuqi. Tamam kështu bëri Valeria me të shoqin.—Psal. 41:3.

18. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Valerisë?

18 Kur ishte 35 vjeçe, Valeria u diagnostikua me një lloj kanceri të rrallë dhe agresiv. Të shohim si e ndihmoi dashuria e Jehovait ta mposhtte frikën nga vdekja. Valeria tregon: «Ajo diagnozë na e ndryshoi jetën sa hap e mbyll sytë. Duhej të bëja një operacion të rëndë. U konsultova me shumë kirurgë, por asnjëri nuk pranoi të më operonte pa gjak. Kisha shumë frikë, por e dija ligjin e Perëndisë, prandaj nuk do të pranoja kurrsesi transfuzion gjaku! Gjatë gjithë jetës, Jehovai më kishte mbuluar me dashuri pa fund. Tani kisha mundësinë t’i tregoja sa shumë e doja. Sa herë merrja një lajm të keq nga mjekët, isha akoma më e vendosur ta bëja krenar Jehovain e të mos lejoja që Satanai të fitonte. Si përfundim, bëra një operacion pa gjak që doli me sukses. Edhe pse kam akoma probleme me shëndetin, Jehovai na ka siguruar gjithmonë gjërat e nevojshme. Për shembull, fundjavën para se të merrja vesh diagnozën, studiuam në mbledhje artikullin ‘T’i përballojmë me guxim vështirësitë e sotme’. * Ky artikull u bë burim inkurajimi dhe i ktheheshim kushedi sa herë. Artikuj të tillë dhe një program i mirë teokratik na kanë dhënë të dyve si çift paqe të brendshme dhe na kanë ndihmuar të ruajmë ekuilibrin e të marrim vendime të mira.»

TI MUND TA MPOSHTËSH FRIKËN!

19. Çfarë do të ndodhë së shpejti?

19 Me ndihmën e Jehovait, adhuruesit e tij anekënd tokës ia kanë dalë të përballojnë situata sfiduese dhe t’i kundërvihen Djallit. (1 Pjet. 5:8, 9) Edhe ti mund t’ia dalësh mbanë. Edhe pak e Jehovai do t’i urdhërojë Jezuin dhe bashkëqeveritarët e tij ‘të zhbëjnë veprat e Djallit’. (1 Gjon. 3:8) Pas kësaj, ‘asgjë s’do t’i frikësojë dhe s’do t’u ngjallë tmerr’ shërbëtorëve të Perëndisë në tokë. (Isa. 54:14; Mik. 4:4) Ndërkohë, derisa të vijë ajo ditë, duhet të përpiqemi fort të mposhtim çdo frikë.

20. Çfarë do të na ndihmojë të mposhtim çdo frikë?

20 Duhet të vazhdojmë ta forcojmë besimin se Jehovai i do e i mbron shërbëtorët e vet. Një gjë që do të na ndihmojë është të meditojmë si i ka mbrojtur Jehovai shërbëtorët e tij në të kaluarën dhe të flasim me të tjerët për këtë. Gjithashtu mund të bluajmë në mendje si na ka ndihmuar ne vetë të përballojmë situata të vështira. Me ndihmën e Jehovait, mund t’ia dalim të mposhtim çdo frikë!—Psal. 34:4.

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

^ Frika është një ndjenjë normale që mund të na mbrojë nga rreziku. Por mund të ndodhë edhe të na mbërthejë një frikë helmuese që na vë në rrezik. Në ç’mënyrë? Këtë lloj frike Satanai do ta përdorë kundër nesh. Është e qartë, pra, se duhet të përpiqemi fort ta mbajmë nën kontroll këtë frikë. Çfarë do të na ndihmojë? Siç do ta shohim në këtë artikull, kur jemi të bindur se Jehovai është në krahun tonë dhe se na do, mund të mposhtim çdo frikë.

^ Disa emra janë ndryshuar.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift nga kongregacioni ka përgatitur një vakt për një motër të palodhur dhe familjen e saj.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla të ri e përndjekin prindërit ngaqë adhuron Perëndinë, por ai është i bindur se Jehovai do ta mbështetë.